LAJMI I FUNDIT:

Andrea Aleksi (1425-1505) prej Durrësit

Andrea Aleksi (1425-1505) prej Durrësit
Kapela e Shën gjonit të Trogirit, një nga monumentet më të bukura të Renesancës në Evropë. Gjendet në murin verior të Katedrales së Trogirit. Kapela është punuar nga shqiptari i lindur në Lezhë, Andrea Aleksi (Ndre Lleshi) i njohur edhe si Durrsaku

Nga: Lazër Radi (botuar te “Bashkimi i Kombit”, nr. 183, 5 gusht 1944)

Pak vetë në Shqipëri e njohin Andrea Aleksin.

Në shtypin tonë kombëtar është folë pak ose aspak për këtë artist të madh të rilindjes Europiane. Vetëm “Hylli i Dritës” në numrin e vet të dhjetorit 1921, faqe 342, flet shkurtazi dhe ia bën të ditur lexuesit shqiptar emrin dhe një pjesë të veprës së këtij artisti të racës sonë. Mbi jetën dhe veprat e Andrea Aleksit kanë shkruar më shumë të huajt e në mënyrë të veçantë, sllavët të cilët e konsideronin si një artist të tyre të madh të Rilindjes.

Ing. Jovan Adami që ka përkthyer në gjuhën shqipe “Historia e Durrësit” të Prof. K. Jeriçekut më dha nga dorëshkrimi i vet këtë shënim të vogël: “Magister Andrea Alexi de Durachio ndërtoi më 1447-1477 kisha dhe altare në Arve, në Tran (Trogir) goditja e kishës për pagëzim në Duomin) dhe në Spalato (Split).” Informatat për këtë i ka mbledhur Kukuljeviç në “Lexikon der Südslavischen Künstler”.

Mbi jetën e Andrea Aleksit dihen fare pak të dhëna. Por është e sigurt se u largua shumë i vogël nga Shqipëria dhe shkoi në Itali për të mësuar. Duket se do të ketë qenë shumë i varfër dhe se e mori nën kujdesin e vet për ta rritur dhe për ta shkolluar një bujar i përmendur i asaj kohe dhe pikërisht duka Françesk Sforza. Ky bujar nuk e ndau Andrean e vogël nga fëmijët e vet dhe duke parë prirjet dhe zgjuarsinë e tij, u kujdes dhe u interesua në mënyrë të veçantë për ta drejtuar në mësimin e shkencave dhe të arteve të bukura. Andrea Aleksi u tregua një nxënës shumë i zellshëm dhe me prirje të mëdha artisitike. Këto prirje Aleksi erdhi duke i përsosur deri në at’ shkallë sa të fitojë një emër të madh për kohën e vet. Si në art ashtu edhe në drejtime të tjera Andrea Aleksi u dallua në mënyrë të veçantë për punimet dhe veprat e veta pati një nderim dhe çmim të posaçëm në kohën e tij. Në Duomon e Milanos, vizituesi ndër sende të tjera mund të shikojë edhe një letër shumë të bukur kushtuar Zonjës së Ilirëve, të cilën milanezët e quajnë “Altare Albanese”.

Në dy anët e këtij altari gjenden dy nënshkrime prej të cilave merret vesh se ky altar i bukur është bërë prej një farë Alexis de la Tarchetta de Albania capitaneo de la corte de barengo. Ky altar, gjithnjë simbas nënshkrimeve, u përfundua më 14 gusht 1480.

Gjithnjë duke analizuar mirë nënshkrimet e altarit të Zonjës së Ilirëve, vëmë re se këtë punim nuk e ka kryer me dorën e vet mjeshtër Andrea Aleksi, por ka bërë që ta punojnë artistët e tjerë nën drejtimin e përpiktë dhe simbas projektit të punuar prej tij. Nënshkrimi thotë: “Questa opera a foto fare Alexio”. Megjithëse Andrea Aleksi në atë kohë ishte i zënë me detyra të ndryshme të rëndësishme dhe megjithëse nuk ka pasur kohë t’i kushtohej plotësisht kryerjes së këtij altari, megjithatë, një gojëdhënë dëshmon se pjesën më të madhe të punës e kreu me dorën e vet, por duke mos mundur ta kryejë vetëm, mori për ndihmë një mjeshtër tjetër të cilit i qëndroi mbi krye dhe e drejtoi në punë duke mos e lënë që t’i shmangej projektit të vizatuar prej tij.

“Altare Albanese” është i lartë 4 metra dhe i gjerë 2 metra e gjysëm; është i punuar me një lloj mermeri të quajtur “Nero del Belgio”. Altari ka tri kupola dhe secila prej këtyre kupolave ka nga një shtatore: në të djathët është truproja e quajtur Gjon Pagëzuesi, në mes truproja e një shenjtoreje që mban në dorë një pendë e një tub letrash. Altari është punuar prej mermeri të quajtur “Nero del Belgio”, kurse tre shtatoret janë të punuara prej mermeri “Carrara”.

Altari i Zonjës së Ilirëve, vepër e skluptorit shqiptar Andrea Aleksi prej Durrësit, është pa dyshim një ndër punimet e tij më të mira. Altari stolisur me kapitela të shumta e të bukura. Në dy anët e këtij altari gjendet ky nënshkrim:

Quando piú sento in lii gran benefitii
chai a me fact o Vergene sancta et pura
in grandezza et honori et tutti offitii
tanto so piú obligato a tua figura che d’Albania
Viuto piccoletto presso quel mio
Signore de’ tanta altura
Duca Francesco Sforza io poviretto mallevai
primo et do lu fui exaltato per il mio ben
Servire in ogni effecto et da li suoi figlioli
sempre honorato io stato con gran mio vantaggio
sopra li meriti mei et del stato
per liqual doni io con fedel coraggio
o Vergine beata
anchor te prego quando fáro desta vita passagio
a la salute mia non facci nego per laqual çosa
ornato ho questa locho de l’imagine tua
ove io me lego a ux io debitare
benché sia pocho

Sa më shumë mendoj në ato mirësira të mëdha
Që mua më ke bërë o Virgjëreshë e shënjtë dhe e kulluar
Në madhështi e ndere e gjithë ofiqet
Kaq shumë tepër jam i detyruar në pamja jote
Se nga Shqipëria erdha vocërrak
Morra këtë zotërinë tim tepër të madhërishëm
Dukën Françesko Sforca, unë i varfëri
Më rriti në fillim dhe prej tij u lavdërova
Për shërbimin tim të shquar në çdo drejtim
Dhe prej andej e bijtë e tij gjithmonë i nderuar
Unë kam qënë për të madhin fatin tim
Më shumë se meritat e fuqitë e mija
Për të cilat dhunti unë me kurajo besnike,
O Virgjëreshë e bekuar, akoma të lutem,
Kur do të zgjohem me kalimin e kësaj jete,
Shpirti im të mos mohohet
Për të cilin qëllim kam zbukurua këtë vend
Me imazhin tuaj unë mbetem i pandarë
Aleksi gjithmonë debitor, veç mos qoftë pak

Vergene sacra fonte de pietade
devotamente tutti ve preghamo
che per la Vostra infinita bontade
per noi interecetate ad quel dhe Adamo
quando pecco lui sant sficce in croce
del che ciaschun sempre de esser eramo
miserere gridando ad alta voce

Virgjëreshë e shënjtë burimplotë mëshire
devotshmërisht të gjithë të lutemi
se për të pafundmen tënde mirësi
Për ne u sakrifikove për atë që Adami
Sa mëkatoi, Ai u shpërblye mbi kryq
Që ç’do kush gjithmonë të jetë i mjerë
Fatkeqësisht bërtasin me zë të lartë.

Questa epoca a fato fare Alexio de la Tarchetta
de Albania capitaneo del la Corte de Barengo
nel anodet MCCCCLXXX di XIII del mese de agosto.

Këtë vepër bëri që të ngrihej Aleksi i Tarketës
së Shqipërisë Kapiten i oborit të Arengo-s
në vitin e 1480-të të ditës 14 të muajti të gushtit.

Andrea Aleksi, shqiptar prej origjine, i ka derdhë veprat e veta anekënd detit Adriatik.

Veprat e këtij artisti të madh janë parë në vende të ndryshme të Dalmacisë dhe pikërisht në Venedik, ishullin Rab, Zander, Llubonik, Troginë, Split, Jakinë dhe në Trenite. Mund të zbulohen edhe vende të tjera ndër të cilat Andrea Aleksi ka derdhë veprat e veta, prej artisti të talentuar.

Ka punuar shumë duke filluar qysh në hyrje të shekullit XVI kur vdiq në Split. Në Kishën e Shpirtit të Shenjtë të këtij qyteti i ruhet edhe sot pllaka e varrit, të cilën e ka përgatitur dhe vendosur për vete qysh në vitin 1503.

Studenti Izedin Dizdari, që ka pas rastin t’i vizitojë këto vende, dhe t’i shohë vetë veprat e madhërishme të skluptorit shqiptar Andrea Aleksi, më dha disa shënime, të cilat po i botoj me shpresë për t’i plotësuar edhe me dokumenta të tjera.

Veprat më të vleshme të Aleksit ruhen në qytetin e Rilindjes, Trogir (Tran), qytet i vogël, por shumë i bukur në bregdetin dalmat. Ky qytet është një muzeum i vërtetë artistësh. Këtu Andrea Aleksi, shkriu të gjithë fuqinë e zotësisë së vet. Do të mjaftonin veprat e tij të Trogirit, për t’u ngrit në shkallën e një artisti me vlerë të madhe.

Data e ardhjes së tij në Trogir nuk dihet me saktësi, por besohet të ketë ardhur aty rreth vitit 1466. Në këtë periudhë, pa ndihmën e kërkujt, punoi Batisterin dhe Pagëzimtoren e bukur dhe të madhërishme në Katedralen e Trogirit. Në ditën e fundit të atij viti, Aleksi mori një shumë të konsiderueshme për veprën e vet që kreu gjatë vitit 1467, sepse në këtë vit është gdhendur emri i tij në majën e derës së Batisterit nga ana e brendshme. Edhe aktet e Arkivës së Trogirit e përmendin, më 20 janar, 14 shkurt, 1 qershor e 28 tetor të atij viti. Nga fundi i atij viti Andrea Aleksi u njoh me një mjeshtër skluptor të dorës së parë. Ky ishte Nikollë Fjorentini, arkitekt i Katedrales së Shibenikut, të cilit historia e artit nuk ka mundur ende t’ia përcaktojë mbiemrin e vërtetë. Nëse përgjasimit e stilit nuk na gënjejnë, mjeshtër Nikolla ka qenë nxënës i Donatelos, bile ka qenë një nxënës shumë i zellshëm i tij. Ky erdhi në Trogir dhe në 19 dhjetor 1467, u caktua që të ndërtonte Kapelën e Shën Gjonit pranë Katedrales së qytetit. Për marrëveshjet kishte kërkuar që ta zëvendësonte bujari trogiras Korjolan Qipiko. Thuhet se pikërisht ky Qipiko kishte një kulturë të lartë dhe ishte i pajisur me frymën e Rilindjes; përveç kësaj kishte fituar nam në shërbim të Venedikut, për sa kohë që kishte komanduar një varkë në luftën kundra turqve. Trogirasit, të mrekulluar prej skulpturave të Andrea Aleksit në batiste, dëshirojshin që edhe një ipeshkvi e vjetër Gjon Orsini që kishte hyrë në rradhën e shejtanëve, për të ndërtuar një kapelë të veçantë pranë katedrales. Për këtë punim u bashkua Aleksi me Fjorentinin dhe nënshkruan më 4 janar 1468, në të cilën Fjorentini zëvendësonte Qipikon, duke i premtuan drejtuesve të Kishës se do ta kryenin punën më së miri. Në të vërtetë kjo kapelë është edhe sot një ndër xhevahiret më të çmueshëm të artit të qytetit të Trogirit, njëkohësisht është edhe një ndër veprat më të bukura në të gjithë Dalmacinë.

Në kontratën e lidhur është e paraparë çdo hollësi punimi, por duke qenë se mungonin të hollat, artistët u detyruan të bënin disa ndryshime të vogla në pjesën e sklupturës. Punimet filluan në 1468 dhe njëri prej mjeshtrave mori si paradhënie shumën prej 70 dukatësh. Nga mungesa e të hollave ishin të detyruar të kërkonin edhe punime private. Për këtë arsye kanë punuar edhe në Kishën e Domenikanëve të Trogirit, një përmendore të Ivan Sabotiqit. Në Trogirë është e ruajtur një seri e gjithë veprave artistike për të cilat dihet me siguri se i ka punuar firma Aleksi-Fjorentini. Pallati ipeshkvi i Jak Torlanit i takon kësaj periudhe. Në këtë kohë u punua edhe pallati i pasur i Korjolan Qipikos, motivi i Bashës dhe i Merkaolandit u punua prej Aleksit sipas vizatimit të Gjergj Orsinit. Krishtin me dy engjëj e ka gdhendur Aleksi, por ky punim nuk është futur në kishë dhe sot e kësaj dite qëndron në fushë të hapur për të luftuar me kohën.

Të shtrëngruar nga varfëria mjeshtrit tanë u detyruan të shkonin e të kërkonin punë edhe në vende të tjera. Duket se kanë shkuar me parë në Zadër (Zara) ku shihen edhe sot disa porta e më tepër dritare shumë të bukura që dëshmojnë se këta artistë kanë qenë për disa kohë në këtë qytet. Nga Zadri kanë shkuar në Split, ku kanë punuar këmbanoren e katedrales së qytetit. Kanë bërë edhe punime të tjera. Më 1473, kanë punuar edhe në Tremitet italiane dhe pikërisht kanë kryer faqatën e kishës së Shën Marias. Në Trogir u kthyen vetëm për një kohë të shkurtër. Sa kohë qëndroi Aleksi në Trogir së bashku me shokun e vet Fjorentinin, është shënuar në 18 dokumenta të ndryshme, të cilat i zbuloi dhe i përmblodhi Dr. Pjetër Kolendiqi dhe i botoi në një vepër më vete.

Po të bëhen kërkime të tjera mund të nxjerrim njohur edhe më të gjera rreth jetës dhe veprave të këtij artisti të shquar shqiptar. Është detyra jonë, në mos tjetër, të fotografojmë punimet e vlefshme të këtij artisti, dhe t’ia bëjmë të njohur popullit shqiptar gjeninë artistike të racës sonë. /Radiandradi/