Shoqërueset e mitura, droga dhe satanizmi shkonin dorë për dore me grupin më hevi-rok [heavy rock] në histori. Atëherë, pse dokumentari Becoming Led Zeppelin i injoron të gjitha këto?
Nga: Neil McCormick, kritik i rokut / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Në vitin 1969, në një studio televizive të Parisit me ndriçim të lehtë, Led Zeppelin shpërthejnë me [këngën] Communication Breakdown sikur po përpiqen të shembin të gjithë strukturën e qytetërimit perëndimor. Me një bluzë me ngjyra (tie-dye) dhe pantallona të kuqe të ngushta, lideri 20-vjeçar, Robert Plant, dridhet dhe përdridhet, duke shtrënguar trupin e tij të hollë me një entuziazëm sensual, ndërsa zëri i tij ngrihet dhe jehon si një kujë e çmendur e shpirtrave të vudusë. Jimmy Page përkulet mbi kitarën e tij, me flokë të gjatë dhe pantallona kadifeje, duke nxjerrë nga instrumenti tinguj që nuk ishin menduar se do të dilnin – tinguj që nuk ishin dëgjuar kurrë më parë në këtë planet.
Bashkë me ta, John Paul Jones në bas dhe John Bonham në bateri, krijojnë një fuqi të jashtëzakonshme ritmike, ku teknikat e xhazit virtuoz përzihen me intensitetin e pakompromis të proto-hevi-rokut. Ndërkohë, publiku rri i ngrysur dhe i hutuar, me duar të kryqëzuara, çanta të shtrënguara për trupi, gishtat në veshë, duke vështruar të hutuar këtë vizion të frikshëm të së ardhmes së muzikës pop.
Filmi i ri dokumentar, Becoming Led Zeppelin, tregon historinë se si katër të rinj shumë të talentuar u bashkuan për të krijuar grupin më të madh rok që bota ka parë ndonjëherë – dhe ndoshta nuk do ta shohë më kurrë. Ia vlen të shihet në kinema vetëm për madhështinë e tingullit që shpërthen nga altoparlantët e mëdhenj – një sulm tronditës i bluzit elektrik, i cili gjatë dekadave nuk ka humbur aspak fuqinë goditëse.
Me mbi dy orë pamje të restauruara me kujdes, të ndërthurura me intervista të anëtarëve të mbijetuar të grupit, Becoming Led Zeppelin tregon se si Jimmy Page, një kitarist i talentuar dhe i kërkuar në skenën e muzikës britanike, rekrutoi muzikantët më të mirë të panjohur të bluzit të viteve ’60 të shekullit XX, për të realizuar vizionin e tij krijues për një stil të ri hevi-rok. Duke filluar nga rrënojat e pasluftës në Londër dhe Birmingem, duke eksploruar ndikimet e hershme dhe aventurat e para, filmi na çon përmes formimit të grupit në gusht të vitit 1968, turneve të tyre të para dhe dy albumeve të jashtëzakonshme, deri te një triumf i paharrueshëm në “Royal Albert Hall” në janar 1970, përpara figurave si John Lennon, Eric Clapton dhe Jeff Beck – në prag të pushtimit të botës. Është një histori magjepsëse. Por, nuk është e gjithë historia.
Siç nënkupton titulli dhe përshkrimi si “filmi i parë zyrtarisht i miratuar mbi grupin ikonik”, kjo është një histori mbi origjinën e grupit, e treguar me aprovimin e vetë anëtarëve të tij. Për pasojë, ajo lë mënjanë analizat kritike dhe perspektivat objektive, duke i dhënë fund filmit përpara se rrëfimi të marrë vërtet zjarr. Kështu, shmang trajtimin e trajektores gati mitike të shkatërrimit të një grupi, fuqia e të cilit eci paralelisht me polemika të mëdha, duke krijuar një model jashtëzakonisht dekadent të hedonizmit në botën e spektaklit dhe (me ose pa të drejtë) duke i lënë grupit një reputacion të errët satanik, të lidhur me abuzime seksuale dhe agresion të dhunshëm, përpara se gjithçka të përfundonte në tragjedi, varësi nga droga dhe vdekje. Le ta themi kështu: asnjë peshkaqen nuk u dëmtua gjatë xhirimeve të këtij filmi.
Historia e peshkaqenit është një tregim i errët që ka ndjekur grupin Led Zeppelin ndër vite – një histori skandaloze dhe shumë e diskutuar nga turneu i tyre i parë amerikan me grupin Vanilla Fudge, në vitin 1969 (brenda kufijve të narrativës së filmit). Ngjarja ka të bëjë me një ekspeditë peshkimi nga hoteli “Edgewater” në Sietël, organizuar nga bateristi “Bonzo” Bonham dhe menaxheri famëkeq i turneve të grupit, Richard Cole, ku një bionde shoqëruese, e zhveshur, u filmua teksa përdridhej mes mbeturinave të peshkut, ndërsa Bonham kryente akte seksuale mbi të duke përdorur mbetjet e një peshkaqeni.
Është një nga shumë incidentet e shfrenuara të degjenerimit në prapaskenë, të raportuara në biografi të tilla si Hammer of the Gods nga Steven Davis, Trampled Underfoot nga Barney Hoskyns, Stick It nga Carmine Appice i Vanilla Fudge dhe në kujtimet e vetë Coleit, Stairway to Heaven: Led Zeppelin Uncensored, ku ai këmbëngulte se peshku ishte një “lutjanus kampekanus” dhe se vajza në fjalë ishte një pjesëmarrëse vullnetare. Filmi inkriminues i xhiruar në shiritin tetë milimetërsh nuk është shfaqur kurrë.
Ajo që e bën këtë histori të pështirë është fakti që vazhdon të jetë e gjallë për shkak të reputacionit të grupit Led Zeppelin, i cili shtrihej shumë përtej muzikës. Të menaxhuar nga Peter Grant, një figurë brilante, por intimiduese dhe konfrontuese – një ish-mundës dhe truprojë nate me shtat 1.88 metra dhe me peshë 136 kilogramë – Zeppelin transformuan industrinë e rokut me tarifa dhe parapagime të paprecedenta për koncerte. Ata bënë turne nëpër stadiume duke udhëtuar me një “Boeing 720” të personalizuar, të quajtur “Starship”, i adaptuar për të përfshirë një dhomë gjumi me një krevat të madh ujor, një mbulesë krevati prej pelushi sintetik dhe një dush, – skenë e supozuar e shumë aktiviteteve të dyshimta. Gjatë kësaj kohe, ata fituan një reputacion të pashoq për sjellje të vrazhda dhe abuzive.
Njerëzit që nuk pëlqeheshin nga grupi, kërcënoheshin ose rriheshin. Dhomat e hoteleve shkatërroheshin brutalisht, gratë nënshtroheshin ndaj poshtërimeve të shumta. Jimmy Page u bë i varur nga heroina dhe përflitej se kishte prirje për vajza të mitura. John Bonham u bë alkoolist kronik dhe konsumues kokaine, me një reputacion për akte të paparashikueshme dhune.
Gjatë turneut të tyre të fundit në Amerikë në vitin 1977, John Bonham, Peter Grant, Richard Cole dhe një anëtar i sigurisë u arrestuan për rrahjen brutale të një punonjësi fatkeq të organizatorit të koncerteve, Bill Graham (ata pranuan fajin pa kundërshtim dhe përfundimisht arritën një marrëveshje jashtë gjykatës). “Sa më të mëdhenj bëheshin, aq më keq (Bonzo) bëhej”, ka thënë Andy Johns, inxhinieri i zërit të grupit (i intervistuar për librin Trampled Underfoot). “Kjo kishte shumë lidhje me Pagein, i cili nxiste atë dhe Coleyn dhe pastaj i linte të shpërthenin … Kam parë gjëra të tmerrshme. Ata pëlqenin të poshtëronin gratë”.
Megjithëse nuk përmendet në film, kjo atmosferë kërcënimi dhe errësire ka qenë pjesë e historisë së grupit Led Zeppelin që nga fillimi. Chris Blackwell, themeluesi i “Island Records”, dëgjoi katërshen – atëherë pa emër – duke incizuar albumin e tyre debutues në “Olympic Studios” në vitin 1968. “E kuptova menjëherë që do të bëheshin të mëdhenj. Muzika ishte e pabesueshme”, më tha ai. Por, gjithashtu pranoi: “Jam i lumtur që nuk nënshkrova kontratë me ta. Ishin shumë të rrezikshëm, sipas mendimit tim”.
“Kur Zeppelin bashkohen, diçka e keqe ndodh. Karma e keqe”, më ka thënë Phil Collins, bateristi i grupit Genesis, në vitin 2016. Collins luajti në dy albume solo të Robert Plantit dhe u rekrutua për t’ju rënë tupanëve gjatë ribashkimit të çrregullt të grupit në koncertin Live Aid më 1985, një përvojë për të cilën asnjë nga të përfshirët nuk ruan kujtime të mira. “Çdo gjë që lidhet me grupit Zeppelin: ndodh një kimi e çuditshme. Është si një formë e errët e alkimisë. Gjithçka bëhet shumë e zymtë – madje me një nuancë squfuri”.
Një pjesë e kësaj atmosfere me siguri buronte nga obsesioni i Jimmy Pageit me okultistin famëkeq britanik Aleister Crowley, i cili para vdekjes në vitin 1947, e përkëdhelte veten me nofkën “Njeriu më i lig në botë”. Interesi i Pageit filloi që në adoleshencë, kur lexoi librin e Crowleyt, Magick, veçanërisht kredon e tij “Bëj çfarë të duash, ky është i gjithë ligji”, pjesë të së cilës Page i gdhendi në masterët e disqeve të edicioneve të para të albumit Zeppelin III të vitit 1971. Page u bë një koleksionist i zjarrtë i relikeve të Crowleyt dhe në vitin 1971, i pasuruar nga suksesi i grupit, bleu dhe restauroi vilën e tij në Lok Nes [Boleskine House], e cila u përdor për skena në filmin e grupit të vitit 1976, The Song Remains the Same.
Që nga shpërbërja e grupit, Page ka qenë i rezervuar për këtë temë, por në vitin 1977 i tha biografit të tij të ardhshëm, Chris Salewicz, se ishte i magjepsur nga “sistemi i vetëçlirimit i Crowleyt, ku shtypja konsiderohej mëkati më i madh”. E gjitha kjo lidhej me bindjen e Pageit se ai mund të krijonte një rok-grup të pandalshëm. “Kur të kesh zbuluar vullnetin tënd të vërtetë, duhet të ecësh përpara si një tren me avull”, i tha ai Salewiczit. “Nëse i vë të gjitha energjitë në të, nuk ka dyshim që do të kesh sukses”.
Page padyshim që ndante disa nga prirjet më dekadente të Crowleyt. Gjatë turneve, shumë dëshmitarë raportuan se ai mbante me vete një valixhe të mbushur me kamxhikë, zinxhirë, toptha dhe aksesorë të tjerë erotikë, përdorimi i të cilëve ishte i përkrahur nga Crowley për të shfrytëzuar fuqinë magjike përmes ritualeve seksuale. “Crowley nuk kishte një mendim të lartë për gratë”, pranoi Page në një intervistë të rrallë dhe të sinqertë, duke shtuar: “Dhe, nuk mendoj se e kishte gabim”.
Mbërritja e grupit Led Zeppelin në Los Anxhelos në vitin 1969, përkoi me shfaqjen e një skene të shoqërueseve jashtëzakonisht aktive, ku shumë prej pjesëmarrëseve ishin më të reja se mosha e lejuar për pëlqim. Pamela Des Barres, autorja e autobiografisë kryesore mbi shoqërueset, I’m With the Band, ishte e dashura e përkohshme e Jimmy Pageit, nga viti 1969 deri në 1973, dhe kujton ndikimin e “këtyre vajzave të reja, të nxehta, të cilat donin me ngulm këta yje të rokut – ato thjesht këmbëngulnin”.
Si shumë të tjerë që e përjetuan atë epokë, Des Barres shpesh është e luhatur dhe mbrojtëse ndaj sjelljeve që brezi pas #MeToo i sheh në një dritë shumë më pak falëse, duke folur në mënyrë të paqartë për “një xhep kohe” kur të gjitha rregullat ishin në thelb të pezulluara. Gazetari i ndjerë i rokut, Mick Farren, e përshkruante skenën në mënyrë shumë më pak të romantizuar, duke shprehur neverinë e tij ndaj një realiteti që ai e përshkruante si “të zhytur në spermë, birrë dhe neveri”, duke kujtuar se si anëtarët e grupeve, në një dhomë të pasme të një diskoteke, “merrnin një gojore nga 13-vjeçare nën tavolinë”.
Filmi Almost Famous bazohet në përvojat e drejtpërdrejta të skenaristit dhe regjisorit Cameron Crowe, i cili si një gazetar adoleshent udhëtoi me grupin Led Zeppelin në vitin 1973. “Ajo që po përpiqesha të kapja ishte mohimi i ndërlikuar në të cilin përfshihen vajzat”, tha Crowe. “Ato flasin për veten e tyre si muza … por, kur takon yjet e rokut, kupton që (vajzat) janë thjesht xhingla”.
Zeppelin priren të jenë shumë të rezervuar kur bëhet fjalë për sjelljen e tyre në vitet ’70 të shekullit XX. Gjatë viteve kam intervistuar të gjithë anëtarët e mbijetuar të grupit dhe i kam menduar si të ditur, të civilizuar dhe të sjellshëm, por të gjithë janë të kujdesshëm dhe (mendoj se është e drejtë të thuhet) të parehatshëm me disa aspekte të kulturës hedoniste të rokut mbi të cilën dikur sundonin. John Paul Jones pretendon se ai gjithmonë largohej nga skena e shfrenuar për të kaluar kohë me hipikët e qetë gjatë turneve.
Robert Plant priret të jetë mjaft i penduar: “Kishte tepri, kishte aventura, kishte gjithë ato gjëra … Ishte diçka për t’u parë. Por, tani më duket se kaloi shumë shpejt. Dhe, kishte gjithashtu shumë gjëra që të kthjellonin”. Jimmy Page ka dhënë një mbrojtje të pabesueshme, duke pretenduar se shumicën e atyre turneve i kaloi në dhomën e tij të hotelit duke pirë çaj. “Ka shumë ujë që ka rrjedhur nën urë për të gjithë ata që mbijetuan atë epokë. Fundi i historisë”.
Fatkeqësisht, Bonhami nuk mbijetoi. Fundi i vërtetë i grupit erdhi gjatë provave për turneun e vitit 1980, kur ai u mbyt nga të vjellat e veta pas një dite të tërë pirjeje e cila kishte filluar me një “mëngjes” prej katër dopiove me vodkë. Në atë kohë, Zeppelin ishin në rënie krijuese, një proces që mund të thuhet se u përshpejtua nga varësia e Pageit ndaj heroinës (një tjetër gjë që ai ndante me idhullin e tij, Crowley). Plant, i cili në vitin 1977 kishte humbur djalin e tij pesëvjeçar, Karac, nga një virus në stomak, po e humbiste gjithnjë e më shumë entuziazmin për fuqinë e grupit. Të tre anëtarët e mbetur ranë dakord që historia e tyre kishte përfunduar, me vetëm 12 vjet dhe tetë albume pas fillimit të gjithçkaje (një album pas vdekjes, por mjaft i mirë, Coda, u publikua në 1982).
Do të kishte një ribashkim të fundit dhe jashtëzakonisht të fuqishëm në “O2 Arena”, në vitin 2007, me djalin e Bonhamit, Jason, prapa baterive. Por, pavarësisht ofertave në vlerë prej qindra milionë paundësh për një turne të ri, Plant, në veçanti, ka bërë të qartë se nuk është i interesuar. “Nuk mund të kthehesh kurrë prapa”, më tha ai njëherë. “Duhet të ecësh përpara”. Nga të gjithë anëtarët e grupit, ai ka mbetur më aktiv dhe më i vlerësuar nga kritikët, duke publikuar 14 albume dhe duke bërë turne të rregullta në skena të vogla me grupe eksperimentale të muzikës fuzion. Page, ndërkohë, ka bërë vetëm katër albume dhe nuk ka publikuar muzikë origjinale gjatë këtij shekulli, duke u marrë vazhdimisht me projekte të lidhura me Led Zeppelin, mes të cilave edhe ky film i fundit.
Becoming Led Zeppelin përpiqet sinqerisht të rikthejë vëmendjen te muzikaliteti i tyre, duke e ndarë nga mitet dhe çmenduria. Rezultati, fatkeqësisht, është disi i thatë dhe paksa i pandershëm, me të gjithë anëtarët e grupit – tashmë të moshuar – që flasin për përvojat e tyre vetëm në terma “argëtimi”, duke hedhur një hije harrese mbi gjithçka që nuk përshtatet me kujtimet e tyre.
Por, muzika flet vetë. Pamjet nga koncertet dhe performancat televizive mbeten ende tronditëse, me një forcë që sfidon kalimin e kohës. Vështirë se do të ndodhin më kushtet për të sjellë bashkë një grup të tillë të rinjsh, karizmatikë, virtuozë, duke krijuar muzikë vizionare në kufijtë e aftësisë njerëzore dhe përparimeve teknologjike, me një ndikim të tillë në kulturën e popit. Ndoshta nuk do të shohim më një grup si Led Zeppelin. Por, duke marrë parasysh gjithçka që vinte bashkë me këtë, ndoshta është një gjë e mirë. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij
"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin