LAJMI I FUNDIT:

Vdes albanologu gjerman, Wilfried Fidler

Vdes albanologu gjerman, Wilfried Fidler

Gjuhëtari i shquar gjerman, njëri nga albanologët më të rëndësishëm të kohës sonë, Wilfried Fiedler, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare.

I lindur në Oberfrohna të Gjermanisë në vitin 1933, Fidler do të njihet herët me shqipen dhe me kulturën shqiptare. Në vitet 1951-1955 ndoqi studimet për sllavistikë dhe për filologji të tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Humboldit në Berlin. Pas vitit 1955, ishte bashkëpunëtor shkencor në Akademinë e Shkencave në Berlin. Nga viti 1959 ishte mësimdhënës për gjuhën, letërsinë dhe folklorin shqiptar në Berlin.


Më 1959 qëndroi për qëllime hulumtimi në Shqipëri. Më 1961 doktoroi në fushën e ballkanologjisë në Universitetin e Humboldit. Ishte bashkëpunëtor shkencor në Komisionin e gjuhësisë (1963-1967) dhe në Institutin për Gjuhët dhe Kulturën Romane në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë në Berlin (1967-19 68). Bashkë me Oda Buchholzin, drejtoi grupin hulumtues për ballkanistikë në kuadër të Institutit Qendror të Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave në Republikës Demokratike të Gjermanisë në Berlin (1968-1988).

Më 1988 mbrojti tezën e habilitacionit në fushën e Albanologjisë në Universitetin e Humboldit. Prej vitit 1989 dhe deri më 1998 ishte profesor i albanologjisë në Universitetin “Ludwig-Maximilian” në Munih. Më 1991 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Veçohet gramatika deskriptive për gjuhën shqipe, të cilën e shkroi në bashkëpunim me Buchholcin (“Albanische Grammatik”, Leipzig 1987).