LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e policit në Zllatar të Prishtinës, dëshmitari tregon detaje rreth momentit tragjik

Vrasja e policit në Zllatar të Prishtinës, dëshmitari tregon detaje rreth momentit tragjik

Dëshmitari Adis Berisha ka dhënë versionin e tij për rastin që ka ndodhur më 18.02.2022, kur gjatë një ndeje mes kolegësh policë, ishte qëlluar për vdekje zyrtari policor Lirim Haxholli.

Lidhur me këtë rast i akuzuar është Fatlum Mehmeti.

I thirrur nga Prokuroria në cilësinë e dëshmitarit, Adis Berisha ka rrëfyer momente nga ngjarja tragjike që kishte ndodhur gjatë ndejës në Zllatar të Prishtinës.


Dëshmitari Adis Berisha deklaroi se të pandehurin Fatlum Mehmeti e kishte njohur përmes punës dhe me aq sa kishte punuar me të tha se sjelljet i ka pasur profesionale dhe konform ligjit.

Tutje, në pyetjet e prokurorit Arben Hoti lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur në natën kritike, dëshmitari dha detaje.

“Në vilë kemi arritur pasdite, nuk më kujtohet ora saktë. Aty kemi qëndruar në mënyrë shoqërore, ku kemi lëshu muzikë, jemi argëtu, disa kemi përgatitë ushqimin, pastaj disa kanë qenë në telefona duke qëndru. Më kujtohet ka qenë ora diku pas 23:00, më kujtohet se kam qenë në telefon me sa me kujtohet ka qenë një lojë futbolli, kam qenë ulur afër Astrit Zabërxhës në telefon dhe kam dëgjuar një krismë të madhe”, deklaroi dëshmitari Adis Berisha.

Tutje, dëshmitari deklaroi se kishte qenë në gjendje shoku dhe nuk kishte mundur ta besonte atë çfarë kishte ndodhur.

“Në ato momente kam qenë në gjendje shoku, nuk mund ta merrja me mend se çfarë po ndodhte, e kam parë Lirimin duke u ngritë nga vendi ku kishte qenë ulur dhe në momentin që është ngritë në këmbë i ka rrjedhë gjak nga hunda dhe nga goja, dhe është rrëzu në tokë. Sa më kujtohet edhe kur është rrëzu ka pasur edhe një herë rrjedhje të gjakut”, shtoi tutje dëshmitari Adis Berisha.

Tutje, dëshmitari deklaroi se ishte afruar afër tani të ndjerit për t’i ofruar ndihmë, por ai nuk kishte pasur puls.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij deklaroi se kishte dëgjuar tani të akuzuarin Mehmeti duke bërtitur.

“Aty, më kujtohet, kam dëgju edhe Fatlumin duke bërtite: ‘O kuku çka ndodhi’ ose ‘çka bana’, kështu diçka. Nga aty e kam marrë vesh që Fatlumi është i përfshirë dhe atij i ka shkrepur arma”, deklaroi dëshmitari Adis Berisha.

Dëshmitari deklaroi se nuk kishte vërejtur ndonjë parregullsi apo debat mes të akuzuarit Mehmeti dhe tani të ndjerit Haxholli.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe një dëshmitar tjetër, mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit Fatlum Mehmeti, avokati Labinot Buzuku, propozoi që të ndërpritet seanca pasi që kishte një angazhim tjetër.

Propozimin e avokatit Buzuku nuk e kundërshtoi prokurori Arben Hoti dhe as përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha.

Tutje, trupi gjykues mori aktvendim dhe seanca e sotme u ndërpre.

Kujtojmë se Gjykata Supreme me aktgjykimin e datës 04.10.2024  ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Fatlum Mehmeti dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, duke aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga avokati mbrojtës i tij, Labinot Buzuku.

Ky rast po trajtohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ertan Sejfulla, Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti.

Çka thuhet në aktakuzë?

Sipas dosjes i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.

I akuzuari Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.
Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj”, thuhet në Kodin Penal.

Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.

Lidhur me këtë rast është ngritur edhe një aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë të cilit kishin qenë prezentë në momentin kur kishte ndodhur ngjarja e 18.02.2022, në fshatin Zllatar të komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një vilë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e Policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë.

Sipas aktakuzës, të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e vilës ku zhvillohej ahengu.

Me këtë, secili prej tyre individualisht sipas Prokurorisë e kanë kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërsa, të pandehurit A. B., Xh. B., A. M., A. A., A. Z., I. S., Rr. A., V. Rr. dhe A. M., nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Pacolli i reagon Pecit: Dikur mbaje bluzën e kompanisë time, sot më quan vrasës

Pacolli i reagon Pecit: Dikur mbaje bluzën e kompanisë time, sot më quan vrasës

Lajme
Nga Gjermania në Kosovë: Historia e çiftit Zhubi që u kthye në vendlindje pas 32 vitesh

Nga Gjermania në Kosovë: Historia e çiftit Zhubi që u kthye në vendlindje pas 32 vitesh

Lajme
I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër

I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër

Lajme
Droga në lëkurë gjedhi në Krujë: Do të prodhohej 800 kg kokainë, baza sekrete pranë shtëpisë së politikanëve

Droga në lëkurë gjedhi në Krujë: Do të prodhohej 800 kg kokainë, baza sekrete pranë shtëpisë së politikanëve

Lajme
Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Lajme
Përplasjet mes qeverisë dhe sistemit të Drejtësisë, diskutime për ndarjen e pushteteve në Kosovë

Përplasjet mes qeverisë dhe sistemit të Drejtësisë, diskutime për ndarjen e pushteteve në Kosovë

Drejtësi
Kalo në kategori