LAJMI I FUNDIT:

Çfarë përmban marrëveshja 100-vjeçare mes Ukrainës dhe Britanisë së Madhe?

Çfarë përmban marrëveshja 100-vjeçare mes Ukrainës dhe Britanisë së Madhe?

Britania dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje 100-vjeçare të enjten, ku Britania zotohet t’i sigurojë Ukrainës 3.6 miliardë dollarë ndihma ushtarake këtë vit.

Marrëveshja u njoftua gjatë një konference të përbashkët për shtypin në pallatin presidencial në Kiev, ku kryeministri britanik Keir Starmer iu bashkua presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Starmer e quajti marrëveshjen historike dhe tha se partneriteti i ri “pasqyron lidhjet e forta mes dy vendeve”.


Partneriteti do të përfshijë bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit, shkencës dhe teknologjisë.

Lidhur me ndihmën ushtarake për luftën e saj kundër Rusisë,  Starmer tha se Britania ka në plan t’i japë Ukrainës një hua prej mbi 2.6 miliardë dollarësh.

Ai tha se kredia “do të paguhet jo nga Ukraina, por nga interesi i fondeve të ngrira ruse”.

Starmer njoftoi gjithashtu se Britania po i siguron Ukrainës 150 mjete artilerie dhe një sistem të ri të lëvizshëm të mbrojtjes ajrore.

Në komentet e tij, Starmer vlerësoi aleatët e Ukrainës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, për kontributin në suksesin që Ukraina ka patur përballë “agresionit nga Rusia”.

Ai tha se donte t’i vlerësonte publikisht Shtetet e Bashkuara për “punën që kanë bërë, mbështetjen që kanë dhënë, sepse ka qenë një komponent jetik i asaj që ka qenë një arritje mjaft e pabesueshme nga Ukraina”.

Ndryshe, Kkomentet vijnë vetëm disa ditë përpara se të marrë detyrën presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump, që ka kritikuar mbështetjen amerikane për Ukrainën dhe një ditë pasi i përzgjedhuri nga presidenti i ri për të qenë Sekretari amerikan i Shtetit, senatori republikan Marco Rubio, i tha një komisioni të Senatit se lufta duhet të përfundojë.

Rubio e quajti konfliktin një “luftë rrënimi” dhe një “ngërç” që duhet t’i jepet fund. Ai tha se hapi i parë duhet të jetë një armëpushim që ndalon luftimet tokësore, të cilat për mbi një vit kanë ndodhur kryesisht në Ukrainën lindore.

Rubio e quajti shkatërrimin në Ukrainë “të jashtëzakonshëm”, duke thënë se “do të duhet një brez për t’u rindërtuar”.

“E vërteta e çështjes është se në këtë konflikt, nuk ka asnjë mënyrë që Rusia ta marrë të gjithë Ukrainën”, tha Rubio.

Por edhe ndërsa ai argumentoi për një zgjidhje të negociuar për t’i dhënë fund luftimeve që filluan me agresionin e Rusisë në shkurt 2022, Rubio tha se nuk ka gjasa që të ketë shumë ndryshime në vijat aktuale të betejës.

Në konferencën për shtyp në Kiev, Zelensky refuzoi të spekulojë se si do të dukej mbështetja amerikane për Ukrainën me administratën e re Trump.

“Është shumë herët për të folur për detajet, sepse ende nuk kemi patur një bisedë të detajuar me administratën e re amerikane për garancitë e sigurisë”, tha ai.

Raportohet se Trump ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Kievin dhe është zotuar vazhdimisht se do t’i jepte fund luftës kur të marrë presidencën. /VOA/