LAJMI I FUNDIT:

Parlamenti Evropian arrin marrëveshje për miratimin e ekipit kryesor të von der Leyen

Parlamenti Evropian arrin marrëveshje për miratimin e ekipit kryesor të von der Leyen

Udhëheqësit e parlamentit evropian kanë arritur marrëveshje për të miratuar ekipin kryesor të Ursula von der Leyen, duke i hapur rrugën Komisionit të ri Evropian që të marrë detyrën më 1 dhjetor.

Udhëheqësit e Partisë Popullore Evropiane (EPP) të qendrës së djathtë, socialistët dhe grupi centrist Renew – të cilët kanë 56% të 720 vendeve të parlamentit – krijuan një kompromis që synonte të siguronte që kandidatët e von der Leyen të miratoheshin në një votim javën e ardhshme.

Bëhet e ditur se Von der Leyen ka zgjedhur 26 komisionerë evropianë për të udhëhequr politikat e BE-së duke përfshirë krizën klimatike, konkurrencën, tregtinë, industrinë, bujqësinë dhe natyrën, por i gjithë ekipi duhet të miratohet nga eurodeputetët me një votim, i cili pritet të zhvillohet të mërkurën e ardhshme.


Secili komisioner u përball me një seancë dëgjimore tre-orëshe në parlament, por procesi i miratimit filloi të zbërthehej kur socialistët kërcënuan të bllokonin emërimin e kandidatit për zëvendëspresident të Italisë, Raffaele Fitto, një anëtar i partisë të Giorgia Melonit.

EPP nga ana tjetër kërcënoi se do të bllokonte kandidaten për zëvendëspresidente spanjolle, Teresa Ribera, të cilën konservatorët janë përpjekur ta fajësojnë për përmbytjet katastrofike në Valencia.

Por, Ribera tha se ndryshimi i klimës ishte përgjegjës për përmbytjet vdekjeprurëse, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Duke folur në parlamentin spanjoll, ajo tha se veprimet, protokollet, rregulloret dhe alarmet ishin pak të dobishme “nëse ata që duhet të përgjigjen nuk dinë si ta bëjnë këtë”.

Presidenti rajonal i Valencias, Carlos Mazon është përballur me thirrjet për të dhënë dorëheqje për trajtimin e përmbytjeve që vranë 216 njerëz në rajonin e tij. Madje, administrata e tij është kritikuar për vonesën me orë të tëra të një alarmi në telefonat e njerëzve.

Ndryshe, politika e polarizuar e Spanjës mbërriti në Bruksel javën e kaluar kur aleatët e Mazonit sulmuan Riberën gjatë dëgjimit të saj, duke fajësuar atë për përmbytjet.

Tani, ajo është në linjë për të qenë komisionerja më e fuqishme e von der Leyen, përgjegjëse për tranzicionin e gjelbër dhe konkurrencën.

Kandidatë të tjerë për zëvendëspresidentë ishin Kaja Kallas, e cila është edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme; Stephane Sejourne i Francës, i cili do të jetë përgjegjës për politikën industriale; Henna Virkkunen, synonte të drejtonte politikën e teknologjisë; dhe Roxana Minzatu.

Komisioni i ri tani pritet të fillojë punën më 1 dhjetor, pothuajse gjashtë muaj pas zgjedhjeve evropiane, kur votuesit rikthyen më shumë eurodeputetë të ekstremit të djathtë se kurrë më parë në një votim që dobësoi qeveritë në Francë dhe Gjermani.

Sipas marrëveshjes së arritur të mërkurën, të tre grupet kanë rënë dakord se “sundimi i ligjit, një qëndrim pro-ukrainas dhe një qasje pro-evropiane janë aspektet thelbësore të bashkëpunimit”.

Marrëveshja e liderëve të partive nuk garanton çdo votë, kështu që komisioni do të kërkojë vota nga konservatorët dhe reformistët evropianë të Melonit, si dhe nga të Gjelbrit.

Në 100 ditët e para të saj, von der Leyen ka premtuar një strategji të pastër industrie për të siguruar punë të mira ndërsa BE përgatitet për emetimet neto zero deri në vitin 2050, mbrojtje, plane për bujqësinë dhe Inteligjencën Artificiale, si dhe përgatitjen e bllokut për zgjerim. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon  Trump

Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump

Amerika
Putin: Rusia testoi një raketë të re me rreze të mesme në një sulm ndaj Ukrainës

Putin: Rusia testoi një raketë të re me rreze të mesme në një sulm ndaj Ukrainës

Evropa
Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Evropa
Netanyahu reagon pas lëshimit të urdhër arrestit ndërkombëtar kundër tij

Netanyahu reagon pas lëshimit të urdhër arrestit ndërkombëtar kundër tij

Azia
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Shtatë vendet me ajrin më të pastër në botë

Shtatë vendet me ajrin më të pastër në botë

Botë
Kalo në kategori