LAJMI I FUNDIT:

Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin

Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

“Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë: Zotëri Escobar, faleminderit që po flisni për Radion Evropa e Lirë këtu në Prishtinë, në fund të vizitës suaj në Kosovë.


Para se të udhëtonit për në Kosovë, ju thatë se fokusi i vizitës do të ishte në një zgjidhje të mundshme për, siç thatë ju, vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin serb.

Mbrëmë, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, ju tingëlluat paksa optimist lidhur me atë takim. Thatë se e kishit një diskutim të mirë, të hapur, ku kryeministri Kurti tha se ai do t’i shqyrtonte disa propozime që ju ia dhatë. A keni marrë ndonjë përgjigje nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Kemi, por më lini t’ju tregoj pse kjo është e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara janë shumë të përkushtuara për t’u siguruar që Kosova mbetet një demokraci civile multi-etnike dhe, për të ndodhur kjo gjë, të gjitha komunitetet etnike duhet të ndihen të sigurta dhe të jetojnë në kushte sigurie dhe dinjiteti.

Ajo që po ndodh tani me vendimin e Bankës Qendrore [të Kosovës], është se ka shumë qytetarë tuaj që po ndiejnë shumë dhimbje, njerëz që nuk po i marrin pagat modeste.

Ne po flasim për [persona] me aftësi të kufizuara, të pensionuar, studentë – njerëzit më të cenueshëm – dhe ky vendim i ka prekur ata shumë thellësisht.

Tani, Qeveria ka thënë se ka shumë opsione për ta, por Qeveria nuk ua ka ofruar atyre një opsion. Qeveria ka thënë se opsioni… [se] ata e kanë vetë përgjegjësinë për ta bërë këtë dhe shumë njerëz janë duke e pasur të vështirë.

Disa nga njerëzit më të moshuar nuk i kanë dokumentet e duhura. Disa nga njerëzit më të rinj… dokumentet e tyre nuk po pranohen. Disa nga bankat po thonë se duhet mesatarisht një orë për ta hapur një llogari. Jo të gjithë kanë llogari.

Vetë bankat, pavarësisht se çfarë thotë Ministria juaj e Financave… vetë bankat thonë se atyre iu duhen mes 30 dhe 40 mijë llogarive, me secilën llogari që merr nga një orë.

Kjo është 40 mijë orë të kohës së stafit. Duke konsideruar se njeriu mesatar punon mes 1.000 dhe 1.500 orësh në vit, imagjinoni se sa gjatë do të duhet për t’i hapur këto llogari.

Kështu që, ky veprim, i cili është i pakoordinuar dhe që ka krijuar përçarje, është duke krijuar vështirësi reale për qytetarët, për disa nga qytetarët e Kosovës.

Tani, njerëzit që nuk marrin ndihma sociale nga Serbia, nuk e vërejnë se sa shumë po ndikon te disa. Ata që punojnë me euro dhe ata që paguhen në mënyra të tjera, nuk e kuptojnë se ka njerëz në mesin tuaj që po vuajnë.

Kështu që ishte mirë që kryeministri e pranoi se ka njerëz që po vuajnë. Por, kjo nuk mjafton. Na duhet një zgjidhje.

Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate, që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës.

Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Ky është lajmi i fundit nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Ky është lajmi i fundit.

Radio Evropa e Lirë: Sot?

Gabriel Escobar: Unë ende jam duke shpresuar që, kur kryenegociatorët të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz.

Radio Evropa e Lirë: Cilët janë hapat e radhës ose cili ishte arsyetimi që morët nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Kryeministri tha se ky është një vendim i një institucioni të pavarur, në të cilin ai nuk dëshiron të përfshihet, ose që kjo është një telashe për njerëzit që mund të tejkalohet lehtësisht, ose që mund të zëvendësohet me pagesa nga Qeveria e Kosovës.

Por, asnjëra nga këto nuk do të ndodhë shpejt. Për këtë arsye, ne po kërkojmë shtyrje të zbatimit. Tani, unë e kuptoj, normalisht, që një Bankë Qendrore dhe Ministria e Financave e bëjnë më të mirën e tyre për të mos krijuar jostabilitet dhe paparashikueshmëri në ekonomi. Ato e bënë pikërisht këtë gjë.

Tani ka disa jashtë që besojnë se kjo u bë për t’i ndëshkuar serbët. Unë nuk e besoj këtë. Por, unë besoj që – meqë kjo Qeveri e Vetëvendosjes nuk ka një histori të gjatë qeverisjeje – nganjëherë ka njerëz që nuk i mendojnë pasojat deri në fund.

Dhe, unë mendoj se kjo është arseyja përse unë e karakterizova këtë në Bruksel si paksa jokompetencë, sepse kur flasim për pasojat e padëshirueshme, të gjithë e kuptuan se ka pasoja të padëshirueshme. Por, këto mund të ishin parashikuar dhe do të ishin parashikuar nëse nuk do të ishte [veprim] i pakoordinuar.

QUINT-i ka shumë përvojë në konvertimin e monedhave, duke kaluar nga një monedhë në euro, por iu desh shumë kohë. Ne kishim vetëm pesë javë.

“Ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes”
Radio Evropa e Lirë: Pse vendosi kryeministri të vazhdojë me këtë ndalim duke e ditur se kjo çështje mund të ishte zgjidhur përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Gabriel Escobar: Kjo është një pyetje për të, por është e vërtetë. Ajo që ne nuk duam të bëjmë, është ta minojmë potencialin e Asociacionit, që është ende shumë i rëndësishëm. Është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Do të flasim për këtë më vonë. Por, si ndiheni si zyrtar i SHBA-së që refuzoheni nga kryeministri?

Gabriel Escobar: Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosjes – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, Romë, Berlin dhe Paris, gjithashtu.

Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve.

Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale. Dhe, mendoj se këtu jemi tani… po hyjmë në një periudhë të mungesës së komunikimit. Dhe ne, të paktën nga pala amerikane, po bëjmë gjithçka që mundemi për ta riparuar këtë marrëdhënie.

Radio Evropa e Lirë: Ky vendim i sotëm, si do të ndikojë në komunikimin, partneritetin, marrëdhënien që SHBA-ja ka me Kosovën?

Gabriel Escobar: Marrëdhëniet tona bazohen, pothuajse gjithmonë, jo vetëm në interesa të përbashkëta, por në vlera të përbashkëta. Dhe, një nga ato vlera të përbashkëta, është përkushtimi ndaj të drejtave të njeriut.

Pra, fakti që Qeveria më pro Kosovës në botë dhe Qeveria më proamerikane në botë, pra Shtetet e Bashkuara dhe Kosova, po e kanë këtë vështirësi, nuk është për shkak të politikave tona ndaj Rusisë apo Ukrainës apo Kinës, është për shkak të trajtimit të minoriteteve.

Pra, kjo duhet të jetë një thirrje zgjimi për kryeministrin dhe Qeverinë e tij se ku po shkon kjo marrëdhënie.

Radio Evropa e Lirë: A do ta konsideroni [vendosjen e] ndonjë mase kundër Kosovës për shkak të kësaj?

Gabriel Escobar: Jo… Është fakt që ne po përpiqemi ta ndihmojmë atë të kujdeset për qytetarët e saj. Dua të them se jemi pothuajse në një pikë ku po përpiqemi shumë të punojmë me të.

Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por, padyshim, ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane.

Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që, të martën, Kosova ta rimendojë këtë? Më parë Kosova thoshte se nuk do ta çojë këtë çështje në Bruksel. Tani, mbrëmë, na thatë se të martën do të ketë dialog në nivelin e kryenegociatorëve. Së pari, bazuar në informacionet tuaja, a do të jetë dinari pjesë e diskutimit?

Gabriel Escobar: Po, po, absolutisht. Do të jetë. Dhe, kështu…. shikoni, duke u bazuar në takimet e mia të djeshme, unë sigurisht se shpresoj që ata do ta rishikojnë tani. Kjo nuk është një pyetje, nuk është një çështje politike.

Ne duam ta zgjidhim përpara se të bëhet një çështje humanitare. Pra, ka një rrugë përpara. Ne pajtohemi me pagesat elektronike, ne pajtohemi me euron dhe jemi dakord me një zgjidhje afatgjate që ju ofron transparencë dhe kapacitet për të luftuar pastrimin e parave dhe format e tjera të transfereve të paligjshme.

Por, kjo duhet të bëhet siç duhet, [në mënyrë] të koordinuar dhe në atë mënyrë që të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Kosova nuk tërhiqet, a mund të ndikojë kjo edhe në mbështetjen e SHBA-së për sigurinë e Kosovës, siç është marrja e Javelinëve?

Gabriel Escobar: Unë nuk mendoj ashtu. Unë do t’ju them që mbështetja jonë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë e Kosovës është e fortë. Tani, pyetja se si ta trajtojmë këtë, do të jetë brenda sferës politike, por kjo nuk do të ndikojë në angazhimin tonë ndaj Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Një gjë e mirë që ndodhi këtë javë – të paktën QUINT-i e ka mirëpritur – është vendimi për Manastirin e Deçanit. Sa do të jetë vendimtar në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës?

Gabriel Escobar: Shikoni, është shumë pozitive. Është shumë e rëndësishme. Dhe, nuk ka të bëjë vetëm me Manastirin – megjithëse pjesërisht – por ka të bëjë me përkushtimin ndaj sundimit të ligjit.

Tani ju keni një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në shoqëritë e pjekura demokratike, një vendim i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Kështu që do të duhej të zbatohej. Ishte një vendim i vështirë, por duhej bërë.

Pra, Kosova tani po tregon që ka pjekurinë për t’i pranuar rezultatet e një vendimi kushtetues, sado jopopullor të jetë. Por, është gjëja e duhur për t’u bërë, sepse është gjëja ligjore që duhet bërë. Kështu që, do të ketë një efekt.

Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni.

Radio Evropa e Lirë: A do të lobojë, ndërkohë, SHBA-ja për Kosovën për këtë anëtarësim?

Gabriel Escobar: Mendoj se jemi duke i vlerësuar të gjitha opsionet. Neve ende na duhet Asociacioni. Ai është kyç. Dhe, kur të flasim për zgjerim, do t’ju shpjegoj pse Asociacioni është kaq i rëndësishëm.

Radio Evropa e Lirë: Të flasim për Asociacionin. Besoj se keni folur mbrëmë me kryeministrin lidhur me Asociacionin. Ekziston një draft-statut në tavolinë dhe Kosova nuk ka bërë ndonjë lëvizje për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. A keni marrë ndonjë konfirmim se kryeministri Kurti do ta bëjë këtë së shpejti?

Gabriel Escobar: Asnjë, fare. Tani më lejoni t’ju tregoj pse kjo është e rëndësishme. Më lejoni t’ju tregoj se çfarë është Asociacioni. Asociacioni është në të vërtetë aftësia e komunave me shumicë serbe për të ofruar shërbime në gjuhën serbe, shërbime të cilat ato tashmë kanë të drejtë t’i ofrojnë. Kjo është e gjitha.

Asnjë pushtet ekzekutiv, asnjë shtet brenda shtetit, asgjë që do t’u jepte atyre një veto mbi kushtetutshmërinë apo funksionalitetin tuaj.

Dhe, asgjë jashtë strukturës së kornizës ligjore të Kosovës. Pra, me fjalë të tjera, është duke ofruar garanci dhe pak vetëmenaxhim për pakicat, që e kanë tashmë pakicat e tjera brenda Evropës dhe brenda Shteteve të Bashkuara.

Pra, kjo nuk është asgjë tjetër përveçse e sjell marrëdhënien e Kosovës me pakicat e saj në nivel evropian. Prandaj, ka qenë në Planin e Ahtisaarit, prandaj është në atë [marrëveshjen] të Brukselit, prandaj është në atë [marrëveshjen] të Ohrit. Prandaj, duhet të vazhdojmë shpejt.

Tani gjëja tjetër është, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Deri në dhjetor, kandidatët e vetëm për zgjerimin e Bashkimit Evropian ishin vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas dhjetorit, tani kemi Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Dhe, derisa Ukraina po përballet me një situatë jete a vdekje, ata po e përplasin derën e Evropës dhe ajo derë do të hapet. Dhe, kjo do të thotë se fokusi i zgjerimit nuk do të jetë Ballkani, por Ukraina.

Ato janë të uritura. Ato do t’i mbyllin kapitujt, do të bëjnë reforma.

Dhe, kur 27 vendet e Bashkimit Evropian hapin debatet e tyre parlamentare secila prej tyre, ato nuk do ta bëjnë këtë çdo herë për vendet e Ballkanit Perëndimor derisa ato bëhen gati.

Do të jetë një grup me ato që janë gati dhe më pas do të jenë ato që do të presin një kohë të gjatë.

Kosova nuk është as kandidate. Pra, ndërsa përpiqemi të ecim përpara, ne, siç tha ambasadori Hovenier, kjo mungesë e Asociacionit dhe çështja e dinarit do të thotë se Shtetet e Bashkuara po e kanë të vështirë të lobojnë te mosnjohësit që do ta marrin vendimin për kandidaturën e Kosovës për NATO dhe për Bashkimin Evropian.

Pra, derisa Kosova e injoron rrugën evropiane, që është dialogu, dhe i injoron rrugët evropiane që udhërrëfyesit që po ua japin, që është Marrëveshja bazë, Aneksi [ i zbatimit] dhe tani statuti i Asociacionit, Evropa po thotë se Kosova nuk po punon me Evropën.

Prandaj, keni masa [ndëshkuese] evropiane, veç tjerash. Pra, duhet t’i heqim masat. Ne kemi nevojë që ju të arrini të merrni kandidaturën dhe ne kemi nevojë që ju të anëtarësoheni te Partneriteti për Paqe, urgjentisht përpara se ta humbim këtë mundësi historike.

Tani injorimi i dialogut po ju largon më shumë nga ajo rrugë.

Radio Evropa e Lirë: Ku po shkon Kosova?

Gabriel Escobar: Shqetësohem për këtë. Kjo Qeveri e Lëvizjes Vetëvendosje ka më pak miq në Evropë sesa duhet. Tani ju keni ende shumë miq në Evropë, por ka edhe shumë skepticizëm se ku po shkon ky vend.

Tani, do t’ju them se ku do të shkojë nëse nuk punojmë në drejtim të integrimit.

Ne do të shkojmë në një periudhë ku do të shihni më shumë njerëz që largohen nga vendi. Do të shihni më pak investime. Pra, nëse nuk bëjmë diçka urgjentisht, do ta kemi një rënie të ngadaltë, ose ndoshta jo të ngadaltë, demografike dhe ekonomike të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Do të kthehesha te draft- statuti i Asociacionit. E kemi në tavolinë draft-statutin. Nuk është dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kryeparlamentari [Glauk Konjufca], madje, tha se ka mundësi të propozohet një draft-statut i ri nga vetë Qeveria. Duke pasur parasysh se nuk keni marrë asnjë garanci për draft-statutin ose të paktën ka deklarata për një draft-statut të ri. A po dështon Marrëveshja e Ohrit?

Gabriel Escobar: Jo, nuk po dështon. Është e pazbatuar. Por, unë mendoj se Ohri hap një mundësi të madhe për Kosovën. Tani në kuadër të [ Marrëveshjes] të Ohrit, 90 për qind e përfitimeve shkojnë për Kosovën. Nëntëdhjetë për qind. Do të thosha edhe më shumë.

Pra, nën Marrëveshjen e Ohrit, Serbisë i kërkohet të njohë sovranitetin e Kosovës, integritetin e saj territorial, kontrollin e saj administrativ mbi veriun.

Ata njohin pasaportat, simbolet kombëtare, flamujt, kartat e identitetit, diplomat, targat, pothuajse çdo gjë tjetër.

Dhe, nga Serbia kërkohet që të mos e bllokojë integrimin evropian të Kosovës në asnjë institucion.

Në këmbim, Kosova duhet ta formojë Asociacionin, që është obligim ligjor ekzistues.

Pra, për çmimin e diçkaje që duhet të kishin bërë, ata marrin të gjitha përfitimet dhe kjo na jep neve, Shteteve të Bashkuara, një platformë për ta ndjekur për njohje të reja jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën.

Radio Evropa e Lirë: A ka vend për një draft-statut të ri?

Gabriel Escobar: Epo ka, por duhet të nxitojmë. Dua të them ka pasur gjithmonë.

Dhe një pjesë e arsyes që ndërmjetësuesi evropian u dha atyre një draft-statut ishte sepse ata nuk e kishin përgatitur një të tillë. Pra, ne kemi prodhuar një për ta.

Kështu, nëse nuk u pëlqen, duhet ta bëjnë [një tjetër]. Por, duhet të ketë një draft-statut.

Radio Evropa e Lirë: A keni ndonjë informacion nëse Qeveria po punon në të?

Gabriel Escobar: Besoj se jo.

Radio Evropa e Lirë: A duhet Kosova të ndiejë urgjencën për të zbatuar marrëveshjen para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara?

Gabriel Escobar: Shikoni, mendoj se duhet ta kishin bërë vitin e kaluar, sepse do të kishim qenë shumë më larg.

Por, jam i bindur se politika jonë ndaj Kosovës dhe rajonit do të mbetet konsistente pas zgjedhjeve.

Dua të them se nuk ka zgjidhje tjetër përveç integrimit evropian dhe angazhimit të NATO-s në këtë pjesë të botës. Nuk ka asnjë opsion.

Pra, kushdo që e studion këtë çështje, do ta kuptojë se në fund Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Pra, pyetja është a do ta bëjmë atë pas pesë deri në shtatë vjetësh apo do ta bëjmë atë pas 25 vjetësh?

Radio Evropa e Lirë: Ju thatë herën e fundit në intervistën tonë, në dhjetor të vitit 2022, se nëse kjo Qeveri nuk e themelon Asociacionin, mund të kërkoni partnerë alternativë. A po e konsideroni ende këtë?

Gabriel Escobar: Shikoni, ajo që kam dashur të them me këtë është që Asociacioni është obligim i Qeverisë së Kosovës, por edhe i institucioneve të tjera. Ndoshta ka njerëz që e kuptojnë rëndësinë e ecjes urgjentisht përpara në integrimin evropian dhe që mund të jenë të interesuar të na ndihmojnë: ose të bëjmë një fushatë publike ,ose të lobojmë në Parlament, ose të punojnë me aktorë, partnerë dhe institucione që mund të jenë të interesuara të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për ta çuar përpara [ çështjen e Asociacionit].

Unë nuk kam thënë se do të punojmë duke e anashkaluar Qeverinë, por mund të shohim nëse mund të gjejmë partnerë që të punojnë me ne për ta bindur Qeverinë se Kosova nuk ka kohë për të humbur.

Radio Evropa e Lirë: Duket sikur nuk keni partnerë…

Gabriel Escobar: Nuk do ta thosha këtë. Mendoj se ka institucione në Kosovë që janë shumë të qarta për marrëdhëniet me Evropën dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Dhe, po flas konkretisht për presidenten [e Kosovës, Vjosa Osmani].

Radio Evropa e Lirë: Ju thatë në konferencën për shtyp me presidenten se nuk është se po i kërkoni vetëm Kosovës vendime të vështira. Çfarë vendimesh të vështira po kërkohen nga Serbia, që të ndërmerren në këtë moment?

Gabriel Escobar: Së pari që të ndalojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës dhe të pranojë se sapo ta kemi Asociacionin, do të ketë njohje të reja.

Përveç kësaj, ne po i kërkojmë Serbisë që të sigurohet që të gjitha vendimet që janë marrë nën Marrëveshjen e Brukselit, janë të pakthyeshme.

Kjo përfshin çështjet e letërnjoftimeve dhe dokumenteve doganore dhe gjëra të tjera që duhet të futen në legjislacion.

Pra, me fjalë të tjera, duhet të futet në strukturën juridike të Serbisë, jo thjesht të bëhet ad-hoc. Kështu që ka goxha gjëra që po kërkojmë nga Serbia.

Por, më e rëndësishmja, ka gjëra të tjera që nuk lidhen me dialogun që ne po i kërkojmë Serbisë. Më e rëndësishmja është që ne duam përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit.

Jo vetëm Radoiçiq, por të gjithë ata që janë të përfshirë në atë [sulm] duhet të sillen para drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni faktin që Radoiçiq është ende i lirë?

Gabriel Escobar: Mendoj se është e papranueshme. Ne kemi thënë, publikisht dhe privatisht, se ai duhet të dalë para drejtësisë. Se ai është një i kërkuar ndërkombëtar nën sanksione amerikane dhe nuk ka vend për të si njeri i lirë.

Radio Evropa e Lirë: A sheh SHBA-ja ndonjë lidhje pas këtij sulmi me Serbinë si shtet?

Gabriel Escobar: Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës.

Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator.

Ne po kërkojmë përgjegjësi.

Radio Evropa e Lirë: Nëse i konfirmoni rezultatet se Serbia ka qenë mbrapa [sulmit], a do të merrni masa kundër saj?

Gabriel Escobar: Nuk mund të komentoj për këtë tani.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni faktin që ende nuk ka një aktakuzë kundër Radoiçiqit, as në Kosovë dhe as në Serbi, që po ashtu po zhvillon hetime?

Gabriel Escobar: Nuk e di për Kosovën, por hetimet janë duke vazhduar, janë duke vazhduar me kompetencë. Në Serbi ne kemi thënë që ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet, për të cilat mund të ngarkohet në Serbi. E di që ekziston edhe një fletarrestim i INTERPOL-it për të.

Radio Evropa e Lirë: Sa gjatë do të prisni prej Serbisë që të veprojë?

Gabriel Escobar: Më lejoni të komentoj për këtë më vonë, sepse jemi duke diskutuar shumë gjëra për Serbinë. Por, ata [në Serbi] e dinë qëndrimin tonë.

Radio Evropa e Lirë: A do t’i bëjë presion SHBA-ja Serbisë për ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë në Kosovë?

Gabriel Escobar: Sërish, është shumë herët, por mund t’ju them se ajo që po e themi publikisht për Radoiçiqin dhe nevojën për llogaridhënie, jemi duke e thënë edhe privatisht.

Radio Evropa e Lirë: Radoiçiqi, përveç që është i lirë, ai duket se po mban lidhje të ngushta me zyrtarët serbë, sikurse me ambasadorin serb në SHBA, Marko Gjuriq. Ju me siguri e keni parë fotografinë që po qarkullon në rrjetet sociale. Si e komentoni?

Gabriel Escobar: Komenti im është i njëjtë. Radoiçiqi është personi që e ka organizuar sulmin e 24 shtatorit. Ai është person i arratisur, i kërkuar ndërkombëtarisht, është nën sanksione amerikane dhe nuk ka vend për të në hapësirën politike.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni justifikimin që e ka bërë Gjuriqi në X, ish-Twitter, më pas?

Gabriel Escobar: Nuk do ta komentoj atë. Do të them që të gjithë e dinë pozicionin tonë, përfshirë personat në Qeveri, në Qeverinë e Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Do të mbesim në Serbi edhe pak. A shihni ndonjë mundësi – bazuar në kontaktet tuaja në Serbi – që Serbia është duke e rishqyrtuar vendimin për t’i vënë sanksione Rusisë?

Gabriel Escobar: SHBA-ja beson që Serbia duhet t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Është vendim sovran dhe Serbia nuk na ka dhënë shenja që do të veprojë, mirëpo do të duhej. Kjo është çështje për t’u konsideruar edhe prej BE-së, sepse Serbisë i kërkohet të jetë 100 për qind në përputhje me të sa i përket politikës së jashtme, si vend kandidat.

Radio Evropa e Lirë: Serbia nuk po vendos sanksione, nuk është gjithmonë në linjë me Perëndimin, ka vizita zyrtare prej Rusisë, po dërgon vëzhgues në Rusi për zgjedhje, nuk po distancohet prej [udhëheqësit të Republikës Sërpska, Millorad] Dodikut, Vuçiqi nuk po e bën këtë. A mund t’i besoni Vuçiqit?

Gabriel Escobar: Në të gjitha marrëdhëniet tona ndërkombëtare, nuk ka të bëjë me besimin. Ka të bëjë me detyrime të obligueshme ndërkombëtare. Këtë e kemi thënë gjithmonë për dialogun. Janë disa gjëra që Serbia dhe Kosova duhet t’i bëjnë dhe nuk ka të bëjë me besimin apo pëlqimin e liderëve. Ka të bëjë me implementim dhe verifikim.

Sa i përket Serbisë, do të kisha kujdes, pasi nuk është gjithçka bardh e zi sa i përket Serbisë. Nëse e mbani në mend, Serbia ka votuar kundër Rusisë në disa organizata ndërkombëtare. Nuk mendoj që është sekret se Serbia ka pranuar shumë refugjatë ukrainas dhe rusë dhe i ka ofruar ndihmë humanitare Ukrainës, si dhe është duke analizuar mënyra se si mund t’i ndihmojë Qeverisë në Ukrainë. Pra, nuk është bardh e zi, dhe mendoj që duhet të jemi të kujdesshëm nëse e karakterizojmë si të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Sa u përket zgjedhjeve në Serbi, a mendoni që Serbia është duke bashkëpunuar mjaftueshëm me OSBE-në?

Gabriel Escobar: Mendoj që bashkëpunimi po nis. Kryeministrja [e Serbisë, Ana Bërnabiq) ka bërë të ditur që do të formojë një grup punues për t’i adresuar shqetësimet e ODIHR-it dhe shpresoj që të gjitha palët, përfshirë opozitën, do ta trajtojnë këtë me seriozitet.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që Serbia t’i zbatojë rekomandimet para zgjedhjeve për Beogradin, më 2 qershor?

Gabriel Escobar: Shpresoj që ata do t’i zgjidhin problemet e identifikuara nga ODIHR-i sa më shpejt që është e mundshme për zgjedhjet e radhës dhe aty të përfshihet edhe Beogradi.

Radio Evropa e Lirë: Mirë, faleminderit! Do të kaloja tani në Bosnje. Në paraqitjet para mediave, Millorad Dodik ia uron fitoren Donald Trumpit në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se ai nuk do të hezitonte ta shpallte pavarësinë në atë rast. Këto deklarata e kanë shqetësuar publikun në Bosnje e Hercegovinë. A ka vend për frikë në atë rast?

Gabriel Escobar: Para së gjithash, jo. Komuniteti ndërkombëtar është i përkushtuar për pavarësinë, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnje e Hercegovinës. Ne e kemi një forcë paqeruajtëse brenda Bosnje e Hercegovinës. Është një Përfaqësues i Lartë me fuqi të jashtëzakonshme, dhe NATO-ja e ka përsëritur që nuk do të lejojë vakum të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë. Ndonëse kërcënimet e Dodikut shkaktojnë dëm, nuk mendoj që një entitet i varfër me 750.000 njerëz, që është në borxhe në rritje, do të ketë kapacitet për të sfiduar NATO-n, apo për të shpallur pavarësinë dhe për të qenë ajo e qëndrueshme.

Radio Evropa e Lirë: Pra, Bosnja mund të varet në garancinë e NATO-s?

Gabriel Escobar: Po, mundet.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket Malit të Zi, ju ishit në Malin e Zi shkurtimisht të martën. A do ta rishqyrtonte SHBA-ja marrëdhënien me Malin e Zi, në rast se partitë e ish-koalicionit të Frontit Demokratik i bashkohen Qeverisë?

Gabriel Escobar: Është shumë herët për të folur se si do të mund të ishte lidhja jonë me parti kundër Perëndimit, kundër NATO-s, në koalicion. Mirëpo, ekziston rrezik dhe këtë gjë e kemi ngritur me kryeministrin dhe presidentin.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndodh nëse ata i bashkohen Qeverisë?

Gabriel Escobar: Sinqerisht, është herët të flas, është ende herët. Kjo Qeveri e Malit të Zi është shumë e re, por megjithatë ka bërë përparim të madh në rrugën evropiane dhe ka bërë përparim të madh në krijimin e themeleve për t’u bërë anëtare me prirje perëndimore e Bashkimit Evropian. Prandaj, gjëja më e rëndësishme tani për Malin e Zi është që të mbështesë gjithçka që po bën kryeministri.

Radio Evropa e Lirë: Dëshiroj të kem mendimin tuaj për vlerësimin vjetor rreth kërcënimit, të përpiluar prej komunitetit italian për Ballkanin Perëndimor, në të cilin është thënë se Ballkani Perëndimor do të përballet me rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike përgjatë vitit 2024? A është kjo e bazuar në diçka që kemi parë përreth, apo është diçka që nuk e dimë?

Gabriel Escobar: Ju them që nuk do të ishte befasi për askënd dhe jemi duke dëgjuar për këtë edhe nga analistët në terren. Institutet tuaja, politikanët tuaj. Të gjithë e dinë që disa aktorë me qëllime të këqija do të tentojnë të krijojnë probleme më 2024, duke menduar që bota do të hutohet prej zgjedhjeve, ose prej luftës në Ukrainë.

Diçka e tillë është gabim, por kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë provokime. Por, ne duhet të jemi të përgatitur për to. E kam pasur një takim me komandantin e KFOR-it në ditën time të parë, për të diskutuar për këtë, dhe ai është shumë i fokusuar në jostabilitetin potencial dhe është i shumë përgatitur. Pra, jemi të përgatitur për situata të paparashikuara, por kjo nuk do të thotë që nuk do të hyjmë në një periudhë të vështirë.

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë që kur të ktheheni në Uashington, do të takoheni me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it. Çfarë do t’iu thoni kur të jetë fjala për Kosovën?

Gabriel Escobar: Sinqerisht, ata do të dëgjojnë atë që presin të dëgjojnë, që nuk kemi arritur shumë përparim, as për Asociacion, as kur është fjala për rregulloren e BQK-së. Shpresoj që të martën do të kemi diçka pozitive për të diskutuar. Tashmë kemi diçka pozitive për të diskutuar, është vendimi për Deçanin [Manastirin], diçka që komuniteti ndërkombëtar e ka kërkuar për shumë e shumë vjet. Pra, do të jetë një diskutim i përzier.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni thënë në dhjetor të vitit 2022 se Kosova ka garanci të forta prej SHBA-së kur është fjala për sigurinë. A qëndron kjo ende?

Gabriel Escobar: Po. Nuk është valide vetëm ajo garanci, por unë e kam thënë edhe në intervistat e tjera që e ka mbështetjen tonë edhe për integrimet euroatlantike.

E ka. Kosova ende e ka mbështetjen tonë të plotë për t’u bërë anëtare e NATO-s, anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe anëtare e Bashkimit Evropian. Problemi është se a mundet Qeveria, Qeveria e Vetëvendosjes, t’i japë QUINT-it diçka për të punuar me të?

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori