LAJMI I FUNDIT:

Papunësia e të rinjve arrin rekord të ri në Kinë

Papunësia e të rinjve arrin rekord të ri në Kinë

Papunësia e të rinjve në Kinë u rrit në një shifër rekord, ndërsa të dhënat kryesore nuk i përmbushën pritshmëritë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Byroja kineze e Statistikave, shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 16 deri në 24 vjeç, u rrit në 20.8 për qind në maj, një shifër rekord dhe edhe më e lartë se niveli i muajit prill. Shkalla e papunësisë për njerëzit e të gjitha moshave në qytete ishte 5.2 për qind në maj.

Byroja paralajmëroi për sfida të vazhdueshme nga mjedisi ndërkombëtar dhe “presion në rritje” mbi “rregullimin strukturor të brendshëm”, pa sqaruar më shumë.


Shifrat për prillin gjithashtu nuk u përputhën me pritshmëritë e analistëve, duke reflektuar se si rimëkëmbja ekonomike e Kinës nga pandemia po humbiste.

Autoritetet kanë filluar të lirojnë politikën monetare, në një përpjekje për të mbështetur rritjen, megjithëse masa më të gjera nuk priten, derisa drejtuesit e lartë të mbajnë një takim në fund të korrikut.

Bankat më të mëdha tregtare të Kinës javën e kaluar, ulën normat e depozitave. Banka Popullore e Kinës uli normën e saj të marrëveshjes së kundërt të riblerjes shtatë-ditore me 10 pikë bazë.

Eksportet e Kinës ranë me 7.5 për qind në maj, krahasuar me një vit më parë, shumë më keq se rënia prej 0.4 për qind e parashikuar.

Megjithatë, importet e Kinës në maj ranë më pak se sa pritej, me 4.5 për qind më pak nga një vit më parë. /Telegrafi/