LAJMI I FUNDIT:

Luftimet në Sudan, pas ambasadorit të BE-së sulmohet edhe një autokolonë diplomatike amerikane

Luftimet në Sudan, pas ambasadorit të BE-së sulmohet edhe një autokolonë diplomatike amerikane

Një autokolonë diplomatike amerikane u sulmua në Sudan të hënën, por askush nuk u lëndua, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Ky veprim ishte i pamatur, ishte i papërgjegjshëm…”, u tha ai gazetarëve në Japoni pas bisedimeve të G7.


Sudani është përfshirë prej ditësh nga luftimet vdekjeprurëse midis forcave rivale.

Lajmi vjen pasi më herët u raportua se ambasadori i BE-së në Sudan, Aidan O’Hara, është sulmuar në shtëpinë e tij në kryeqytetin Khartoum.

Rreth 185 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 1,800 janë plagosur në tri ditë luftime në Sudan, sipas OKB-së.

Qyteti ka parë sulme ajrore, granatime dhe të shtëna të shumta me armë të vogla.

Si ushtria ashtu edhe një grup paraushtarak i quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) pretendojnë se kontrollojnë vendet kryesore në Khartoum, ku banorët janë strehuar nga shpërthimet.

Ministri i Jashtëm irlandez Micheal Martin konfirmoi se zoti O’Hara nuk ishte “i lënduar seriozisht”.

Ai e përshkroi sulmin si një “shkelje të rëndë të detyrimeve për të mbrojtur diplomatët”. /Telegrafi/