LAJMI I FUNDIT:

Abduramani: Pagat e punonjësve të FSSH mbeten të njëjta deri në maj

Abduramani: Pagat e punonjësve të FSSH mbeten të njëjta deri në maj

Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), Asaf Abduramani, ka njoftuar mbrëmjen e sotme në profilin e tij në Facebook se është marrë vendim për të njëjtën vlerë paga deri më 31 maj 2024.

“Të nderuar kolegë, bashkëpuntorë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, sot Kryeministri Talat Xhaferi në bashkëpunim të ngushtë me ne si Fond dhe institucionet tjera kompetente, arritëm në një vendim të përbashkët për vlerë të njejtë të pagave (deri në 31 Maj 2024). Ky vendim do të vlejë deri në zgjidhjen e përhershme e cila do të jetë gjithmonë në të mirë të të punësuarve. E falemenderojmë kryeministrin Xhaferi dhe kabinetin qeverisës për mbështetjen profesionale në tejkalimin e këtij problemi”, thekson Abduramani.

Punonjësit e FSSH-së kërkuan që pagat e tyre këtë vit të jenë të barabarta me pagën e dhjetorit të vitit 2023, me rritjen e përcaktuar prej 15 për qind. Ata që nga dita e djeshme kanë hyrë në grevë, duke shprehur pakënaqësi për uljen e mundshme të pagave. Sipas sindikatës, 831 punonjës të Fondit ishin në pritje të vendimit për pagën. Nëse do të kishte ulje, 25 për qind do të merrnin pagë nën pagën minimale dhe 25 për qind do të merrnin pagën minimale.


Buxheti i FSSH-së është mbi 46 miliardë denarë dhe 1,19 për qind është ndarë për paga.