LAJMI I FUNDIT:

Vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve me SHBA-në, Hoti: Paralajmërimi i O’Brien duhet të merret me shumë shqetësim

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avullah Hoti ka reaguar pas deklaratave të Ndihmës sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

O’Brien ka thënë se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.


Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim.

“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve”, ka shkruar Hoti, transmeton Telegrafi.

Më tej ai ka thënë se “bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme”.

“Keq. Në prag të përvjetorit të pavarësisë, do të duhej të merrnim mesazhe urimi”, ka shkruar Hoti.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, O'Brien: Nëse ne nuk trajtohemi si partner, nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere
Lexo po ashtu Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, O'Brien: Nëse ne nuk trajtohemi si partner, nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka thënë se me këtë qëndrim [për dinarin serb], qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë ai. /Telegrafi/