LAJMI I FUNDIT:

Verifikimi i sigurisë së shpejti nuk do të bëhet më nga AKI

Verifikimi i sigurisë së shpejti nuk do të bëhet më nga AKI

Një ligj i një rëndësie të veçantë për interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës ka kaluar në lexim të parë pa shumë zhurmë në shtator të vitit të kaluar në Kuvend.

Pavarësisht rëndësisë, debat prej tij nuk ishte ngjallur në Kuvend, pasi opozita nuk kishte qenë prezentë.

Bëhet fjalë për Projektligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, që i formuluar nga Qeveria e Kosovës, po synon të dalë nga ombrella e Agjencisë e Kosovës për Inteligjencë.


Në kuadër të tij parashihet edhe themelimi i një Agjencie për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

AMIK siç do të njihet në shkurtesë kjo agjenci, drejtori i secilës do t’i raportoj drejtpërdrejt kryeministrit.

Një gjë të tillë po e kundërshton fuqishëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Hisen Berisha që është edhe pjesë e Komisionit për Siguri po e konsideron kapje edhe të një mekanizmi nga ekzekutivi për çka thotë se Kosovës po i instalohet komunizmi.

“Ka tendenca që në kuadër të tij ta kenë edhe segmentin që do të merret edhe me dhënien e certifikatave të sigurisë së pjesëtarëve apo përfaqësuesve publik të shtetit. Kjo është tendencë tipike komuniste, që e kanë pasur Partia e Punës së Shqipërisë, unë besoj se këtu do të reagoj edhe shoqëria civile, edhe institucionet e drejtësisë, deri te gjykata kushtetuese, por edhe mekanizmat ndërkombëtar”, ka thënë Berisha.

Ai këmbëngul që i njëjti mekanizëm duhet të vazhdoj të jetë kompetencë e AKI-së.

“Si ka logjikë, që një agjencinë që e certifikon sigurinë e personaliteteve të jetë brenda zyrës së kryeministrit, brenda qeverisë. Kush do ta certifikojë së pari këtë kryeministër”, ka thënë Berisha.

Por më i qetë në këtë drejtim shprehet kryetari i komisionit të Sigurisë deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

Qeveria ka tendencë për shtrirje të gjerë autoriteti edhe sipas tij, por për këtë ligj ai thotë se nuk e kanë të lehtë keqpërdorimin me të.

“Këto janë shqetësime të popullit sepse në qeverisje është një parti politike që synon me kapë gjithçka, mirëpo nuk duhet frikësuar, qeveritë ndërrohen, ligjet janë për të mirën e qytetarëve, ligjet për sigurinë nuk munden me u keqpërdorë ashtu siç po dyshohet, nuk ka ndonjë rrezik”, ka deklaruar Berisha.

Nga ana tjetër Enver Dugolli, gjithashtu pjesë e Komisionit të Sigurisë nga shumica, po befasohet nga disa prej komenteve të opozitës, pasi sipas tij në komision unanimisht ishin shprehur pro.

Përderisa e mohon kategorikisht mundësinë e ndërhyrjes së qeverisë në këtë departament.

“Që në fillim kur është themeluar ky departament ka qenë gabim që është vendosur në kuadër të AKI-së, për shkak se është konflikt interesi. Askund në asnjë shtet, në asnjë rrethanë, asnjë moment nuk e gjeni të bashkangjitur, Agjencinë e Inteligjencës me Agjencinë për Informacionin e Klasifikuar sepse janë të ndara, sepse natyra e punës është e tillë”, ka thënë deputeti i LVV-së, Enver Dugolli.

Sipas këtij projektligji niveli i klasifikimit të informacionit do të jetë i renditur në “tepër sekret”, “sekret”, “konfidencial” dhe “i kufizuar”.

Informacioni do të mbetet i klasifikuar për aq kohë sa e kërkon interesi i sigurisë së Kosovës.

Në Projektligj është paraparë edhe asgjësimi dhe shkatërrimi i informacionit të klasifikuar./Telegrafi/