LAJMI I FUNDIT:

Kurti takon senatorin Murphy, kërkon që t’i bëhet trysni Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit

Kurti takon senatorin Murphy, kërkon që t’i bëhet trysni Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me senatorin Chris Murphy, në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike.

Kryeministri ka thënë se është momenti i fundit që Milan Radoiçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë të Kosovës.

“Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thuhet në njoftimin për media.


Tutje gjatë takimit thuhet se u diskutua edhe rreth zhvillimeve në vend, situatën e sigurisë në rajon dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe momentin e rëndësishëm në politikën amerikane në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të 5 nëntorit.

“Duke theksuar marrëdhëniet e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti shprehu interesimin e tij për rritjen e bashkëpunimit e shkëmbimit tregtar dhe ekonomik me aleatët e partnerët tanë amerikanë”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes.

“Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Brnabiq dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë.

Serbia duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet.  Nuk ka zbatim të marrëveshjes sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Kryeministri Kurti e falënderoi senatorin Murphy për takimin dhe bisedën, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të tij ndaj Kosovës”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/