LAJMI I FUNDIT:

U mbajt konferenca “Turizmi i Qëndrueshëm” – Peja, Prizreni dhe Prishtina, destinacionet kryesore të turizmit në Kosovë

U mbajt konferenca “Turizmi i Qëndrueshëm” – Peja, Prizreni dhe Prishtina, destinacionet kryesore të turizmit në Kosovë

Në një konferencë të mbajtur të martën mbi turizmin e qëndrueshëm, ekspertë dhe zyrtarë diskutuan arritjet e Kosovës në këtë sektor si dhe raportin hulumtues mbi këtë temë.

Kosova, me pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore, po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i qëndrueshëm turistik dhe një prioritet për qeverinë, siç e përmendi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ministrja theksoi rëndësinë e turizmit për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke e cilësuar si një industri me rritje të shpejtë dhe burim të rëndësishëm të këmbimit valutor dhe punësimit.

Rozeta Hajdari, MINT

Ajo tha se turizmi është një nga industritë me rritje më të shpejtë në botë dhe një burim i rëndësishëm i këmbimit valutor dhe punësimit, i cili siç tha ajo “luan një rol të rëndësishëm në fuqizimin e grave, të rinjve dhe grupeve tjera shoqërore”.

Ajo nënvizoi se gjatë vitit 2023, vendi ka regjistruar rreth 320 mijë vizitorë deri në fund të qershorit, që përfaqëson një rritje prej 21 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Andaj, Hajdari theksoi se Kosova gjithnjë e më shumë po shënon rritje, sidomos në netë qëndrime.

“Në vitin 2023 arritëm të kemi rreth 1 milion e 500 mijë net qëndrime në rreth 50 për qind të tyre që ishin vizitorë ndërkombëtarë. Ndikimi në zhvillimin ekonomik që ka sektori i turizmit, Qeveria e Republikës së Kosovës me programet e saj qeverisëse trajton zhvillimin e sektorit të turizmit si njëri nga prioritetet tona.

Në programin e Qeverisë 2021-2025 që konsiderohet si dokument bazë për punën e Qeverisë, zhvillimi i Turizimit të Qëndrueshëm theksohet si njëra nga fushat me prioritet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas këtij dokumenti, fokusi kryesor i qeverisë në këtë kuadër parashihet të jetë zhvillimi i turizmit kulturor dhe natyror, pra atij malor dhe rural përmes zgjerimit të ofertës turistike, përmirësimit të infrastrukturës, digjitalizimit dhe hartimit të planeve ndërsektoriale”, tha Hajdari.

Zëvendësdrejtorja për bashkëpunim Judka Peters, përmendi se Kosova ka një potencial të madh për të zhvilluar turizmin, duke përmendur përvojat e saj personale në eksplorimin e maleve dhe qyteteve historike si Prizreni dhe Peja.

Judka Peters, zëvendësdrejtorja e ambasadës zvicerane

“Kisha shansin të eksplorojë Pejën, poashtu dhe të vizitojë Prizrenin e bukur. Dhe këtu pash që ka mundësi të zhvillohet sektori i turizmit. E gjithë kjo mund të ndikojënë zhvillimin e ekonomisë dhe të krijojë mundësi të reja në punë që është çelësi kryesorë për Kosovën.

Në të njëjtën frymë, Blerina Batusha – Xërxa, në prezantimin e saj, shpjegoi rrugëtimin e turizmit në Kosovë gjatë dekadës së fundit.

Ajo theksoi ndryshimet drastike nga një destinacion transit në një vend të mirë pozicionuar në hartën turistike.

Blerina Batusha – Xërxa

“Sot elaboruam studimin për Turizmin e qëndrueshëm që është bërë nga projekti PPSE, bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Po ashtu e shpjeguam pak edhe rrugëtimin e turizmit të sektorit, pra gjatë këtyre dhjetë viteve dhe i shpalosën ndryshimet drastike që janë bërë në sektor nga një destinacion transit, që Kosova ka qenë para dhjetë vitesh me një numër shumë të vogël të ofruesve të shërbimeve dhe të vizitorëve, tash është një vend e cila është renditet në hartën turistike si një destinacion ku mundesh me kalu pushime”, ka thënë ajo.

Ajo përmendi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, duke lidhur sektorin me komunitetin lokal dhe ambientin.

“Pra kjo tregon që turizmi ka pësu një ndryshim shumë pozitiv në Kosovë. Mirëpo, sfidë mbetet për t’u eksploru pak edhe e ardhmja e këtij se sektori për shkak se shumë e rëndësishme që të fokusohemi në një zhvillim të qëndrueshëm, duke pasë parasysh që turizmi lidhet ngushtë edhe me komunitetin lokal edhe me ambientin”, ka thënë ajo.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i diskutuar ishte roli i financimit të gjelbër dhe granteve për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në turizëm, të përmendur nga bashkautori i raportit hulumtues, Besnik Krasniqi.

Ai theksoi se Peja, Prizreni dhe Prishtina po bëhen destinicion primar i turizmit.

Besnik Krasniqi, bashkautorë i raportit

“Fokusi i analizës ka qenë tri komuna kryesore: Prishtinën, Prizrenin dhe Pejën që realisht përbëjnë edhe pothuajse 70-80 për qind në bazë të disa indikatorëve, të krejt kapacitet të turistike në bazë të, po flas numrave dhe net qëndrimit të turistëve.

Dimë që Kosova ka potencial mjaft shumë dhe pa dyshim që është një prej sektorëve strategjikë të zhvillimit ekonomik, me potencial që të ketë efekte serike zhvillimore edhe në sektorët e tjerë, sidomos të bujqësisë dhe sektorëve të tjerë”, tha ai.

Krasniqi tutje theksoi se turizmi kontribuon edhe në bruto produktin vendor.

“Vetëm në vitin 2022 pothuajse 20 për qind të bruto produktit është realizuar nga turizmi.

Nëse i shikojmë trendet, kemi një rritje të jashtëzakonshme të trendeve të turizmit, sidomos të net-qëndrimeve në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.

Ajo që ndoshta është më e rëndësishme për mua si një prej bashkë autorëve të këtij studimi është edhe mesatarja e net-qëndrimeve në Kosovë, që tregon qartë se Kosova, edhe pjesë të ndryshme, sidomos shembull Peja, po bëhet një destinacion primar i turistëve që kemi.

Turistë që e kanë zgjedhjet të parë dhe jo vetëm transit Kosovën dhe kjo është një lajm, një lajm shumë i mirë”, ka thënë Krasniqi.

Kjo konferencë, e organizuar nga Swisscontact në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, mblodhi ekspertë nga sektori publik dhe privat, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe shfaqën përparësitë dhe sfidat në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Kosovë.

Fitore Haliti menaxhere në “CityInn Hotel”, tregoi për sfidat që i kaluan që nga hapja e hotelit në vitin 2019 e deri më sot si dhe përvojat rreth certifikimit me certifikatë të qëndrueshmërisë të biznesit që përfaqëson.

Edhe Virtyt Gacaferri pronar i Balkan Natural Adventure dhe Genc Buca nga “Lura Agrotourism” në këtë konferencë folën për përvojat, zhvillimin e biznesit si dhe zbatimin e praktikave të qëndrueshmërisë në turizëm.

Konferenca jo vetëm që ofroi një platformë për diskutim, por edhe një mundësi për të parë më qartë të ardhmen e turizmit në Kosovë dhe përpjekjet e vazhdueshme për zhvillim të qëndrueshëm në këtë sektor strategjik. /Telegrafi/