LAJMI I FUNDIT:

Vendet anëtare të A5 miratuan Deklaratë të përbashkët në mbështetje të Ukrainës

Vendet anëtare të A5 miratuan Deklaratë të përbashkët në mbështetje të Ukrainës

Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Bujar Osmani, si Kryesues i ShBA – Karta e Adriatikut (A5), ishte nikoqir i mëngjesit të punës së ministrave të Punëve të Jashtme nga vendet e iniciativës, që u mbajt në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në fokus të bisedimeve ishte situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, si dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

“Avancimi i proceseve integruese europiane dhe euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me forcimin e bashkëpunimit rajonal, përfaqësojnë shtytësin e proceseve demokratike dhe mjetet më të mira për sigurimin e stabilitetit afatgjatë dhe prosperitetit rajonal”, theksoi Osmani


Në të njëjtën kohë, Osmani theksoi nevojën për përshtatjen e A5 me realitetin e ri gjeopolitik dhe sfidat aktuale të sigurisë.

“Pas dy dekadash të ekzistencës së ShBA–Karta e Adriatikut, rrethanat dhe bota në të cilën jetojmë kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, veçanërisht pas agresionit brutal rus kundër Ukrainës. Prandaj, ne, si kryesues i A5, nisëm krijimin e një Koncepti të ri Strategjik të Kartës që do të pasqyrojë realitetin e ri gjeopolitik dhe dinamikën e re rajonale. Përderisa e ndjekim këtë qëllim të rëndësishëm, mbetemi të përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të Kartës dhe vazhdojmë të mbështesim aplikimin e Republikës së Kosovës për t’iu bashkuar A5″, theksoi Osmani.

Në fund të takimit u miratua një deklaratë e përbashkët në mbështetje të Ukrainës, e cila rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për popullin ukrainas nga shtetet anëtare të ShBA – Karta e Adriatikut.