LAJMI I FUNDIT:

Rekuiem për Fatos Arapin

Rekuiem për Fatos Arapin
Fatos Arapi

Nga: Bardhosh Gaçe

Gjashtë vite më parë, më 11 tetor 2018, u nda nga jeta poeti i shquar i letërsisë bashkëkohore shqipe, Fatos Arapi, një poet brilant që u shfaq në letërsinë tonë me një fytyrë mesdhetare, ku në përjetimet e tij të fuqishme shpërfaqej fati i individit shqiptar, dhimbja dhe gëzimi, jeta dhe vdekja, koha dhe shoqëria. Hapësirat e kaltra të detit, brigjet e Vlorës dhe të Zvërnecit, dashuria për njerëzit, historia dhe humanizmi, në muzën e tij poetike e veshin poezinë shqipe me një petk të ndritshëm, një lirizëm brilant, duke u bërë i pakrahasueshëm, dhe i papërsëritshëm në poezinë dhe lirikën shqipe.

Duke qenë njëri nga poetët më të rëndësishëm dhe më të njohur  të letërsisë shqipe, së bashku me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Din Mehmetin, Azem Shkrelin, Ali Podrimjen, Vehbi Skënderin, Dhori Qiriazin e mjaft të tjerë, Fatos Arapi u bë poeti i cili u kthye në pasqyrë të kohës, më mirë se kushdo tjetër krijues i brezit të tij.


Në poezinë shqipe bashkëkohore Fatos Arapi (1930) është një zë i epërm, i cili zë vend të nderuar me botën e tij të thellë poetike dhe hapësirat universale të saj. I lindur në brigjet e detit në Zvërnec të Vlorës, kreu studimet e larta në Sofje të Bullgarisë në Fakultetin e Matematikës dhe Ekonomisë, punoi si gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori e Filologji të Universitetit të Tiranës. Vepra e tij letrare është e larmishme, ai lëvroi poezinë, romanin, novelën, dramën, studimet letrare dhe përkthimet. Është nderuar me disa çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Fatos Arapi hyri në letërsinë shqipe qysh në vitet ’60 të shekullit XX me botimin e vëllimeve poetike Shtigje poetike (1962) dhe Poema dhe vjersha (1966), i cili paralajmëroi për talentin e tij me një vizion të ri mbi realitetin dhe botën shqiptare. Ai i thur himne lirisë dhe shpreh besimin tek e ardhmja e qytetëruar e Atdheut të vet poetik. Edhe pse nën trysninë e totalitarizmit, me verbin e tij poetik poeti kërkon shtigje të reja poetike duke ironizuar e përbuzur demagogët, siç bën te poezia Antiburokratike, ku shpreh, u jep vargjeve ekspresivitet e ngarkesë emocionale, duke nxjerrë në pah himnizimin e lirisë njerëzore, siç shprehet te poezia Pse erdhëm në jetë.

Në udhën e gjatë poetike, Fatos Arapi përherë kërkon në frymëzimin e vet, një përmbajtje më ekspresive të artit të tij, një artikulim të fjalës së tij me ngarkesa të mëdha figurative, për të dhënë tablo e përjetime të thella të jetës e të lirisë njerëzore: Nata shkon kaluar mbi kurriz të maleve, Nata e ngarkuar me alarme, Unë e desha përtej vdekjes, Me dy sy si nata, të mëdhenj, të zinj, Në mesin e rrugës takon ditën, Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka. Vargu poetik i këtij poeti me një shpërthim befasues, në përfytyrimin e vet jep hapësira universale e thellësi mendimi filozofik, të cilat zbërthejnë natyrshëm kontraste ekzistenciale e ndjeshmëri të lartë. Te vëllimi poetik Më jepni një emër (1972) poeti nuk ka më atë entuziazmin e mëparshëm; bota e tij poetike, përjeton zhgënjimet dhe shqetësimet e kohës, ndaj dhe vargu i tij bëhet disi më hermetik.

Një nga motivet kryesore të poezisë së Fatos Arapit është Atdheu poetik i tij, atdhedashuria dhe atdheliria. Për poetin, Atdheu nuk është vetëm dashuri, ai përfytyrohet me një ndjeshmëri të lartë edhe si dhimbje e pikëllim i thellë i poetit. Atdheu për poetin është ëndërr e shpresë, por është edhe varr i hapur, dashuri që të çmend me fatin e tij dramatik nëpër kohëra. Te poezia me titull Atdheu, që bën pjesë në lirikën e atdhedashurisë së poetit, shprehet një ballafaqim shpirtëror e intelektual i Fatos Arapit me gjendjen e Atdheut me ledhatimet dhe dramat e tij. Shpirti i tronditur poetik i poetit atdhedashës kërkon vizione të tjera lirie në fytyrën e atdheut të tij: Atdheu është dhimbje, është dhimbje / Një prill i pikëlluar në shpirt, / Atdheu është kryqi, është kryqi, / E mban – dhe të mban ty – në shpirt.

Atdheu në poezinë e tij poeti e ka kurdoherë me vete herë si një mall të pashuar e herë hyjnor e “të pavdekshëm si loti”; me Atdheun është e lidhur jeta dhe vdekja, shpresa dhe tragjizmi, ndaj te poezia Kjo ndodhte në Madrid, ai përjetohet si mall e pikëllim, por edhe si fat i përjetshëm i poetit. Herë-herë Atdheu në vargun e këtij poeti shfaqet si adhurim e herë-herë si dhimbje e trishtim.

Në këtë motiv të përhershëm të Fatos Arapit për fatin e Atdheut dhe të shqiptarit nëpër kohë, këndohet edhe vendlindja e tij Zvërneci dhe brigjet detare të Vlorës. Dashuria për Atdheun jepet si dashuri për tokën dhe njerëzit e saj, duke ndërtuar një cikël të tërë poetik me vizione të mëdha shpirtërore e poetike Zvërneci, Zëri i tokës, Ullinjtë, Nëna, Babai, Fëmijëria etj., në të cilat shpaloset edhe bota e thellë shpirtërore e poetike mesdhetare e Atdheut.

Një nga tiparet e artit poetik të Fatos Arapit, krahas frymëzimit nga reflekse ekzistenciale të botës shqiptare, është dhe raporti që ai ndërton me hapësirat mesdhetare të Atdheut të vet. Poezi të tilla si: Deti, Çast buzë detit, Humba në shoqëri me detin, U krodha në ujërat e Jonit, tregojnë se Atdheu (vendlindja) është shtresuar thellë në botën poetike të Fatos Arapit, brigjet detare të tij i kanë dhënë frymëzimet e para, por e kanë mësuar të shohë edhe hapësirave të mëdha të horizonteve, të botës e të qytetërimeve.

Nga vendlindja ai mori nëpër udhët e jetës, ullinjtë, zërin e pulëbardhave, dallgët e detit si krifa kuajsh, limonët e portokallet, e mbi të gjitha, zërin e gjyshit, babait e nënës dhe klithmat e tyre për liri e drejtësi. Në këtë kuptim karakteri qytetar i poezisë lirike të Fatos Arapit ngjizet në botëpërjetime të thella për t’i dhënë shqetësimet e Atdheut dhe të shoqërisë shqiptare me kuptime të fuqishme metaforike e filozofike, siç bën edhe te poezitë Duke dalë prej ëndrrës, Unë jam poet i vendit tim etj.

Për figurën legjendare të Skënderbeut, kryeheroit të Atdheut, kanë mbjellë lisat e frymëzimit të tyre De Rada e Naim Frashëri, Ismail Kadare e Ali Podrimja, e mjaft poetë të tjerë kombëtarë, por Fatos Arapi, në ciklin e vet kushtuar kësaj figure mitike shpreh individualitetin e vet poetik, duke dhënë reflekse bashkëkohore me hapësira të reja. Poeti aludon, nëpërmjet ironisë, skenat dhe prapaskenat e Fuqive të Mëdha e të diplomacisë evropiane, që krijojnë fatin dramatik të popujve. Duke bashkëbiseduar me kryeheroin Skënderbe, poeti jep tablotë e përgjakura të lirisë dhe atdhedashurisë shqiptare.

Në vargjet e poezisë Ishim ne të këtij cikli, udhët e lirisë shqiptare jepen të përgjakura, duke evokuar kështu sakrificat dhe vetëmohimin e Atdheut në sytë e botës. Cikli për Skënderbeun hapet me poezinë Liria dhe mbyllet me poezinë Vdekja e Skënderbeut. Me këto përjetime të thella Skënderbeu përfytyrohet si sinonim i lirisë së shqiptarëve. Liria – thotë poeti – u duhet të gjithëve: Dallgët kërkojnë oqeanet furtunë,/ zogjtë, hapësirat qiellore të lira …

Duke lexuar poezinë e Fatos Arapit Ti do të vish, në mendje të sillen vetiu mjaft motive të lirikës së këtij poeti, i cili e sheh dashurinë si një përjetim universal. Mbi të gjitha ky poet e sheh dashurinë si një emocion dramatik, si një kuptim të largët, si një dhimbje njerëzore, që ndjell te njeriu herë-herë edhe melankoli. Edhe në vargjet e poezisë Dashuria, dashuria e largët përhumbet në qiellin e ndezur me yje, duke pëshpëritur në brigjet e lumit Akeront.

Bota morale e filozofike e autorit për dashurinë vjen si një kujtim i largët që shfaqet si mjegull në fundin e jetës. Po kështu edhe në vargjet e poezisë Trishtimi më braktis i fundit, dashuria shfaqet si një pulëbardhë e vdekur, që poeti e ka kërkuar nëpër jetë për ta rigjetur përditë atë. Në poezinë Mos eja në ëndërr, i lutet dashurisë së dikurshme që të mos e lëndojë më, mos t’ia zgjojë vegimin e dikurshëm, duke mbartur kështu element të fuqishëm të lirikës filozofike.

Në vitet ’90 të shekullit XX, Fatos Arapi, me botimin e vëllimeve të tij poetike: Ku shkoni ju statuja (1991), Dafina nën shi (1991),  Ne, pikëllimi i dritave (1993),  Më vjen keq për Jagon (1997),  In Tenebris (1996),  Gloria Viktis dhe Më duhet një gjysmë ëndrre (1999), botëpërjetohen shqetësimet e mëdha të kohës shqiptare, me një frymëzim refleksiv e vizion të thellë poetik. Ndër motivet që kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe të kritikës sonë letrare janë:

Në dekadat e fundit, poezia e Fatos Arapit ka përftuar vlera të reja me thekset e saj të fuqishme shoqërore e meditative, të cilat përmes simbolikës jepen shpresat dhe ëndrrat, si dhe fatet shqiptare në kohët moderne, duke shprehur edhe shpresat e mëdha për ardhmërinë.

Një nga shqetësimet e mëdha poetike të Fatos Arapit është dhimbja për Vllasinvëllain e vrarë në mënyrë misterioze pas Luftës së Dytë Botërore. Ky cikël mbart një trishtim të veçantë, ndaj vargjet këngëzohen si pëshpëritje biblike, pasi bota e përtejme e Vllasit është e njëllojtë me fatjetën e kohës së poetit Këtu dritë prej terri është … Në poezitë e këtij cikli: Dhe ti beson se drita nuk vritet, Ke lindur për qiej të tjerë vëllai im, Vetë tragjedia kishte humbur udhën, apo Shpresa e çmendur, mesazhi poetik jep përfytyrime se “edhe liria lind në Praga”. Motive gati biblik i dhimbjes dhe fatit dramatik të Vllasit është një bashkëbisedim i gjatë i poetit, jo thjesht si vëllai i tij, por edhe si luftëtar lirie, për Atdheun dhe brezin e vet. Dhe, përsëri Vllasi në jetën tërë zhgënjime të Fatos Arapit mbetet një ëndërr e dhimbshme, që portretizohet në vargun poetik: “Liria vritet, vëllai im, vritet!”.

Cikli i Vllasit është përmbledhur në vëllim poetik In tenebris; në të përfshihen tetëmbëdhjetë poezi lirike, një lirikë refleksive kjo ku herë-herë ligjërimi poetik merr ngjyra groteske duke nxjerrë në dritë mendimin filozofik, se në këtë vend njerëzit sillen me lirinë si me një grua të përdalë, lavire, ndaj edhe koha shqiptare përfytyrohet prej poetit si një bishë, që çjerr qiellin e saj të lirisë. Krahas dhimbjes së thellë, në këtë cikël poetik përjetohet edhe malli për vëllanë, i cili vjen në vargje si këshillë e urtësi për t’i ruajtur librat (Në bibliotekën tënde, apo ëndërrimet e tij për lirinë). Vargjet plot temperament e botë poetike shpërthejnë nga shpirti i poetit: Unë ikja Evropës me sytë nën këmbë, / Një mall që ther, një shpresë që çmend, / Shpresoja diku mos ishe i gjallë, / Të çmallesha diku me vëllain e vrarë

Në lirikën moderne meditative të Fatos Arapit përfshihet edhe cikli i Tiranëstë cilin e ka frymëzuar koha dramatike e ekzistenciale e kryeqytetit të Atdheut. Koha shqiptare dhe Tirana, shpirtëzohen nga poeti me fytyrën e marrëzisë, duke e begatuar artin e vet poetik me metafora e simbole, të cilat shprehin më mirë trishtimin e poetit: Në Tiranë ka vetëm tiranë apo E dua Tiranën se të vret … Edhe shpresa, për poetin, në Tiranë shfaqet me përmasat e saj hipokrite. Ndërsa në poezinë Gloria Viktis, poeti e sheh me një sy tjetër kohën shqiptare, në vargjet e saj ka më shumë dritë dhe shpresë për të ardhmen.

Në dekadat e fundit shpirti lirik i poezisë së Fatos Arapit ka përftuar një modernitet të ri, duke i kënduar jetës shqiptare, dashurisë dhe vdekjes, me një shqiptim metaforik e ekspresiv, e duke krijuar vlera universale të botës së tij poetike, si dhe një individualitet poetik ndryshe nga të tjerët me përmasa evropiane.