LAJMI I FUNDIT:

Drita Llolla në SHBA: Ballkani Perëndimor gjendet nën kërcënimet e reja të sigurisë

Drita Llolla në SHBA: Ballkani Perëndimor gjendet nën kërcënimet e reja të sigurisë

Deputetja e parë shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi Drita Llolla, e cila po qëndron në Washington për punimet e Forumit parlamentar për Zbulim dhe Siguri, që trajton kërcënimet globale të sigurisë, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se Mali i Zi, si një vend anëtar i NATO-s, duhet të shprehë një qëndrim pa mëdyshje ndaj vlerave dhe integrimit euroatlantik.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike Socialiste, e ish-Presidentit malazez Gjukanoviq që ka qeverisur Malin e Zi për 30 vjet dhe tashmë është në opozitë, shprehet skeptike për përkrahjen dhe pjesëmarrjen e partive shqiptare në koalicionin qeverisës së Malit të Zi, që përfshinë parti pro-ruse dhe pro-serbe.

Zonja Llolla, këtë javë qëndruat në Washington e ftuar në Forumin Parlamentar për Zbulim dhe Siguri për kërcënimet globale të sigurisë. Cilat janë kërcënimet në Ballkan?


Drita Llolla: Forumi Parlamentar për çështje të Zbulimit dhe të Sigurisë ishte vërtet një rast unik për t’u takuar dhe për të shkëmbyer me parlamentarë nga mbi 60 vende të botës dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me senatorë dhe kongresistë amerikanë. Besoj se kemi të bëjmë në thelb me një sulm ndaj vlerave demokratike.

Mali i Zi është një aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në dritën e konflikteve globale, pra, kemi dy konflikte fizike, luftën në Ukrainë dhe luftën në Izrael, konflikteve kibernetike, luftës hibride përmes dezinformimit dhe ndërhyrjes në proceset elektorale të vendeve demokratike që janë aleate të SHBA-së dhe një sërë problematikash tjera, duke identifikuar cilat janë vendet që rrezikojnë vlerat demokratike dhe duke veçuar këtu Kinën, Rusinë dhe Iranin, është shumë e rëndësishme që në këto momente të ruajmë qasjen e bazuar mbi vlerat, mbrojtjen e lirive individuale dhe të drejtave të njeriut dhe të forcojmë akoma më tej aleancat për bashkëpunimet dhe tregtare dhe shkëmbimet me aleatët tanë.

Pra vendet si Mali i Zi, veçanërisht si një vend anëtar i NATO-s, duhet të shprehë një qëndrim dhe një angazhim të pa ekuivok ndaj vlerave euro-atlantike dhe integrimeve euroatlantike.

Keni kritikuar forcat rivale politike të partisë tuaj për instrumentalizim të institucioneve të Malit të Zi, për polarizimin e shoqërisë dhe stagnim e rrugës evropiane. Sipas jush, këto forca janë të lidhura me Kishën Ortodokse Serbe dhe rrjedhimisht të ndikuara nga Serbia. Si është gjendja politike sot në Mal të Zi?

Drita Llolla: Në optikën time vijon paqëndrueshmëria edhe eksperimentet politike, e kam thënë disa herë që unë shpreh besimin që eksperimente të tilla politike nuk janë të dobishme për Malin e Zi. Ritheksoj – si një anëtar i NATO-s, si një vend që ka një rol specifik në gjeopolitikën rajonale edhe si një vend multikulturor. Që nga viti 2020 e këtej është një fakt i njohur tashmë që Kisha Ortodokse Serbe është një instrument i shtetit serb përmes financimit që i bëhet dhe direktivave që merr por edhe përfaqësuesit politikë për të orientuar çështjet sociale dhe politike në Mal të Zi.

Në periudha të caktuara ai ndikim është më i fuqishëm, siç e kemi parë për shembull, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 por edhe më pas. Janë disa hapa që ndiqen në një trekëndësh – kështu e kam përkufizuar – të shprehjes së tendencave hegjemoniste të Serbisë dhe bëhet përmes Kishës, bëhet përmes Akademisë, bëhet përmes politikës edhe sigurisht në mediat që ndikojnë.

A ka hapësirë për shqetësim nga këto ndikime?

Drita Llolla: Patjetër që është një moment që duhet të na shqetësoj, por duhet të tregojmë edhe vendosmëri që të bashkohemi rreth vlerave për të cilat ne jemi përcaktuar. Mali i Zi me pavarësimin në vitin 2006 ka kontribuuar ose e ka pasuruar gjeopolitikën rajonale. Me anëtarësimin në NATO si vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor pas Shqipërisë, ka dërguar mesazhin se cila do të jenë vendet të cilat do të drejtojnë proceset e integrimeve euro-atlantike në rajon.

Në këtë kontekst kemi edhe një përgjegjësi të shtuar edhe si politikanë edhe si aktorë politikë qoftë të opozitës, qoftë të pushtetit, që në momente kritike si ky, që është një moment kur aleancat janë tepër të rëndësishme, tepër kritike, të jemi shumë të qartë tek orientimi jonë.

Ju jeni deputetja e parë shqiptare e zgjedhur në Kuvendin e Malit të Zi. Si i gjen kjo situatë e polarizuar shqiptarët në Mal të Zi si komunitet dhe si e shihni pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e re?

Drita Llolla: Përfaqësimi politik i shqiptarëve në këndvështrimin tim ka ka fituar një vlerë të re. Normalisht, edhe si gruaja e parë shqitare në parlament falë mbështetjes të shumë partnerëve, miqve dhe njerëzve progresistë, me botëkuptime progresiste, u bë e mundur. Por edhe për faktin se kemi gjashtë shqiptarë në parlament, që është një arritje historike për shqiptarët që të kemi një numër kaq të konsiderueshëm. Pjesëmarrja e partive, ose mbështetja e tyre për qeveri dhe pjesëmarrja në qeveri në fakt, është një dukuri e re. Unë nuk e di se çfarë pritshmërishë këta përfaqësues politikë kanë nga kjo qeverisje, megjithatë unë mendoj se faktori shqiptar duhet të integrohet në shoqërinë malazeze.

Unë nuk besoj që mpiksja rreth bërthamës etnike do të ndikon tek integrimi real i jonë dhe tek avancimi i pozitës tonë. Patjetër që mund të bëhej më tepër edhe në të kaluarën, por tani është momenti për të parë përpara. Është komuna e Ulqinit, komuna e Tuzit, që drejtohen nga shqiptarë. Në nivel vendor mund të punohet shumë për të avancuar kushtet e jetesës së shqiptarëve. Ndonjëherë mendoj që jo domosdoshmërisht duhet të bëhemi pjesë e çdo qeverie. Ky është qëndrimi im. Pra vendimet duhet të merren në bazë të vlerave, por duke parë edhe implikimet e vendimeve në kontekst më të gjerë, sesa që është konteksti lokal.

Dua t’u pyes për pozitën e gruas dhe përfaqësimin e saj në sferën publike në Mal të Zi. A është bërë përparim?

Drita Llolla: Për fat të keq fare pak ose aspak. Edhe shoqëria malazeze është shoqëri patriarkale, edhe shoqëria shqiptare është shoqëri patriarkale. Gratë vijojnë të jenë të nënpërfaqësuara në çdo fushë, veçanërisht në politikë. Politika ka lidhje me pushtetin dhe ka ndikim edhe në zhvendosjen e pushtetit, por kjo nuk është një garë mes burrat kundra grave ose gratë kundra burrave. Kjo është, në gjykimin tim, mënyra e vetme për të kontribuar tek një zhvillim i qëndrueshëm i vendit tonë është duke integruar të gjitha burimet njerëzore që ne kemi.

Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë. Një fakt interesant, për shembull, në Mal të Zi është në mënyrë konsistente raporti i grave të shkolluara në krahasim me burrat e shkolluar, është 60 për qind gra dhe 40 për qind burra në të gjitha nivelet, pra deri në nivel doktor shkencash. Kur ballafaqohemi me shifra se sa gra janë të përfaqësuara në parlamentin e Malit të Zi, por edhe në parlamentet lokale, që është një përqindje e cila vështirë që kalon 30 për qindshin, që është minimumi ligjor, atëherë kjo ngre një pikëpyetje dhe një shqetësim të ri – një vend që është multikulturor, nga njëra anë krenohet me multikulturalizëm, por nga ana tjetër nuk integron gjysmën e popullsisë në procese politike, shoqërore.

Nuk ka të bëjë me raportin ose ndoshta me bazën gjinore. Ka të bëjë me pranimin e të ndryshmes dhe është shqetësuese për një vend që është multikulturor dhe i cili duhet të konsolidohet si i tillë në të ardhmen. Besoj që edhe gratë shqiptare mund të japin shumë, të kontribuojnë shumë në zhvillimin dhe avancimin e kauzës së shqiptarëve dhe meritojnë më tepër hapësira brenda partive politike, cilado ato qofshin./VoA/

Në trend Botë

Më shumë
Publikohen pamjet ku ushtarët rusë shihen duke u dhënë instruksione koreano-veriorëve në vijën e frontit, por me sa duket ata nuk i kuptojnë fare

Publikohen pamjet ku ushtarët rusë shihen duke u dhënë instruksione koreano-veriorëve në vijën e frontit, por me sa duket ata nuk i kuptojnë fare

Botë
Mbretëria e Bashkuar ngrit në ajër aeroplanët luftarakë në përgjigje të aeroplanit rus që po shkonte drejt hapësirës ajrore të saj

Mbretëria e Bashkuar ngrit në ajër aeroplanët luftarakë në përgjigje të aeroplanit rus që po shkonte drejt hapësirës ajrore të saj

Botë
Ministrja suedeze “tmerrohet” nga bananet - kudo që ajo shkon, ato duhet të hiqen nëse janë aty

Ministrja suedeze “tmerrohet” nga bananet - kudo që ajo shkon, ato duhet të hiqen nëse janë aty

Botë
ISW: Putini është i shqetësuar për problemet e mëdha që do të godasin Rusinë vitin e ardhshëm

ISW: Putini është i shqetësuar për problemet e mëdha që do të godasin Rusinë vitin e ardhshëm

Botë
Ish-pjesëtari i forcave speciale tregon çfarë tha Sadam Hussein kur u kap

Ish-pjesëtari i forcave speciale tregon çfarë tha Sadam Hussein kur u kap

Amerika
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor

Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor

Amerika
Kalo në kategori