Ende pa u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, analistë e vëzhgues të shumtë shtrojnë gjithnjë e më shumë çështjen e pozicionimit të administratës së re amerikane, të presidentit Donald Trump, lidhur me vatrat aktuale të krizës në botë, pa e përjashtuar këtu edhe rajonin e Ballkanit.
Analisti britanik, Tim Judah, thotë se është herët të flitet për këtë për shkak se kjo do të varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara.
Rikthimi eventual i Richard Grenellit, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, do të ishte me ndikim të rëndësishëm dhe për këtë, Qeveria në Prishtinë mund të ketë arsye për t’u shqetësuar, thotë ai.
Judah shprehet skeptik për mundësinë që administrata e re Trump të arrijë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Trump u përpoq edhe më parë. Kishte një nënshkrim të famshëm në Uashington për dy marrëveshje të veçanta, por asgjë e madhe nuk doli prej tyre”, shprehet Judah në intervistën për REL.
Cilat mendoni se do të jenë prioritetet e mundshme të administratës së re të presidentit Trump për Ballkanin Perëndimor?
Tim Judah: Nuk mendoj se z. Trump ka menduar ndonjëherë për Ballkanin. Ka disa njerëz rreth tij, si Richard Grenell, të cilët sigurisht se kanë menduar për Ballkanin.
Ajo që do të ndodhë, varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara. Për shembull, a do të kthehet Richard Grennell, i cili luajti një rol të rëndësishëm më parë? A do të jetë sërish me ndikim? Në atë rast, mendoj se ndoshta ka arsye për t’u shqetësuar, veçanërisht për Qeverinë në Prishtinë.
Nëse e pyesni Trumpin sot, cilat janë prioritetet tuaja në Ballkan, mendoj se ai ndoshta nuk do të kishte ide, ndoshta do të kishte vështirësi edhe për ta gjetur Ballkanin në hartë, pra, nuk mendoj se Ballkani është në listën e çështjeve të tij kryesore. Megjithatë, ai duhet të emërojë persona që do të hartojnë politika dhe të merren me pjesën tjetër të botës. Le të shohim se kë do ta caktojë.
A mendoni se administrata e re e Trumpit do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Tim Judah: Mendoj se nuk ka gjasa, sepse në fund të ditës, duhet të ketë vullnet politik në Kosovë dhe në Serbi, apo në qeveritë e tjera paraprake të Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, nuk mendoj se ka ndonjë vullnet politik për ta bërë këtë, pra nuk ka shumë rëndësi. Dua të them, po, sigurisht, është e rëndësishme nëse amerikanët dhe evropianët janë të bashkuar dhe mbështesin një formë zgjidhjeje. Fakt është se ata kanë qenë të bashkuar edhe në vitet e fundit, por problemi ka qenë te mungesa e vullnetit politik në Beograd dhe në Prishtinë. E dini, z. Trump u përpoq më parë. Kishte një nënshkrim të famshëm në Uashington për dy marrëveshje të ndara, por asgjë e madhe nuk doli prej tyre. Kështu që nuk jam i sigurt nëse do të ketë ndryshime në administratën e dytë të Trumpit.
Megjithatë, vëzhguesit nuk e përjashtojnë mundësinë e një konfrontimi tjetër të lokalizuar në veriun e Kosovës për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy shteteve. Çfarë mendoni?
Tim Judah: Kjo tingëllon si një teori konspirative. Nuk besoj se dikush në Uashington do të pajtohej që të ketë një lloj konfrontimi në veri për të arritur një marrëveshje. Nuk pajtohem me këtë. Mendoj se do të ketë një marrëveshje për veriun e Kosovës kur të ketë vullnet politik për ta bërë këtë, në Prishtinë dhe në Beograd.
Me presidentin Trump, a prisni ulje të tensioneve në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë për shkak të ndikimit serbo-rus?
Tim Judah: Mendoj se është shumë herët. Do të varet nga ata që do të emërohen në pozicione të caktuara në administratë. Mendoj se ka njerëz që mendojnë, ndoshta me të drejtë, se disa nga njerëzit e Trumpit, përsëri po e përmend z. Grenell, kanë qenë qartësisht proserbë. Nëse Grenell, për shembull, kthehet në një pozicion të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë ose në administratën e re, po – atëherë ka arsye për t’u shqetësuar në Kosovë dhe në Bosnjë. Po ritheksoj, ende nuk e dimë se kush çfarë do të bëjë në administratën e ardhshme.
Duke qenë se po flasim për këto çështje në Maqedoninë e Veriut, çfarë mund të presim nga administrata e re e SHBA-së për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë, veçanërisht për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë?
Tim Judah: Nuk jam plotësisht i sigurt pse një administratë e re duhet të jetë ndryshe nga ajo e mëparshmja në këtë drejtim? Nuk e kuptoj pse. Mendoj se nuk ka arsye që ata të mos vazhdojnë me të njëjtën politikë dhe të përpiqen ta bindin Qeverinë të bëjë atë që është e nevojshme. Megjithatë, nuk jam i bindur se do të ketë ndonjë ndryshim të madh në politikë. Nuk shoh arsye. Dhe, mendoj se problemi nuk është vetëm këtu; është gjithashtu paqëndrueshmëria politike në Bullgari pas shtatë palë zgjedhjeve në vitet e fundit.
Ka probleme këtu, ka probleme gjithashtu edhe në Bullgari. Çështje të tilla, veçanërisht ajo e Bullgarisë, nuk lidhen me amerikanët dhe nuk kanë të bëjnë me asgjë që ata mund të ndikojnë. Kështu që, nuk shoh arsye pse të ketë ndryshim në këtë aspekt në lidhje me Maqedoninë e Veriut.
Krejtësisht në fund, si mendoni se do të ndikojë politika e jashtme e Trumpit në Ukrainë dhe në krizën aktuale atje, veçanërisht duke marrë parasysh angazhimet e tij të mëparshme me Rusinë dhe qëndrimet e tij për NATO-n?
Tim Judah: Trump ka deklaruar triumfalisht se mund ta përfundojë luftën në Ukrainë brenda 24 orëve. Ndërsa, J.D. Vance, i përfolur si zëvendëspresident i mundshëm, ka thënë se zgjidhja duhet të përfshijë që Ukraina të heqë dorë nga territoret e humbura dhe të mos anëtarësohet në NATO, gjë që nënkupton mungesë të garancive të sigurisë – diçka që ukrainasit me siguri nuk do ta pranonin.
Ata mund të detyrohen të pranojnë nëse Trump vendos të ndërpresë furnizimin me armë dhe municione për Ukrainën, por përsëri është herët për të nxjerrë përfundime, sepse ka shumë forca brenda Partisë Republikane që përfundimisht nuk duan ta braktisin Ukrainën dhe do të donin të përballeshin me Rusinë.
Vendimi, pra, nuk do të jetë plotësisht në dorën e Trumpit. Sigurisht, ai është padyshim lojtari kryesor në çështjen e Ukrainës, por jo i vetmi. Për më tepër, Trump është i paparashikueshëm. Është si me financat.
Ju shihni reklama për investime dhe thuhet, të paktën në Britani, performanca e kaluar nuk është udhëzues për të ardhmen. Dhe, mendoj se kjo mund të thuhet edhe për Trumpin. Performanca e kaluar dhe gjërat që ai ka thënë në të kaluarën mund të mos jenë udhëzues për të ardhmen. Prandaj, le të shohim. Fatkeqësisht, ende nuk e dimë. Është shumë herët. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A