LAJMI I FUNDIT:

U mbajtën garat kombëtare të Olimpiadës Ekonomike në RMV

U mbajtën garat kombëtare të Olimpiadës Ekonomike në RMV

Më 24 qershor (e shtunë) në Universitetin e Evropës Juglindore u mbajtën garat kombëtare të Olimpiadës Ekonomike, të organizuara nga Instituti Alternativa Liberale dhe Economics Fundamentals Initiative (ShBA), në bashkëpunim me UEJL.

Ngjarja filloi me Raundin Kombëtar të Olimpiadës Ekonomike, ku 50 nxënës të talentuar nga Maqedonia e Veriut demonstruan aftësitë e tyre ekonomike në një mjedis konkurrues, ndërsa pati edhe fjalime të formatit “TEDx”, në të cilin folën prof. dr. Hyrije Abazi Alili, dekane e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë në UEJL, prof. dr. Visar Vokrri, drejtor programesh në Institutin Riinvest në Kosovë, i cili theksoi rëndësinë e politikbërjes së bazuar në evidencë në formësimin e një ambientit të qëndrueshëm ekonomik.

Gjithashtu folën Valdeta Thaçi, drejtoreshë e Institutit iLEAD, e cila dha njohuri të vlefshme në rrugëtimin e grave sipërmarrëse të suksesshme, Durim Zeqiri, drejtor Ekzekutiv i OEMVP, i cili theksoi fuqinë e rrjetëzimit për rritje profesionale dhe zhbllokimin e mundësive. Prof. dr. Gadaf Rexhepi, anëtar i Këshillit të Bankës Popullore të RMV-së, trajtoi barrierat ndaj inovacionit me të cilat përballen të rinjtë, duke ofruar strategji për tejkalimin e tyre.


Pjesa e fundit dhe më e rëndësishme e ngjarjes ishte ceremonia e shpërblimeve e cila nderoi dhe shpërbleu tre studentët më të mirë të raundit rajonal nga secili prej pesë rajoneve: Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari dhe Struga.

Ngjarja u mbyll me shpalljen e pesë fituesve më të mirë të Olimpiadës Ekonomike që do të përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomisë që do të mbahet këtë shtator në Bratislavë të Sllovakisë.

Gjithashtu, nxënëses më të mire të garës, Alma Gjureci, i’u nda edhe bursa studimore nga ana e UEJL-së për studime në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë.

Olimpiada e Ekonomiksit shërbeu si një dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta të Institutit Alternativa Liberale dhe EFI në promovimin e edukimit ekonomik dhe frymëzimin e një brezi të ri ekonomistësh dhe inovatorësh.