LAJMI I FUNDIT:

Gjashtëdhjetë vjet nga dalja e albumit “A Hard Day’s Night”

Gjashtëdhjetë vjet nga dalja e albumit “A Hard Day’s Night”
George Harrison, John Lennon, Ringo Starr dhe Paul McCartney më 1964 (foto: Michael Ochs Archives/Getty Images)

Nga: Colin Fleming, kritik i muzikës / The Guardian (Titulli: Put Sgt Pepper back in its sleeve – after 60 years, A Hard Day’s Night is still the Beatles at their joyful best)
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 10 korrik 1964 ishte një akord. Dhe, nëse akordi mund të mos jetë big-bengu i ri kozmologjik, ishte ekuivalenti zanor në aspektin e pop-kulturës. E kam fjalën për akordin kumbues, gjëmues, ndryshe nga çdo tingull që kishte ndodhur ndonjëherë – jo si në fillimin e këngës A Hard Day’s Night të grupit Beatles, me të cilin fillon albumi me të njëjtin titull dhe i cili këtë javë mbushi 60 vjet nga publikimi. Me një goditje të vetme, Beatles e ndryshuan rrjedhën e muzikës perëndimore.

Në klasën e tetë isha shumë i dhënë pas bitëlsave dhe kam shkruar dhe kam menduar që atëherë për ta. Të dielave e kaloja një orë të tërë në kishë duke u përpjekur që në kokën time të vlerësoja albumet e tyre. U zhvilluan beteja të ashpra. Mos Abbey Road e ka vendin e dytë? A isha gati të them të them se albumi Rubber Soul është më i mirë se Revolver?


Prej kohësh e dija se A Hard Day’s Night ishte album i mirë siç dinte Beatles të bënte, megjithëse këtë nuk e pranoja gjithmonë në publik, sepse frenohesha nga ajo që kuptova – se ishte dhe është i përsosur dhe i mbushur me hare. Një djep eufonik i haresë.

E kemi tendencën për të ngatërruar idenë e haresë me atë të lumturisë. Janë ndryshe, ashtu siç më ka ndihmuar të kuptoj albumi A Hard Day’s Night. Lumturia është dëfrim dhe kënaqësi. Duke pritur për diçka. Nuk ka dhimbje. Hareja është më e pasur. Kur është e pranishme – ose kur e gjen – shtrihet më thellë brenda nesh. Hareja është shkëndija e jetës. Dhe, nuk ka asgjë më të admirueshme apo më njerëzore sesa kur përpiqemi të ndihmojmë të tjerët që ta gjejnë harenë.

Hareja është kur ndihmoni t’ia hapni ndonjë personi një pjesë të vetvetes të cilën ai nuk e dinte se ekziston. Është pranim, gjë që nuk është njësoj si dorëheqja. Hareja na bën të dëshirojmë t’ia nisim përsëri. Për të rritur pasionet tona. Të kalosh natën dhe të kërkosh mrekullinë në ditën e re. Është hapja për të mahnitshmen.

A Hard Day’s Night është abetare në këtë temë. Ashtu si librat dhe filmat Kënga e Krishtlindjes, Magjistari i Ozit, Fryma në shelgje, Jeta është e mrekullueshme – që të gjitha këto vepra plot me hare – na thotë: “Merrni nga ajo që jam, sepse ajo që jam është për ju”. E kam dëgjuar A Hard Day’s Night dhe e kam gjetur këtë hare në kohë të lumtura dhe kohë shprese. Por, edhe në rastet kur mezi mund të vazhdoja, kur koncepti i shpresës ndihej si shaka e tmerrshme.

A Hard Day’s Night është shërim dhe frymëzim. Fuqia e tij shtytëse elektrike mund të gjallërojë përbindëshin e Frankeshtajnit: kalimet në këngën kryesore, vokalet mbështetëse falseto te kënga Tell Me Why, ngrohtësia diellore – në mënyrën më të mirë – e solos në këngën Can’t Buy Me Love, të bëjnë të shfryhesh në ajër dhe të çlirohesh.

Por, rrallëherë A Hard Day’s Night veçohet për ndonjë lëvdatë të veçantë mes albumeve të grupit. Njerëzit janë të prirë ta hedhin poshtë si “pop” dhe jo si vepër serioze muzikore, si për shembull albumet Sgt Pepper dhe White Album.

Këtu ka një ironi, sepse Beatles nuk u kufizuan. Nuk e lejuan veten të ishin të tillë. Dy disqet e tyre që i paraprinin albumit A Hard Day’s Night, ishin plot ritëm-dhe-bluz dhe me versione të këngëve të rokënrolit, për çfarë më pas ata thanë: “Mjaft. Le të vazhdojmë krejtësisht rrugën tonë”. John Lennon dhe Paul McCartney i shkruan të gjitha meloditë në A Hard Day’s Night, dhe nuk kishte asgjë për t’i krahasuar ato – qoftë individualisht apo në total.

Flasim kaq shumë për të krahasueshmen. Çdo gjë në art dhe zbavitje tregtohet si kombinim se si kjo përshtatet me atë. Por, gjërat që zgjasin janë veprat të cilat janë veçse vetvetja. Ekziston një ide e ngjashme me njerëzit. Çdokush mund të jetë pjesë e trumës. Shumica prej nesh këtë e bëjnë. Por, kur e gjejmë rrugën tonë, bëjmë zbulime jetike. E gjejmë veten. Pëlqimet, dashuritë dhe pasionet tona të vërteta. Dhe, gjejmë – dhe arrijmë të kuptojmë – harenë.

Adhuruesit e bitëlsave, duke u kthyer prapa në kohë, zakonisht ndalen te dhjetori 1965 kur doli albumi Rubber Soul, duke mos bërë asgjë për të shkuar më tej. Por, të ndalesh para se të arrish te A Hard Day’s Night, kjo do të thotë të heqësh dorë nga hareja. E ka një veçori të lumturisë. Hareja është e shumanshme. Frika nuk e ndal harenë, as dhimbjen. Janë pjesë e përzier, sepse kjo është jeta dhe pa to nuk ka asgjë për t’u ngritur më lart, gjë që këtë hareja na lejon ta bëjmë.

If I Fell, kënga e tretë e albumit, duket si këngë dashurie, me harmoni të lehta. Por, dëgjojeni më me kujdes. Një person është i lënduar. Ata e duan garancinë se nuk do të jenë më të tillë. Janë të frikësuar. Në konflikt. E, megjithatë, janë të gjallë pikërisht në atë konflikt, në shtytjen dhe në tensionin e humbjes dhe dashurisë. Ata po ndërgjegjësohen për këtë, teksa vazhdojnë tutje. Kjo është hareja.

Bëhuni më të vetëdijshëm sesa jeni për A Hard Day’s Night dhe njiheni më mirë harenë. Gjithmonë mund të vazhdojmë të mësojmë për këtë mrekulli të ekzistencës dhe të shpirtit. Është më shumë sesa ajo që duket … /Telegrafi/