Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Sot, në moshën 99-vjeçare, Anita Lasker-Wallfisch është e vetmja e mbijetuar e mbetur nga Orkestra e Grave e Aushvicit. Në moshën 19-vjeçare, ajo u intervistua nga BBC më 15 prill të vitit 1945, në ditën e çlirimit të kampit të vdekjes Bergen-Belsen ku ishte transferuar gjashtë muaj më parë. Duke folur në gjuhën me të cilën ishte rritur, në gjermanisht, ajo tha: “Para së gjithash, dua të them disa fjalë për Aushvicin. Ata të paktë që kanë mbijetuar, kanë frikë se bota nuk do të besojë atë që ndodhi atje”.
Ajo vazhdoi: “Një mjek dhe një komandant qëndronin në rampë kur mbërrinin transportet dhe përzgjedhja bëhej para syve tanë. Kjo do të thoshte se ata pyesnin për moshën dhe gjendjen shëndetësore të të sapoardhurve. Ata që nuk dyshonin gjë, pranonin të raportonin ndonjë sëmundje, duke nënshkruar kështu dënimin e tyre me vdekje. Sidomos fëmijët dhe të moshuarit ishin në shënjestër. Djathtas, majtas, djathtas, majtas. Në të djathtë ishte jeta; në të majtë ishte oxhaku”.
Kur mbërriti për herë të parë në platformën e shkarkimit të Aushvicit, të njohur si rampa, komenti i rastësishëm se luante në violonçel mjaftoi për të ndryshuar drejtimin e jetës së saj. “Muzika luhej për të shoqëruar gjërat më të tmerrshme”, ka thënë ajo.
Lexo po ashtu:
– Profili psikologjik i një diktatori: I çmenduri që çmendi historinë
– Tmerret brenda kampit nazist të vdekjes
– Mendja naziste
– Cili ishte motivi i rrethit të brendshëm të Hitlerit?
– Ekspozita që pasqyron tmerrin e Aushvicit: Urrejtja nuk ndërtohet brenda një nate
– Babai i Anne Frankut dhe jeta pas vdekjes së saj
– Lufta për “kulturën e kujtesës” të Gjermanisë
Pas Luftës së Dytë Botërore, Anita Lasker rrallëherë foli gjermanisht në publik, për 50 vjet, por teksa rritej, qyteti i saj i lindjes, Breslau, ishte pjesë e Gjermanisë. Sot, i njohur si Vroclav, është pjesë e Polonisë që nga fundi i luftës. Nëna e Laskerit, Edith, ishte një violiniste e talentuar, ndërsa i ati, Alfonsi, një avokat i suksesshëm. Si më e vogla nga tri vajzat, ajo u rrit në një familje të lumtur, ku muzika dhe kultura inkurajoheshin. Që në moshë të vogël, e dinte se donte të bëhej çeliste, por jashtë strehës së sigurt të vatrës së saj, forcat e errëta po ngrinin krye.
Në një dokumentar të BBC-së më 1996, ajo ka thënë: “Ishim një familje tipike e asimiluar gjermano-hebreje. Shkonim në një shkollë të vogël private dhe papritur dëgjova dikë që tha: ‘Mos ia jep sfungjerin hebreut’! Dhe, mendova: ‘Çfarë po ndodh’”?
Deri në vitin 1938, ndërsa antisemitizmi po përhapej gjithnjë e më shumë në Gjermaninë naziste, prindërit e saj nuk mund të gjenin një mësues të violonçelit në Breslau që të pranonte të mësonte një fëmijë hebre. Për këtë arsye, e dërguan në Berlin për të studiuar, por ajo u detyrua të kthehej me nxitim te prindërit e saj pas një nate të vrasjeve dhe shkatërrimit. Më 9 nëntor 1938, persekutimi i fshehtë ndaj hebrenjve mori një kthesë të dhunshme, pasi nazistët shkatërruan dritaret e shtëpive, bizneseve dhe sinagogave gjatë Kristallnacht-it ose “natës së xhamave të thyer”.
Në shtëpi, prindërit e Laskerit vazhduan t’u ushqenin fëmijëve dashurinë për kulturën, duke thënë: “Askush nuk mund të na e marrë këtë”. Motra e saj më e madhe, Marianne, arriti të shpëtonte në vitin 1939 përmes Kindertransport-it, një mision që dërgoi mijëra fëmijë në siguri në Britani, pak para fillimit të luftës. Deri në vitin 1942, edhe pse “bota po shkërmoqej”, babai i saj vazhdonte ta inkurajonte atë dhe motrën Renate të diskutonin veprat e ndërlikuara, si tragjedinë Don Karlosi të Friedrich Schillerit. Megjithatë, tha ajo, “ishte e qartë se çfarë do të ndodhte”.
Në prill të vitit 1942, erdhi urdhri i tmerrshëm që prindërit e saj të paraqiteshin në një vend të caktuar, brenda 24 orëve. “Ecëm nëpër Breslau, jo vetëm prindërit e mi, por një kolonë e tërë njerëzish deri në pikën e caktuar, dhe thamë lamtumirë. Ky ishte fundi. Vetëm kur u bëra vetë prind, e kuptova se çfarë duhet të kenë përjetuar prindërit e mi. Deri atëherë, njeriu kishte filluar të shtypte ‘luksin’ e ndjenjave”.
Anita dhe Renate u dërguan në një jetimore me hebrenj, por së shpejti sajuan një plan për të ikur nga Gjermania naziste. Duke u shtirur si gra që po ktheheshin në shtëpi në Francën e papushtuar, u nisën me dy miq për në stacionin e trenit në Breslau, duke mbajtur dokumente të falsifikuara. Plani dështoi dhe ato u arrestuan nga Gestapoja – nga policia sekrete naziste. Anita kaloi rreth 18 muaj në burg, e akuzuar për falsifikim, ndihmë ndaj armikut dhe përpjekje për arratisje, por të paktën ishte relativisht e sigurt atje. “Burgu nuk është një vend i këndshëm, por nuk është kamp përqendrimi”, tha ajo. “Askush nuk të vret në burg”.
Në vitin 1943, për shkak të mbingarkimit në burgun e Breslaut, të gjithë të burgosurit hebrenj u transferuan në kampet e përqendrimit. Anita u fut në një tren për në Aushvic, ndërsa Renate u dërgua dy javë më vonë. Anita arriti në kamp gjatë natës, ku u përball me një skenë të tmerrshme: “Më kujtohet që bënte shumë zhurmë dhe gjithçka ishte e pakuptueshme. Nuk e kishe asnjë ide se ku ndodheshe. Zhurmë nga qentë, njerëz që bërtisnin, një kutërbim i tmerrshëm … Në të vërtetë, kishe mbërritur në ferr”.
Në momentin e mbërritjes, të burgosurat e Aushvicit e tatuan dhe rruan atë, ndërsa me padurim kërkonin ndonjë informacion mbi luftën. “Thashë: ‘Shikoni, nuk mund t’ju them shumë sepse kam qenë në burg për një kohë të gjatë’. Dhe, pastaj, me indiferencë përmenda se luaja në violonçel. Një vajzë më tha: ‘Oh, kjo është shumë mirë. Ndoshta mund të shpëtosh’. Situata vërtet ishte e pabesueshme. Isha lakuriq, nuk kisha më flokë, kisha një numër të shkruar në krah, dhe po zhvilloja këtë bisedë absurde. Ajo shkoi dhe thirri Alma Roséin, dirigjenten e orkestrës, dhe kështu u bëra anëtare e Orkestrës së famshme të Grave të Aushvicit”.
Alma Rosé ishte mbesa e kompozitorit të famshëm Gustav Mahler, ndërsa babai i saj ishte dirigjent i Filarmonisë së Vjenës. Sipas Laskerit, ajo drejtonte orkestrën e kampit me një profesionalizëm të frikshëm: “Ajo arriti të na bënte aq të shqetësuara për atë që po luanim dhe nëse po e luanim mirë, saqë përkohësisht nuk shqetësoheshim për atë që do të ndodhte me ne”.
Duke përdorur instrumente të vjedhura nga të burgosurit e tjerë, orkestra kishte një repertor të kufizuar, kryesisht muzikë ushtarake. “Detyra jonë ishte të luanim marshe për varganin e të burgosurve kur dilnin jashtë kampit në mëngjes dhe kur ktheheshin në mbrëmje “.
Duke folur në programin Desert Island Discs në BBC Radio 4, në vitin 1996, Lasker tha se derisa Rosé vendoste standarde jashtëzakonisht të larta, ajo nuk besonte se kjo vinte nga frika se mund të vriteshin nëse nuk luanin mirë. “Ishte një arratisje, në njëfarë mënyre, përmes përsosmërisë”, ka thënë ajo. “Disi, ti pajtohesh me faktin se, në fund, do të të kapin, por për sa kohë nuk të kanë kapur, ti thjesht vazhdon. Mendoj se një nga elementët e mbijetesës ishte të ishe mes njerëzve të tjerë. Mendoj se dikush që ishte krejtësisht i vetëm, nuk e kishte asnjë shans”.
Rosé nuk e mbijetoi luftën dhe dyshohet se vdiq nga botulizmi në prill të vitit 1944. Lasker tha:
“Mendoj se ia kemi borxh jetën tonë Almas. Ajo kishte një dinjitet që imponohej edhe mbi gjermanët. Madje, edhe ata e trajtonin si një qenie njerëzore”.
Muzika u ndal në tetor 1944, kur gratë e orkestrës u transferuan në Bergen-Belsen, një kamp përqendrimi ku nuk kishte orkestër. Kushtet atje ishin të paimagjinueshme. Lasker kujtoi:
“Nuk ishte në fakt një kamp shfarosjeje – ishte një kamp ku njerëzit vdisnin. Nuk kishte dhoma gazi, por nuk kishte as nevojë për dhoma gazi – thjesht vdisje nga sëmundjet, nga uria”.
Çlirimi i Bergen-Belsenit nga trupat britanike në prill 1945, ia shpëtoi jetën asaj. “Mendoj se për vetëm një javë më shumë nuk do t’ia dilnin, sepse nuk kishte më as ushqim, as ujë”, tha ajo.
Pas luftës, Anita dhe Renate kontaktuan me motrën e tyre Marianne në Britani dhe, në vitin 1946, të dy ato u vendosën në Mbretërinë e Bashkuar. Renate vazhdoi karrierën si shkrimtare dhe gazetare, duke u shpërngulur në Francë me bashkëshortin e saj në vitin 1982. Ajo vdiq në vitin 2021, vetëm 11 ditë para ditëlindjes së saj të 97-të. Marianne, motra më e madhe, e cila kishte shpëtuar përmes Kindertransport-it, vdiq gjatë lindjes së fëmijës së saj pak pas luftës. “Këto janë ironitë e fatit”, i ka thënë ajo ditores The Guardian në vitin 2005.
Anita ndoqi një karrierë të suksesshme si muzikante, duke u bërë një nga anëtaret themeluese të Orkestrës Kamertale të Anglisë. Gjatë një vizite në Paris, ajo u lidh me Peter Wallfischin, një student i pianos dhe refugjat, të cilin e mbante mend nga ditët e saj të shkollës në Breslau. Ata u martuan në vitin 1952 dhe patën dy fëmijë: Raphaelin, një çelist, dhe Maya, një psikoterapiste. Ndërsa ajo dhe bashkëshorti i saj komunikonin mes vete në një përzierje gjuhësh, Anita pranoi se “ishte krejtësisht e pamundur për mua që t’u flisja fëmijëve të mi në gjermanisht”.
Për dekada me radhë, ajo u zotua të mos shkelte më në tokën gjermane, duke pasur frikë se çdokush, i ndonjë moshe të caktuar, mund të kishte qenë “pikërisht ai personi që kishte vrarë prindërit e mi”. Por, me kalimin e kohës, ajo e zbuti qëndrimin e saj dhe në vitin 2018 u ftua në Berlin për t’ju drejtuar politikanëve në Bundestag – në parlamentin gjerman. Ajo tha: “Siç mund ta shihni, e theva betimin tim – shumë, shumë vjet më parë – dhe nuk pendohem fare. Është shumë e thjeshtë: urrejtja është helm dhe, në fund, helmon veten tënde”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëRikthimi i filozofëve të famshëm
“Largimi i Bajronit nga Tepelena me truprojën e nderit të Ali Pashë Tepelenës”
MALLKIMI PËR KOSOVËN
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Gjashtëmbëdhjetë shkrimtarët që bënë vetëvrasje
Drita Çomo, një dritë që vjen nga humnera
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Rodrygo 'zbehet' kur mëson se me kë mund të luajë Real Madridi në play-off të Ligës së Kampionëve
Kush me kë takohet në sistemin noukaut, ndërsa dihen edhe kundërshtarët e mundshëm në play-off të Ligës së Kampionëve
Gjesti i dërgon letër me mesazhin e koduar Eglit - fansat dyshojnë se përmbajtja e tij është vulgare
Edhe pas mbarimit të spektaklit, Atilla Kardesh publikon fotografi i shoqëruar nga Rovena dhe Besforti
SHBA-ja dërgon një numër të madh raketash të fuqishme nga Izraeli në Ukrainë
Shtëpia e Bardhë anulon memorandumin për ngrirjen e granteve dhe huave federale