LAJMI I FUNDIT:

“Shtëpitë e përgjithshme” të kohës së Zogut

“Shtëpitë e përgjithshme” të kohës së Zogut
Ilustrim (Fototeka Marubi)

Qenë femrat që argëtonin bejlerët e Tiranës: “koketat” e dëshirueshme, gjithnjë të pëlqyeshme, prehja e pasanikëve. I tërhiqnin lehtësisht drejt mëkatit, i ftonin në çaste të hareshme, i nënshtroheshin fuqisë së tyre e i nënshtronin me përkëdhelitë e veta. Ato qenë “mantenutat” me damka turpi që ditën përgojoheshin sokakëve e natën iu gëzoheshin kënaqësive erotike. Ato, femrat e mjera e të pangushëllueshme, e thyenin zotnillëkun e djemve dhe burrave që iu jepeshin për ndonjë çerek frange ari, porse thyenin njëherësh krenarinë e tyre, trupin e nëpërkëmbur nëpër krevate me meshkujsh erëraki. Femra të bukura, të ëmbla, të trishta, të vuajtura, thellësisht të përulura, mjerisht të varfra, ngërthyer prej fatit në një udhëkryq mëshire, mbijetese, dhune e herë-herë harrese. Të pashtrënguara të qëndrojnë me të njëjtin mashkull, por të detyruara të shkojnë me shumë të tillë. Për to dhe vendet ku punonin dikur përdoreshin fjalët “kurvë, grua e përgjithshme, prostitutë, çengie, grua qejfi, grua e përdalë, bordello, kuplara, prostitucion, burdelizëm, shtëpi e përgjithshme, shtëpi publike …”

Nga: Fatos Baxhaku e Klodiana Kapo (pjesë nga Gra të përgjithshme: Histori prostitucioni shqiptar në kohën e Zogut)

Çengitë e hedhura, llafelëshuara, gjithnjë me dajren në një dorë dhe cigaren në dorën tjetër, me brekushet e tyre të gjera plot ngjyra, që mbërrinin deri mbi nallanet e drunjta ku fusnin këmbët thuajse dimër-verë të zbathura, ishin gjithnjë një “ferrë në këmbë” për xhandarë e policë. Qenia e tyre jetë e mot e lirë, i kishte bërë që të mos kishin edhe aq shumë frikë nga ligji. Pastaj, shumë prej tyre dinin vetë se si ta kishin grurë me policët e lagjes, kryesisht njerëz të porsaardhur nga malet dhe fort të etur për atë të shkretë “plaçkë”, sikurse e quanin ato vetë.


Ka shumë shkresa kur përmendet telashi që ato shkaktonin, sidomos në kryeqytet ku ishin edhe më shumë. Në Tiranë ato ishin më së shumti në lagjen “Tabakë”, atje ku edhe sot është ura dhe xhamia me të njëjtin emër, por kishte edhe gjetkë. Përmendet edhe një “Lagja e Jevgut”, por sot nuk dimë të themi nëse ishte një lagje më vete, apo një emërtim tjetër për atë të Tabakëve.

Leja për ushtrim prostitucioni gjatë Mbretërisë së Shqipërisë
Lexo po ashtu Leja për ushtrim prostitucioni gjatë Mbretërisë së Shqipërisë

Që një vit para daljes së “Rregullores së Kurvënies”, në janar të 1921, nënprefekti i Tiranës i shkruante me shqetësim “Së ndershmes Ministrië të Mbrendshme”: “Mbas raportit të Policisë … lajmojm se, mbasi jevgat kurva banojn në shumë lagje e mbasi nuk mund me qenë të vizitueme prej doktorash preise ndodhen në një pozicion të parregullshëm, jo vetëm që sëmundje të mëdha e të rrezikëshme po përhapen në popull e ushtrië, por edhe po ndodhin ngjarje të shëmtueta nër shpiat e atyne grave. Për shembull, me 6 të këtij mueji, natën, ora më 11, në Lagjen e Jevgut aspirant z. Rexhep asht shamatue me nji kapter të Dishiplinës, i quejtun z. Hasan e kan nxjerrë revolverat njani kundër tjetrit. Pra, për me iu marë hovin këtyne ngjarjeve e sëmundjeve, lutemi të merren masat e nevojshme për mbledhjen e kurvave në nji vend të vetëm me qëllim që të rregullohet vizitimi i tyne, se, përndryshe, sëmundja do të përhapet e kontrollimi nga ana e Policisë s’ka me u ba si duhet”.

“E Ndershmja Ministri” përgjigjet sakaq se propozimi i Tiranës pranohet, madje duhet të fillojnë të lëvizin sa më parë. Por, urdhri, si përherë, mbeti vetëm në letër.

Viti 1928 duhet të ketë qenë i shënuar për çengitë, jo vetëm që, si të gjithë shqiptarët, u bënë me Mbret – më 1 shtator 1928 Ahmet Zogu u shpall Zogu I, Mbret i Shqiptarëve – por. edhe sepse ishin nga të paktat që “ia panë hajrin” kësaj ngjarjeje: u bënë me shtëpi të reja. Ja si ndodhi. Sikurse e thamë, në lagjen “Tabakë” kishte një grumbullim shumë të madh çengish. Kjo lagje ishte fare afër me Pallatin Mbretëror, sot selia e Akademisë së Shkencave në krah të Kuvendit Popullor. Mbretëria e re kishte nevojë edhe për një “look” të ri, më perëndimor. Çengitë që sorollateshin ditën e bënin aheng natën në afërsi të mbretit, duket se kishin nisur të bezdisnin ca si tepër; ato ishin lidhja më e dukshme mes Shqipërisë moderne dhe Anadollit që duhej lënë pas sa më parë. Kështu, lindi ideja për shpërnguljen e tyre. Por, Mbreti vetë sigurisht që nuk mund të merrej me të tilla “çikërrima”. Atëherë, zyrtarisht nismën për këtë hap e mori Selahudin Blloshmi, prefekt i Tiranës. Ky i shkruante “Zyrës Sekrete” ditën e parë të dhjetorit të 1928, në muajin e katërt të Mbretërisë: “… meret vesht se në lagjen e Tabakve, m’atë anë të ndërtesës asaj Ministrie (të Brendëshme), janë grumbullue nji tok gra publike të cilat herë mbas here shkaktojnë grindje dhe shamatë me klientët e tyne të dehun e kështu Policia kërkon autorizim për ngritjen e tyne s’andejmi. Gjejmë rastin të sjellim në dije atë të ndershmen Ministrie se grumbullimi i grave publike n’atë lagje dhe përgjithësisht i jevgave asht nji gjendje tepër e vështirë e sidomos tue u ndodhun afër Pallatit Mbretnor dhe ndërtesës së asaj Ministrie. Nga ana jonë e shofim tepër t’arësyeshme që të na jepet autorizim’ i nevojshëm jo vetëm për shpërnguljen e grave në fjalë, por për të gjith jevgjëve, por gjithnji tue marrë masat nga an’e Bashkis vëndit për t’u siguruar strehën në një qoshe tjetër larg qytetit …”.

Letra e Blloshmit, ia vlen që të ndalemi ca më gjatë. Më e para nga të gjitha, Blloshmi e ka fare të qartë se nuk duhen larguar vetëm çengitë, “por, të gjithë jevgjit” me kuç e me maç, me pleq e plaka, me çiliminj, me burra me mustaqe, me tenxhere, kazanë, qilima të grisur, të gjithë. Shkresa fsheh një qëndrim racist ndaj kësaj popullsie, qëndrim që asokohe mbahej hapur jo vetëm nga shtresat e pasura, por edhe nga pjesa tjetër, shtresa e mesme apo gjysmë e mesme e qyteteve.

Si sillej pushteti i Zogut, me amoralët e kohës së tij?
Lexo po ashtu Si sillej pushteti i Zogut, me amoralët e kohës së tij?

Pastaj Blloshmi shkruan “në një qoshe larg qytetit”. Tani habitemi se sa “larg qytetit” është sot kjo qoshe, por asokohe ajo ishte vërtet një vend i humbur. Kjo zonë ishte “Brraka”. Kështu i thoshin tiranasit autoktonë një zone gjysmë kënetore ku një përrua, Brraka, bënte kërdinë sa herë që binin shira të rrëmbyer. Ajo ishte e mbuluar gjithë ferra e shkure, njësoj si një xhungël e pakalueshme mesdhetare. Në vendin që sot quhet Brraka, kalon një rrugë goxha e populluar e kryeqytetit. Ajo lidh Rrugën e Durrësit me Bulevardin Zog I. Në të ndodhet Prokuroria e Tiranës. Në afërsi të saj ishte stacioni i trenit, është Arkivi i Shtetit dhe Arkivi i Ministrisë së Brendshme, në krah të saj është Fakulteti i Shkencave të Natyrës e ca më tej Materniteti i Vjetër. Kështu ka lindur lagja e Brrakës, një nga më të njohurat e Tiranës së sotme.

Vetëm dhjetë ditë pas shkresës së Blloshmit, “Zyra Sekrete” e lajmëronte prefektin se për zhvendosjen tashmë i ishte akorduar Bashkisë së Tiranës një hua prej 150 mijë frangash ari. Një shumë kolosale për kohën. Në shkurt nisën shpronësimet në lagjen e vjetër të Tabakëve, ndërsa nga fillimi i verës së vitit 1928 në Brrakë nisën të ngrihen shtëpitë e para përdhese të çengive. Shumë prej tyre i qëndruan kohës për dekada e dekada me radhë, deri në fund të periudhës komuniste. Në trishtimin dhe mjerimin e tyre ato mbetën gjatë atje, duke parë se si afrohej drejt tyre, si një gjigant i përgjumur, “Tirona” që e kishin dashur, ku kishin hedhur valle, pirë raki e bërë seks me pash. Kryeqyteti, kodoshi plak, nuk i kishte harruar aspak.

***

Në 1938-ën, Bashkia e Tiranës kishte të regjistruara pesë bordello, 71 gra publike, nga të cilat pesë greke, dy jugosllave, dy franceze dhe 62 shqiptare. Në një dokument të kohës thuhet se “janë zanë tue ba kodoshllëk e tue majt ndër shtëpia gra me qëllim prostitucioni, 13 persona …”. Kjo e dhënë vjen shumë vite pasi prostitucioni në “Shqipninë mretnore” qe ligjëruar, me miratimin e “Rregullores së kurvënies”. Kjo pat ndodhur në vitin 1922, kur Ahmet Zogolli sapo ishte ulur në karrigen e ministrit të Brendshëm në qeverinë Xhafer Ypi.

Nëse shqiptarët e kohës i quanin ato femra “gra të përgjithshme”, “të përdaluna”, “gra botore”, Ahmet Zogu i “thirri” thjesht kurva. Qeveria e kohës, duke marrë shkas prej nismës së matjanit, miratoi një rregullore me 26 nenesh, që u njoh si “Rregullore mbi rregullimin e kurvënis”, përkthim i një rregulloreje që ishte në fuqi në Sarajevë gjatë pushtimit austro-hungarez.

Në të përcaktohej se kush i jep lejet për ushtrimin e profesionit, se si dhe ku duhet të jenë shtëpitë publike, detyrimin për t’u vizituar dy herë në javë nga mjeku i bashkisë, detyrat dhe detyrimet e “drejtorit të shtëpisë publike”, ndërsa thekson se “kurvat” duhej t’i jepnin bashkisë taksën mujore prej dy frangash ari (pagesa bëhej tek Policia Bashkiake), por për të shmangur korrupsionin, prostitutat nuk lejoheshin të paguanin vetë mjekun.

Rregullorja e dikurshme që legalizonte prostitucionin në Shqipëri
Lexo po ashtu Rregullorja e dikurshme që legalizonte prostitucionin në Shqipëri

***

Ato të tria, Caja e Vakut, Fizja e Mimit të Vogël dhe Fahrija e Sefës duhet të kenë shkuar bashkë tek avokati atë mëngjes marsi të vitit 1922. Të tria çengi më famë “n’Tironë”, të tria nga lagjja Tabakë, të tria me nga një hall të ndryshëm, por të ngjashëm. Disa ditë më parë policët kishin trokitur derë më derë duke ia dreqosur gjumin e thellë të mëngjesit, që atyre u pëlqente aq shumë. “Duhet të shkoni në bashki që të regjistroheni, pastaj dy herë në javë te doktori për vizitë dhe do paguani taksën, përndryshe ju presin këto”, kishte lëmuar lehtë një polic mustaqelli një palë pranga të rënda. Kërkesat që kanë mbërritur nga tri çengitë deri në Ministrinë e Brendshme mbajnë një datë, 8 mars 1922, vetëm dy muaj pas miratimit të “Rregullores së Kurvënies”. Caja, që ende mbahej mirë shyqyr Zotit, kërkonte vetëm të regjistrohej si gjithë të tjerat e të mos kishte telashe më mbrapa. Fizja kërkonte pikërisht të kundërtën, që të çregjistrohej. Asaj tashmë i kishte ikur mosha, këtë e dinte gjithë “dynjoja”, kështu që edhe po t’i shkonte ndonjëherë mendja … Hallin më të madh e kishte Fahrija. Kjo e kishte vajzën në burg. E kishin ndaluar me akuzën se ushtronte prostitucion të paligjshëm. Në lutjen e saj, Fahrija e shkretë betohet se që prej asaj dite vajza, që në lagje njihej si Nazja e Fahries, nuk do të bënte më zullume, por do bënte si do bënte e do gjente punë diku si shërbyese. Pastaj, si do ta festonte ajo Bajramin pa Nazen e saj si shpirt?!

***

Jeta e prostitutave ka qenë një gjë fort e ngatërruar, një përzierje mes haresë, lirisë, mëshirës, dhunës, mirësisë, ngjethjes dhe krenarisë, trishtimit, vetmisë, ngjyrave dhe errësirës. Por, fundi i tyre është i trishtë, vetëm i trishtë. I ngadaltë, i pashmangshëm e i rëndë, njësoj si një rul që sheshon çfarëdo që i del para. Dhe, edhe për fundin e tyre ato sërish duhet t’i jepnin llogari bashkudhëtarit të tyre më të afërt, shtetit.

Kjo është letra e përulur që Dilja e Xexes nga lagjja Xhamia e Sherifit në Tiranë i shkruan prefekturës – sigurisht me dorën e dikujt tjetër – më 24 të gushtit 1926:

“Zotni! E nënshkrumja jam një plakë e vjetër, ma parë kam qenë në grupin e çengijevet, po masi u vjetrushë e deri në kohën kur qe ushtrija Austro-Ungareze këtu, kam hjekë dorë prej atyne punve qi shkaktojnë vizitë. Una deri më at kohë ndodhem në shtëpinë aty puq me dajën t’em, merrem me punë vetiake, e nuk jam prej grave të përgjithëshme. Prandej, ju lutem z. juej të keni mirësinë të urdhënoni si të bahen ndjekjet e duhuna të çrregjistrohem nga lista e grave të përgjithëshme e qi mos të merrem në vizitë”.

***

Shpesh ishte halli ai që i bënte çengitë ta braktisnin profesionin e tyre të hareshëm. Në verën e vitit 1922 Kaja e Xhejes në lagjen Tabakë punonte shumë që të rriste vajzën e saj të vogël. Por, vajza po vuante nga një sëmundje e pashpjegueshme dhe sa vinte e tretej para syve të përlotur të Kajes ende të re. Kishte shumë kohë pa dalë andej “nga puna”, por policët i binin ende në qafë. E kishte zënë një hall i madh, nga një anë vajza që po i shuhej para syve dhe, nga ana tjetër policët e bezdisur. Vetëm pas “hetimeve të bazueme” policia pranoi se “Kaja e Xhejes me të vërtetë paskësh në shtëpi të saj një gocë të vogël të sëmurë dhe, përveç së jëmës, që quhet Xheje, askush tjetër në shtëpi nuk mund të merret me gocën e sëmurë”. Kaja u detyrua ta lërë zanatin para kohe.

***

Qëllonte që ndonjë prej prostitutave të haste njeriun e duhur. Kështu i ndodhi Angjelina K. nga Sarajeva, e cila u martua me këpucarin Emin L. nga Tirana. Në maj të 1932 policia e hasi diku ndër shkresat e saj dhe i kërkoi lejen e ushtrimit të profesionit, përndryshe do të dëbohej menjëherë jashtë Shqipërisë. Këpucari i dashuruar vrapoi vërtik t’i shpjegonte prefekturës: “Kam katër vjet që jam martuar me të dhe që asokohe ajo është larguar nga rruga e keqe. Madje ka ndërmend të marrë edhe nënshtetësinë shqiptare. Emri që ka mbetur në regjistrin e grave publike është një gjë tashmë e harruar”. Lutja e këpucarit Emin, pak si me habi, por gjithsesi u mor parasysh. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
KUMBULLA PËRTEJ MURIT

KUMBULLA PËRTEJ MURIT

Fjala+
NJË POEZI PËR PAQEN

NJË POEZI PËR PAQEN

Poezi
Kalo në kategori