LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Marrëveshja e Ohrit po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit

Hoti: Marrëveshja e Ohrit po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar sërish kryeministrin Albin Kurti për marrëveshjen e arritur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër.

Sipas tij, e gjithë kjo marrëveshje po reduktohet në themelimin urgjent të Asociacionit, “asgjë tjetër”.


“Ai që e kishte kundërshtuar me dhunë këtë Asociacion, e që kishte marrë mbështetje qytetare për këtë kundërshtim, tani do ta zbatojë në praktikë. Pesë vendet mos-njohëse të BE-së nuk kanë ndryshuar qëndrim edhe pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai tutje ka thënë se dialog njohje reciproke nuk ka askund dhe nuk pritet të ketë.

“Kemi hyrë në rrugën më të gjatë të mundshme për të arritur tek marrëveshja finale për njohje reciproke. Derisa më herët dialogonim për marrëveshje finale për njohje reciproke, siç konfirmohej vazhdimisht nga letrat e vendeve mike drejtuar Kosovës dhe Serbisë, tani këta mashtrues e kanë betonuar një status quo të re”.

“Një Zot e di kur do të mund ta thyejmë këtë status quo dhe ta përmbyllim marrëveshjen me njohje reciproke. Deri atëherë do të mbizotëroj paqartësia për investitorët e jashtëm, do të vazhdojnë të ikin kuadrot dhe rinia”, ka përfunduar deputeti i LDK-së. /Telegrafi/