LAJMI I FUNDIT:

Elon Musk po e mbështet Donald Trumpin – gjithçka ka të bëjë me biznes apo për “Make America Great Again”?

Elon Musk po e mbështet Donald Trumpin – gjithçka ka të bëjë me biznes apo për “Make America Great Again”?

Elon Musk është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Donald Trumpit, por ekspertët thonë se arsyeja nuk është thjesht e lidhur me interesat e biznesit, por edhe “Make America Great Again” (Bëje Amerikën Përsëri të Madhe) .

Elon Musk, njeriu më i pasur në botë dhe pronar i platformës X, si dhe CEO i SpaceX dhe Tesla, është bërë mbështetësi më i madh i kandidatit republikan për president, Donald Trump, duke pohuar madje se ai po rrezikon jetën për të ndihmuar në rikthimin e 78-vjeçarit në Shtëpinë e Bardhë.

“Po rris në mënyrë dramatike rrezikun që të vritem, dhe angazhimi në politikë nuk është ajo që dua të bëj. Nuk kam dëshirë që të vdes”, tha Musk në Pittsburgh në muajin tetor dhe shtoi se “por, situata është aq e rëndësishme sa nuk kam zgjidhje tjetër veçse të përfshihem”, raporton euronews.


Por miliarderi i teknologjisë nuk ka qenë gjithmonë mbështetës i Trumpit.

Ekspertët më parë e kanë përshkruar atë si njeri liberal nga Silicon Valley, ndërsa Musk e ka quajtur veten si “centrist” dhe “politikisht i moderuar”.

Pas zgjedhjes së Trumpit në vitin 2016, miliarderi amerikane u ftua në Kullën Trump për t’u takuar me presidentin e atëhershëm.

Musk, në atë kohë, tha se mendonte se mund ta “bindte” dhe të “ndikonte” tek republikani për premtimet e fushatës që përfshinin ndryshimin e politikave mbi emigracionin, sipas gazetares së teknologjisë, Kara Swisher, në librin “Burn Book”.

Pse, atëherë, ky sipërmarrës i njohur tani është duke e mbështetur aq fuqishëm Trumpin duke u shfaqur në skenat e tubimeve dhe duke shpenzuar gati 120 milionë dollarë (111 milionë euro) për një komitet politik (PAC) që mbështet Trumpin?

Gjithçka për biznesin

Përgjigjja e dukshme është që të ketë një lider të ardhshëm në favor të interesave të biznesit të Muskut.

“Musk beson se Trumpi do të fitojë dhe beson se kjo do t’i sjellë më shumë kontrata nga NASA për SpaceX, më shumë kontrata federale për Starlink, më shumë stimuj për Tesla, mbrojtje të Seksionit 230 për Twitter dhe mundësi të tjera për portofolin e tij”, tha kapitalisti i sipërmarrjes dhe strategu politik, Bradley Tusk.

Është një bast i madh për Muskun sepse nëse fiton kundërshtarja e Trumpit, Kamala Harris, “rreziku është shumë më i madh sesa do të kishte qenë nëse ai thjesht nuk do të kishte bërë asgjë”, shtoi Tusk.

Një fitore e Trumpit mund t’i jepte gjithashtu Muskut mundësinë të ndikojë drejtpërdrejt në politikë, pasi në muajin gusht, republikani tha se ai “me siguri” do ta emëronte 53-vjeçarin në një rol kabineti ose këshillues nëse zgjidhej, duke shtuar se 53-vjeçari ishte “një njeri i zgjuar”.

Megjithatë, ndikimi ose roli i drejtpërdrejtë i Muskut në mbikëqyrjen e politikave do të ishte “plotësisht i papranueshëm”, tha Lenny Mendonca, ish-këshilltari kryesor për ekonominë dhe biznesin i Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom.

“Ky është konflikt i drejtpërdrejtë interesi dhe i qartë, i cili është i paligjshëm”, tha ai.

“Pra, nëse Trump zgjidhet dhe kërkon që shefi i Teslas të luajë role të tilla, Musk do të duhej ose të hiqte dorë nga aktivitetet e tij ose t’ia besonte dikujt. Përveç kësaj, ai do të duhej të përjashtohej nga çdo vendim që lidhet me këto interesa biznesi”, shtoi ai.

‘Liberalët teknologjikë’

Por, mbështetja e zëshme e Muskut për Trumpin nuk mund të jetë thjesht çështje biznesi.

“Mendoj se ekzistojnë një lloj sipërmarrësish që kanë pasur sukses në biznes dhe në aspektin financiar, dhe kanë një ego që i bën të mendojnë se, për rrjedhojë, janë të mençur dhe kanë ide për çdo gjë”, tha Mendonca.

“Dhe kjo ushqen egon e tyre, duke u bërë të ndihen sikur mund të jenë jo vetëm biznesmenë të suksesshëm dhe të pasur, por edhe të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve”, shtoi ai.

Megjithatë, ai tha se ekziston një arsye tjetër pse të pasurit, veçanërisht ata që kanë bërë pasurinë e tyre në teknologji, përfshihen kaq shumë në politikë.

“Mendoj se ekziston gjithashtu një grup i quajtur ‘liberalët teknologjikë’ që nuk kanë aspak besim te qeveria dhe janë pjesë e grupit që dëshiron thjesht të shpërbëjë gjithçka”, tha Mendonca.

“Dhe mendoj se Musku bën pjesë në këtë grup, pavarësisht faktit që asnjë nga bizneset e suksesshme nuk do t’i kishte nëse nuk do të kishte pasur mbështetjen e konsiderueshme nga qeveria”, shtoi ai.

Por, drejtuesit e tjerë të teknologjisë nuk kanë qenë aq të zëshëm në mbështetjen e tyre.

CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg, për shembull, ka qëndruar i heshtur, ashtu si edhe drejtuesit e mëdhenj të Google dhe Apple.

“Tradicionalisht kompanitë hedhin bast në të dyja anët dhe dhurojnë [fonde] për të dyja palët, dhe zakonisht, kompanitë nuk priren të mbështesin kandidatë. Është mirë nëse fitoni. Por, nëse humbni, nuk është aq e mirë”, tha Bill Echikson, bashkëpunëtor i lartë në Iniciativën e Inovacionit Digjital dhe redaktor i Bandwidth në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane.

“Elon Musk është ndryshe nga të tjerët… ai në thelb e ka kthyer platformën X në ‘Perëndim të Egër’ në një kohë kur bota po largohet nga pranimi i kaubojve, indianëve dhe të marrëve”, tha ai, duke shtuar se miliarderi po rrezikon shumë me mbështetjen pasi kompanitë që drejton ka marrë grante qeveritare.

Basti elektoral i Muskut

Ilustrim (fotomontazh nga FT/Getty Images)

Kushdo që do të bëhet presidenti i ardhshëm i SHBA-së do të duhet të vendosë nëse do të vazhdojë ose jo me fushatën e presidentit, Joe Biden kundër kompanive gjigante teknologjike.

Departamenti i Drejtësisë ka nisur hetime antitrust kundër Google, Apple, Meta dhe Microsoft.

“Një administratë Trump nuk do ta bënte këtë”, tha Mendonca, duke shtuar se kjo do të krijonte më shumë presion mbi Bashkimin Evropian dhe shtetet e veçanta të SHBA-së, veçanërisht Kaliforninë, për të ndërhyrë më agresivisht në atë rol.

Një fitore e Kamala Harrisit ndoshta nuk do të ndryshonte shumë për sektorin e teknologjisë ose për kompanitë e Muskut.

“Mendoj se ekziston një njohje e përgjithshme që teknologjia nuk është më një adoleshent, por një i rritur që ka nevojë të rregullohet”, tha Echikson.

“Dhe nuk mendoj se zgjedhjet do ta ndryshojnë këtë dhe nuk mendoj se sjellja e Elon Muskut për të thyer barrierat do të rezultojë në një ndryshim të vërtetë në këtë trend të përgjithshëm”, shtoi ai.

Megjithatë, mund të ketë pasoja për platformën e mediave sociale X. Harris mund të shfuqizojë Seksionin 230, i cili i jep kompanive imunitet të gjerë nga ankesat ligjore për përmbajtjen e palëve të treta.

“Kjo do të ishte fund për X, por edhe atëherë, kalimi i saj në Kongresin amerikan do të ishte jashtëzakonisht i vështirë”, tha Tusk.

“Mendoj se kompanitë do të përballeshin me më shumë hetime [nën presidencën e Harris], por në fund të fundit, nuk ka shumë kompani që bëjnë atë që bën Starlink ose SpaceX, kështu që as 60-vjeçarja nuk ka shumë ndikim në këtë rast”, shtoi ai.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane pritet të mbahen më 5 nëntor (e martë). /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Amerika
Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën

Memoaret e Angela Merkelit - çfarë thotë për Donald Trumpin dhe Ukrainën

Evropa
Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon  Trump

Gaetz tërhiqet prej kandidaturës për prokuror të përgjithshëm, reagon Trump

Amerika
Putin: Rusia testoi një raketë të re me rreze të mesme në një sulm ndaj Ukrainës

Putin: Rusia testoi një raketë të re me rreze të mesme në një sulm ndaj Ukrainës

Evropa
Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Evropa
Kalo në kategori