LAJMI I FUNDIT:

Vdes një fëmijë 5-vjeçar në Vushtrri, dyshohet se u godit nga arma e zjarrit

Vdes një fëmijë 5-vjeçar në Vushtrri, dyshohet se u godit nga arma e zjarrit

Një fëmijë 5-vjeçar ka ndërruar jetë pasditen e kësaj të shtune në Vushtrri, si pasojë e lëndimeve që dyshohet të jenë nga arma e zjarrit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar për Telegrafin se fëmija ishte dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vushtrrisë.


“Rreth orës 17:20, është raportuar se në Spitalin e Vushtrrisë, një fëmijë i moshës 5 vjeçar është sjellë për ndihmë mjekësore, ndërkohë nga autoritetet mjekësore është bërë e ditur se si pasojë e lëndimeve që dyshohen të jenë nga arma e zjarrit fëmija ka vdekur”, ka thënë Zahiti.

Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së fëmijës.

“Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe një armë e llojit pistoletë”, ka deklaruar tutje Zahiti.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksionin në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”. /Telegrafi/