LAJMI I FUNDIT:

Zelensky kritikon Perëndimin pas sulmit të fundit rus në një ndërtesë banimi në Kharkiv

Zelensky kritikon Perëndimin pas sulmit të fundit rus në një ndërtesë banimi në Kharkiv

Sipas burimeve ukrainase, të paktën pesë persona kanë humbur jetën, mes tyre një vajzë 14-vjeçare.

Përveç kësaj, rreth 50 persona u plagosën. Nuk përjashtohet që mes rrënojave të ketë viktima të tjera.

Për sulmin ka folur edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili vetë e ka publikuar videon.


“Sulmi rus në Kharkiv ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj njerëzve, ndaj një ndërtese të zakonshme. Të gjitha shërbimet aktualisht janë të përfshira në operacionin e shpëtimit. Falënderoj të gjithë ata që po ndihmojnë për të shpëtuar jetë njerëzish në këto momente”, tha ai.

Dhe më pas ai kritikoi drejtpërdrejt Perëndimin, “ky sulm u krye duke përdorur një bombë ajrore ruse – një sulm që mund të ishte parandaluar nëse Forcat tona të Mbrojtjes do të kishin aftësinë të shkatërronin aeroplanët ushtarakë rusë në bazat e tyre. Ne kemi nevojë për vendime të forta nga partnerët tanë për të ndalur këtë terror”.

Theksojmë se Perëndimi ende nuk po lejon që armët e tyre me rreze të gjatë të përdoren në një sulm ndaj bazave ajrore thellë në Rusi.

“Kjo është një nevojë absolutisht legjitime. Nuk ka asnjë arsye racionale për të kufizuar mbrojtjen e Ukrainës. Ne kemi nevojë për aftësi sulmuese me rreze të gjatë dhe zbatim të plotë të marrëveshjes së mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Këto janë masa që shpëtojnë jetë”, shtoi ai.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/