LAJMI I FUNDIT:

A duhet të largohet emri i Hasan Prishtinës nga UP-ja? Flasin nga Rektorati

A duhet të largohet emri i Hasan Prishtinës nga UP-ja? Flasin nga Rektorati

Rektorati i Universitetit të Prishtinës është duke shqyrtuar mundësinë që UP-së t’i hiqet emri “Hasan Prishtina”. Për këtë është themeluar edhe një grup punues nga Këshilli Drejtues i Universitetit për amendamentimin, plotësimin dhe rishikimin e statutit.

Nga rektorati i UP-së thonë për Telegrafin se lidhur me këtë do to të diskutohet me dekanët e njësive akademike, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe ata të Senatit të Universitetit.

Pas miratimit eventual në kuadër të Universitetit, draft-statuti i ri do të dërgohet për miratim edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe në fund, përmes ministrisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratimin përfundimtar.


“Ju njoftojmë që në kuadër të Universitetit të Prishtinës është themeluar një grup punues nga Këshilli Drejtues i Universitetit për amendamentimin, plotësimin dhe rishikimin e Statutit, i cili është duke punuar në draftin e parë të Statutit të ri të Universitetit. Aktualisht, dokumenti është në fazën e draftimit në kuadër të grupit punues, i cili pas përfundimit të tij, do të diskutohet me dekanët e njësive akademike, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe ata të Senatit të Universitetit, si dhe do të jetë i hapur për konsultim publik, sidomos me anëtarët e komunitetit akademik, studentor dhe administrativ”, thuhet në përgjigjen e rektoratit të UP-së për Telegrafin.

Sipas tyre, pas konsultimit publik dhe adresimit të komenteve publike nga ana e grupit punues, Draft-Statuti i ri i Universitetit do të dërgohet në Këshillin Drejtues, i cili rekomandon, dhe Senatin e UP-së, i cili ka kompetencën për miratim.

“Pas miratimit në kuadër të Universitetit, ai do të dërgohet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe në fund, përmes ministrisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratimin përfundimtar”.

Lidhur me propozimin për ndryshimin e emrit, nga Rektorati thonë se kjo po ndodhë për shkak të një universiteti në Mitrovicën e Veriut, i cili pretendon që është vazhdimësi e UP-së.

“Sa i përket çështjes në fjalë, ndryshimet e propozuara në kuadër të Statutit ndërlidhen me rëndësinë e ruajtjes së historisë, identitetit, vazhdimësisë dhe trashëgimisë së universitetit tonë. Kjo për faktin që në Mitrovicën e Veriut është një institucion i cili po ashtu vetëquhet Universiteti i Prishtinës dhe pretendon vazhdimësinë e Universitetit të Prishtinës. Në këtë kontekst, ndryshimi i emrit të UP-së në Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ ka bërë që institucioni ynë të dalë si një universitet i ri dhe të krijohet konfuzion që ai origjinali gjendet në Mitrovicë”, theksojnë nga Rektorati i UP-së.

Aksion para rektoratit - kërkohet që UP-së mos t'i hiqet emri "Hasan Prishtina"
Lexo po ashtu Aksion para rektoratit - kërkohet që UP-së mos t'i hiqet emri "Hasan Prishtina"

Sipas Rektoratit, vendosja vetëm e emrit ‘Universiteti i Prishtinës’ do të jetë më i favorshëm në përfaqësim ndërkombëtar.

“Një ndryshim i tillë, që nuk e ka edhe vetëm emrin origjinal, mund të paraqitet i disfavorshëm edhe ligjërisht për Universitetin tonë, përfshirë këtu kontestet eventuale që lidhen me trashëgiminë, pasurinë pronësore dhe të mirat e tjera materiale dhe jo-materiale. Vënia vetëm e emrit origjinal, pra Universiteti i Prishtinës, në përdorim zyrtar do të ishte i favorshëm në përfaqësimin ndërkombëtar dhe në identifikimin e Universitetit si institucion i ekselencës në arsim të lartë, kërkim dhe kontribut shkencor”, vijon përgjigja.

Rektorati sqaron tutje se, ky është ende një diskutim i brendshëm në një fazë të hershme të procesit, për çfarë institucioni kërkon respekt dhe mirëkuptim.

Ndryshe, kundër heqjes së emrit “Hasan Prishtina” nga UP janë shprehur fondacioni “Hasan Prishtina” dhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Luma” nga Kukësi.

Ata kanë zhvilluar  të martën një aksion para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës (UP), në shenje reagimi ndaj idesë për heqjen e emrit të “Hasan Prishtina” nga UP. /Telegrafi/