Nga: Halil Matoshi (botuar më 1997 në revistën “Sheshi”)
PROLOG: A është piromania një “kthim në burimin e mitit” (Edelhajt) apo është një mekanizëm plus në sistemin e përpunuar të ideologjisë së luftës? A është rezultat i nevojës primare instiktive e bashkëlindur sipas Frojdit apo zjarri simbolizon impulset libidinale nga të gjitha nivelet e zhvillimit psikoseksual? ‑ siç mendonte Grinshtajn. Apo, ndoshta, zjarrvënia ka të bëjë me ritualin religjioz, sipas Almansit?
Xhakob Arlou, duke studiuar veprën letrare të japonezit Juki Mishima, vjen në përfundim se piromania buron nga pamja fillestare dhe destruksioni oral. Ndoshta Frojdi pa të drejtë bën reduksionizmin në çështje thjeshtë psikanalitike të agresivitetit, destruksionit dhe piromanisë, ngase një rol të fuqishëm në “ndezje zjarresh” lozin edhe motivet shoqërore, të fituara e jo të bashkëlindura, siç është motivi ushtarak, (nënshtrimi i kundërshtarit), ai mitologjik (zjarri i rrëmbyer nga perënditë duhet kthyer në burim) dhe religjioz (ritet sakrale), “lufta e shenjtë” etj. Por, po qe se piromaninë e vështrojmë nga këndi ballkanik (Ballkani si “fuqi baroti”!), atëherë lirisht mund të konkludojmë se destruksioni dhe piromania së pari planifikohen e projektohen në propagandë, pra medializohen e tek pastaj ndezet flaka në skenë. Zjarri në Ballkan është ndezur së pari në Televizionin serb dhe duke pasur si pretekst “mitin për Kosovën” …
1. PIROMANIA DHE PAMJA FILLESTARE
Grinshtajn sipas observimeve klinike, për elementin e zjarrit në ëndrra, kujtesë dhe fantazime, thoshte se shpesh ato mund të përfaqësojnë dëshirat orale, erotike dhe agresive, aktive dhe pasive. Almansi e pati zhvilluar këtë temë në lidhje me ritualet religjioze, që duket se ndikoi edhe te Juki Mishima, i cili në romanet e tij modelon ritualizimin e fantazive flijuese, kanibalizmin dhe gjakpirjen. Kështu Mishima në tri romane të tij ka për motiv barazimin e kalljeve me destruktivitetin oral. Sipas Xhakob Arlout, personazhi i Mishimës, një i ri zen-predikues kall Tempullin e Pavijonit të Artë me 1950. Sipas raporteve të gazetave këtë zen-predikues e mundonte varësia kundrejt të bukures në Tempullin e Artë ‑ varësi që mund të kuptohet kur të kihet parasysh se ai ishte i shëmtuar dhe belban i përjetshëm. Mishima, motivin zjarrvënës dhe vetëshkatërrues të zen‑predikuesit të ri e sheh intuitivisht në lidhje me traumën e pamjes (shfaqjes) primale (fillestare), si pasojë e vëzhgimit të aktit seksual të së ëmës me xhaxhain e tij!
Tek Mishima, sipas Arlout, shquhen tri përgjigje lidhur me p a m j e n p r i m a r e: e para, pamja primare përjetohet si një humbje përulëse që shpie te dëshira që në ndonjë mënyrë të merret haku; e dyta, vërehet zgjimi i një mllefi të tmerrshëm kundrejt njërit apo të dy prindërve; dhe e treta, pamja primare tregohet simbolikisht me elementet e zjarrit, apo rizbulohet në të kujtuarit në zjarr. Zjarri është mjet për dëshirat destruktive orale ndaj njërit apo të dy prindërve, çka paraqet fantazinë primitive të pavetëdijshme të gllabëritjes (përbirjes), të ngrënies dhe personifikimit (mishërimit). Për arsye të fuqisë së madhe shkatërruese, zjarri është mjet shumë i përshtatshëm për gratifikimin e impulseve sadiste të cilat shërbejnë për mbisundimin e vuajtjeve të çfarëdo prejardhje qofshin ato. Literatura, thotë studiuesi Xhekob Arlou, është përplot skena mbi rastet e zjarrvënies në të cilat zjarri nxitet për shkak të hakmarrjes.
“Fakti se zjarri mund të krijojë pamje të pakundërshtueshme me intensitet që rritet dhe drithërima që mund të dalin nga kontrolli, tërheq kryesisht ata individë të cilët janë të prirur për dëshirë shkatërruese hakmarrëse, e cila rrjedh nga trauma e pamjes primare. Edhe impulset seksuale, edhe ato agresive projektohen në zjarrin që shërben si simbol, por edhe si strehim për përvojën apo fantazinë fillestare.”/Arlou: Koment psikanalitik veprës së Juki Mishimës, “Psikanaliza dhe letërsia”/
EPIGRAF: Raportet midis Krishtit dhe Judës, në shkrimin e tij “Juda, ekzekutori i dashur” studiuesi Tarachoë i shpjegonte nga prizmi psikanalitik. Tarakovi e konsideron Krishtin si “viktimë e adhuruar, e cila e ofron veten nga dashuria që të jetë i vrarë dhe i ngrënë nga hebrenjtë, e veçanërisht nga Juda. Juda është figuruar sikur e don Krishtin i cili e ka ngarkuar me barrën e agresivitetit, duke e thirur si të dashur dhe ekzekutor të adhuruar…Të dorëzuarit e plotë në dashuri është barazuar me vrasjen dhe kanibalizmin.”
2. PRIRJA BIBLIKE APO SADOMAZOHISTE: VIKTIMA DHE EKZEKUTOR TË ADHURUAR
Boshnjakët myslimanë dihet se përgjatë historisë së jetës flertuese me serbët, kanë qenë jo vetëm inferior ndaj serbëve, por edhe të prirur me një sadomazohizëm, që është vështirë për t’u shpjeguar. Këtë prirje duhet kërkuar në jetën e ndërthurur, në koekzistencën e imponuar, jo pranë serbëve, por me ta, të boshnjakëve myslimanë. Një raport gjuhe e gjaku të përzier, me një thirrje të largët religjioze të kundërt. Ritualizimi dhe ndërgjegjësimi për përkatësinë fetare dhe pozitën nënshtruese i ngriti boshnjakët kundër “ekzekutorit të adhuruar”. E këta ekzekutorët, raportin e tyre ndaj “viktimës së adhuruar” e projektuan në simbolin e zjarrit. Drama eternale qëndron në faktin se ky zjarr shkatërroi jo vetëm qytetet, hëngri rreth dyqind mijë jetë dhe shkatërroi qindra‑mijëra raporte martesore, familje të përziera etj. Përse tashti me aq urrejtje traumatike flitet për myslimanët boshnjakë si për turq e për Sarajevën si për Teheranin? Ndoshta burimi i tërë kësaj qëndron në vasalitetin serb ndaj osmanlinjve, gjatë Perandorisë Otomane!? Ndoshta pse boshnjakët ishin më përpara në prehrin otoman dhe qysh atëherë zunë fill pamjet primare, incestioze, apo e tëra është ideologji e përpunuar në laboratorët e luftës, ndërkaq motivet psikologjike janë të dorës së dytë e të tretë!?
3. ARMIKUT DUHET PLASUR ZEMRËN!?
Kallja e shtëpive serbe nga vetë serbët para se të tërhiqeshin, në disa komuna të Sarajevës, dëshmoi se lufta, destruksioni dhe në fund zjarri janë medializuar deri në skajshmëri: “Gjuha e re” orveliane përmes përsëritjeve të pareshtura e të ritualizuara në masmediat serbe si: armikun duhet shkatërruar, kjo është luftë e shenjtë, po vijnë turqit, xhihadi, se asgjë serbe s’bën të bjerë në dorë të tyre, etj. tashmë e kanë fuqinë e fjalëve ikona dhe evokojnë atë fotografinë “të shohësh sikur” sipas Rikerit. Apo ndodh ajo që dikur ndodhi me Romën: Serbët vetë i dogjën shtëpitë e tyre, për ta luajtur sakaç rolin e viktimës e për këtë akuzohen myslimanët tjerët, siç akuzonte Neroni të krishterët për flakët që kishin vërshyer Romën!? Apo mendohet se shtëpitë do t’ua ndërtojë të reja ose do t’ua kompensojë dëmin material Bashkësia Ndërkombëtare, në kuadër të buxhetit për rindërtim!? Sidoqoftë, në Gërbavicë s’ka më serb. Ata ikin “sa më larg” “turqve”! ‑ siç i quajnë tashti fqinjët e tyre të deridjeshëm. Por, asgjë nuk bën të mbetet në duar të armikut. TV kamerat e kanë kapur storien tek e bartin çetnikët këmbonaren e kishës së tyre të themeluar këtu në fillim të luftës (1992). Ndërsa shtëpitë mbeten në flakë. Gërbavica (lagje e Sarajevës) u kall flakë vetëm që të mos mbetet në duart e myslimanëve boshnjakë, u kall sepse u humb! Aty ku kalon ushtria serbe mbetet hiri ‑ thoshte këtu e shtatëdhjetë vjet Dimitrie Tucoviqi.
Gërbavica në prak të hyrjes së forcave federale të Bosnjës dhe Hercegovinës u mbulua nga flaka dhe tymi. Një gazetar serb shkruante se megjithatë nuk ndezej aq sa dëshironin shumica nga ish‑banorët e saj.
Një serb shikonte nga ajo anë e urës së Gërbavucës dhe thoshte:
‑ “Nuk po kallet si duhet!?”
Në atë moment u dëgjuan eksplodime zinxhirore. Ata i kishin minuar shtëpitë e tyre. Atëherë serbi që shikonte “Sarajevën serbe” për të mbramën herë, vazhdoi me një disponim të dukshëm:
– “Mashalla, sikur më ndjeu!”
Ky rezonim piromanësh dëshmon se zjarri vërtet e ka fuqinë e tmerrshme “për kthim në pamjen primare”, madje edhe gjuha është infantile. Ndërkaq, vështrimin e zjarrit këta e kthejnë në ritual, herë bëjnë kryq e lutën, herë qeshin me zë: “Mashalla!?” Zjarri shërben si terapi ose shfrim për t’u qetësuar përkohësisht nga e keqja robëruese brenda gjeneve njerëzore.
GOJËDHËNA: Neroni (njëri nga imperatorët romakë) e ka ndezur Romën për t’u inspiruar që të shkruajë një poezi!? Ai thuhej se vështronte flakët që kishin kapluar qytetin dhe kënaqej…
4. VARIANTI SERB I FITOREVE NË LUFTË DHE HUMBJES NË PAQË
Më 19 shkurt 1996, sipas marrëveshjes së Dejtonit, forcat federale do ta marrin kontrollin mbi territorin e Sarajevës dhe lagjeve që e rrethojnë, të cilat ishin në duart e serbëve përgjatë luftës katërvjeçare. Forcat myslimane ‑ kroate të federatës marrin kontrollin edhe në territoret përreth Sarajevës që kanë kontakt vizuel me qytetin, pra krejt çka shihet me sy. Serbët u detyruan të shkojnë pas prijësve të tyre, andej kah Pale, apo Beogradi e Haga…
“Serbët nuk mund ta shohin më me sy Sarajevën.” ‑ konstaton gazetari i “NIN”‑it beogradas.
“Më e dhimbshmja është, siç duket, ajo që “Sarajeva serbe” u humb jo në luftë, por si pasojë e pazarit, me një nënshkrim.
“Po ta merrnin me luftë, asnjë fjalë s’ do ta qitja nga goja”.
(…) Udhëheqësi i një ekipit të huaj televiziv, përndryshe serb, u propozonte kolegëve titullin: “Lamtumirë Sarajevë ‑ shihemi në Kalgari!”, që ka mesazhin e qartë: Mirupafshim në luftën tjetër! ‑ shkruan revista beogradase “NIN”.
5. GATI DY MIJË VJET MË PËRPARA
Në vitin 37 pas Krishtit, pra 1959 vjet para ndezjes së Sarajevës nga vetë banorët e saj, në Romë u lind Neroni, djali Domiçius Ahenabarbusit dhe Agripinës së Re, i adoptuar nga Imperatori Klaud…
6. NGANJËHERË TË DUKET SE ME KOSOVËN FILLON GJITHÇKA
8 shtator 1913
“Vrasja e një ushtari serb (nga Pjetër Çeli) në fshatin Fshaj të Gjakovës, pse provoi të prekte nderin e familjes së Zef Dodë Përgjinit, u shërbeu organeve policore si pretekst për aksionin e pastrimit, të vrasjeve e djegieve … Fshati u bë rrafsh me tokë. U dogjën edhe Ujzi dhe Smaçi(…)
12 shtator 1913
“… në kullën e Abdullah Zeqës, në Ujz, ushtarët i mbyllën 70 gra me fëmijë, për t’i djegur të gjallë”. ‑ shkrojti shtypi austriak i kohës, gjë që ushtria serbe u përpoq ta demantojë, bile komandanti i saj thoshte: “Kemi mbajtur qëndrim shumë të drejtë në shuarjen e kryengritjes në Gjakovë”!?
22 tetor 1913
Gazeta e socialdemokratëve serbë “Radnicke Novine” botonte këtë letër të një ushtaraku serb:
“… nuk kam kohë të të shkruaj gjatë, po mund të të them se këtu po bëhen gjëra të tmerrshme. Jam i tmerruar dhe pyes gjithnjë se si njerëzit mund të jenë kaq barbarë, për të kryer mizori të tilla…Mund të të them se Luma nuk ekziston më. Nuk ka tjetër veçse kufoma, pluhur e hi”.
7. SËRISH KOSOVA, SËRISH ZJARRET DHE VARRET BALLKANIKE
Mark Tompson, në librin “Prodhimi i luftës”, në maj 1995 shkruan se uragani serb në fushatën kosovare meriton vend të veçantë në studimet e përgjithshme të manipulimit masiv dhe të fashizmit modern.
“… Në ish‑Krahinën Autonome të Kosovës pushteti serbian ka vendosur një sistem aparteidi për 90 për qind të banorëve shqiptarë. Serbianët e kanë suspenduar jetën qytetare. Universiteti dhe shkollat janë mbyllur, gjyqtarët dhe mjekët shqiptarë janë hedhur në rrugë …”
Pastaj Dubrovnikun e kaploi flaka. Ranë tonelata zjarr ‑ hekuri mbi Sarajevën. Ra Vukovari. U vra Srebrenica…
“… Kosova ishte shtylla kryesore propagandistike, ishte nocioni themeltar i një “gjuhe të re” (Orveli)… Bombardimi i Sarajevës, në fakt, filloi më 5 korrik 1990, kur njësitë speciale policore serbe pushtuan Televizionin e Prishtinës. Pra, Kosova u viktimizua me bindjen e mjerë se të tjerët do të shpëtojnë…” ‑ shkruante kolegu B. Shala lidhur me librin e britanikut Tompson.
8. PIROMANIA, SISTEM APO ÇMENDI?
Në vitin 54 pas Krishtit Neroni trashëgon pushtetin. Ia nisi së mbari edhe pse që në fillim në pallat ndodhën dy drama: vrasja e Britanikusit (viti 55) dhe e Agripines (viti 59)…
‑ Pas vdekjes së Buriusit në vitin 59 pas Lindjes së Krishtit Seneka u përzu nga Roma, Neroni u bë despot, ndoshta po çmendej…
9. ZJARRI DHE EFEKTI GJITHPËRFSHIRËS
Gazetari sarajevas, Ademir Kenoviq, në janar 1994 thoshte edhe këtë:
“Kam përshtypjen se jemi në katin e 19‑të të rrokaqiellit, ndërkaq zjarri po ndizet në katin e dytë, gjithnjë e më ashpër, gjithnjë e më fort. Kur këtë e thashë para dy vjetësh, gazetarët më shikuan me habi thuaja bëhesha se qëndroja në një vend tmerrësisht të rëndësishëm. Nuk isha…Por, Bosnja nuk është një ishull ‑ ky s’është Rejkjaviku. Nuk do të jemi në gjendje që ta ndalim zjarrin që të depërtojë (permes Ballkanit). Gjithçka në Bosnjë përbën paradigmen e ferrit. Ndoshta diçka si kjo flakë do të lajmërohet në ndonjë vend tjetër, por është e pandalshme. Kur diku shpërthen, duhet të shpërthejë edhe gjetkë.”/Në librin e Tompsonit “Prodhimi i luftës”/
9. NË VEND TË EPILOGUT
Sipas Frojdit, sjellja destruktive nuk është e fituar (e mësuar), por është rezultat i një nevoje primare instiktive, i agresivitetit të bashkëlindur. Meqenëse agresiviteti njerëzor është gjenetikisht i determinuar dhe i parrënjosshëm, konfliktet e mëdha e të përgjakshme të bashkësive njerëzore, të popujve, të grupeve fetare dhe të shteteve janë pothuajse të pashmangshme. Si njërin nga motivet kryesore për luftën, Zigmund Frojdi e sheh në prirjen e bashkëlindur të njeriut për të keqen dhe për destruksionin, që është dediktuar nga instikti i vdekjes.
“…A besoni ju, me të vërtetë, se një grusht njerëzish, të etshëm për lavdi e të pandërgjegjshëm dhe një grusht mashtruesish gjithashtu të pandërgjegjëshëm do të arrinin për të liruar të gjithë ata shpirtëra të këqinj, që milionët e atyre të cilëve u kanë prirë, nuk janë fajtorë bashkë me prijësit? A keni guxim që edhe në ato rrethana të luftoni për përjashtimin e së keqes nga struktura psikike e njeriut?” ‑ kështu shkruante Frojdi në hovin e Luftës së Parë Botërore.
10. NË FUND TË STORIES: NERONI BËN VETËVRASJE
Oktiavia vrau vetën, e zëvendësoi Pompeja. Neroni zbraz thesarët e pallatit me vagabondizëm, ndërkohë dënon me vdekje dhe ekzekuton qytetarët e pasur, me paratë e të cilëve duhej mbushur arkën e shtetit.
Neroni në vitin 64 pas Krishtit nis persekutimet e para kundër të krishterëve, duke i akuzuar se gjoja e kanë kallur Romën. Regjimi i tij i terrorit pason me komplote të shumta derisa në vitin 68 pas Krishtit armata çohet në kryengritje. Senati e proklamon publikisht si armik dhe Neroni bën vetëvrasje… Pas katërmbëdhjetë vjet pushteti monstruoz (54 ‑ 68). Po aq sa Fransua Miterani, ta zëmë…
FILOZOFIA E JETËS: “Flaka e seksualizuar është mbi të gjitha lidhëse e të gjitha simboleve. (…) Prometheu më parë është dashnor sesa filozof i urtë, ndërkaq hakmarrja e zotrave paraqet hakmarrjen e burrit xheloz.”/Bachelard, sipas Ihab Hassan, Revizioni i letërsisë: retorika, imagjinarja, vizioni/
/Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Mbyllet afati kalimtar i janarit në top 5 ligat: Shumë transferimet u zyrtarizuan në fund
Banorët ndjekin klipin - momenti kur Gerta i hodhi për herë të dytë alkool në sy Gjestit
Grenell kritikon Kurtin, a po përfshihet SHBA në zgjedhjet e Kosovës?
Çfarë është USAID-i dhe sa qendror është ai për politikën e jashtme të SHBA-së?
Rasti i Gjestit, Egla Ceno: Jam e sigurt që do ta nxjerrin Gertën
Rubio përshëndet masën e Panamasë për të dalë nga plani i infrastrukturës kineze