LAJMI I FUNDIT:

Është një shans për ta ndalur Donald Trumpin, por koha po mbaron

Është një shans për ta ndalur Donald Trumpin, por koha po mbaron

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Republikanët e paktë që nuk i janë nënshtruar kultit të Donald Trumpit, janë kapur pas një shprese të fundit. Po i fërkojnë duart se të martën mbrëma do të ndalet marshi i ish-presidentit drejt nominimit nga partia e tij ose, të paktën, do të vonohet nga ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley – në zgjedhjet paraprake në Nju-Hempshër. Por, kjo shpresë është gati bosh.

Edhe nëse Haley shënon fitore të famshme në këtë shtet të mbuluar nga dëbora, betejat e ardhshme janë në një terren shumë më të ndërlikuar për të dhe më të pëlqyeshëm për atë. Të hënën Trumpi e fitoi garën e partisë së tij në Ajova, me një diferencë rekorde, duke grumbulluar më shumë vota se të gjithë rivalët e tij së bashku – dhe zgjedhjet e tjera, që vijnë më pas, ngjajnë më shumë me ato të Ajovës sesa me ato të Nju-Hempshërit ku, në mënyrë të pazakontë, përfshihet një pjesë e madhe e të pavarurve që janë skeptikë ndaj Trumpit. Kur e kombinoni këtë me sondazhet që tregojnë se Trumpi është baras – ose më mirë se baras – me Joe Bidenin, duke e bërë atë të preferuarin e shumë parashikuesve për ta marrë Shtëpinë e Bardhë në nëntor, kjo shtron pyetjen që ngatërron Amerikën e shteteve të kaltra [demokrate] dhe që huton shumicën e pjesës tjetër të botës. Duke pasur parasysh gjithçka që ka thënë dhe gjithçka që ka bërë, duke pasur parasysh gjithçka që është, pse kaq shumë amerikanë duan që Donald Trumpi të jetë presidenti i tyre i ardhshëm?


Çdo përgjigje për këtë pyetje duhet të fillojë me dobësinë e kundërshtarëve të Trumpit. Kur New York Post e quajti Ron DeSantisin “DeFuture” [e ardhmja] në vitin 2022, duke e cilësuar atë si njeriun që la Trumpin anash dhe që më 2024 u bë bartës i standardit republikan, nuk e kishte menduar se guvernatori i Floridës do jetë kaq i mërzitshëm në bazat e politikës lokale: duke buzëqeshur, duke shtrënguar duart, duke ndërvepruar me njerëzit e tjerë. Ka qenë e bezdisshme ta shohësh. (Hiç më mirë nuk ishte kur shihje se si Nikki Haley mburrej teksa mbronte pikëpamjen e vet se ShBA-ja “kurrë nuk ka qenë vend racist”.)

Megjithatë, kryesorja ishte llogaritja e gabuar strategjike. DeSantis vendosi të ofrojë trumpizmin pa Trumpin, duke zgjedhur luftërat me të njëjtat objektiva të luftës kulturore po si ish-presidenti – emigrantët, mediat, “zgjimin” [woke] – por, pa kaos dhe pa çmenduri. Problemi ishte se kjo e bëri atë shumë trumpist për republikanët e ethshëm për të lëvizur para dhe jo aq sa duhet për bazën e MAGA-s [Make America Great Again]. Ky grup i fundit nuk e kërkonte versionin e lehtë të Trumpit, meqë ata janë mjaft të kënaqur me origjinalin me fuqi të plotë.

Megjithatë, dështimi i madh ishte i njëjtë nga pothuajse i gjithë spektri republikan, duke përfshirë Haleyn. Edhe pse ata nominalisht po konkurronin kundër Trumpin, vetëm njëri prej tyre – Chris Christie nga Nju-Xhersi – guxoi të shtronte një rast të drejtpërdrejtë kundër tij. Ata kishin frikë të jenë antagonistë të (shumicës së) republikanëve që e duan Trumpin, aq sa shmangnin të metat e tij të dukshme dhe diskualifikuese – duke përfshirë mbështetjen e tij për kryengritjen e dhunshme më 2021, me çka kërkoi të përmbyste zgjedhjet demokratike. Secili kandidat shpresonte se dikush tjetër do të merrte përsipër këtë detyrë, duke e rrëzuar Trumpin në një mision kamikaz që do t’i linte pretendentët e mbetur të mblidhnin mbështetësit e vet.

Ishte ky një problem klasik i veprimit kolektiv. Sikur të bashkoheshin kundër Trumpit, të gjithë do të kishin përfituar. Mes vete, dhe në mënyrat e veta të ndryshme, do të mund ta kishin ideuar atë që profesionistët e politikës e thonë – se shumë republikanë kanë nevojë për të bërë shkëputje nga Trumpi: për ndryshimin. Mund t’u kishin thënë votuesve republikanë se nuk gabuan me zgjedhjen e Trumpit në vitin 2016, porse rekordi i premtimeve të shkelura nga ai – kurrë nuk e ndërtoi atë mur – dhe ndërlidhja me humbjet serike elektorale në garat afatmesme, si në vitin 2020, e bëjnë zgjedhje të gabuar për vitin 2024. Haley po shkon drejt këtij mesazhi, por tashti koha po mbaron.

Trumpi gjithashtu u ndihmua nga kundërshtari me të cilin shpreson të përballet në nëntor. Fillimisht, shumë republikanë ishin të kujdesshëm për ta mbështetur Trumpin, meqë kishin frikë se do të humbiste (përsëri) nga Bideni. Por, derisa numrat e presidentit vazhdojnë të bien kah fundi, kjo frikë tashmë është zvogëluar. Qëndrimi i dobët i Bidenit nuk ka të bëjë kryesisht me të arriturat e tij, por me diçka për të cilën nuk mund të bëjë asgjë: sa vjeç është dhe, më e rëndësishmja, sa i vjetër duket. Një sondazh zbuloi se vetëm 34 për qind e amerikanëve besojnë se 82-vjeçari Biden mund ta përfundojë mandatin e dytë. Dobësia e Bidenit ka bërë që republikanët të hedhin poshtë argumentin e zgjedhshmërisë që do të mund t’i kishte detyruar të kërkonin një alternativë ndaj Trumpit.

E, megjithatë, duhet përballur një e vërtetë të pakëndshme. Ka shumë mundësi që Donald Trumpi të kthehet në Zyrën Ovale jo vetëm për shkak të dobësisë së të tjerëve; ai është gjithashtu produkt i fuqisë së vet politike. E ka aftësinë që i mungon çdo figure tjetër kryesore në peizazhin aktual politik të ShBA-së: aftësinë për ta krijuar narrativen të cilën miliona e besojnë. Ai, për shembull, e ka ndryshuar atë që duhej të ishte goditja përfundimtare – përballja me ndjekjet e shumta dhe me 91 akuzat penale – në një histori fitimtare në të cilën është viktimë dhe luftëtar trim kundër një organizate liberale të angazhuar në “delegjitimin” e që krijon akuza false për ta mbajtur atë larg pushtetit. Kjo histori është e rreme, por e ka bindur pothuajse gjysmën e vendit.

Në këtë ai ndihmohet nga mjedisi i lajmeve ku amerikanët e konsiderojnë veten si të drejtë jo vetëm për opinionet që kanë, por edhe për faktet që i besojnë, ku faqet e rrjeteve sociale i mbushin me paragjykime e veta dhe i mbrojnë ato nga çdo provë e padëshiruar për të kundërtën.

Por, Trumpi ndihmohet edhe nga disa fakte aktuale. Kur ai mburret për situatën ekonomike kur ishte president, kjo nuk është krejtësisht e rreme. Gjatë tri vjetëve të para të tij në detyrë – përpara se të godiste koronavirusi – një familje tipike amerikane vërente se standardi jetësor po përmirësohej me rritjen reale prej 10.5 përqind në të ardhurat mesatare të familjes, ndërsa e njëjta masë ra me 2.7 përqind gjatë dy vjetëve të para të Joe Bidenit. Në atë periudhë, inflacioni u rrit dhe pagat e amerikanëve nuk mund të vazhdonin me kostot në rritje.

Sigurisht, është për të qeshur nëse Trumpi pretendon se meritë e tij ishin ato shifra të gjendjes ekonomike para koronavirusit. Por, kjo nuk i ndalon miliona votues amerikanë ta kujtojnë të kaluarën me nostalgji, le të themi çmimet e ulëta të benzinës në vitet e Trumpit. Ndërkohë, po zbehen kujtimet e kaosit të përditshëm, të fanatizmit dhe të autoritarizmit të tmerrshëm.

Kundërshtarët e tij janë më të dobët se ç’duhej të ishin dhe ende janë të tillë; ai është më i fortë se sa shumëkush mund të guxojë ta pranojë; dhe, çështja thelbësore e çdo zgjedhjeje – ekonomia – mund ta favorizojë atë. Për të gjitha këto arsye, Trumpi e ka një rrugë të besueshme, madje të mundshme të kthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Tashmë ka kaluar mundësia më e mirë për ta ndalur. Shansi ishte në shkurt 2021, kur Senati ka mundur ta dënojë Trumpin me akuzat e “nxitjes së kryengritjes” – të cilat u ngritën gjatë procedurës së dytë për shkarkim [impeachment] pas trazirave të 6 janarit. Po të kishte ndodhur kjo, Trumpi përgjithmonë do të përjashtohej nga postet publike. Ky ishte ai moment i duhur, por republikanët e Senatit e shmangën këtë.

Trumpi ka përfituar nga frikacakët, nga besimi i përhershëm se dikush tjetër do të merret përfundimisht me Trumpin. Epo, përfundimisht është tani – dhe tani mund të jetë shumë vonë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori