LAJMI I FUNDIT:

Kim i Koresë së Veriut bën thirrje për rritje të prodhimit të “materialit bërthamor”

Kim i Koresë së Veriut bën thirrje për rritje të prodhimit të “materialit bërthamor”

Lideri verikorean, Kim Jong Un, i ka bërë thirrje shtetit të tij që të zgjerojë prodhimin e “materialeve bërthamore të shkallës së armëve” për të krijuar bomba, ka raportuar media shtetërore të martën.

Kërcënimi i fundit i Kimit, dhe zotimet për të zgjeruar prodhimin e raketave bërthamore, janë bërë pasi Shtetet e Bashkuara e kanë dërguar në Korenë Jugore një grup të luftanijeve.

Kim ka marrë në pyetje zyrtarët nga Instituti shtetëror për armë bërthamore dhe ka thënë se Koreja Veriore duhet të përgatitet për të përdorur armët “në çdo vend dhe në çdo kohë”.


Ai u ka bërë thirrje zyrtarëve që të zgjerojnë “prodhimin e materialeve bërthamore të shkallës së armëve” të cilat, sipas tij, janë të nevojshme për rritje “eksponenciale” të arsenalit shtetëror.

Në disa fotografi të publikuara nga gazeta zyrtare, Rodong Sinmun, Kim është parë i rrethuar nga zyrtarët në uniformë, të cilët kanë inspektuar ato që supozohen të jenë koka bërthamore taktike, të identifikuara si “Hwasan-31” – që nënkupton vullkan në gjuhën koreane.

Këto koka mund të vendosen në disa lloje të raketave.

Vitin e kaluar, Koreja Veriore e ka shpallur veten fuqi bërthamore “të pakthyeshme” dhe Kim ka thënë së fundi se ka kërkuar rritje të prodhimit të armëve bërthamore, përfshirë raketave. /rel/