LAJMI I FUNDIT:

Muaj pas çlirimit, qyteti ukrainas përballet me bombardime ruse

Muaj pas çlirimit, qyteti ukrainas përballet me bombardime ruse

Shtëpia e pushimeve verore ku Tamara kalonte muajt e ngrohtë të verës, gjendet shumë afër, në pjesën tjetër të bregut të lumit Dnjepër.

Ky vend, po ashtu, është lokacioni prej ku trupat ruse, që u tërhoqën përtej lumit, po hedhin raketa, granata dhe mortaja për në Herson, duke terrorizuar qytetin vetëm dy muaj pasi ai u rimor nga trupat ukrainase.

Së fundi, një fqinj u vra nga një raketë ruse, tha ajo.


“Ai ishte afër një dyqani, ku ra një raketë”, tha ajo. “Ai ishte së bashku me miqtë e tij, një ra, një tjetër u plagos, dhe atij menjëherë iu këput koka”. Rusët, tha ajo, po “hakmerren ndaj neve, sepse ata morën Hersonin dhe më pas e humbën”.

Një burrë shikon mbeturinat e vitrinave të dyqaneve të shkatërruara nga granatimet ruse natën e 28 dhjetorit.

Në fillim të nëntorit, banorët e këtij qyteti-port në jug u gëzuan pasi trupat ukrainase çliruan qytetin tetë muaj pasi ishte nën pushtimin rus.

Por, që nga tërheqja, Rusia është pozicionuar në pjesën lindore të bregut të lumit Dnjepër, duke ndërtuar llogore, bunkerë dhe duke forcuar pikat e zjarrit nga ku forcat e saj po vazhdojnë të sulmojnë qytetin e Hersonit.

Cak i sulmeve ruse është edhe qarku Korabel i këtij qyteti, që gjendet në deltën e Dnjeprit në jug të qytetit.

Një grua e ulur në gjunjë para burrit të saj të vdekur si pasojë e granatimeve ruse në Herson më 24 dhjetor.

Sulmet, po ashtu, kanë vrarë dhjetëra civilë në Herson dhe në qarqet përreth, kanë thënë zyrtarët.

Ihor, një tjetër banor i Korabelit, i cili, sikurse Tamara, u prezantua vetëm me emrin e tij, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se ai njihte një person që kishte dalë për të blerë bukë dhe ishte vrarë nga sulmet ruse.

“Çfarë strehimore do t’iu shpëtojë nëse distanca nga ana e majtë deri tek ana e djathtë [e lumit] është vetëm 2-3 kilometra? Ne këtu nuk kemi as sirena që paralajmërojnë sulme ajrore”, tha ai.

“Kur ata sulmojnë, është më mirë të qëndrosh në shtëpi sesa të tentosh të shkosh diku për t’u fshehur”, shtoi ai.

Nën zjarr

Më 24 dhjetor, Rusia nis një sulm në qendër të Hersonit dhe të paktën 16 persona u vranë dhe mbi 60 të tjerë u plagosën.

Në orët e para të 1 janarit, sipas zyrtarëve ukrainas, forcat ruse sulmuan me të paktën shtatë granata spitalin e fëmijëve në Herson. Nuk është raportuar për viktima, por dhjetëra fëmijë, prindër dhe staf mjekësor u detyruan që të evakuoheshin.

Pas këtij sulmi, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi forcat ruse se “po vrasin vetëm për të na frikësuar dhe për qejf”.

Materniteti në Herson i dëmtuar nga granatimet ruse. 28 dhjetor 2022

Situata është e rëndë veçmas në Korabel, që është më i ekspozuar për shkak të afërsisë me pozicionet ruse që gjenden në pjesën tjetër të bregut të lumit.

Sipas Këshillit të Qytetit të Hersonit, shumë shtëpi në Korabel nuk kanë rrymë, ngrohje apo furnizime me ujë. Transporti publik është pezulluar dhe puna e vullnetarëve është shndërruar në punë të rrezikshme për jetë për shkak të granatimeve të shpeshta.

Autoritetet në Herson u kanë bërë thirrje banorëve që të evakuohen, por shumë pak prej tyre deklaruan se e kanë në plan që të largohen. Ata që kanë vendosur të qëndrojnë në qytet, deklarojnë se nuk kanë para që të shkojnë të jetojnë diku tjetër, ndërkaq të tjerët refuzojnë që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Gjatë intervistave për REL-in, të realizuara më 29 dhjetor, banorët treguan se po përballen me vështirësi për të mbijetuar për shkak të frikës së vazhdueshme nga bombardimet ruse.

Tetyana, banore e qarkut Korabel të Hersonit.

“Nuk ka dritë, ujë apo ngrohje, por njerëzit po jetojnë jetën dhe dëshirojnë të vazhdojnë ta bëjnë këtë, sepse kjo është shtëpia e tyre, ata nuk duan të largohen”, tha pensionistja, Tetyana, e cila tregoi se merr rreth 68 dollarë pension mujor.

Lyudmyla, po ashtu banore e Korabelit, jeton në një shtëpi, ballkoni i së cilës është i shkatërruar dhe po ashtu dritaret e shtëpisë janë të thyera. Ajo ka vendosur fletë metalike në dritare për shkak të motit të ftohtë.

Ajo tha se mezi fle, por nuk dëshiron që të largohet.

Problemi kryesor për banorët e Korabelit, sipas Viktor Totskiy, kreu i kooperativës për strehim në këtë qark, është mungesa e materialeve ndërtimore, sikurse llamarina apo kompensatë për dritare, me qëllim të riparimit të dëmeve të shkaktuara nga granatimet.

Ihor, banor i Korabelit.

Halyna Luhova, që drejton administratën ushtarake të qytetit, tha se situata në këtë qark është “shumë e tensionuar”, por tha se shumë banorë as që duan t’ua hapin dyert punëtorëve socialë.

“Ata qëndrojnë pas dyerve dhe thonë se nuk do të shkojnë askund dhe kërkojnë nga ne që t’iu dërgojmë ndihmë humanitare”, tha ajo për REL-in.

Stacioni që furnizon qarkun me ujë të ngrohtë dhe ngrohje, së fundi, është goditur nga raketat ruse dhe sulmet e vazhdueshme me granata e bëjnë të pamundur që punëtorët ta riparojnë atë, tha ajo.

Sipas Luhovës, autoritetet e qytetit kanë hapur qendra të përkohshme të strehimit, ku banorët, që refuzojnë të largohen, mund të ngrohen dhe të mbushin telefonat e tyre dhe bateritë portative.

Por, edhe shkuarja në këto strehimore është gjë e rrezikshme. Gjatë vizitës së realizuar së fundi, Luhova tha se ka pasur një shpërthim pranë makinës së saj.

“Nuk dinim se ku të iknim”, tha ajo.

“Kjo ndodh vazhdimisht”, tha ajo. “Dhe, ndodh krejt papritur. Me raketat dhe artileritë, ju nuk keni kohë që të reagoni”. /REL/

Në trend Botë

Më shumë
Komandanti në pension i NATO-s vlerëson se aksioni në Kursk të Rusisë dëshmon se

Komandanti në pension i NATO-s vlerëson se aksioni në Kursk të Rusisë dëshmon se "Ukraina mund të ketë sukses edhe pa këshillat perëndimore"

Botë
Kush janë aleatët kryesorë të Donald Trump në Evropë?

Kush janë aleatët kryesorë të Donald Trump në Evropë?

Botë
Kina paralajmëron studentët se 'gratë e bukura dhe djemtë e pashëm' mund t'i joshin ata të spiunojnë

Kina paralajmëron studentët se 'gratë e bukura dhe djemtë e pashëm' mund t'i joshin ata të spiunojnë

Azia
Të gjitha objektivat për operacionin në Kursk të Rusisë po realizohen - thotë Zelensky

Të gjitha objektivat për operacionin në Kursk të Rusisë po realizohen - thotë Zelensky

Botë
Finlanda do të zgjidhë një nga sfidat më të mëdha të njerëzimit

Finlanda do të zgjidhë një nga sfidat më të mëdha të njerëzimit

Evropa
Erdogan thotë se Turqia dëshiron lidhje më të thella me Egjiptin për gazin natyror dhe energjinë bërthamore

Erdogan thotë se Turqia dëshiron lidhje më të thella me Egjiptin për gazin natyror dhe energjinë bërthamore

Turqia
Kalo në kategori