LAJMI I FUNDIT:

Udhëheqësja pro-BE rizgjidhet presidente e Moldavisë pavarësisht nga ndërhyrjet e supozuara ruse

Udhëheqësja pro-BE rizgjidhet presidente e Moldavisë pavarësisht nga ndërhyrjet e supozuara ruse

Presidentja pro-BE e Moldavisë, Maia Sandu ka fituar një mandat të dytë pas një balotazhi të tensionuar zgjedhor.

Me shumicën e votave të numëruara, Sandu kishte fituar 55% dhe në një fjalim natën vonë ajo premtoi se do të jetë presidente për të gjithë moldavët.

Ndërkohë, rivali i saj Alexandr Stoianoglo, i cili mbështetej nga Partia pro-ruse e Socialistëve, kishte bërë thirrje për një marrëdhënie më të ngushtë me Moskën.


Gjatë ditës, këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare tha se kishte pasur “ndërhyrje masive” nga Rusia në procesin zgjedhor të Moldavisë që kishte “potencial të lartë për të shtrembëruar rezultatin”, gjë që Rusia e kishte mohuar.

Edhe Stoianoglo, i cili u shkarkua si prokuror i përgjithshëm nga Sandu, ka mohuar të jetë pro Kremlinit, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ndërsa qendrat e votimit u mbyllën, si Maia Sandu, ashtu edhe rivali i saj falënderuan votuesit, me Stoianoglo që fliste në rusisht dhe në rumanisht.

Megjithëse rumanishtja është gjuha kryesore e Moldavisë, rusishtja flitet gjerësisht për shkak të së kaluarës së saj sovjetike.

Siç raportohet, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen e uroi Sandu, duke thënë se “duhet një lloj force e rrallë për të kapërcyer sfidat me të cilat është përballur në këto zgjedhje”:

“Jam e lumtur që vazhdoj të punoj me ju drejt një të ardhmeje evropiane për Moldavinë dhe popullin e saj”, tha von der Leyen.

Ndryshe, një republikë sovjetike për 51 vjet, Moldavia është e rrethuar nga Ukraina dhe Rumania dhe një nga vendet më të varfra të Evropës.

Ajo ka një popullsi prej 2.5 milionë dhe një popullsi të huaj prej 1.2 milion.

Autoritetet e Moldavisë kanë paralajmëruar prej kohësh se një oligark i arratisur i quajtur Ilan Shor ka shpenzuar 39 milionë dollarë duke u përpjekur të blejë zgjedhjet për Moskën.

Shor, i cili është me qendër në Moskë, mohon keqbërjen, por premtoi pagesa për këdo që ishte i gatshëm të mbështeste thirrjen e tij për një “Jo të fortë” ndaj BE-së.

Raundi i parë përkoi me një referendum për mbështetjen e një ndryshimi në kushtetutë duke përqafuar angazhimin për t’u bashkuar me BE.

Në fund votimi kaloi me një diferencë të vogël pro dhe Maia Sandu tha se kishte prova të qarta të përpjekjeve për të blerë 300,000 vota. /Telegrafi/