“Çdo i treti kalimtar në qendër të Selanikut fliste shqip”, thotë me shaka Sedat Kiçmari.
Me gruan dhe dy fëmijët, ai vizitoi qytetin bregdetar të Greqisë fundjavën e fundit të shkurtit.
Ishte hera e parë që familja 4-anëtarëshe udhëtoi pa viza në një vend të Bashkimit Evropian.
Qytetarët e Kosovës e gëzojnë këtë të drejtë nga 1 janari i këtij viti dhe disa përfaqësues biznesesh ankohen se “euforia e madhe” për të udhëtuar, i ka lënë me më pak punë e më pak të ardhura.
Nëse trendi vazhdon, disa biznese edhe mund të mbyllen, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
“Mbi 100% më shumë udhëtime”
Ruzhdi Kurtishaj, pronar i agjencisë turistike “Sharr Travel”, thotë se udhëtimet e qytetarëve kosovarë nga 1 janari e këndej, janë shtuar për më shumë se 100%.
Agjencia e tij operon me dhjetëra autobusë që realizojnë udhëtime çdo ditë.
Destinacionet thotë se janë të ndryshme: Greqi, Kroaci, Hungari, Bullgari e Austri.
“Po e marr shembull Greqinë, pasi është vendi më i frekuentuar. Vitin e kaluar, në këtë shtet kemi udhëtuar një herë në javë me një autobus, ndërsa, aktualisht, udhëtojmë tri herë në javë me gjashtë autobusë”, tregon Kurtishaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se kapaciteti i një autobusi është për 50 deri në 80 udhëtarë, ndërsa bileta kthyese nga Prishtina deri në Selanik – rreth 330 kilometra larg – është 20 euro.
Nëse bëhet llogaritja vetëm me shifrat e kësaj agjencie, i bie që së paku 300 qytetarë udhëtojnë çdo javë drejt Greqisë dhe vetëm për bileta shpenzojnë së paku 6.000 euro.
Në Kosovë janë të regjistruara 757 biznese – përfshirë agjenci udhëtimi, operatorë turistikë e të tjera – që merren me turizëm.
Të dhënat që REL-i siguroi nga Policia e Kosovës, tregojnë se nga 1 janari deri më 21 shkurt të këtij viti, mbi 1.7 milion qytetarë kanë dalë nga kufiri tokësor i Kosovës, ndërsa kanë hyrë mbi 1.6 milion.
Shifrat përfshijnë edhe ata qytetarë që kanë lëvizur më shumë se një herë.
Megjithatë, policia nuk dha të dhëna për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur për qytetarët kosovarë nuk vlente liberalizimi i vizave.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ndërkaq, konfirmojnë se ka rritje të numrit të udhëtarëve në dhe nga Kosova.
Zëdhënësja Valentina Gara thotë se numri i përgjithshëm i tyre në muajin janar ka qenë mbi 287 mijë, krahasuar me mbi 266 mijë sa ka qenë në janar të vitit 2023.
Paratë jashtë Kosovës
Kiçmari, i cili me profesion është kontabilist, thotë se për një fundjavë në Selanik, ka shpenzuar rreth 400 euro, “përfshirë këtu sigurimin për makinën me të cilën kanë udhëtuar, akomodimin, ushqimin dhe aktivitete të tjera”.
Nga përvoja e kaluar, thotë se çdo shpenzim ia ka vlejtur.
“Qytet i bukur, kishte vende të ndryshme turistike për t’u vizituar”, thotë ai.
Por, përshtypje si këto kanë ndikuar në turizmin e brendshëm.
Hysen Sogojeva, udhëheqës i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, thotë se dy muajt e fundit, nuk janë të krahasueshëm me periudhat e njëjta të viteve të kaluara.
Në këtë kohë, thotë ai, kur vendet malore dhe restorantet në natyrë do të duhej të frekuentoheshin masivisht në fundjava, kanë dukshëm më pak klientë.
“Po presim që muajve të ardhshëm të stabilizohet situata… Shpresojmë që kjo eufori e qytetarëve [për të dalë jashtë] është afatshkurtër, vetëm nga kureshtja e lëvizjes pa viza”, thotë ai.
Deklaratave të tij u bën jehonë edhe Sadik Gashi, i cili udhëheq pushimoren “Holiday Resort” në fshatin Sllatinë të Prishtinës.
“Rënie të numrit të klientëve ka sidomos gjatë fundjavës, por edhe ditëve tjera”, thotë ai.
“Ata, kur po shkojnë gjatë fundjavave në Selanik, Romë apo ndonjë shtet tjetër… qarkullimi ditor bie edhe gjatë ditëve të tjera të javës, sepse paratë i shpenzojnë jashtë dhe nuk kanë më mundësi t’i vizitojnë restorantet në Kosovë”, shton Gashi.
Përveç në hoteleri e gastronomi, rënie të klientelës duket se kanë edhe kompanitë e derivateve të naftës.
“Deri në 30 për qind ka rënë shitja krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thotë Avdi Avdiu, pronar i kompanisë “Universal” në Mitrovicë të Jugut.
“Përqindja mund të jetë edhe më e lartë, por, për fat, kjo pikë furnizon me derivate të naftës disa autobusë të agjencive turistike në Mitrovicë. Këta e kanë rritur sasinë e shpenzimeve, pasi udhëtojnë më shpesh jashtë Kosovës. Furnizohen me sasi deri në tri herë më shumë se vitin e kaluar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se kjo situatë i shkakton pasoja të pashmangshme ekonomisë, përkatësisht aktivitetit të bizneseve.
Për një fundjavë, sipas tij, një familje shpenzon mesatarisht 600 deri në 800 euro jashtë Kosovës, “varësisht nga shteti që viziton”.
Kjo, pastaj, ul kërkesën e konsumit në Kosovë, sepse paratë e gatshme shpenzohen jashtë, thotë Rafuna.
Nëse ky trend vazhdon, sipas tij, bizneset do të obligohen t’i largojnë punëtorët nga puna, e madje “disa edhe mund të mbyllen”.
“…sepse biznesi themelohet të gjenerojë fitim dhe jo të humbë”, thotë ai.
Hysen Sogojeva, nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, shpreh shqetësim për mungesë punëtorësh në të ardhmen e afërt – edhe pse kjo ka qenë një sfidë e vazhdueshme në Kosovë me vite.
“Problemet mund paraqiten në muajt vijues, sidomos në prill dhe maj, kur rritet puna në shtetet e Evropës dhe krijohen vende të reja të punës. Atëherë, qytetarët mund të gjejnë alternativa për të punuar në Perëndim”, thotë Sogojeva.
Liberalizimi i vizave, megjithatë, nuk mund të shfrytëzohet për qëllime punësimi, por vetëm vizita turistike.
Për punësim në një vend të BE-së duhen vizë dhe leje e posaçme.
Kosova ka qenë e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që fitoi të drejtën e lëvizjes së lirë.
Duke iu përgjigjur interesimit të REL-it për këtë temë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku gjendet edhe Departamenti për Turizmin, tha se nuk ka bërë ndonjë hulumtim për ndikimin e liberalizimit të vizave në sektorin e turizmit.
Kosova – me 1.7 milion banorë dhe me pagë mesatare 520 euro – është e ndarë në pesë rajone turistike: rajoni qendror i Prishtinës; rajoni turistik i Alpeve Shqiptare – Bjeshkët e Nemuna; rajoni turistik i Sharrit; rajoni turistik i Anamoravës dhe rajoni turistik i Mitrovicës.
Por, përfaqësues të organizatave që merren me promovimin e turizmit në vend, kanë thënë më herët për REL-in se ky sektor nuk është zhvilluar sa duhet.
Kiçmari thotë se mezi pret të niset për në destinacionin e radhës, edhe pse pas kthimit nga Greqia “i është dashur t’i kufizojë shpenzimet për disa ditë”. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!
PostCHAT ju pret!
Në këto ditë të ftohta, hani ushqime të ngrohta!
Rezervo tani, përfito çmime speciale për udhëtime gjatë fundvitit nga Gjeneva drejt Prishtinës!
Erëra të forta në pesë rajone, mbesin pa rrymë shumë banorë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje