LAJMI I FUNDIT:

Interneti është makthi i Vrapuesit në Teh, por është një mënyrë për ta frenuar valën e gënjeshtrave

Interneti është makthi i Vrapuesit në Teh, por është një mënyrë për ta frenuar valën e gënjeshtrave
Megapolisi i turbullt dhe i ndotur me smogun e dezinformatave: Pamje nga filmi Vrapuesi në Teh [Blade Runner], me aktorët William Sanderson (majtas) dhe Daryl Hannah (foto: Moviestore/Shutterstock)

Nga: Peter Pomerantsev / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Në vitin 1996, John Perry Barlow – ish-tekstshkruesi i grupit Grateful Dead dhe një guru i idealistëve hipi-teknikë në Luginën e Silikonit – e shkroi një manifest emocional utopik, për të ardhmen e internetit. Duke iu drejtuar udhëheqësve të rendit botëror – të mbledhur në Davos – ai deklaroi:

Qeveritë e botës industriale, ju gjigantë të përgjumur të bërë nga mishi dhe nga çeliku, unë vij nga hapësira kibernetike, nga shtëpia e re e mendjes … Në hapësirën kibernetike do ta krijojmë qytetërimin e mendjes. Qoftë më human dhe më të drejtë se bota e krijuar më parë nga qeveritë tuaja.


Njëzet e tre vjet më vonë, kjo fantazi utopike është zëvendësuar me internetin që i ngjan më shumë Vrapuesit në Teh [filmi Blade Runner – shën. i përkth.]: megapolisit të turbullt e të ndotur me smogun e dezinformatave; ku ëndrrat për liri janë kthyer në nivele të paprecedenta të vëzhgimit; të sunduar nga një grup i vogël i mega-korporatave të papërgjegjshme të cilat vështrojnë qytetin e internetit duke i shfrytëzuar subjektet e veta të çorientuara, të pafuqishme dhe të zemëruara – që të njëjtën kohë janë përdoruesit e tyre që varen nga ta dhe produkte prej të cilave ata i thithin të dhënat për t’i bërë të fuqishmit edhe më të paprekshëm.

Tema kryesore e Vrapuesi në Teh është lufta për ta bërë dallimin mes njerëzve të vërtetë dhe “replikantëve” – robotëve që imitojnë njerëzit. Në internetin e sotëm të Vrapuesit në Teh, gjithashtu përpiqemi ta analizojmë të vërtetën dhe gënjeshtrën, pasi botat dhe llogaritë e rreme bëjnë bashkë mediat sociale duke pretenduar se janë njerëz të vërtetë, duke e shtrembëruar ndjenjën tonë të realitetit. Këta replikantë të internetit mund të përdoren për ta sulmuar një armik, ose – në mënyrën më tinëzare – për të bërë temën margjinale që të tingëllojë si temë qendrore.

Siç kanë dëshmuar dekadat e kërkimeve studimore për komunikimin, njerëzit priren t’i adoptojnë mendimet që ata mendojnë se janë të zakonshme, atë që studiuesi i internetit, Samuel Woolley, e quan “konsensus prodhimi”. Falsifikimi i llogarive të mediave sociale çon jo vetëm në mashtrimin e përdoruesve individualë, por në një shoqëri që humbë kontaktin me atë që mendon në të vërtetë, e ku ajo që “mendon me të vërtetë” mund të riprogramohet.

Në një diskurs që mund të shtrembërohet kaq lehtë, është gjë joshëse të heqësh dorë nga çdo shpresë për sferën publike demokratike, ku idetë dhe dëshmitë peshohen, debatohen dhe vendosen nga qytetarët e vërtetë, dhe ku një person e ka një zë. Kjo është sfida për gjënë kryesore të demokracisë si model qeverisjeje. Mesazhi i diktaturave të sotme digjitale, nga Kina e deri te Arabia Saudite, është se demokracia nuk mund të përballet me dimensionin e internetit dhe, në këtë konfuzion, më mirë është që liria të dorëzohet ndaj zgjedhjes së fuqive të centralizuara që i përdorin të dhënat tona për t’i marrë vendimet për ne.

Në lagjet e varfra të mediave sociale dhe në rrugicat e rrjetave të errëta të internetit tonë të Vrapuesit në Teh, i takoni tregtarët e këqij të shërbimeve gjysmë të ligjshme dhe plotësisht të paligjshme për t’ju ndihmuar që ta menaxhoni këtë lojë që shtrembëron realitetin për dobinë tuaj. Ata shesin bot-netët dhe shërbimet e hakerimit, teknologjitë e mbikëqyrjes dhe të deponimit të të dhënave. Si çdo shitës i dyshimtë, ua premtojnë ëndrrat joshëse për fitoren e paverifikueshme. Me çmimin e duhur pretendojnë se e kanë “salcën magjike” për t’jua fituar zgjedhjet, për ta manipuluar sjelljen e armiqve tuaj, për ta falimentuar biznesin e rivalëve tuaj.

Ekipi Horhe [Team Jorge që ka manipuluar 33 zgjedhje presidenciale në mbarë botën, duke ia dalë mbanë në 27 raste të tilla – shën. i përkth.], një njësit izraelit i operacioneve të zeza në internet i zbuluar nga ditorja Guardian dhe nga partnerët e saj përmes një operacioni mahnitës, është pjesë e një industrie krejtësisht të çuditshme (ekipi e mohon përgjegjësinë).

Në librin tim të fundit, Kjo nuk është propagandë [This is Not Propaganda] takova shumë dilerë të tillë të dezinformatave, nga Manila deri në Meksiko-Siti. Kam qenë gjithmonë i habitur me mënyrën se si ata e arsyetonin veten. Të gjithë ishin amoralë – për këtë lojë duhej të ishe i tillë. Shumica ishin jabanxhinj që kishin ardhur në qytetin e madh, për t’ia dalë mbanë, dhe historitë e tyre i panë thjesht në aspektin e një djali të vogël nga provinca që luan me lojën e përcaktuar nga të tjerët. Disi, punën e tyre të pistë e bënin të tingëllojë si diçka heroike. Të gjithë ranë dakord se ata nuk i vendosën rregullat. Ky ishte faji i politikanëve dhe bizneseve të mëdha që kontrollojnë qytetin e internetit dhe i klientëve që paguanin. Nëse ata nuk do t’i ofronin këto shërbime, dikush tjetër do t’i ofronte.

Dhe, gjëja e trishtueshme është se në këtë aspekt ata kanë ku të kapen. Çfarë do të ndodhë tani që Horhe është dënuar? Kompanitë e teknologjisë do të përmbysin llogaritë e veta replikante, rregullimin e hanzaplastëve ngjitës kundër “sjelljes së koordinuar joautentike “. Por, fakti brutal është se krejt mënyra se si janë ndërtuar platformat, a priori është një shfrytëzim i qytetarëve dhe njëkohësisht gjë e lehtë për t’u shfrytëzuar nga akterët e këqij. Është sistem i ndërtuar mbi mbikëqyrjen dhe thithjen e të dhënave të njerëzve, për t’i manipuluar ata; ku qytetarët nuk kanë asnjë kontroll dhe madje as nuk i kuptojnë algoritmet që diktojnë atë që ne shohim dhe më pas ndiejmë dhe që në fund e bëjmë në internet. Horhe nuk është defekt, është tipar i internetit tonë aktual.

A mund ta paramendojmë një internet tjetër, një internet që në fakt u krijua për ta përforcuar demokracinë? Ky është ushtrimi që ne e zhvilluam si pjesë e Projektit të Uebit të Mirë [Good Web Project] të drejtuar nga njësia ime në Universitetin Xhon Hopkins [Johns Hopkins] dhe nga thinktanku Demos. Interneti i tillë do t’i lejonte njerëzit të jenë anonimë kur kjo është e rëndësishme për sigurinë e tyre (anonimiteti është e drejtë), por do të kishte sisteme që bëjnë me dije se llogaritë në internet do të lidhen me njerëzit e vërtetë: do të ishte i qartë ndryshimi mes njerëzve dhe replikantëve. Do të ishte një internet që do të kishte hapësira të drejtuara për të mirën e komunitetit, jo për interesat private.

Do t’i kishim debatet tona politike në hapësirat e krijuara për ta dëgjuar sidomos njëri-tjetrin, për t’i peshuar provat, për të marrë vendime. Rrjetet [si Facebook dhe Twitter] mund të jenë vende të mira për t’u shfryrë apo për t’u mburrur, por ato nuk janë projektuar për t’i përcaktuar politikat apo për t’i përpunuar vizionet për të ardhmet e përbashkët.

Është i mundur qyteti i tillë i ri i internetit. Në vend të qytetit keqdashës të Vrapuesit në Teh, ku gjithçka është në pronësi të kompanive shfrytëzuese me abdomenin e banditëve të internetit, do të kishte ekuivalentin digjital të parqeve publike, bibliotekave, bashkive. Por, tani ne nuk jemi askund afër kësaj.

Pra, a mund të mbijetojmë sot? Çfarë mund të bësh nëse je, për hir të argumenteve, aktivist që dëshiron të minojë mobilizimin e luftërave gjenocidale të Rusisë? Apo kur e drejton një fushatë për të përçarë të djathtën ekstreme në Evropë? Apo narko-dilerët në Amerikën Latine? Do të prisni për internetin e ri? Nuk kemi kohë për këtë. Jo, do të shkoni në rrugicat e errëta të internetit tonë të Vrapuesit në Teh dhe do ta kërkoni një Horhe. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!

Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Thënie të zgjuara të emrave të mëdhenj:  Jeta është përgatitje e gjatë për diçka që nuk ndodh!

Thënie të zgjuara të emrave të mëdhenj: Jeta është përgatitje e gjatë për diçka që nuk ndodh!

Fjala+
Kalo në kategori