Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, dislokimin e befasishëm të rreth 200 trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës, më 12 qershor të vitit 1999, e quan “Tradhti ruse”.
25 vjet pas incidentit, Clark thotë se “Rusia donte të turpëronte NATO-n, por edhe të shpërfaqte ambiciet e saj imperialiste”
Në kohën kur ndodhi, ai ishte komandant suprem i NATO-s dhe po vëzhgonte vendosjen e një misioni paqeruajtës të aleancës ushtarake në Kosovë.
“Ky është, në thelb, një problem politik dhe është duke u trajtuar në mënyrë politike. Nuk është duke ndikuar në dislokimin e forcave tona apo në aktivitetet tona, kështu që le ta zgjidhim në nivel politik”, tha atëkohë Clark.
NATO-ja do të vendosej në Kosovë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës – më 9 qershor, 1999 – me të cilën mori fund lufta në Kosovë dhe forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën.
Misioni paqeruajtës KFOR u miratua nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Rezoluta 1244 e tij i autorizoi shtetet anëtare të OKB-së për të mbajtur një prani ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.
Rusia – e cila luajti rol në bindjen e presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq, për t’i dhënë fund luftës – synonte një sektor të vetin në Kosovë, të pavarur nga NATO-ja, kujton gjenerali Clark.
Dhe, natën mes 11 dhe 12 qershorit, 1999, një kontingjent prej rreth 200 ushtarësh rusë u shkëput nga misioni paqeruajtës SFOR në Bosnje dhe Hercegovinë, e zëvendësoi shkronjën “S” me “K” për ta bërë KFOR, dhe u nis drejt Kosovës.
Në anën e kundërt, nga Maqedonia e sotme e Veriut, trupat britanike të NATO-s po bëheshin gati, po ashtu, për të hyrë në Kosovë.
Garën e fituan rusët. Ata arritën të parët në Prishtinë dhe okupuan aeroportin në Sllatinë mëngjesin e 12 qershorit. Pak orë më vonë arritën edhe britanikët, e pastaj edhe francezët, por rusët nuk i lejuan të hynin në aeroport, duke i kërcënuar me përdorimin e armëve.
“Misioni ynë ishte të vendosim një depo karburantesh këtu në aeroportin e Prishtinës, por kur mbërritëm, pamë rusë dhe serbë, dhe rusët na thanë se është e pamundur të futemi në aeroport”, tha asokohe një komandant i një kontingjenti francez të KFOR-it për agjencinë e lajmeve AP.
Gjenerali Clark, duke folur për emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë, kujton se hyrja e tillë e trupave ruse në Kosovë e zuri NATO-n në befasi – ajo nuk ishte pjesë e planit të dakorduar paqeruajtës.
“Ishte një lloj i tradhtisë ruse. Kjo është e gjitha që mund të thuhet. Por, kush e di… ndoshta rusët i kishin thënë Millosheviqit që të mos shqetësohej dhe ta pranonte marrëveshjen për paqe, sepse ata do të merreshin [me Kosovën]. Por, nuk ia dolën”, thotë Clark.
Shtëpia e Bardhë, atëkohë, njoftoi se presidenti amerikan, Bill Clinton, dhe ai rus, Boris Yeltsin, ishin dakorduar që t’ua linin gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të Rusisë ta zgjidhnin mosmarrëveshjen rreth aeroportit.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, bëri të qartë se NATO-ja nuk do ta ndajë komandën në Kosovë dhe se Rusisë nuk do t’i jepet kontrolli i ndonjë sektori.
“Nuk besojmë se duhet të ketë një sektor të veçantë rus, sepse nuk duam të shohim ndarje të Kosovës. Por, jam e bindur se do të bëjmë marrëveshje me rusët, që ata të bëhen pjesë e forcës paqeruajtëse”, tha Albright.
Gjenerali Clark, me të marrë vesh lajmin për hyrjen e trupave ruse në Kosovë, urdhëroi trupat britanike dhe franceze që të viheshin në gjendje gatishmërie për të marrë kontrollin e aeroportit. Për këtë tha se kishte edhe mbështetjen e shefit të atëhershëm të NATO-s, Javier Solana.
Por, plani i tij u bllokua nga komandanti britanik i KFOR-it, Mike Jackson, i cili ishte i përfshirë edhe në negociatat për paqe në Kosovë.
“Unë nuk dua që ushtarët e mi të jenë përgjegjës për fillimin e Luftës së Tretë Botërore”, u raportua të ketë thënë Jackson në një debat të nxehtë me Clarkun.
Mes frikës dhe shqetësimeve se avionë rusë me përforcime po niseshin drejt Prishtinës, gjenerali Clark planifikoi pastaj t’i urdhëronte trupat britanike t’i bllokonin pistat. Por, as ky plan nuk shkoi përpara dhe SHBA-ja kërkoi nga Hungaria, Rumania dhe Bullgaria të mos i lejonin avionët rusë të fluturonin mbi territorin e tyre.
Gjatë bllokadës në aeroport, Rusia kërkonte që trupat e saj t’u përgjigjeshin vetëm komandantëve të saj. Por, NATO-ja refuzonte ta pranonte këtë, nga frika se do të çonte në ndarjen e Kosovës – në jugun me shqiptarë dhe veriun me serbë.
Pas negociatave disajavëshe, dy palët u pajtuan në fillim të korrikut që trupat ruse të vepronin si pjesë e KFOR-it në sektorë të kontrolluar nga shtetet e NATO-s, por jo direkt nën komandën e NATO-s.
Clark thotë se nuk është e qartë se kush ishte në vendimmarrje në Moskë, kur trupat ruse u futën në Kosovë në qershor të ’99-ës. Sipas tij, kishte “shumë dredhi, mashtrime dhe keqkuptime” brenda Qeverisë ruse. Ai kujton se shefi i diplomacisë ruse asokohe, Igor Ivanov, tha se hyrja e rusëve në aeroportin në Prishtinë ishte “gabim”.
Por, gazeta amerikane, Washington Post, duke u thirrur në burime të inteligjencës, shkroi se “në mesin e zyrtarëve rusë në Moskë, përfshirë edhe presidentin Yeltsin, kishte një konsensus të fortë se trupat ruse duhej të luanin një rol në Kosovë, pasi presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviq, pranoi kushtet e paqes”.
I pyetur nëse plani i tij për të zgjidhur mosmarrëveshjen me rusët në aeroportin e Prishtinës, do të rrezikonte nisjen e luftës së tretë botërore, siç kishte thënë Jackson, Clark përgjigjet:
“Gjenerali Jackson bëri vërtet një deklaratë hiperbolike, që nuk kishte asnjë bazë në realitet. Por, unë kam simpati për të, ka qenë i rraskapitur, ka punuar shumë për të negociuar marrëveshjen e paqes. Ai, po ashtu, ka menaxhuar lëvizjen e trupave [brenda Kosovës] dhe ka qenë shumë i lodhur dhe tepër emocional”.
Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me gjeneralin Jackson, por bisedoi me Agim Çekun, i cili – në kohën e incidentit në aeroportin e Prishtinës – ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në javët e fundit ne ishim në komunikim të drejtpërdrejtë me komandën e NATO-s në Kumanovë dhe atë ditë e morëm një telefonatë nga gjenerali Jackson, i cili na njoftoi se forcat ruse, që do të bëheshin pjesë e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, ishin nisur në drejtim të Kosovës. Ai kërkoi nga ne që të mos i pengonim, pra të mos i sulmonim, sepse NATO-ja do të merrej me to. Unë, pastaj, e njoftova komandantin e Zonës së Llapit për zotimin që ia dhashë gjeneralit Jackson”, kujton Çeku.
Ai shton se situata ishte tensionuar shumë dhe se UÇK-ja ishte në kontakt të vazhdueshëm me Jacksonin, ndonëse, sipas tij, ushtria ruse atëkohë ishte e dobët.
Çeku thotë se ka pasur informacione se në mesin e kontingjentit rus që u fut në Kosovë, kishte “edhe ushtarë e oficerë serbë me uniforma ruse”.
Për mospajtimet e Jacksonit me Clarkun, ai thotë të ketë dëgjuar më vonë, pas zgjidhjes së situatës.
“Gjenerali Jackson vlerësoi se nëse do të sulmoheshin rusët, atëherë do të prishej edhe ai partneritet që u krijua me ta brenda Grupit të Kontaktit për çështjen e Kosovës. Mund të prishej dhe të shkaktonte situata të ndryshme”, thotë Çeku për Exposenë.
Clark u largua nga posti i komandantit suprem të NATO-s tre muaj më herët, me urdhër nga Uashingtoni. Ai e përshkroi këtë veprim si rutinë, ashtu si edhe Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni.
Trupat ruse, ndërkaq, mbetën në Kosovë për plot katër vjet. Më 2 korrik të vitit 2003, NATO-ja njoftoi se kontingjenti ushtarak rus do të tërhiqet nga forca paqeruajtëse e KFOR-it në Kosovë. NATO-ja tha se Qeveria ruse e mori vendimin pas përmirësimit të situatës së sigurisë në rajon.
Për gjeneralin Clark, i cili u pensionua nga ushtria në vitin 2000, Rusia vazhdon të ketë ambicie imperialiste.
“E keni Serbinë – aleaten historike dhe tradicionale të Rusisë. Serbia është magnet për tërheqjen e ambicieve imperialiste ruse në Evropë dhe sot shërben si agjente infektimi në rajon”, thotë Clark.
Se taktikat dhe intrigat ushtarake të Rusisë janë burim konstant i tensioneve e tregon edhe lufta e saj në Ukrainë, që vazhdon për më shumë se dy vjet dhe i ka çuar marrëdhëniet mes Moskës e Perëndimit në nivelin më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet
Apeli ia vërteton dënimin me burg dhe gjobë ish-zyrtarit të MTI-së, të akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj