LAJMI I FUNDIT:

E kaluara – pasqyrë e së tashmes

E kaluara – pasqyrë e së tashmes

Nga: Arsim Hamiti

Libri i Agron Shalës “1981 – Vidhe këtë libër” është një libër publicistik me premisa eseistike – historike, të cilit nuk i mungon pjesa artistike për asnjë moment. Është një libër që na flet për të kaluarën e afërt dhe atë pak më të largët të vendit dhe popullit tonë, na flet për historinë që jetuam dhe atë që nuk e pamë dhe, për më shumë, na flet për identitetin kombëtar dhe krijimin e personalitetit dhe karakterit të individit nën diktaturën e një pushteti totalitar. Në të vërtetë është e vështirë të përmblidhet gjithçka që gjendet, apo përshkruhet në këtë libër, thjesht me një cilësim me pak fjalë. Pra, le të fillojmë me radhë. Çdo gjë fillon me pjesën e parë nga titulli i librit, përkatësisht me vitin 1981, kohën kur krijohet kujtesa e autorit, njëkohësisht koha e krijimit të identitetit të tij. Por, çfarë paraqet ky vit saktësisht për Agron Shalën. Në njërën anë është ajo çfarë paraqet ky vit për të gjithë ne që e jetuam, ajo çfarë ne mbajmë mend, apo ajo çfarë lexuam për këtë vit që determinoi shumë ngjarje të mëvonshme për pjesën e kombit tonë këndej kufirit. Por, nëse mendojmë se i dimë të gjitha për këtë vit, apo për tërë epokën sa Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, atëherë leximi i këtij libri na thotë se gabojmë rëndë.

Ky libër, nëpërmjet shumë fakteve të dokumentuara, referencave dhe statistikave të kohës, na rrëfen një anë tjetër të shtypjes që pësoi populli ynë gjatë sistemit socialist në Jugosllavi. Na rrëfen, pra, për pjesën që se pamë kurrë, për tjetërsimin e njeriut nën presionin e pamatshëm të një pushteti që qeverisë me ideologjinë utopike dhe me dhunën sistematike. Na flet për një kohë kur shqiptari i Kosovës zhvillohet në aspektin intelektual, por zhvlerësohet në aspektin kombëtar, na flet për absurdin dhe paradokset që lindin dhe zhvillohen në një shoqëri që e ka humbur konceptin e zhvillimit si e tërë, edhe për shkak të ndarjes nga trungu i saj natyror, por edhe për shkak të ambicieve ideologjike të rrejshme për të krijuar një identitet të ri që më së miri shpjegohet me idenë e pushtetit të proletariatit. Por, idetë nuk realizohen lehtë në praktikë. Apo ndoshta dikush atje lart dëshiron që mos t’i realizojë fare si të tilla. Këtu lindin kontradiktat që krijojnë disa nga absurdet që përmendëm pak më lart dhe që e lënë të hutuar Agronin e vogël, në shumë nga pjesët me nota autobiografike të këtij libri. Ai fëmija i vogël i vitit 1981, nuk e ka të qartë pse e mira dhe e keqja nuk janë njëjtë si në shkollë e si në shtëpi; ai nuk e di pse mes dy popujve të barabartë, njëri është pak më i barabartë se tjetri, tamam si në veprën e Orwellit, dhe për më tepër ai nuk e kupton pse frika është pjesë e jetës në çdo moment. Dhe ai, si çdo fëmijë e i rritur i asaj kohe, duhet të mësohet me të vërteta e me vlera duale të këtij sistemi shoqëror, që natyrshëm pra, për disa, është sistem ideal e për disa të tjerë sistem armik.


Në vazhdim, në kërkim të arsyeve që sjellin këtë gjendje, autori na bën një shëtitje nëpër historinë e popullit shqiptar nën sundimin osman, veçanërisht me dy shekujt e fundit të kësaj epoke, në kohën kur fillon të krijohet identiteti kombëtar me sakrificën dhe punën e madhe të Rilindësve dhe romantikëve tanë. Por, edhe këtu gjejmë të njëjtat paradokse, që tashmë janë krijuar kryesisht nga botëkuptimet fetare dhe padituria, nga interesat meskine të njerëzve dhe nga ndërhyrjet e fqinjëve dhe superfuqive të mëdha. Shqiptarët në këtë kohë janë gjithçka tjetër, përveçse unikë, të organizuar dhe me një identitet. Shqiptaria është gjithçka tjetër, përveçse një vend normal. Por, a është kjo arsyeja pse probleme të njëjta apo të ngjashme vazhdojnë të na ndjekin edhe në realitetin e Jugosllavisë socialiste, përkatësisht në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar kur bota po ecte me një ritëm të shpejtë përpara? Pyetje të tilla, që dalin nga çështjet dhe temat që shtjellon ky libër, na japin një dimension të ri të realitetit të përjetuar dhe atij që e kemi mësuar nga historia e fundit e vendit dhe kombit tonë. Dhe, ky realitet ngjanë i njëjtë vetëm nga emërtimi dhe jo nga përjetimi ynë i asaj epoke nga secili prej nesh, ngase siç thotë Tolstoi: “Të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njëra-tjetrës, ndërsa secila familje e palumtur është e pakënaqur në mënyrën e vet.” Dhe, palumturia individuale shpërfaqet si një ndjenjë kolektive në çdo faqe të këtij libri, kur flet për kohën kur ne gjenerata e autorit u formuam në kuptimin intelektual, për kohën kur vetëdija jonë filloi të funksionojë dhe për kohën kur ne kuptuam (apo kur menduam se kuptuam) se si qëndrojnë gjërat në hapësirën dhe realitetin tonë social e gjeografik.

Por, a janë të gjitha këto që përmendëm më lart, gjithçka për çfarë flet libri. Jo plotësisht. Mjeshtëria krijuese dhe erudicioni mahnitës i autorit, nuk mjaftohet vetëm me kaq. Gjatë leximit të këtij libri, i cili të habitë me qindra informacionet e faktuara me anë të shumë referencave brenda tij, neve na përftohet ideja e dhjetëra apo qindra pikëpyetjeve, që na duket se shëtisin mes rreshtash. Pikëpyetje, të cilave mundohemi t’u japim përgjigje aty për aty, dhe të cilat domosdo i japin kuptim të veçantë leximit të këtij libri nga secili lexues, për ta bërë këtë një libër që patjetër duhet lexuar nga secili prej nesh. Gjithashtu, ajo që është më e bukura, kur sapo duket se po lodhesh me informacione dhe fakte të bollshme historike rreth sistemit, ngjarjeve kryesore, apo emrave të njerëzve, që në një apo mënyrë tjetër shënjuan këto ngjarje dhe epokat e ndryshme, atëherë na del në pah një dimension i ri artistik, pak i lëruar në librat e kësaj natyre tek ne. Është fjala për një koncept kulturor – artistik të veçantë, përkatësisht për muzikën, që në një mënyrë të padiktueshme endet nëpër rreshtat e këtij libri. Autorit duket se nuk i mjafton një përshkrim i thjeshtë i kësaj pjese të historisë së fundit të vendit tonë, që strumbullar e ka vitin 1981, vit që një farë mënyre determinoi ndarjen nga krijesa e sajuar Jugosllave. Një përshkrim i tillë do ishte paksa i thatë pa muzikë, derisa këtë koncept tematik ai e plotëson kryesisht me rokun, i cili në këtë epokë paraqet përveç tjerash një revoltë rinore të kohës, ndërsa për librin një ngjyrim dhe çlodhje e bukur që argëton dhe informon në të njëjtën kohë.

Për fund do të thoja se, edhe pse libri përshkruan me një intensitet tronditës shumë dimensione të së kaluarës sonë, përkatësisht epokës socialiste dhe asaj osmane të vendit dhe popullit tonë, duke na dhënë informacione dhe njohuri shpesh të panjohura për ne, unë mendoj se ai nuk flet saktësisht për këtë kohë, apo për këto epoka historike. Të jem pak më i qartë, ai nuk flet vetëm për të kaluarën tonë. Më tepër se kaq, duke shpërfaqë problemet qenësore të së kaluarës, ndasitë, konceptet dhe ideologjitë e ndryshme që ndikuan që populli ynë t’i nënshtrohej një kalvari të gjatë problemesh kolektive, vuajtjesh e luftërash, ky libër, po të lexohet me kujdes mes rreshtash, na flet për realitetin që po e jetojmë tash. Ai flet për absurdin e tashëm, i cili si një pasojë e historisë së pamësuar po na përsëritet sot. Për problemet nga e kaluara që vazhdojnë të maskohen dhe na vijnë si pengesë e zhvillimit dhe prosperimit tonë kombëtar dhe shoqëror. Thjesht, na flet për ne, se çfarë jemi dhe ku jemi sot, dhe për pyetjen e fundit që të shkon në mendje sapo përfundon së lexuari këtë libër jashtëzakonisht mahnitës – pse ne jemi të tillë, siç jemi sot. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!

Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!

Kulture
Kalo në kategori