LAJMI I FUNDIT:

Donald Trump refuzon të thotë nëse dëshiron që Ukraina të fitojë luftën – ka “disa fjalë” edhe për Putinin

Donald Trump refuzon të thotë nëse dëshiron që Ukraina të fitojë luftën – ka “disa fjalë” edhe për Putinin

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të thotë nëse dëshiron që Ukraina të fitojë luftën e saj.

“Unë nuk mendoj në lidhje me fitoren dhe humbjen”, citohet të ketë thënë Trump, kur u pyet se kush donte të dilte fitues nga konflikti në Ukrainë, përcjell Telegrafi.


Trump gjithashtu nuk pranoi të thoshte nëse ai beson apo jo se Vladimir Putin është një kriminel lufte, siç ka pretenduar Gjykata Ndërkombëtare Penale.

“Kjo është diçka për t’u diskutuar në një datë të mëvonshme”, ka theksuar Trump, duke argumentuar se etiketimi i liderit rus si kriminel lufte do të ndërlikonte përpjekjet për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund dhunës.

Veç këtyre, Trump u rikthye në dy tema të njohura: duke kërkuar nga Evropa “të grumbullojë më shumë para” në mbështetje të qëllimeve perëndimore dhe duke folur “me butësi” për presidentin rus Vladimir Putin.

Megjithatë, “ai bëri një gabim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Trump për Putinin, përpara se të shtonte: “Ai është një djalë i zgjuar”, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Gabimi, shpjegoi Trump, është se “hyri” në Ukrainë – diçka, që siç pretendon ish-presidenti amerikan, nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte ende në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/