LAJMI I FUNDIT:

Pamje kur bandat kriminale serbe sulmojnë gazetarët në Leposaviq

Pamje kur bandat kriminale serbe sulmojnë gazetarët në Leposaviq

Bandat kriminale serbe gjatë ditës së premte kanë sulmuar gazetarët që po qëndronin pranë Komunës së Leposaviqit.

Në pamjet e siguruara nga Dukagjini, shihen gazetarët duke ikur pasi sulmohen me gurë dhe shok-bomba.


Për këtë sulm ka reaguar edhe kryeparlamentari Gluk Konjufca, i cili ka thënë se nëse Bashkimi Evropian e toleron këtë agresion të Serbisë, dialogut i humbet kuptimi.

Konjufca e ka dënuar ashpër këtë sulm dhe ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.

“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të mediave kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar kryeparlamentari në Facebook.

Gjithashtu, ka reaguar edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë, duke e quajtur si të papranueshme dhe të pajustifikuar dhunën ndaj gazetarëve.

Ambasada u ka bërë thirrje udhëheqësve të protestës t’i ndalin sulmet ndaj gazetarëve që janë aty vetëm për të raportuar mbi zhvillimet e ngjarjeve.

“Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe e pajustifikuar. Ne u bëjmë thirrje atyre që udhëheqin protestat të parandalojnë dhe dënojnë dhunën ndaj atyre që punojnë për të raportuar mbi ngjarjet”, thuhet në reagim.