LAJMI I FUNDIT:

Mbyllja e strukturave paralele serbe, BE: Këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së

Mbyllja e strukturave paralele serbe, BE: Këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së
Bashkimi Evropian

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim dhe kritika ndaj Kosovës për veprimet e fundit që lidhen me mbylljen e strukturave paralele në veri të vendit, duke deklaruar se këto veprime janë në kundërshtim me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së.

Në një reagim zyrtar, BE-ja ka theksuar se ndërsa masat kundër Kosovës do të hiqen gradualisht në përputhje me hapat e saj për uljen e tensioneve në veri, veprimet e fundit të Kosovës “nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.

“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron kryerjen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij,” thuhet në deklaratën e BE-së.


BE-ja ka nënvizuar se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet përmes dialogut.

“Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me obligimet e saj në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të fundit të saj ndaj tij,” theksohet më tej.

Policia e Kosovës, të mërkurën, ka ndërmarrë një aksion për mbylljen e komunave paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj, si dhe posteve dhe zyrave tatimore ilegale.