LAJMI I FUNDIT:

Rreth 5.2 milionë turistë në Shqipëri gjatë kësaj vere, 2.2 milionë prej tyre ishin nga Kosova

Rreth 5.2 milionë turistë në Shqipëri gjatë kësaj vere, 2.2 milionë prej tyre ishin nga Kosova

Gati gjysma e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë në harkun e muajve janar-korrik janë nga Kosova.

Fundi i gushtit kulmon edhe me largimin e pjesës më të madhe të pushuesve nga plazhet.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se nga 5.2 milionë të huaj në total, 2.2 milionë janë shqiptarë të Kosovës. Italianët janë të dytët me mbi 430 mijë turistë, ndjekur nga qytetarët e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Greqia dhe Gjermania.


 “Vihet re që në dy vitet e fundit nuk po kemi më turizëm patriotik, por edhe nga vendet perëndimore. Ky është një sinjal shumë i mirë,” shprehet Albiona Muçoimaj për A2 CNN, operatore turistike.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se Shqipërinë deri më tani e kanë vizituar turistë nga 152 vende të ndryshme të Botës.

Operatorja turistike, Albiona Muçoimaj tregon edhe se çfarë kanë preferuar më së shumti turistët e huaj në këto 7 muaj.

 “Që nga mali, deti, turizmi kulturor gjithashtu. Ka një ndërthurje të shijeve dhe përzgjedhjeve nga të huajt.”

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se shtetet e vetme prej të cilave Shqipëria nuk ka pasur asnjë turist në harkun e muajve janar-korrik janë Kongo, Eritrea, Monako, Guinea, Bahamas dhe Belize.