LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria me rritje më të lartë të trafikut ajror në prill, sipas raportit të ACI

Shqipëria me rritje më të lartë të trafikut ajror në prill, sipas raportit të ACI

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama publikoi sot klasifikimin ndërkombëtar të muajit prill për rritjen e numrit të pasagjerëve nga ajri, krahasuar me vitin 2019 (para pandemisë), ku rritja e Shqipërisë vazhdon me ritmet më të larta.

“Shqipëria e rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur”, u shpreh ai, teksa publikoi raportin e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) për muajin prill 2024.

“Edhe prilli me rritje mbresëlënëse, sepse Shqipëria e rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur, ndërkohë vetëm sytë e disa shqipove që nuk duan të shohin nuk e shohin, po më mirë kështu se na mbrojnë nga syri i keq”, deklaroi Rama.


Kryeministri u ndal dhe në efektet pozitive në ekonomi, nga shtimi i numrit të turistëve që po vizitojnë vendin. Por shtoi se fluksi i lartë rrit edhe krenarinë e dinjitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Ndërkohë rriten të ardhurat në ekonominë familjare të kujtdo që ka lidhje me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit, rriten investimet në infrastrukturën e mikpritjes, rriten punësimi dhe pagat në sektorin e shërbimeve, rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit pa rritur taksa, rritet edhe krenaria e dinjiteti i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, theksoi Rama.

Sipas statistikave të publikuara nga ACI mbi trafikun e pasagjerëve krahasuar me vitin 2019, për muajin prill të këtij viti Shqipëria shënon një rritje prej 260.8 për qind. /Telegrafi/