LAJMI I FUNDIT:

Lulëzon turizmi në Shqipëri, vizitorët e huaj u rritën me 76.4 për qind në qershor

Lulëzon turizmi në Shqipëri, vizitorët e huaj u rritën me 76.4 për qind në qershor

Lulëzimi turistik i Shqipërisë këtë vit është reflektuar qartësisht edhe në qershor.

Të dhënat mujore të publikuara nga Instituti i Statistikave për strukturat akomoduese tregojnë një rritje me 76.4 për qind të vizitorëve jo-rezident.

“Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 49.7 për qind, në krahasim me qershor 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezident është rritur me 12.2 për qind; numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 76.4 për qind”, thuhet në publikimin e INSTAT.


Ndërkohë numri i i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 52.8 për qind, në krahasim me Qershor 2022 ku numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 36.0 për qind dhe nga jo-rezident është rritur me 60.7 për qind.

Sa i takon shtetësisë së vizitorëve INSTAT vëren se përveç shqiptarëve të Kosovës që historikisht ka shifrën më të lartë, polakët janë ata që kryesojnë nga vendet e BE-së me 9.2 për qind, italianët të dytët me 8.3 për qind dhe më pas vijnë Gjermania me 7 për qind dhe Spanja me 4.3 për qind.

Të gjithë drejt jugut

Vizitorët sipas INSTAT gjatë muajit qershor i janë drejtuar kryesisht jugut të vendit dhe zonës bregdetare.

“Gjatë muajit Qershor 2023, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 49.7 për qind, krahasuar me qershor 2022. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2,5 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 75.0 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 70.0 për qind”, thuhet në publikim.

Sipas INSTAT në muajin Qershor 2023, numri më i lartë i vizitorëve sipas rajoneve është në “Rajonin Qendër“ (40.2 për qind), sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (63.1 për qind) dhe sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (91.2 për qind).

Netë qëndrime

“Gjatë muajit Qershor 2023, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 52.8 për qind, në krahasim me muajin qershor 2022. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në rajonin e jugut ka shënuar rritjen më të lartë me 2.7 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 46.7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 56.4 për qind”, vlerëson INSTAT.

Numri më i madh i netqëndrimeve ka qenë në rajonin e jugut me 43.3 për qind. Sa i takon zonave të afërsisë me bregdetin ato zënë 72.5 për qind ndërsa sa i takon llojit të strukturave kryesojnë “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92.0 për qind).

Norma neto e shfrytëzimit

“Normat neto të shfrytëzimit të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 28.5 për qind, kundrejt 22.9 për qind që ishte në muajin Qershor 2022. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 30.5 për qind, kundrejt 23.2 për qind që ishte në muajin Qershor 2022” nënvizon INSTAT. /Telegrafi/