LAJMI I FUNDIT:

Votuesit e Kalifornisë refuzojnë masën që do të kishte rritur pagën minimale në nivelin më të lartë të vendit, 18 dollarë në orë

Votuesit e Kalifornisë refuzojnë masën që do të kishte rritur pagën minimale në nivelin më të lartë të vendit, 18 dollarë në orë

Votuesit në Kaliforni kanë hedhur poshtë një masë votimi që do të kishte rritur pagën minimale shtetërore në 18 dollarë në orë deri në vitin 2026, më e larta në vend.

Kundërshtarët, përfshirë Oda Ekonomike e Kalifornisë, thanë se kjo do të kishte rritur kostot, do të çonte në taksa më të larta dhe do t’i shtynte bizneset të shkurtonin vendet e punës.

“Me ekonominë dhe kostot në krye, për shumë votues në këto zgjedhje, ky mesazh duket se ka rezonuar”, tha Jennifer Barrera, presidentja e Odës Ekonomike, transmeton Telegrafi.


Përkrahësit vlerësuan se masa do të kishte përfituar 2 milionë punëtorë, duke përfshirë punonjës të hoteleve dhe dyqaneve.

“Dështimi i miratimit të propozimit 32, është zhgënjyes për të gjithë kalifornianët që besojnë se kushdo që punon duhet të fitojë mjaftueshëm për të mbështetur familjet e tyre”, tha Kathy Finn, presidente e UFCW 770, një sindikatë e Kalifornisë Jugore që përfaqëson rreth 30,000 punëtorë në sektorë të ndryshëm.

Normat aktuale të pagës minimale janë 16 dollarë në orë për shumicën e punëtorëve dhe 20 dollarë në sektorin e ushqimit të shpejtë (fast-food).

Sektori i kujdesit shëndetësor përfundimisht do të shohë që paga minimale të arrijë 25 dollarë në orë, sipas një ligji që guvernatori demokrat Gavin Newsom nënshkroi vitin e kaluar dhe hyri në fuqi në tetor. /Telegrafi/