LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Italia, mbështetëse e palëkundur e zhvillimit të sigurisë dhe integrimit të Kosovës

Kurti: Italia, mbështetëse e palëkundur e zhvillimit të sigurisë dhe integrimit të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada Italiane, në kuadër të shënimit të Ditës Kombëtare të Italisë.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Kurti theksoi se Italia ka qenë një mbështetëse e palëkundur e zhvillimit të sigurisë, mbrojtjes dhe integrimit të Kosovës në komunitetin evropian.

“Për këtë ne jemi thellësisht mirënjohës, duke shtuar dhe se me Italinë Kosova ndan një lidhje historike e të rëndësishme”, u shpreh Kurti.


Ai përkujtoi rolin e arbëreshëve edhe në shtetndërtimin e Italisë, si në rastin e Michele Bianchi dhe Domenico Damis, dy arbëreshë të cilët luftuan krah Giuseppe Garibaldit.

“Kontributi i tyre është një shembull frymëzues i rolit të luajtur nga pakicat etnike në historinë kombëtare, duke demonstruar përkushtimin dhe sakrificën e tyre për kauzën e unitetit dhe pavarësisë së Italisë. Aktualisht rreth njëqind shqiptarë konkurrojnë me krenari në zgjedhjet lokale italiane që do të mbahen më 9 dhe 10 qershor në Itali. Ky përbën një moment historik të rëndësishëm të angazhimit dhe përfaqësimit qytetar për komunitetin shqiptar në procesin demokratik të Italisë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Në këtë ngjarje, kryeministri nënvizoi dhe marrëdhëniet me Italinë të cilat karakterizohen nga lidhje të forta diplomatike, shkëmbime ekonomike dhe ndërveprime kulturore, përfshirë këtu edhe  sektorë të ndryshëm, nga tregtia dhe investimet tek arsimi dhe kultura.

“Bizneset italiane po investojnë gjithnjë e më shumë në Kosovë, duke sjellë risi dhe ekspertizë që kontribuojnë në mënyrë thelbësore në rritjen tonë ekonomike”, shtoi ai

Në përmbyllje, Kurti shprehu mirënjohjet e tij ndaj popullit dhe shtetit Italian, duke theksuar se Italia dhe Kosova vazhdojnë të punojnë së bashku  drejt një të ardhmeje më të ndritshme, të ndriçuar nga paqja, prosperiteti dhe përparimi i përbashkët.