Në 100 vjetët e fundit, në vitet që mbarojnë me numrin dy – nga dekada e tretë e shekullit XX deri te dekada e tretë e shekullit XXI – më shumë gjëra të këqija kanë ndodhur, kudo nëpër botë …
VITI 1922: NË SHKODËR LINDI MARIE SHLLAKU
Në gusht të vitit 1922, Patriarku Ekumenik i Konstantinopojës, Meletiusi IV, pranon Kishën Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa, në shtator, Ahmed Muhtar bej Zogolli (nga ky vit do të njihet vetëm si Ahmet Zogu), emërohet kryeministër i Shqipërisë. Një vit më vonë, Zogu përkrah orvatjet e Beogradit për të eliminuar Zonën Neutrale të Junikut në Kosovë, ku ishin strehuar udhëheqësit e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës. Pra, fillon me eliminimin e patriotëve të Kosovës.
Por, ngjarja më e rëndësishme e vitit 1922 ishte vendosja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ShBA-së. Kryeministër ishte Xhafer Ypi, i cili kërkoi – në mënyrë të dyanshme – statusin e Kombit më të Favorizuar.
Më 1922 prodhohet lokomotiva me avull që ndodhet pranë Muzeut të Hekurudhave të Kosovës në Fushë-Kosovë. Treni më i njohur që qarkullonte dikur nëpër Kosovë ishte “Akropolisi” (apo “Treni i 1001 aventurave”) i linjës Munih-Athinë, që ndalej edhe në Ferizaj, Fushë-Kosovë dhe Mitrovicë.
Më 1922, për ta ndryshuar strukturën etnike dhe për ta dobësuar elementin shqiptar, Mbretëria e Jugosllavisë ka ndarë Kosovën në tri distrikte: Kosovë, Rashkë dhe Zetë. Shtatë vjet më vonë, Kosova do të ndahet mes Banatit të Zetës, Banatit të Moravës dhe Banatit të Vardarit.
Ndër ngjarjet që shënuan botën më 1922 ishte ratifikimi i Traktatit Anglo-Irlandez që i dha fundin Luftës Irlandeze për Pavarësi. Traktati lejoi krijimin e Shtetit të Lirë Irlandez. Por, po më 1922 fillon edhe Lufta Civile Irlandeze, viktimë e së cilës do të jetë luftëtari i madh i pavarësisë së Irlandës, gjeneralin Michael Collins.
Më 1922, Papa Piu XI bëhet papa i 259-të. Ndërsa, Mahatma Gandhi arrestohet në Bombaj dhe dënohet me gjashtë vjet burg (nga të cilat i vuan dy).
Më 15 mars 1922, Egjipti fiton të drejtën e vetëqeverisjes. Fuadi I – nga dinastia e shqiptarit Mehmet Ali Pasha – emërohet mbret. Në vitin 1913, Fuadi tentoi të bëhet mbret i Shqipërisë.
Më 3 prill, Josif Stalini merr postin e sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Sovjetike. Në dhjetor 1922, Rusia, Ukraina, Bjellorusia dhe Republika Transkaukaze (Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia) bashkohen për të formuar Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike. Po këtë vit, bolshevikët shuajnë trupat e Lëvizjes Basmaqi – të kryengritjes së popullatave myslimane të Azisë Qendrore. Trupat e kësaj lëvizjeve udhëhiqeshin nga Enver Pasha, që kishte nënën shqiptare. Enver Pasha formoi triumviratin diktatorial të Perandorinë Osmane, të njohur si “Tre pashallarët” – së bashku me Talat Pashën që gruan kishte shqiptare dhe Xhemal Pashën që në botën arabe njihet si “pashai gjakatar”. Enveri dhe Xhemali vdesin më 1922, vit ky kur turqit dëbojnë trupat greke nga Izmiri, me çka merr fund Lufta Greko-Turke (1919–1922). Fitoja e turqve solli fundin e sulltanatit shekullor, meqë sulltani Mehmedi VI abdikon dhe largohet për në Itali. Turqia bëhet republikë parlamentare sekulare.
Më 28 nëntor, me Marshin në Romë, Benito Mussolini dhe Partia Kombëtare Fashiste marrin pushtetin në vend. Shteti futet në diktaturë.
Viti 1922 është viti i lindjes së shumë nobelistëve. Më 1922 lindin: indiani Har Gobind Khorana (Nobeli për Mjekësi më 1968), amerikani Robert W. Holley (Nobeli për Mjekësi më 1868), kryeministri izraelit Yitzhak Rabin (Nobeli për Paqe më 1994, së bashku me Shimon Peresin dhe liderin palestinez, Yasser Arafat), danezi Aage Bohr (Nobeli për Fizikë më 1975), amerikani Leon M. Lederman (Nobeli për Fizikë më 1988), amerikani John B. Goodenough (Nobeli për Kimi më 2019), amerikani Arthur Ashkin (Nobeli për Fizikë më 2018), gjermani Hans Georg Dehmelt (Nobeli për Fizikë më 1989), kinezi Yang Chen-Ning (Nobeli për Fizikë më 1957), portugezi José Saramago (Nobeli për Letërsi më 1998), rusi Nikolay Basov (Nobeli për Fizikë më 1964) dhe amerikani Stanley Cohen (Nobeli për Fizikë më 1986). Më 1922 prodhohet insulina e parë për sëmundjen e diabetit. Për këtë zbulim, Nobelin për Mjekësi një vit më vonë e marrin shkencëtarët Frederick Grant Banting dhe John James Rickard Macleod.
Viti 1922 është vit i lindjes së regjisorit të njohur italian, Pier Paolo Pasolini, shkrimtarit amerikan Jack Kerouac, karikaturistit amerikan Charles M. Schulz dhe aktoreve Judy Garland dhe Ava Gardner.
Më 1922 lindin dy emra me të cilët mund të identifikohet edhe fundi i Jugosllavisë së Titos: Franjo Tugjman që më 1990 emërohet kryetar i Kroacisë, dhe Janez Stanovnik që ishte kryetari i fundit i Republikës Socialiste të Sllovenisë. Më 1922 lindi edhe arkitekti, urbanisti dhe eseisti serb Bogdan Bogdanoviq. Ky i fundit e ka cilësuar si fashizëm shtypjen që pushteti serb ua bënte shqiptarëve. Ai ishte edhe kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989. Për qëndrimet e tij, detyrohet të jetojë jashtë Serbisë.
Më 1922 lindi futbollisti Loro Boriçi dhe veprimtarja e çështjes kombëtare shqiptare, Marie Shllaku. Shllaku shkollimin fillor dhe të mesëm e mori tek Motrat Stigmatine në Shkodër dhe pastaj u regjistrua në Romë në Fakultetin për Letërsi-Filozofi. Pasi studimet iu ndërprenë nga lufta, u kthye dhe u punësua si sekretare e ministrit të Punëve Botore, Iljaz Agushi (nga Prishtina). Më 25 shkurt 1943 u caktua në Prizren si inspektore financash, për prefekturat dhe nënprefekturat e Kosovës. Në shtator arrestohet nga gjermanët, por me ndërhyrjen e Xhafer Devës lirohet. Në dimrin e vitit 1945, në Rrezallë të Drenicës mblidhen Ymer Berisha, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Ukë Sadiku etj. E vetmja grua aty ishte Marije Shllaku, që thuhet se mbajti këtë fjalim: ”Gjithë vllaznit shqiptarë, me tana forcat duhet me e luftue sllavo-komunizmin, me i largue partizanët jugosllavë nga Kosova, se çdo pus e kanë mbushë me krena shqiptarësh … Partizanëve të Serbisë po u ndihmojnë partizanët e Shqipërisë … Shqiptarët nuk duhet me shkue e me luftue në tokë të huej”. Thuhet se në pajtimin dhe bashkimin e forcave të Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës, rol të madh ka luajtur Shllaku.
Ish-të burgosurit e grupit të Marie Shllakut dhe bashkautorët e librit “Shqipëria e Marie Shllakut”, Ramiz Kelmendi dhe Viktor Gashi, në këto njëmbëdhjetë pika renditin aktivitetin kryesor të saj.
– Në verë të vitit 1944, kur u vu në krye të Lidhjes së Dytë të Prizrenit inxhinieri Xhafer Deva, Marie Shllaku u zgjodh sekretare e tij. Këtë detyrë e ushtroi deri në nëntor të vitit 1944, kur u “çlirua” Kosova. Ajo, edhe pasi iku Xhafer Deva jashtë shtetit, mbeti në Kosovë, për të luftuar kundër “sistemit të ri shoqëror”.
– Në nëntor të vitit 1944, pas “çlirimit” të Pejës, bashkë me Mehmet Gradicën, Metë Danin dhe Adem Shalën, tuboi disa qindra shqiptarë të armatosur dhe bashkë me ata doli në mal, në mënyrë që me luftë të armatosur, në prapavijë të frontit, të luftojë kundër partizanëve dhe sistemit të ri, duke penguar kështu ushtrinë nacional-çlirimtare të ndërtojë pushtetin popullor dhe të rregullojë kushtet në Kosovë.
– Nga mbarimi i vitit 1944, duke njohur mirë njerëzit që kanë pasur lidhje me Xhafer Devën, të cilët kishin mbetur vetëm për të vijuar luftën kundër partizanëve në prapavijë, punoi për bashkimin dhe lidhjen e tyre të ndërsjellë, duke pasur kontakte me Ukë Sadikun dhe Ismail Goranin, prijës të grupeve balliste të cilët sulmuan Gjilanin, Ferizajn dhe vendet tjera.
– Në fillim të janarit 1945, pasi doli në mal dhe shkoi në Drenicë, punoi pareshtur për forcimin e radhëve të rezistencës, propagandoi që shqiptarët assesi të mos shkonin në armatën jugosllave, por të dilnin në mal për të zhvilluar luftë kundër partizanëve komunistë.
– Po në janar të vitit 1945, mori pjesë në Kuvendin e Drenicës, ku gjendeshin prijësit e njohur, si: profesori Ymer Berisha, Mehmet Gradica, Ahmet Shala, Ukë Sadiku, Major Qinisi, Shaban Polluzha, kapiten Rexhep Ismaili, Met Dine etj. Aty u vendos të sulmohen njësitë e ushtrisë nacional-çlirimtare në Drenicë dhe në minierën e Trepçës, si dhe u zgjodh udhëheqësia që do t’i prijë kësaj lufte.
– Më të mbaruar Lufta e Drenicës e derisa u burgos në vjeshtë të vitit 1945, vijoi me ngulm punën e saj në male, me luftëtarët e rezistencës antikomuniste. Ajo mori pjesë në tubime të ndryshme, ku u morën vendime historike për të vijuar rezistencën me armë, dhe për të bindur popullin që të dilte në male, për t’u bashkuar luftëtarëve të Shqipërisë etnike; fshatarët t’i pranonin ato, t’i ushqenin, t’i mbanin dhe t’i ruanin në votrat e veta.
– Mori pjesë në Kuvendin e Dobërdolit (mbajtur në Llugën e Dan Pjetrit), në gusht të vitit 1945, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha aradheve të armatosura anti-komuniste, në të cilin u zgjodh profesori Ymer Berisha si udhëheqës politik, kurse Ukë Sadiku si udhëheqës ushtarak i gjithë luftëtarëve të rezistencës në Kosovë (Marie Shllaku ka mbajtur procesverbalin e takimit).
– Mbajti lidhje të vazhdueshme dhe të pandërprera me Ymer Berishën, i shkroi letra, njësoj si dhe me prijësit e tjerë, si Ismail Ymeri etj.
– Mori pjesë në betejat kundër njësive ushtarake jugosllave dy herë me radhë, ndërsa në Luftën e Siçevës, aty nga gjysma e shtatorit 1945, u vranë në luftime 11 oficerë dhe ushtarë të armatës jugosllave (në këtë luftë Marie Shllaku, u plagos në disa vende).
– Gjatë gjithë qëndrimit të saj në mal mbajti lidhje të vazhdueshme me fratin e Pejës, At Bernardin Llupin OFM; zhvilloi letërkëmbim me të dhe mori nga ai para, ushqim dhe mesazhe.
– Ndonëse e plagosur dhe e stresuar në një shtëpi në Mitrovicë, u interesua për grupet, mbajti lidhje me ato dhe u kujdes për tërheqjen e tyre jashtë kufijve të vendit.
Në shtator 1945, duke shkuar për Dobërdol, nga Açareva, tradhtohet dhe dorëzohet te OZNA në Skënderaj. Pas shumë torturave, dërgohet në Prizren. Gjykimi i grupit prej 27 shqiptarëve zgjati 13 ditë – nga data 29 qershor, deri me datën 11 korrik 1946. Prokuror ishte Ali Shukriu. Kur hetuesi ka pyetur Marie Shllakun se kur ka nisur të merret me politikë, ajo thuhet se u përgjigj: “Që herët jam marrë me politikë, në qoftë se mund të quhet politikë dashuria e ime për atdheun, përpjekja ime – qysh se di për vete – për një Shqipëri Etnike, të bashkuar me pjesët e saja të shkëputura, Kosovën dhe Çamërinë”. Me vdekje do të dënohen Marie Shllaku (24 vjeçe), At Bernard Llupi (60 vjeç), Kolë Parubi (41 vjeç), Gjergj Martini (29 vjeç), që të gjithë nga Shkodra. Pushkatimi i tyre bëhet në nëntor 1946. Për 23 të burgosurit tjerë u dha dënimi me burgim nga një deri me 20 vjet.
Për Shllakun thuhet se kështu iu përgjigj pyetjeve të prokurorit Ali Shukriu:
Çfarë kërkonit ju në atë kryengritje?
Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Për çfarë regjimi mendoni ju?
Për një republikë demokratike, si ajo e Nolit.
Po Fan Noli e ka lavdëruar regjimin e sotëm në Shqipëri, me Enver Hoxhën në krye, i cili siç dihet është me ne.
Sido që të jetë, Kosova duhet të jetë e pandarë nga Atdheu (duke thënë këto fjalë, i bie fort tavolinës me grusht).
Më 1922 lindin emrat e njohur të artit shqiptar: aktorët Abdurrahman Shala, Aleko Prodani, Besim Levonja, Viktor Gjoka; shkrimtarët Fatmir Gjata, Mark Gurakuqi, Mustafa Greblleshi, Luan Qafëzezi …
Më 1922, ndodhin dy ngjarje të mëdha të botës së kinemasë dhe teatrit: premiera në Berlin e filmit pa zë “Nosferatu” dhe premiera në Paris e shfaqjes “Antigona” me regji nga Jean Cocteau, me skenografi nga Pablo Picasso, me muzikë nga Arthur Honeggeri dhe me kostumet nga Coco Chanel.
Më 1922 vdesë shkrimtari i madh francez, Marcel Proust.
VITI 1932: FUNDI TRAGJIK I QËNDISTARES SË FLAMURIT TË PAVARËSISË
Në Shqipëri thellohet kriza e huave për zhvillim, të marra nga Italia më 1929. Në vitet 1932 dhe 1933, Shqipëria nuk mund të kryente pagesat e interesit, për çfarë Roma shtoi presionin duke kërkuar që Tirana të emëronte italianët që do të drejtojnë xhandarmërinë, që Shqipëria t’i bashkohet unionit doganor me Italinë, që Italia të merrte kontrollin e sheqerit të vendit, monopolin në telegraf dhe në rrymë, që italishtja të mësohet në shkolla dhe që të pranohen kolonët italianë. Ahmet Zogu nuk pranoi, por shkurtoi buxhetin me 30 për qind, shkarkoi këshilltarët ushtarakë italianë dhe shtetëzoi shkollat katolike të drejtuara nga italianët në pjesën veriore të vendit.
Në vitin 1932, në Konstancë të Rumanisë, korçari Gjergj Bubani hap gazetën “Kosova”. Gazeta kishte katër faqe (një numër kishte 16 dhe një tjetër 18) me tekste në gjuhën shqipe, rumanishte dhe frëngjishte. Në daljen e gazetës kanë ndihmuar edhe Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Ali Asllani, Kristo Luarasi, Selami Çela etj. Gazeta mbronte të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës dhe Çamërisë, autonominë e Maqedonisë me një kanton të shqiptarëve, reformat dhe konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve të Shqipërisë, të zonave të okupuara dhe të kolonive në diasporë. Gazeta mbyllet më 1933. Në nëntor të vitit 1943, Gjergj Bubani ishte kryeredaktor i ditores “Bashkimi i Kombit” ku botohet “Poemi kosovar” i Kutelit. Drejtor i kësaj ditore ishte Akile Tasi, ndërsa redaktor Mustafa Greblleshi. Në vitin 1944, Bubani nga komunistët dënohet si “kriminel lufte”. Në aktakuzën e formuluar më 12 shkurt 1945, u akuzua “se është bërë vegël e propagandës armike si agjitator, propagandist … Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kundër luftës së popullit”. Ndonëse nuk e pranoi akuzën, u dënua me 15 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike. Atë e dërgojnë për të tharë kënetën e Maliqit. Lirohet pas pesë vjetëve dhe vdesë i dërrmuar më 1954. Komunistët arrestojnë edhe Akile Tasin, i cili vdesë në burg më 1961. Akile (i diplomuar në Bolonjë) ishte vëllai i Koço Tasit (jurist i diplomuar në Romë), i cili në vitin 1941 ishte guvernatori i parë i Kosovës dhe që ka meritë të madhe në hapjen e shkollave shqipe në tokat e çliruara (ku përfshihen edhe ato në Maqedoni). Akile ka qenë më parë ministër i Kulturës, ndërsa Koço ishte ministër i Drejtësisë në Shqipëri. Koço po ashtu arrestohet në nëntor 1944. Më 13 prill 1945 dënohet nga Gjyqi Special me burgim të përjetshëm dhe punë të rëndë. Në tetor të 1964 del nga burgu dhe vendoset në Shkodër. Ndërroi jetë më 15 maj 1966.
Ndër ngjarjet kryesore të botë më 1932, janë edhe këto: autoritetet britanike arrestojnë dhe internojnë Mahatma Gandhin; koreanët dështojnë ta vrasin perandorin japonez Hirohito; Japonia shpall Mançurinë të pavarur nga Kina, duke instaluar perandorin kukull Puyi. Ky i fundit do të jetë subjekt i filmit “Perandori i fundit” i vitit 1987, me regji të Bernardo Bertoluccit.
Më 1932, Gjermania vlon nga zhvillimet politike. Paul von Hindenburg mund Adof Hitlerin në zgjedhje dhe emërohet presidenti i vendit. Kancelari në detyrë, Heinrich Bruning, ndalon grupet paramilitare naziste SA dhe SS, meqë rrezikonin rendin publik. Por, dhuna e këtyre grupeve paramilitare nuk ndalet meqë pesë anëtarë të grupit SA vrasin komunistin Konrad Pietrzuch. Vrasësit dënohen me vdekje, por ata lirohen pas presionit të nazistëve. Kjo sepse kancelari i ri, Franz von Papen, ishte i dobët dhe shpresonte të ketë mbështetje të Hitlerit. Von Papen bie nga pushteti më 12 shtator, me një mocion të mosbesimit. Në zgjedhjet e nëntorit 1932, nazistët bëhen partia më e madhe në Rajhstag. Kancelar i ri emërohet Kurt von Schleicher, por kundërshtohet nga Hitleri i cili kërkon “gjithçka ose asgjë” për veten. Hitleri bëhet kancelar një vit më vonë, për të sunduar si diktator deri më 1945, dhe duke shkaktuar Luftë e Dytë Botërore që la 40 milionë civilë dhe 20 milionë ushtarë të vrarë në vitet 1939-1945.
Në vitin 1932 lindën këta emra: këngëtarët Johnny Cash dhe Little Richard; shkrimtari John Updike; aktorët Omar Sharif, Peter O’Toole dhe Elizabeth Taylor; regjisorët Milos Forman dhe Andrei Tarkovsky, poetja Sylvia Plath; presidenti i Francës në vitet 1995-2007, Jacques Chirac, si dhe shkrimtari, filozofi, kritiku, eseisti … Umberto Eco.
Më 1932 lindi akademiku dhe aktivisti i çështjes shqiptare në Kosovë, Fehmi Agani; shkrimtari për fëmijë, Odhise Grillo; historiani Kristaq Prifti; regjisori Kujtim Spahivogli; aktorja Tinka Kurti, kameramani Rudolf Sopi; përkthyesit Robert Shvarc dhe Naum prifti; piktori Omer Kaleshi.
Në Itali, më 1933 mbahet për herë të parë Festivali i Filmit në Venecie, ndërsa Gjermania prezanton autostradën (autobanin) e parë.
Në vitin 1932 vdesë nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Iljaz bej Vrioni – kryeministër, disa herë ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar. Vdesin po ashtu edhe botuesi dhe publicisti Sotir Peci si dhe Marigo Posio – qëndistarja e flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas studiuesit Niko Kotherja, Posio vdiq e verbuar. Ndërsa, tuberkulozi i mori asaj pothuajse gjithë familjen: djalin Vaso, që përfundoi Konservatorin në Amerikë; vajzën Fereniqi me të cilën botoi gazetën “Shpresa kombëtare”; vajzën tjetër Liri e cila mbylli ditët e pakta të jetës së saj pranë të ëmës. Marigo, më 6 shkurt 1921, nisi botimin e gazetës “Shpresa Kombëtare” – e para gazetë e botuar nga gratë shqiptare brenda Shqipërisë.
VITI 1942: MUSTAFA KRUJA NË KOSOVË, VRASJA E VOJO KUSHIT DHE BALTO STAMBOLLËS
Më 16 shtator 1942, krijohet Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar. Fjala është për mbledhjen e mbajtur në fshatin Pezë afër Tiranës. Të pranishmit, sipas Ymer Dishnicës, ishin: Abaz Kupi (përfaqësues i çetave nacionaliste), Ndoc Çoba (përfaqësues i katolicizmit nacionalist), Kamber Qafmolla (përfaqësues i xhandarmerisë, nacionalist), Ramazan Jarani (përfaqësues i intelektualëve nacionalistë), Halim Begeja (përfaqësues i rinisë nacionaliste), Ismail Petrela (përfaqësues i rinisë nacionaliste). Koço Tashko (përfaqësues i Partisë Komuniste), Enver Hoxha (përfaqësues i Partisë Komuniste), Nako Spiru (përfaqësues i rinisë komuniste), Baba Mustafa Xhani (përfaqësues i çetave të bektashinjve), Nexhmije Xhuglini (përfaqësuese e grave komuniste), Ramadan Çitaku (përfaqësues i Partisë Komuniste), Myslim Peza (përfaqësues i çetave komuniste), Muharrem Butka (përfaqësues i çetave komuniste të Korçës), Mustafa Gjinishi (pa votë, sekretar i mbledhjes – komunist), Mustafa Kaçaçi (dëgjues, komunist). Pra, në takim morën pjesë disa përkrahës të Mit’hat Frashërit që përfaqësonin rrymën që më vonë krijoi Ballin Kombëtar, si dhe mbështetësit e Ahmet Zogut, me Abaz Kupin në krye. Në takim, Dishnica akuzoi nacionalistët dhe vlerësoi Bashkimin Sovjetik, ndërsa Jarani tha se komunistët nuk e pranonin Shqipërinë etnike.
Një vit më vonë në Shqipëri arrihet Marrëveshja e Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë, për të bashkërenduar e rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për t’u përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike. Por, kjo marrëveshje kundërshtohet nga komunistët serbë. Sipas Xhelal Staraveckës, marrëveshja u prish sepse në atë kongres ishte shënuar fjala Shqipëri Etnike. Mirëpo, Dushani (Mugosha) dhe Milladini (Popoviq), nuk duronin që Kosova t’i hiqet Jugosllavisë. “Për këto o shokë u prish bashkimi i Mukajt. Jam ndodhur vetë me shumë shokë të Qendrorit në krye të të cilëve ishte druzhe Milladini, kur me një postë të jashtëzakonshme arriti proklamata e bashkimit të Mukajt. E hapëm proklamatën dhe e kënduam. Në fytyrën e lexuesit shndriti rrezja e gëzimit për sihariq të bashkimit. Të gjithë u gëzuam. Më vonë e mora atë proklamatë dhe duke e shpjeguar gjysmë shqip e gjysmë serbisht – pse unë nuk di serbishten, por edhe ai nuk di shqipen – por, sido i varfër nga serbishtja ia shpjegova dhe ai e kuptoi, e në fytyrën e tij menjëherë hipi një cerge e zezë dhe filloi të thotë: ‘Nuk pranohet ky bashkim, ne tani po forcohemi, do të fillojmë nga sëpata, e jo të bëjmë lidhje me qentë. Pastaj Skipëri etniçka, jebem ti majku’. Neve që qemë të tërë gjithë gaz morëm ngjyrë serioze duke thënë: ‘Po këta pizevenër nacionalistë do ta shohin tashmë sa të organizohemi dhe pak ditë se sëpatën do t’ua vëmë, e sa e sa të tjera duke thënë se dashkan Shqipëri Etnike. Ju e kuptoni që fytyrat tona ndërronin sipas asaj të druzhes’”.
Në vitin 1942, Ferdinand Milone – gjeograf dhe pedagog në Universitetin e Napolit dhe të Romës – në revistën “Rrugët e Italisë” boton esenë me titull “Shqiptarët dhe Shqipëria”. “Populli shqiptar është i ndarë në fe të ndryshme. Subjekt i ndikimeve të Romës dhe Bizantit, e dominuar për më shumë se katër shekuj nga pushtuesit myslimanë, kjo popullsi ka në mënyrë të dallueshme tri fe të mëdha: katolike, ortodokse dhe myslimane. Por, kjo treshe besimi nuk e ka dëmtuar unitetin e popullit. Shumica myslimane jeton në tolerancë të plotë me ortodoksët dhe katolikët. Është e dukshme që për të kuptuar se kush është në të vërtetë populli shqiptar, elementi më domethënës i dallimit është ai gjuhësor”, ka shkruar ai. Por, shqiptarët më 1942 ishin pikë e pesë. Madje edhe në Amerikë. Po më 1942, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia. Dy udhëheqës të shqiptarëve të Amerikës, Fan Noli i “Vatrës” dhe Kostë Çekrezi i “Shqipërisë së Lirë”, ulen të bisedojnë në kishën shqiptare të Bostonit, për të ngritur një front të bashkuar me përkrahjen e Amerikës. Faik Konica nuk merr pjesë, sepse as Nolin dhe as Çegrezin nuk i duronte. Mirëpo, Noli dhe Konica në krye të frontit të bashkuar donin Zogun, që jetonte në Londër. Çekrezi nuk e duronte Zogun, i cili dikur e kishte dënuar me vdekje në mungesë. Më 12 korrik, rreth 15 veta u ulën në tryezën e gjatë të kishës. “Sado i keq të ketë qenë Zogu për Shqipërinë, puna e do që ta vëmë edhe një herë në krye të lëvizjes kombëtare për formimin e një qeverie në mërgim”, ka thënë Noli. Çekrezi tha se Zogu nuk përfillet as nga Amerika dhe as nga ndonjë prej aleatëve të saj. Fjalët e Çekrezit e ngacmuan Nolin dhe gjakrat u nxehën. Noli i ra tryezës me grusht, ndërsa Çekrezi reagoi: “Po të ishte për të bërtitur e për të rrahur tryezën, njerëzit e mi dinë ta godasin atë më fort se ju”. Asgjë e dobishme nuk rrodhi nga ky takim. Ndërsa, Noli, si më parë ashtu edhe më vonë mbështeti komunistët.
Më 1942, mbret i Shqiptarëve ishte Viktor Emanueli III, ndërsa kryeministër Mustafa Kruja. Kruja në qershor të këtij viti vizitoi Kosovën. Në fjalën e mbajtur në Pejë, sipas Eugjen Merlikës, Kruja ka thënë: “Si shqiptar do të kishem fluturue këtu qysh ditën e parë qi ora e pavdekshme e fisit arbnuer deshti me ia kthye tekembramja këto vise të bekueme prej të Madhit Zot, atij qi i përkasin: Kombit shqiptar. Si Mustafa Kruja, qi s’ka bâ punë të madhe për tokën e shênjtë e për popullin vigan të kësaj Kosove, por në mos tjetër i ka kjajtë në zêmër të vet me lot gjakut për 30 vjet rrjesht robnín e saj, mundimet e salvimet e përgjakshme të bijve të saj. Ndonse larg, kam rrnue shpirtnisht me ju, ndërmjet jush. Ka pasun shqiptarë, shokë të mij sërbofila, qi më kanë ngjitun vulën e zezë të tradhtís sepse kam diftue sympathí për Italín, bashkë me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, me Dervish Mitrovicën e sa e sa kosovarë tjerë. Po! Nuk e mohoj. Krejt sympathija e eme, mâ e sinqerta, ka qênë për Italín, ka qênë për Romën sikurse vijon me qênë edhe sod. Sepse ka qênë e âsht nji sympathí qi i ka rrânjët në dashunín t’eme pa kufì për Kosovën shqiptare, për Kosovën kreshnike, për Kosovën e martirizueme. Nuk mujshem e nuk mundem me dashtun sërbín, Beligradin, xhelatët e vllazënve të mij kosovarë. Qe pse jam kenë, jam e do të des italofil. Italofil jo për interesë personale, por për nji ideal, italofil pa pallate e pa çifliqe. E sod qi Kosova âsht bâ shqiptare, sod qi Kosova s’âsht ma ‘juzhna Srbija’ as ‘Metohija’, por quhet Prefektura e Prishtinës, Prefektura e Prizrenit, Prefektura e Pejës e Mbretnìs Shqiptare, bash në saje të bashkimit të shtetit t’onë me italín fashiste, sod un krenohem për italofilín t’eme, edhe në qoftë se nuk kuqen ndopak ata qi këtë italofilí e kanë vulosun për tradhtí. Për nji njeri qi s’ka tjetër ambicje posë realizimit të nji ideali, s’ka kënaqësì mâ të madhe se me e pà kët ideal të vërtetuem” (sic.).
Kryeministri përsërit, pothuaj në çdo fjalim, nëpër shumë qytete, keqardhjen për vonesën e kësaj vizite, dëshirën e zjarrtë për të qenë aty që në ditët e para të marrjes së përgjegjësisë shtetërore.
“Kryeministri i juej ka vonue ndoshta me ardhë ndër juve me u gëzue në Bajramin e lirís së juej, por punët e Shtetit nuk më kanë lanë me ardhë përpara; punët e Shtetit janë të popullit dhe pra të juejat. Arsyeja ma e parë qi më ka pru në Kosovë asht qi të marr pjesë në gzimin tuej, n’atë gzim qi nuk asht gzim i nji feste familjeje, as gzimi i nji djali qi lèn, nuk asht gzimi i nji martese, por asht gzimi i të tanë nji Kombi, asht gzimi i këputjes së zinxhirave të hekurt të nji robnije 30-vjeçare” (sic.), tha ai në Ferizaj. Ndërsa, në Rahovec i tha këto fjalë: ““Kjo pritje madhështore qi qyteti juej i vogël i Rahovecit i ban kryeministrit dhe ministrave të vet, difton e provon se sa i madh asht enthuziazmi e se me sa padurim ka pritë ky popull me pa me sy nji kryeministër shqiptar e jo nji kryeministër të huej qi ka pasë nji emën, dikur Pashiq, dikur Jeftiq, dikur Stojadinoviq, gjithmonë me iq … Vuejtjet e të këqijat e kësaj robnije nuk mund të dëftehen me gojë. Anmiqtë t’onë thojshin me ngulje se Kosova asht e tyneja. E pse asht e tyneja ? Vetëm sepse asht vramë në fushë të Kosovës i pari i tyne, vetëm sepse kanë pasë ngrehun do kisha në Deçan, Sverçan e Graçanicë. Të tana të drejtat e tyne mbështeten pra vetëm mbi gjakun e nji mbreti të tyne të vramë në Fushën e Kosovës dhe mbi nj’a tri a katër ndërtesa kishtare. Por, sa pare bajnë këto ndërtesa? E kujt asht Kosova? Kosova asht vetëm e shqiptarëve dhe e Shqipnís edhe këte e dishmojnë shqiptarët me feste të bardha mbi krye. Kjo asht nji diftesë e gjallë; nuk janë diftesa të vdekunit dhe ndonji ndërtesë, sepse të drejtat nuk fitohen me të vdekunit, por me të gjallët” (sic.).
Në fjalimin e fundit të udhëtimit, në Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, Kruja deklaroi: “Kosovarë, Ju e keni fitue lirinë kombtare me armët e Boshtit, por edhe me gjakun qi keni derdhun ju e bijt t’uej, gjyshat, stërgjyshat e skatërgjyshat t’uej brez mbas brezi për me mbetun shqyptarë. As Dushani, as Sulltani, as shkau, as tyrku s’ka mujtun me jua ndërrue kombsinë t’uej. Por, në koftë se me lirinë e fitueme keni kujtue se u çelën menjiherë dyert e xhenetit për jue, e keni pasë gabim. Mjerisht, lirija kushton shtrenjt. Kushton gjak, mjerime e mundime. E bash pse kushton shtrenjt asht aq e çmueshme … Tash lufta për ne asht luftë durimi, luftë qindrese, luftë nervash. E bash për këtë arsye mos u çuditni në kjoftë se ju them qi asht ba edhe ma e zorshme, ma e mërziçme se lufta e vërtetë ku luftohet e diset burrnisht, ashtu si ju jeni mësue me luftue e me dekun. Duhet pra, or burra të fortë, të dijmë jo veç me dekun, por kur e don puna si sod edhe me durue të këqijat e luftës vigane qi ka marrë të tanë botën me të thatë e me të njomë. Ju prej Shqipnis së lirë s’i keni pasun deri sod të gjitha të mirat qi keni pritun. Ndoshta ka me ju u dashtun të pritni edhe bajagi do kohë për me i pasun. Por, pasha Zotin or burra mos i a veni fajin Shqipnís. Shqipnija asht nana e jonë. E nana kurrë nuk i a don të keqen bijve të vet. S’e ka fajin Shqipnija, e ka fajin lufta qi i a ka ngatrrue lamshin tanë botës. Kurrgjâ nuk do të rrinte mangut këtu në Kosovë sikur të mjaftonte vetëm vullneti i mirë i yni e i jueji. Nuk po hyj me i tjerrë gjatë të tana punët e dertet nji ka nji. Veç po ju them e po ju siguroj se të mira e të këqija ça të kemi do t’i dajmë bashkë, do të rrojmë bashkë e në koftë nevoja do të desim bashkë” (sic.).
Më 1942 bota ishte në luftë. Ngjarjet më të mëdha të kësaj lufte këtë vit ishin: fitorja britanike në Afrikë kundër trupave gjermane të gjeneralit Erwin Rommel dhe fillimi i Betejës së Stalingradit që do t’ia japë tatëpjetën Gjermanisë naziste.
Më 1942 lindën muzikantët Aretha Franklin, Paul McCartney, Brian Jones, Lou Reed, John Cale, Barbra Streisand, Isaac Hayes, Brian Wilson dhe Jimi Hendrix; regjisori Martin Scorsese; kritiku i filmit, Roger Ebert; aktorët Harrison Ford, Terry Jones dhe Ian McShane; shkrimtarja Isabel Allende; astrofizikani Stephen Hawking; legjenda e boksit, Muhammad Ali; diktatori libian, Muammar Gaddafi; sekretari i NATO-s në kohën e çlirimit të Kosovës më 1999, Javier Solana, si dhe presidenti i 46-të amerikan, presidenti aktual Joe Biden. Më 1942 lindën edhe veprimtari dhe biznesmeni i dalluar shqiptar në ShBA, Xhim Xhema; shkrimtari për fëmijë, Vehbi Kikaj, dhe dramaturgu Ruzhdi Pulaha.
Më 1942 vriten komunisti i Kosovës, Emin Duraku, si dhe ai i Shqipërisë, Qemal Stafa. Po ashtu, vritet komunisti nga Shkodra, Hero i Popullit në Shqipëri dhe në Jugosllavi, Vojo Kushi. Kushi ishte malazez, por pushteti i Zogut ua kishte hequr serbëve dhe malazezëve prapashtesën “viq” e “iq” prej mbiemrave. Ai i takonte grupit komunist të Shkodrës, si Vasil Shanto dhe Branko Kadija. Nga ky grup, Jordan Misja ishte serb. Kushi ishte pjesë e grupit që ka vrarë më vonë të birin e Isa Boletinit, nënkolonelin Adem Boletini. “Vrasja e babait tim, nënkolonel Adem Boletinit, u krye në 23 nëntor të vitit 1943 nga komunistët shkodranë. Ajo vrasje u nxit dhe u urdhërua nga komunistët serbë që në atë kohë drejtonin dhe Partinë Komuniste në Shqipëri”, ka thënë i biri Ademit, Isa. “Si rezultat i politikës të ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së gjyshit në 1913, nga familja jonë u vranë apo ekzekutuan 15 vetë dhe dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime. Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i babait tonë Ademit, regjimi komunist që erdhi në pushtet më 1944, vazhdoi hakmarrjen ndaj familjes së Isa Boletinit. Kështu, në vitin 1947 u arrestua nëna ime Adile Bekteshi, e cila vuajti pesë vjet në burgjet e skëterrës komuniste, ku nga kushtet e këqija mori dhe disa sëmundje të cilat nuk iu ndanë derisa vdiq”. Në kohën kur kryetar i Prishtinës ishte Shpend Ahmeti, një rrugë në Prishtinë emërohet me emrin e Vojo Kushit.
Më 1942 vritet edhe Balto Stambolla që ishte vrasësi i Luigj Gurakuqit. Vrasja e tij thuhet se ndodhi kështu: “Mbas okupacionit italian të Shqipnisë, me ardhjen kryeministër të z. Mustafa Kruja, ky i kërkoi Qeverisë italiane që i dënuemi për vrasje Baltjon Stambolla, me vazhdue dënimin në Shqipni. Qeveria italiane asht kenë dakord dhe e ka sjellë Baltjonin në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka marrë dhe e ka dërgue në Fier, gjoja ‘për siguri’ larg Shkodres. Atje ka ndejë në një shtëpi ku ruhej nga tre-katër policë shqiptarë. Një ditë, gjoja se desht me u arratisë, policët e kanë gjuejtë dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuente nga dhimbjet e mënershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2-3 ditë mbas gjuejtjeve Baltjoni ka vdekë nga infeksioni, tue vërritë nga dhimbjet” (sic.). Mustafa Kruja këtë storje ia ka treguar Kol Radovanit, babait të shkrimtarit Fritz Radovani (i cili më vonë e dëgjon nga e ëma, Viktoria). “Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit” (sic.).
Më 1942 vdesë Abdi bej Toptani, veprimtar i çështjes kombëtare, prijës çetash, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ministër Financash në qeverinë e parë shqiptare.
VITI 1952: FILLIMI I FUNDIT I MBRETËRISË SË EGJIPTIT
Më 6 shkurt 1952, Dukesha e Edinburgut bëhet mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, si dhe Dominioneve Britanike: Kanadasë, Zelandës së Re, Afrikës së Jugut, Pakistanit dhe Cejlonit. Fjala është për mbretëreshën Elizabeth II, që do të sundojë për 70 vjet, deri në vdekjen e saj më 8 shtator 2022.
Në shkurt, Greqia dhe Turqia i bashkohen NATO-s. Ndërsa, në Tribunalin e Hagës, Izraeli kërkon reparacione prej Gjermanisë, në vlerë të tre miliardë dollarëve. Në gusht, Gjermania pranon të paguajë tre miliardë marka.
Në prill, me Traktatin e San Franciskos përfundon lufta mes Japonisë dhe Aleatëve, si dhe pushtimi ishujve japonezë. Po këtë vit, me Traktatin e Taipeit përfundon lufta mes Republikës së Kinës (Tajvanit) dhe Japonisë.
Ndërkohë, mbreti Farouk i Egjiptit shpall veten trashëgimtar të profetit Muhamed. Në fakt, ai ishte trashëgimtar i dinastisë mbretërore të Egjiptit, të krijuar nga shqiptari Mehmet Ali Pasha. Por, në një grusht shteti bie nga pushteti. Vendin e tij do ta zë i biri, Fuadi II. Por, as kjo nuk i kënaq organizatorët e Revolucioni i Egjiptit, që udhëhiqej nga Gamal Abdel Nasseri – që më vonë do të bëhet shok i mirë i Titos dhe i cili me këtë të fundit dhe me Jawaharlal Nehrun, do ta formojnë Organizatën e të Painkuadruarve. Një vit më vonë përmbyset monarkia e Egjiptit.
Vlen të ceket se që nga viti 1811, kur Mehmet Ali shkatërroi përfundimisht regjimin e feudal të mamlukve, Egjipti u shndërruar në një strehë jo vetëm për ushtarakët shqiptarë. Thuhet se Farouku truprojat i kishte shqiptarë dhe se ata mbanin plisin në kokë. Egjipti apo Misiri kishte diasporë të fuqishme shqiptare, ku vepronin disa shoqëri dhe ku botoheshin gazetat “Besa”, “Toska”, “Sëpata” dhe “Shkrepëtima”. Elementi shqiptar, qoftë mysliman apo i krishterë, gëzonte privilegje nën sundimin e kësaj dinastie.
Për mbretin Fuad I – të birin e Faroukut që kërkonte fronin mbretëror të Shqipërisë më 1913 – flitet se kur një fallxhore i tha se fati i tij ishte nën përcaktimin e germës “F”, të pesë fëmijëve të vet ua vuri emrat: Farouk, Fawzia, Faiza, Faika dhe Fathia. Fawzia, ish-gruaja e Mohammad Reza Pahlavit, perandorit të Iranit, nga Hollivudi është shpallur si gruaja më e bukur në botë.
Farouku njihet si hamës, feminist, lojtar i bixhozi dhe koprrac. Pas abdikimit dhe largimit nga Egjipti, për zakonet e tij u përgojua, për çfarë ka shumë anekdota për të, përfshirë atë se ishte kleptoman dhe se Winston Churchillit ia vodhi orën, ndërsa Shahut të vdekur të Persisë – kur arkivoli u ul transit në aeroportin e Kajros – ia vodhi shpatën ceremoniale, rripin dhe medaljet (nga uniforma e kufomës). Por, ishte edhe koleksionist i madh. Në fondin e koleksionit të tij përfshiheshin rreth 8 500 monedha ari dhe mijëra të tjera argjendi. Po ashtu, ishte koleksionist i pullave postare. Në koleksionet e tij renditen armët, orët, botimet e vjetra, veprat e artit prej ari dhe argjendi, medaljet, shishet antike, vezët perandorake ruse, veturat …
Më 1952, Kisha Katolike ndalon veprat e autorit Andre Gide. Ndërsa, në Argjentinë vdesë Maria Eva Duarte De Peron – që shkurtimisht njihet si Evita. Ajo ishte gruaja e presidentit Juan Peron. Evita – që frymëzon shumë artistë, edhe sot – mbahet mend për hapje të mijëra spitaleve, shkollave, jetimoreve, shtëpive të pleqve dhe për shumë institucione bamirëse. Po ashtu, luftoi për të drejtat e grave. Tre vjet pas përmbysjes së Peronit, trupi i saj i balsamosur vidhet dhe fshihet në Itali për 16 vjet. Kundërshtarët kurrë nuk lanë trupin e saj të pajetë që të prehet si duhet në qetësi.
Më 1952 vihet në zbatim Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), si organizatë evropiane për të rregulluar industrinë e qymyrit dhe të çelikut. U krijua më 1951 me Traktatin e Parisit të nënshkruar nga Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania Perëndimore. Po më 1952 hapet Asambleja Parlamentare Evropiane që dhjetë vjet më vonë do të njihet si Parlamenti Evropian.
Më 29 gusht, kompozitori John Cage interpreton veprën “4′33″. Pse është e veçantë kjo vepër? Sepse s’e ka asnjë notë të shkruar, ndërsa gjatë interpretimit muzikantët rrinë pa bërë asnjë lëvizje. Si hulumtues dhe eksperimentues i madh, ai ka dashur t’i hulumtojë tingujt e heshtjes si dhe zhurmat e publikut – gjërat që rëndomë nuk dëgjohen në koncerte. Kjo vepër unike ka bërë që nga shumëkush ai të njihet edhe si “autor i heshtjes”. Se sa vizionar ka qenë Cage, dëshmon kjo deklaratë e dhënë më 1937: “Besoj se përdorimi i zhurmës për të krijuar muzikë do të vazhdojë të rritet derisa të arrijmë te muzika e krijuar me instrumentet elektronike, që do të jenë të qasshme për nevoja muzikore dhe për çfarëdo tingulli që do ta dëgjojmë”.
Viti 1952 ishte vit i rëndësishëm për mjekësinë. Në ShBA përdoret për herë të parë zemra mekanike. Ndërsa, në Universitetin e Minesotës bëhet operacioni i parë në zemër të hapur. Po këtë vit realizohet operacioni “Ivy”: ShBA-ja shpërthen me sukses bombën e parë me hidrogjen.
Më 1952 lindin: fituesi i Nobelit për Letërsi, Orhan Pamuk, aktorët Liam Neeson, Dan Aykroyd, Patrick Swayze dhe Roberto Benigni, si dhe muzikanti David Byrne, lider i grupit kult, Talking Heads. Ky i fundit këndonte në mënyrë të çuditshme sepse, sipas tij, sa më i mirë është zëri i këngëtarit aq më vështirë është për të kuptuar atë që thotë. Pra, të metën e përdorte si përparësi. Më 1952 lindi edhe Ahmet Prishtina që shërbeu si kryetar i Izmirit nga viti 1999 deri më 2004. Më 1952 lindin edhe këta emra: aktori Nimon Muçaj, këngëtarja Nazmije Hoxha, shkrimtarët Zejnullah Rrahmani, Visar Zhiti dhe Skënder Rusi, kompozitori durrsak me prejardhje armene, Hajg Zaharjan … Më 1952 lind edhe historiani Bernd J. Fischer, autor i shumë librave për shqiptarët, si dhe një nga emrat më të urryer të shekullit XXI: diktatori rus Vladimir Putin, i cili 70 vjet më vonë do të nis pushtimin e Ukrainës dhe tentimin për të zhdukur kombin ukrainas, duke e futur Evropën në krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.
Më 1952 vdesë nobelisti norvegjez, shkrimtari Knut Hamsun, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore bëhet simpatizant i nazistëve. Pas mbarimit të luftës, shteti e akuzoi atë për tradhti, por nuk u dënua meqë u shpall se është mendërisht i sëmurë.
Më 1952 vdesë edhe Hafiz Ibrahim Dalliu – hoxhë, intelektual dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Dalliu studio në Stamboll. Pas mbarimit të studimeve emërohet imam i Tiranës dhe mësues në shkollën fillore të këtij qyteti që drejtohej nga Filip Ashiku. Më 1908 hapi shkollën për mësuese të vajzave. Ishte pjesë e partisë “Bashkimi”, që aspironte mëvetësinë kombëtare në kohën e shpalljes së Kushtetutës (Hyrjetit). Në vitin 1909, ishte një ndër delegatët e Tiranës në Kongresin e Elbasanit, ku u vendos edhe hapja e Shkollës Normale e ku u emërua mësues. Gjatë viteve 1909-1911 u arrestua disa herë nga regjimi osman, si veprimtar për arsimin shqip dhe për çështjen kombëtare. Gjatë arrestimeve iu sekuestruan materialet didaktike dhe shtypi patriotik në gjuhën shqipe. Ishte imam, por mjedisin fetar e shfrytëzoi si shkollë ku u mësonte fëmijëve gjuhën shqipe, sipas alfabetit latin – sipas vendimit të Kongresit të Manastirit. Në vitin 1911 u burgos nga regjimi osman në Manastir dhe më pas edhe në kështjellën e Selanikut ku u lidh me zinxhirë dhe u akuzua si “Hoxhë kaur”. Pas disa muajve u lirua nga burgu, për shkak të përpjekjeve Hasan Prishtinës dhe Mihal Gramenos. Pas vitit 1912, drejtoi gazetën “Dajti”, ndërsa ishte pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kombëtar, më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Regjimi komunist e gjeti si mësues në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës. U arrestua në fillim të shkurtit të vitit 1948 dhe u dënua me pesë vjet burg “për faje penale kundër popullit e shtetit – agjitacion e propagandë”, me konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile për tre vjet. Ndonëse në moshë të shtyrë, torturohet pa mëshirë për shtatë muaj. Në fund të vitit 1948 lirohet nga burgu, si i gjymtuar.
Më 1952 vdesë edhe Gani bej Kryeziu, luftëtar i rezistencës antikomuniste. Ishte vëllai i Saidit, Hasanit dhe Ceno bej Kryeziut, që të gjithë bij të Riza bej Kryeziut që ishte pjesë e luftës për pavarësinë e Shqipërisë, por që, sipas Hasan Prishtinës, ishte fanatik fetar që çështje kryesore kishte lirimin e Sulltanin Hamidit II nga burgu i Selanikut. Ganiu studioi në një akademi ushtarake në Sarajevë dhe shërbeu në ushtrinë serbe në fillim të viteve 1920, po ashtu si adjutant i mbretit serb Aleksandri I. Për një kohë të shkurtër shërbeu edhe në Shqipëri, gjatë vitit 1925, pas Revolucionit të Qershorit dhe pas kthimit të Ahmet Zogu në pushtet, me ndihmën e serbëve. Pas vrasjes së vëllait të tij në Pragë, më 1927 – nga Alqiviadh Bebi që ishte agjent i Zogut – bëhet armik i regjimit zogist. Në vitin 1932, ai dhe vëllai i tij u dënuan me vdekje në mungesë, për kinse përpjekje për të prishur rendin e brendshëm të Shqipërisë. Me pushtimin italian të Shqipërisë iu bashkua rezistencës, duke mbajtur kontakte të ngushta me inteligjencën britanike. Ishte armik i komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë. Partizanët shqiptarë e kapën në vitin 1945, ia dorëzuan komunistëve jugosllavë të cilët e dënuan me vetëm pesë vjet punë të rëndë. Thuhet se shpëtoi nga britanikët.
Sipas studiuesit Bajram Mjeku, Aleksandar Rankoviqi i dërgoi telegram Miladin Popoviqit dhe Fadil Hoxhës. Në telegram thuhej: “Urgjentisht na lajmëroni pse e burgosët Gani Beun dhe pse e pushkatuat vëllain e tij Hasanin së bashku me njëzetedy shoqëruesit e tij”. Se ç’rol kishte Fadil Hoxha në eliminimin e Kryezinjëve, flet më së miri letra e tij drejtuar Liri Gegës më 23 shtator të vitit 1944, i cili për vëllezërit Kryeziu shprehej kështu: “Nuk kanë besim se me çlirimin e Jugosllavisë, Kosova do ta fitojë lirinë dhe Kosovën e quajnë pjesë të pandame të Shqipnisë”. Fadil Hoxha përmes letrës drejtuar Liri Gegës veçse konfirmon frymën e vëllezërve Kryeziu për një Kosovë të bashkuar me Shqipërinë. Gjatë qëndrimit të tij në burgun e Mitrovicës së Sremit, Gani Kryeziu pati oferta nga udhëheqja jugosllave për rrëzimin e pushtetit në Shqipëri, më saktë nga Sllobodan Peneziqi i njohur me nofkën “Kërcun”. Peneziqi ishte njeriu i dytë në hierarkinë e UDB-së jugosllave, por që të gjitha këto i refuzoi Gani Kryeziu, derisa të burgosurve shqiptarë u thoshte: “Më mirë në vorr se sa horr!”
Më 1952, në burgun e Burrelit vdiq edhe ish-deputeti dhe ish-ministër i shtetit shqiptar, Qemal bej Vrioni.
Viti 1952 është vit i rënd për shqiptarët e Kosovës, meqë fillojnë shpërnguljet masive për në Turqi.
VITI 1962: MOMENTI MË I RREZIKSHËM I LUFTËS SË FTOHTË
Në Kosovë, më 1962 fillon vaksinimi kundër difterisë, si sëmundje e rëndë ngjitëse. Numri i të infektuarve zvogëlohet gradualisht, ndërsa në vitin 1980 regjistrohet pacienti i fundit me këtë sëmundje. Ndërkaq, Shqipëria rreshtohet pas Kinës komuniste dhe bëhet zëdhënëse e saj në OKB, meqë atëherë Tajvani ishte i pranuar si shtet në këtë organizatë.
Më 1962, Papa Gjoni John XXIII shkishëron Fidel Castron, ndërsa ShBA-ja shpall embargon ekonomike ndaj Kubës. Kuba më 1962 ishte shteti i cili për pak sa nuk e çoi botën në holokaustin bërthamor. Fjala është për atë që njihet si Kriza Kubane e Raketave, që kulmon më 27 tetor. Sipas historianit Arthur Schlesinger, ky ishte momenti më i rrezikshëm i Luftës së Ftohtë dhe momenti më i rrezikshëm në historinë e njerëzimit. “Mendova se ishte e shtuna e fundit që do të shihja ndonjëherë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i administratës së John Kennedyt, Robert McNamara.
Gjithçka filloi disa muaj më parë, kur Bashkimi Sovjetik kishte filluar instalimin e raketave në Kubë – të afta për të mbajtur koka bërthamore – më pak se 150 kilometra larg brigjeve të Floridës, që mund të goditnin të gjitha qytetet e bregut lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Kubë, njerëzit e Fidel Castros kishin marrë pushtetin në janar 1959, duke rrëzuar pro-amerikanin Fulgencio Batista. Pas përpjekjes së dështuar për të pushtuar Gjirin e Derrave, Kuba futet nën krahët e BRSS-së, shtet ky qe te Kuba shihte mundësinë e balancimit me Shtetet e Bashkuara (që me vendosjen e kokave bërthamores në Turqi, “kërcënonte” shumë qytete në Rusi dhe në republikat tjera sovjetike).
Fillimi zyrtar i krizës është data 14 tetor, kur një aeroplan amerikan spiun U-2 fotografoi një raketë që po instalohej në ishullin e Karaibeve. Kennedy më 16 tetor mblodhi një komitet ekzekutiv të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Vendimi për të mos lejuar BRSS-në që të instalonte raketat, ishte unanim. Por, konfrontimi do të kishte ndezur një luftë botërore midis fuqive që zotëronin armët bërthamore. Prandaj, Kennedy hodhi poshtë opsionin e drejtpërdrejtë ushtarak, duke preferuar atë të “karantinës” detare të Kubës, me ndalimin e anijeve të çdo kombësie për t’iu afruar ishullit pa iu nënshtruar inspektimit. Frika, veçanërisht në ShBA, bëri që njerëzit të krijojnë rezerva ushqimi dhe karburanti.
Kulmi i krizës u arrit të shtunën, më 27 tetor, kur një tjetër aeroplan U-2 u godit mbi Kubë, ndërkohë që një forcë e gatshme për sulm ishte gati të nisej nga brigjet amerikane për në ishull. Mirëpo, Rusia vendosi të tërhiqej, nëse Shtetet e Bashkuara premtonin të mos pushtonin ishullin. Kështu ndodhi. Mëngjesin e së dielës, më 28 tetor, “Radio Moska” transmetoi përgjigjen e liderit sovjetik Nikita Khrushchev se, për të eliminuar çdo kërcënim, për kauzën e paqes, urdhëroi heqjen e raketave nga Kuba dhe transferimin e tyre në Bashkimin Sovjetik. Më pas – në realitet disa vjet më vonë – u mësua se ShBA-ja u pajtua të largonte raketat “Jupiter” nga Turqia.
Pas kësaj krize, Kuba zëvendëson ShBA-në me BRSS-në si partner kryesor ekonomik. Castro e aplikon në Kubë marksizëm-leninizmin, por jo edhe pas vitit 1974. Atëherë e refuzon formulën marksiste “nga secili sipas mundësive dhe për secilin sipas nevojave të tij”, me urdhrin që secili kuban duhet të “marrë sipas punës së vet”. Në vitet 1976-1981, Castro ishte i involvuar në revolucione dhe në kriza revolucionare në Afrikë, duke dërguar ushtrinë e tij si surrogat sovjetik.
Meqë u përmend Kennedy, një delegacion i grave mban në OKB ligjërata ku thonë se ato mund të jenë gra-kryetare. Kjo i kishte shkuar disi në nerva kryetarit amerikan, prandaj reagon: “Jam shumë nervoz se si flisni për gratë që janë aktive në politikë … a duan ato që të cilësohen si gra apo si politikane”?
Pas 132 vjetëve si pjesë e Francës, tensionet midis Francës dhe popullsisë algjeriane çuan në fillimin e Luftës Algjeriane e cila përfundoi me marrjen e pavarësisë së Algjerisë më 5 korrik 1962: krijimin e Republikës Demokratike Popullore më 20 shtator 1962. Presidenti i parë i vendit emërohet Ahmed Ben Bella. Mirëpo, Franca ende e ka barrën e pashkarkuar nga fajësia kolektive për 1.5 milionë algjerianë të vrarë gjatë luftës antikoloniale më 1954-1962.
Më 7 prill 1962, riarrestohet bashkëpunëtori i dikurshëm i ngushtë i Titos, Millovan Gjilas. Babai i tij ka vrarë Isa Boletinin. Gjilasi për këtë ka shkruar: “Beteja e Isës me ushtarët e tij vullnetarë nuk kishte vazhduar shumë, pavarësisht heroizmit të rreptë të shqiptarëve. Nga kjo goditje kishte rënë udhëheqësi i tyre dhe besnikët e tij të devotshëm. Njerëzit më të afërt të Isës ishin likuiduar dhe të tjerët ishin shpërndarë në katër anë. Isa Boletini ishte vrarë, por kishte luftuar trimërisht, madje për një kohë të gjatë, pavarësisht se kishte mbetur i vetëm në rrugë të madhe. Ashtu, i plagosur, ishte ngritur në gjunjë dhe sado që nuk kishte fuqi për të mbajtur pushkën, qëllonte me revole që të paktën të vriste ndonjë prej armiqve, para se të jepte shpirt. Babai im ishte turrur me vrap drejt tij dhe shqiptari i pamposhtur e kishte kaluar revolen në dorën e majtë, por nuk kishte pasur kohë të hapte zjarr. Një ushtar e kishte vënë në shenjë dhe Isa bie përdhe. Babai ishte afruar me vrap dhe Isa e kishte vështruar me sytë e mëdhenj dhe të përgjakur, kishte thënë çka në gjuhën e tij amtare dhe në atë çast kishte dhënë shpirt”!
Gjilas më 1948 ishte pjesë e delegacionit jugosllav që viziton Josip Stalinin në Moskë. Për këtë takim, Gjilasi ka shkruar: “Unë fillova të shpjegoj: ‘Nako Spiru iu ka kundërvënë lidhjes së Shqipërisë me Jugosllavinë, është izoluar në Komitetin e tij Qendror’. Mirëpo, as nuk kisha mbaruar, kur Stalini në befasinë time tha: ‘Ne nuk kemi kurrfarë interesash të veçanta në Shqipëri. Ne pajtohemi që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë’! Me atë rast ai i tuboi gishtat e dorës së djathtë dhe duke i bartur kah goja, bëri me ta gjestin e gëlltitjes. Mua më befasoi, ajo mënyrë e shprehjes së gjestit të gëlltitjes nga ana e Stalinit, por nuk e di nëse kjo vërehej edhe në fytyrën time, sepse u përpoqa që tërë atë ta kthejë në humor dhe ta kuptojë si të zakonshme mënyrën e shprehjes figurative të Stalinit. Përsëri shpjegova: ‘Nuk është fjala për gëlltitje, por për bashkim’! Mirëpo, me këtë rast ndërhyri (Vyacheslav) Molotovi: ‘Po, kjo është gëlltitje’! Kurse Stalini, sërish me atë gjestin e tij: ‘Po, po, gëlltitje. Mirëpo, ne me atë pajtohemi. Ju duhet ta gëlltitni Shqipërinë, sa më parë aq më mirë’”.
Më 9 korrik u ekspozua vepra revolucionare e pop-artistit Andy Warhol: “Kanaçet e supës së Campbell”. Fjala është për 32 kanavaca të shtypura. Që më 1960, Warhol kishte eksperimentuar me këtë teknikë, me reprodukimet që ngjanin me stripat amerikan. Por, e vërteta është se Warhol e përdorte këtë supë për çdo ditë në drekë, për njëzet vjet rresht. Përsëritja nuk e pengoi; “e njëjta gjë pa pushim” ishte ajo që kërkoi. Konsumi ishte dhe është zemra e shoqërisë amerikane, dhe Warhol këtë dëshironte: të fuste në art konsumin real masiv.
Më 1962 arrestohet Nelson Mandela, me urdhër të pushtetit të Afrikës Jugore. Po këtë vit, nis pushtimi i botës nga grupi anglez The Beatles. Më 1962 lansohet singli “Love me Do”. Me këtë grup ndodhi gabimi më i madh në historinë e muzikës: The Beatles disa nga incizimet i dërgon tek kompania diskografike “Decca”, njëra prej më të rëndësishmet të viteve të ‘60-ta të shekullit të kaluar. Përgjegjësi për grupet e reja pranë “Decca Recording Company”, në këtë mënyrë do t’i përgjigjet ofertës: “Nuk më pëlqen tingulli i tyre … Pastaj, grupet me kitara elektrike janë në perëndim e sipër…”. Supozohet që ky ka qenë vlerësimi më i gabueshëm në historikun e muzikës rok. The Beatles pas këtij refuzimi do të nënshkruajnë kontratën me “Parlophone”, që ishte pjesë e shtëpisë së madhe diskografike “EMI”. Në karrierën e tyre tetëvjeçare, The Beatles do të incizojnë 205 këngë dhe do të shesin qindra milionë kopje albumesh. Përndryshe, “Decca” nuk do ta bëjë të njëjtin gabim me The Rolling Stones, në fillim të karrierës së tyre.
Në vitin 1962 doli një teori e çuditshme që thotë se dituria mund të hahet! Psikologu shtazor dhe biologu James McConnell, kinse i mësoi skrrajat shpatuke për një refleks të caktuar dhe pastaj i mbyste ato duke ua dhënë skrrajave tjera të pamësuara për t’i ngrënë ato të mbyturat; kështu, edhe skrrajat e pamësuara veçse e dinin më pas refleksin e tillë!
Po më 1962, “revista nga Hamburgu” – siç e quanin të gjithë ata që nuk donin t’ia përmendnin emrin – botoi një tekst kritik mbi një manovër të NATO-s dhe mbi gjendjen e keqe të Ushtrisë gjermane (Bundeswehr). Pushtetarët e atëhershëm, një qark katolikësh konservatorë të Unionit Demokristian, marshuan kundër “Der Spiegel”-it. Në parlament (Bundestag), kancelari i atëhershëm Konrad Adenauer u zemërua për tradhtinë e “Der Spiegel”-it. Botuesi Rudolf Augstein u arrestua dhe qëndroi në burg për 103 ditë. Para selisë së “Der Spiegel”-it, njerëzit protestuan: “Nëse vdesë ‘Der Spiegel’, atëherë vdesë liria”. Sulmi i shtetit kundër shtypit i kushtoi shtrenjtë qeverisë. Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, bavarezi Franz-Joseph Strauss, u detyrua të japë dorëheqje.
Më 4 gusht 1962, Marilyn Monroe gjendet e vdekur, në apartamentin e saj. ishte 36 vjeçe. Versioni zyrtar i vdekjes së saj është se ajo bëri vetëvrasje, duke përdorur barëra për qetësim, pa të cilat nuk mund të flinte. Megjithatë, sot e kësaj dite, vdekja e saj cilësohet si enigmatike dhe e pasqaruar deri në fund. Shumëkush është i prirë të lidhë vdekjen e saj me lidhjet që kishte me vëllezërit Kennedy – presidentin e ShBA-së, John, dhe me vëllain e tij, kryeprokurorin Bob. Këto afera i shkaktuan, sipas të gjitha gjasave, kriza të mëdha nervore. Lidhja e saj me Bobin ka shkaktuar lansimin e teorive sipas të të cilave Marilynit i ishte mërzitur jeta edhe për shkak të insistimit të Bobit që patjetër të ndahet prej saj. Sidoqoftë, popullariteti i saj nuk pësoi fare rënie pas vdekjes. Përkundrazi. Filmat e saj janë përherë shumë të popullarizuar, ndërsa CD-të me muzikën e filmave, ku edhe kjo këndon, janë gjithmonë të mirëpritur nga publiku.
Në vitin 1999, kur Magazina “Playboy” – më e njohura në botë për “shijen mashkullore” – bëri përzgjedhjen e njëqind femrave më joshëse të shekullit XX, Marilyn Monroe pothuaj nuk kishte konkurrencë të denjë. Ajo pra u shpall si Njëshi i botës femërore në qindvjeçarin e kaluar. Por, pakkush mund të kontestojë që ajo vdiq si femra më e famshme dhe njëkohësisht më fatkeqe në Amerikë.
Monroe në paraqitjet e saj publike dukej shumë e lumtur, e dëlirë, e kënaqur me jetën e saj, e pabrengë. Por, në jetën reale ishte tjetër. Ishte femër shumë neurotike e cila nuk arrinte dot të kontrollojë sjelljet dhe karrierën. Gati gjithmonë e dehur dhe e droguar, Marilyn u pat shndërruar në problem të madh gjatë xhirimit të filmave. Për karakterin e saj problematik dhe mëdyshjet se çfarë duhet të bëjë me jetën, flet edhe fakti që ishte e martuar me sportistin (bejsbollistin Joe Dimaggio) dhe me dramaturgun më të njohur amerikan (Arthur Miller), profesione këto që të thuash nuk kanë asgjë të përbashkët.
Sidoqoftë, askush nuk mund të kontestojë një meritë të madhe që ka Marilyn Monroe: Paraqitja e saj ndërroi pikëpamjen për seksin në tërë Amerikën dhe në mbarë botën. Ajo për herë të parë nisi të komunikojë hapur për seksin, me opinionin amerikan. Marilyn Monroe nuk është njeriu i parë dhe as i fundit që pësoi prej famës së madhe. Sipas të gjitha gjasave, këtë titull më së pari e meritoi filozofi antik, Sokrati, i cili vërtet u dënua me vdekje, pasi që fama e tij ishte e papërballueshme për Athinën antike. Por, pakkush si Marilyn Monroe ka vazhduar të jetë i famshëm edhe pas vdekjes. Ajo erdh dhe u bë një ikonë moderne, falë edhe manipulimeve artistike të Andy Warholit. Aq më tepër, imitimi i saj, është një trend i cili vazhdon të jetë i fuqishëm në Hollivud dhe gjetiu.
Kur është fjala te seksi, në vitin 1961 shikuesit për herë të parë panë “puthjen franceze” në ekran: Protagonistë ishin Warren Beatty dhe Natalie Wood në filmin “Splendor in the Grass”. Por, tek në vitin 1962 u lejua që një çift të dalë në TV, së bashku në shtrat. Ishin këta Hermand dhe Lily Munster, në një serial televiziv.
Më 1962 jepet premiera e filmit të parë për agjentin James Bond. Është fjala për filmin “Dr. No”. Kështu filloi Revolucioni Bond. Të njëjtin vit lindin aktorët Jim Carrey, Tom Cruies, Steve Carell, Jodie Foster, Ralph Fiennes dhe Demi Moore; këngëtarët Axl Rose, Jon Bon Jovi dhe Paula Abdul.
Më 1962 lindin atdhetarët shqiptarë të Kosovës: Mehë Uka, Hakif Zejnullahu dhe Zahir Pajaziti. 60 vjet më vonë, revista e famshme “National Geographic”, nga 2 238 899 fotografi të dërguara, nga më të mirat përzgjedh njërën nga Llapi. Fotografia shoqërohet me këto fjalë: “Lladovc, Kosovë: Një Lladë është mbyllur në një kuti xhami, në një memorial për heronjtë e hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Vetura mbante anëtarët e UÇK-së, Zahir Pajazitin, Edmond Hoxhën dhe Hakif Zejnullahu, kur u zunë në pritë nga forcat serbe më 1997.”
Më 1962 lindi edhe gazetari dhe publicisti i njohur Tim Judah, njohës i rrethana për Kosovën dhe autor i shumë librave.
Ndërsa, këtë vit vdesin shkrimtarët William Faulkner dhe Hermann Hesse; fituesi i Nobelit për Fizikë më 1922, Niels Bohr; si dhe nazisti Adolf Eichmann. Ky i fundit në mbrojtje thotë se ka bërë atë që i kanë thënë. Kjo deklaratë e ka shtyrë psikologun amerikan Stanley Milgram, t’i hulumtojë dëmet që i shkakton bindja ndaj autoriteteve. Eichmann gjatë gjykimit në Izrael fotografohet nga shqiptari Gjon Mili.
VITI 1972: VITI I MBRAPSHTË
Në Kosovë shpërthen epidemia e Variola Verës, që në popull njihet si lija e keqe. Shumica e njerëzve me këtë sëmundje u shëruan, por afërsisht tre nga çdo 10 persona të infektuar, vdiqën. Të mbijetuarit nga kjo sëmundje mbetën me plagë të përhershme mbi zona të mëdha të trupit, veçanërisht në fytyrë. Disa madje u verbëruan. Përmes vaksinimit, sëmundja u zhduk në vitin 1980. Besohet se me të u infektua një pelegrin shqiptar, që në Lindje të Mesme kishte vizituar vendet e shenjta. Dyshohet po ashtu se Variola erdhi nga Beogradi. Thuhet se 35 vdiqën në Kosovë. Për mbrojtje, u imponua edhe karantina. Për këtë ngjarje u bë filmi “Variola Vera”, me regji të Goran Markoviqit. Në të paraqitet një pelegrin, që blen nga një arab një fyell.
Po më 1972, Shqipëria merr për herë të parë pjesë në Lojërat Olimpike Verore, në Munih të Gjermanisë. Në këto lojëra do të ndodhë ajo që njihet më vonë si Masakra e Munihut: terroristët palestinezë sulmojnë përfaqësuesit e ekipit olimpik izraelit. Anëtarët e organizatës palestineze, Shtatori i Zi, pushtojnë fshatin Olimpik më 5 shtator dhe marrin peng 11 atletë dhe trajnerë izraelitë, dy prej të cilëve vdesin në dy orët e para të aksionit. Shtatori i Zi e quajti operacionin “Ikrit dhe Biram”, sipas dy fshatrave të të krishterëve palestinezë, banorët e të cilave u vranë ose u dëbuan nga forcat e Izraelit në vitin 1948. Autoritetet gjermane u përpoqën të lironin pengjet tjera, por pa sukses. Gjatë operacioni u vranë nëntë pengje, pesë terroristë dhe një polic. Në veprimet hakmarrëse të ndërmarra nga izraelitët ndaj personave që ishin të lidhur me masakrën, u vranë edhe disa persona tjerë, dy prej të cilëve ishin të pafajshëm.
Më 1 janar 1972, Kurt Waldheim emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, një lajm për të trondit botën: Kurt Waldheim, ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, që këtë post e ushtroi në dy mandante (1972-1981), ishte bashkëpunëtor dhe oficer i lartë nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, përgjegjës për krime! Hakif Bajrami, historian nga Kosova, ishte ndër ata historianë që hodhi njolla ndaj figurës së këtij diplomati, të nderuar e të dekoruar nga personalitete të shumta botërore. Këto lajme kanë dalë pikërisht në kohën kur Bajrami ishte kryetar i Komisionit të Historianëve që merreshin me shkrimin e historisë së Partisë Komuniste të Kosovës. Bajrami atëbotë është thënë se kishte lejen e Ali Shukriut – komunistit luajal i politikës serbe – për të hulumtuar arkivat e Beogradit. Ndaj, ende ekzistojnë dyshimet se publikimet që ndërlidhen me figurën e Waldhemit, i ishin servuar Bajramit për interesa të politikës së asaj kohe, pikërisht në kohën kur ish-Sekretari i OKB-së vazhdonte karrierën politike si president i Austrisë. Më 7 shkurt të vitit 1988, Agjencia Telegrafike Hebraike (JTA) raporton se Waldheim ka marrë pjesë në ekzekutimin e 104 shqiptarëve më 1944. Por, historianët gjermanët që nisën të hulumtojnë të kaluarën e Waldheimit, nuk mundnin të gjenin dokumentet që e ndërlidhin atë me deportimin e civilëve të ish-Jugosllavisë në kampet e punës dhe të vdekjes. Zyra e Waldheimit (Presidenca austriake), siç raportonte JTA, ka mohuar këto akuza që janë publikuar edhe nga javorja gjermane “Der Spiegel”. Bajrami, që ishte drejtor i Arkivit të Kosovës, thoshte se i ka dokumentet, por nuk i ofronte. Bajrami po ashtu kishte refuzuar të bashkëpunonte me një komision ndërkombëtar të historianëve, të formuar nga Austria, për të hulumtuar të kaluarën ushtarake të Waldheimit. Një gjë dihet: në Arkivin e Kosovës ekziston dokumentacioni i mediave të dikurshme serbe (p. sh. “Politika”), ku si armik kryesor i interesave serbe përmendet Austria, sepse ishte pikërisht ky shtet që luftonte për interesat e shqiptarëve.
Në vitin 1972 ndodhë edhe një masakër tjetër: Ushtria britanike vret 13 marshues të paarmatosur në Deri të Irlandës Veriore. Ngjarja sot njihet si E Diela e Përgjakshme, për të cilën grupi U2 ka kënduar një këngë me këto vargje: “Dhe është e saktë se kemi imunitet / Derisa fakti është fiksion e TV realitet / Edhe sot miliona dënesin / Ne jemi shend e verë e ata edhe të nesërmen vdesin / Beteja e përnjëmendtë sapo ka filluar / Për të pohuar ngadhënjimin Jezui ka fituar / Një të diele, të diele të përgjakshme / Të diele, të diele të kobshme”. Por, më 1972 ndodhë edhe fatkeqësia e madhe apo Ikiza: vrasjet masive, shpeshherë të cilësuara si gjenocid, të cilat u kryen në Burundi më 1972 nga tutsit – që dominonin ushtrinë dhe qeverinë – kundër hutuve të arsimuar dhe elitarë që jetonin në vend. Vlerësohet se u vranë deri në 300 mijë persona. Ndërkaq, diktatori i Ugandës, Idi Amini, shpalli dëbimin e 50 mijë aziatikëve nga vendi. Sikur këto të këqija të mos mjaftonin, presidenti pakistanez Zulfikar Ali Bhutto shpall programin e Pakistanit për armët bërthamore.
Po më 1972, një i çmendur me emrin Jean-Bédel Bokassa, bëhet president i Republikës Qendrore Afrikane dhe vendin do ta fusë në kaos. Më 1976 e shpall veten perandor. Jetimi i shkolluar në një mision fetar, ishte ushtarak trim, por miqtë thonë se ishte shumë budalla. Ceremonia e shpalljes perandor sipas modelit të heroit të tij, Napoleonit, kushtoi 80 milionë dollarë dhe kjo e çoi vendin e varfër në falimentim. Vetëm kurora e artë kushtonte 20 milionë dollarë. Pa i bërë tri vjet si “perandor”, francezët vendosën ta rrëzojnë nga pushteti. Por, çfarë ka bërë ky për popullin e vet? Në vitin 1979 arrestoi qindra fëmijë pasi nuk kishin blerë uniformat te një kompani në pronësi të një prej grave të tij; mbikëqyri procesin e masakrimit të 100 fëmijëve; kundërshtarët ua hidhte luanëve për ushqim; hante mish njeriu …
Më 1972 vdesë shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Nonda Bulka, si dhe dramaturgu i famshëm rumun që kishte origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu. Veprat e Eftimiut janë përkthyer në shumë gjuhë tjera, ndërsa dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë në shumë kryeqytete të botës. Më 1972 vdesë edhe poeti i famshëm Ezra Pound – një nga poetët më të mëdhenj modernistë në gjysmën e parë të shekullit XX, i njohur mirë si një nga themeluesit e lëvizjes poetike të imazhizmit. Por, ishte edhe kontrovers meqë kishte mbështetur fashizmin dhe aktivitetet propagandistike të fuqive të Boshtit në Luftën e Dytë Botërore. Po më 1972, në Grac të Austrisë vdesë edhe studiuesi dhe publicisti nga Kosova, Krist Maloki. Në vitin 1962 Maloki vizitoi Shqipërinë “me mendimin se, me të dalë në pension, ai mund të shkonte bashkë me të shoqen në Shqipëri”. Ai i pati rrëfyer se “në Grac jetonte i izoluar, dhe se dëshironte të kalonte pensionin në Shqipëri, ku kishte shokë të shkollës, si Eqrem Çabejn”. Miqësinë me këtë të fundit e kishte filluar në vitet 1930, kur të dy studionin në Grac. Në fund të viteve 1930 të dy kishin dalë në shtypin e specializuar shqiptar me shkrime në lëmin e kritikës letrare dhe për vendin e Shqipërisë midis Lindjes dhe Perëndimit. Një raport i CIA-s sjell një bisedë midis Krist Malokit dhe Spiro Kolekës, udhëheqës i lartë komunist. Në atë kohë, në rend të ditës shtrohej pyetja se nga do të anonte Shqipëria: kah Lindja apo kah Perëndimi? Maloki thotë se “Shqipëria nuk mund të jetonte me prodhimet e veta sepse ishte vend malor … Po të çelni toka të reja ju do të shkatërroni kullotat malore, sepse të punosh tokën në mal dhe kodër do ta rrezikonte atë nga shirat dhe erozioni … Shqipëria duhet të fuqizojë blegtorinë dhe ta lidhë ekonominë e saj me Evropën Perëndimore…”. Gjatë udhëtimit Maloki “vizitoi disa qytete në Shqipëri, duke vërejtur se, me gjithë progresin e arritur, populli jetonte në një regjim terrori dhe frike”. Nga kjo vizitë, me këshillat e françeskanit Justin Rrota, ai dekurajohet që të jetojë në Shqipëri. Po ashtu, jetën në Tiranë nuk ia donte as gruaja. Kështu dështon Shqipëria komuniste për ta bërë për vete këtë intelektual të çmuar që vlerësohej në Kosovë.
Më 1972 vdesë edhe presidenti i 33-të amerikan, Harry S. Truman. Mbahet mend për lejimin e përdorimit të bombës atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki. Trumani e fitoi fituar luftën ndaj Japonisë. Disa thonë se bomba atomike e frikësoi Josip Stalinin e BRSS-së, gjë që frenoi ambiciet e tij për ta pushtuar Japoninë.
Më 1972 arrihet një rekord i çuditshëm Ginisi: stjuardesa jugosllave Vesna Vuloviq, është e vetmja e mbijetuar nga aeroplani që shkatërrohet nga një shpërthim bombe, mbi ajrin e Çekosllovakisë. Ajo mbijetoi edhe pse aeroplani bie nga lartësia prej mbi 10 mijë metrave. Kështu mban rekordin e Ginisit për mbijetesë nga rënia nga lartësia më e lartë, pa parashutë. Thuhet se shpëtoi meqë ishte e lidhur për karrigen në radhët e fundit të aeroplanit që, pas shpërthimit, mbeti lidhur për pjesën e tualetit dhe bie në një mal të mbuluar nga bora. Rekord shënon edhe vetura Volkswagen Beetle (Buba) që tejkalon shitjet e Modelit T të Ford-it. Deri në shkurt 1972, prodhimi i kësaj veture arrin në numrin 15 007 034. Po në shkurt të të njëjtit vit, presidenti amerikan Richard Nixon nisi vizitën tetëditore në Republikën Popullore të Kinës ku takon Mao Zedongun. Ndërsa, Bobby Fischer mund rusin Boris Spassky në Reikjavik të Islandës dhe bëhet kampioni i parë amerikan i shahut në botë. Edhe për këtë ballafaqim është realizuar një film. Fischer ishte hero i ri amerikan, por më 1992 bën një gabim të madh: ballafaqohet me Spasskyn në Shën Stefan të Malit të Zi, duke thyer sanksionet e OKB-së ndaj asaj që quhej Jugosllavi. Amerikanët lëshojnë fletarrest për të dhe ai nuk kthehet më në ShBA.
Më 1972 lindi Sharbat Gula që do të njihet më vonë si Vajza Afgane, sipas portretit të famshëm që fotografi amerikan Steve McCurry bën për revistën “National Geographic”. Fotoja realizohet në një kamp të refugjatëve afganë që kishin ikur nga lufta kundër sovjetikëve. Gula ishte 12 vjeçe. Më 1972, fotografi tjetër i luftës, Nick Ut që raportonte nga Lufta e Vietnamit, fiton çmimin Pulitzer për foton që njihet si Vajza e Napalmit dhe që publikohet nga agjencia “Associated Press”. Në foto shihet nëntëvjeçarja Phan Thi Kim Phuc, e tmerruar teksa vrapon lakuriq rrugëve pas djegies me napalm.
Më 1972 lindin aktorët Jude Law, Gwyneth Paltrow, Idris Elba, Cameron Diaz, Ben Affleck, Sofía Vergara; futbollisti Zinedine Zidane dhe këngëtari Eminem. Më 1972 lindi edhe luftëtari i UÇK-së, Adrian Rexhep Krasniqi, që vritet gjatë një aksioni të sulmit ndaj postës policore serbe në Kliçinë, më 16 tetor të vitit 997.
VITI 1982: VRASJA E JUSUF GËRVALLËS, KADRI ZEKËS DHE BARDHOSH GËRVALLËS
Më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë vriten vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, si dhe Kadri Zeka. Bardhoshi dhe Kadriu vdesin në vendin e ngjarjes, Jusufi më vonë.
Jusuf Gërvalla lindi më 1 tetor 1945 në Dubovik, Komuna e Deçanit. Shkollën fillore e mbaroi në Prapaçan. Kur kishte vetëm gjashtë vjet, i vdesë i ati. Më 1959 familja e tij shpërngulet për në Slloveni, ndërsa ai mbetet në Kosovë, te daja i tij në Pejë, për të mbaruar shkollimin. Pasojat e ndarjes nga familja dhe nga vendlindja përshkruhen me këto vargje: “E kam braktis vendlindjen / E kam braktis shtëpinë / Shkrepave tuaja të larta / Peng ua lashë fëmijërinë”. Apo: “Dhe kështu u prenë rini e rritë / Nëpër botë pastaj si njeri i vogël që jam / Me një det këngësh që më vlojnë në gji / U nisa, baba, në kullën dikur si zgurr / Ja kaq i vogël, po edhe burrë”.
Pasi mbaron shkollën e mesme në Pejë, regjistron fakultetin në Prishtinë. Ndërkohë fillon të punojë në Teatrin e Kosovës, si pëshpëritës. Në këtë cilësi, më 1969, bashkë me Trupën e Teatrit shkon në ndëshkimoren e Nishit për të shfaqur para të burgosurve dramën e njohur “Duke pritur Godonë”. Jusufi shfrytëzon rastin për t’u dërguar burgosurve politikë këtë mesazh: “Mbahuni e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po vjen”. Mirëpo, me t’u kthyer kupton se letra kishte rënë në dorë të policisë. E marrin në pyetje, bëjnë presion mbi të dhe për pasojë e heqin nga puna. Më 1971 punësohet në Shkup, si përkthyes në “Flakën e vëllazërimit”. Më 1973 fillon të punojë në “Rilindje”, ku më 1978 bëhet redaktor i faqes për radion dhe televizionin. Ishte këngëtar me emër në estradën e Kosovës. Më 1975 botoi përmbledhjen e parë “Fluturojnë e bien”, më 1978 “Kanjushë e verdhë”, më 1979 “Shenjat e shenjta”. Ndërkaq, romanin e parë “Dy florinj të një dashurie” e shkroi më 1975, por nuk u botua. Edhe romani tjetër “Rrotull” u botua vetëm pasi e vranë. Gjithashtu, pas vdekjes u botua edhe drama “Procesi”.
Më 14 dhjetor 1979, kur u bënë arrestimet e pjesëtarëve të LNÇKVShJ-së, kupton se e pret arrestimi dhe largohet nga Kosova. Me ndihmën e Bardhoshit, nëpërmes tunelit të Goricës kalon në Austri dhe pastaj në Gjermani, ku kërkon strehim politik. Më 17 janar 1980 tek ai shkon edhe familja e ngushtë: e shoqja Syzana dhe fëmijët Premtoni, Donika dhe Ergoni.
Në mërgim Jusufi merret aktivisht me publicistikë. Do të ndihmojë në nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, më vonë të gazetës “Liria”. Në gusht të vitit 1980 nxjerr gazetën “Lajmëtari i Lirisë” (tre numra). Më 1 tetor 1981 nxjerr gazetën “Zëri i Kosovës” (dy numra).
Në verë të vitit 1980 bie në kontakt me një grup të organizuar ilegal në rrethin e Deçanit, konkretisht me Ismail Haradinajn nga Gllogjani. Këtij grupi Jusuf Gërvalla i dërgon materialet e organizatës dhe njëherësh disa qindra kopje të gazetës “Lajmëtari i lirisë” dhe përmes tij formon Komitetin e LNÇKVShJ-së për Komunën e Deçanit.
Plagoset në atentatin e 17 janarit 1982 dhe vdes pas katër orësh në spitalin e Heilbronit.
Kadri Zeka lindi më 25 prill 1953 në katundin Poliçkë, Malësia e Dardanës (Kamenicë). Shkollën fillore e mbaroi në Desivojcë. Meqë më 1968 familja e tij u shpërngul në Gjilan, ku mbaron shkollën e mesme. Më 1972 regjistrohet në Fakultetin Juridik të Prishtinës, Dega e Gazetarisë.
Më 1973 Kadri Zeka u takon radhëve të organizuara të “Grupit revolucionar”. Ishte në një celulë me Rexhep Malën, Hilmi Ramadanin dhe Hydajet Hysenin.
Ka punuar si gazetar në Radio Prishtinë, ndërsa ka marrë pjesë në marrjen e një shaptilografi në Prishtinë. Gjatë vitit 1974 nga Zvicra (ku kishte shkuar me pasaportë të falsifikuar) sjell një shaptilograf tjetër më praktik, me të cilin janë shumëzuar traktet e shpërndara.
Më 15 prill 1978 rrëmbehet Hydajet Hyseni në mes të tregut të Prishtinës dhe dërgohet në Lipovicë (Blinajë), në shtëpinë e gjuetarëve dhe merret në pyetje nga funksionarët më të lartë të UDB-së së Kosovës. Të nesërmen e lirojnë, kinse për të reflektuar. Të vetëdijshëm për rrezikimin e drejtpërdrejtë, që të dy arratisen. Meqë kishte pasaportë, Kadri Zeka shkon në Zvicër, në qytetin Sent Gallen ku ndihmohet nga anëtarët e organizatës, ndërsa Hydajeti vazhdon të jetojë ilegalisht në Kosovë.
Në Zvicër Kadriu vë kontakt me organizatat shqiptare në mërgim. Krahas kësaj, përgatiti botimin dhe shkroi vetë shumë artikuj për gazetën “Liria”. Kontribuoi në hartimin dhe shpërndarjen e “Tezave rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”. Me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të tij, mijëra ekzemplarë të këtyre publikimeve u futën dhe u shpërndanë në Kosovë.
Bardhosh Gërvalla lindi më 1951, në Dubovik. Ishte tetëvjeçar kur me familje mërgon në Slloveni. Atje mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në gjuhën sllovene. Pastaj u kthye në Kosovë dhe u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, ku studioi anglishten.
Gjatë kohës së studimeve këndoi e kompozoi këngë bashkë me të vëllain, Jusufin. Më 1974 shkoi në Gjermani, ku u punësua si punëtor social në Ludvigsburg. Aty pati rastin të takojë dhe të njohë shumë mërgimtarë nga Kosova. Me daljen e Jusufit jashtë, e vuri në kontakt me mediat dhe institucionet gjermane, i ndihmoi në sigurimin e mjeteve teknike për radhitjen dhe botimin e gazetave.
Ishte i mbrujtur me një kulturë të mirëfilltë perëndimore, gjë që i mundësonte të komunikojë me të huajt e të gjitha rangjeve. Disa herë rresht është përballur edhe fizikisht me konsujt jugosllavë, kur këta të fundit fotografonin demonstruesit ose përpiqeshin t’i pengojnë edhe me grushte aktivistët shqiptarë gjatë veprimtarisë së tyre.
Pas vetes la tre fëmijë.
Lagjja, ku kanë banuar vëllezërit Gërvalla, ka qenë një lagje e qetë, e banuar kryesisht me mësues, mjekë, inxhinierë … Në njërën hyrje të rrugës, në anën e majtë, ka pasur shumë garazhe, gjithashtu edhe përballë banesës dykatëshe të familjes Gërvalla. Ndërkaq, në fillim të kthesës ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave nga aty vëzhgonin.
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalë në atë kohë, siç i kanë thënë shoqes së Jusufit, Syzana Gërvalla, për ta bërë një telefonatë nga një kabinë e një fshati fqinj, ndoshta për të evituar përgjimin.
Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazh, kanë hipur në veturën të cilën e ka ngarë Bardhoshi. Për të dalë nga garazhi në rrugë, vetura për shkak të borës është dashur të ngjitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas, për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit. Këta të fundit kanë parë daljen e tyre, pastaj hyrjen në garazh dhe janë bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura ka ardhur së prapthi, përballë shtëpisë në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj. Sipas dëshmitarëve, ishin dy vrasës: njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën që ishte në ulësen e përparme, në anën e djathtë. Pastaj e kanë plagosur Jusuf Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba.
Një fqinj gjerman ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhoshin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur.
Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbroni.
Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3:00 të mëngjesit të datës 18 janar 1982, edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por, para se të vdesë, arriti t’i thotë policisë gjermane: “Neve na vrau UDB-a jugosllave”!
Vendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht, shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjët, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrje-dalje etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi.
Pasi është analizuar dosja, është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve, eliminuesve të gjurmëve të mundshme etj. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat dhe telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme. Synimi ishte që jo vetëm të fshihen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh mes përfaqësuesve të nëntokës etj.
Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës.
Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative ka qenë e përqendruar në duart e Stane Dollancit, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan, Franjo Herleviq, me kombësi kroate. Me ardhjen e Dollancit, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB-ja fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.
Sipas shumë burimeve, atentatin në Untergrupenbah e ka kryer Zheljko Razhnjatoviqi, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit). Që i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime … Duke qenë në vuajtje të dënimit, ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakolare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës. Nga krimineli me renome ndërkombëtare, me insistimin personal të Stane Dollancit bëhet oficer me ndikim të fortë në shërbimet serbe. Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Lubo Zemunac. Këta të dy, një vit më vonë e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat, Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar me sëpatë.
“Der spiegel”, më 25 janar 1982, raporton si në vijim: “Pas kroatëve në ekzil, si duket, qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme shqiptarëve në ekzil … Ishte shqetësuese ajo që kanë parë banuesit e komunës së Untergrupenbahut te Heilbroni: Vetura vazhdonte të uturinte, sepse shoferi e kishte këmbën ende në pedale të gazit. Pastaj, ai e lëshon si duket freksionin dhe vdes, kështu që vetura vazhdon të ecën derisa i mëshon një garazhi përballë. Vetura ndalet, motori fiket dhe mjedisi qetësohet. Policia ka gjetur në veturë: Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç, jugosllav, i goditur nga gjashtë plumba, qëndronte i vdekur pas timonit; bashkudhëtarin e tij, Kadri Zekën, 28 vjeç, i vrarë nga dy goditje me plumba në trup, dhe vëllain e shoferit, Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba. Tri viktimat u identifikuan shpejt dhe gjithashtu shpejt dihej edhe drejtimi i tyre politik: jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare, nga provinca e Kosovës, në jug të shtetit ballkanik dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisë së Beogradit. Edhe për autorët e vrasjes pati shënime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdesë, i kishte pëshpëritur policisë: ‘Ka qenë UDB-ja’ – policia sekrete jugosllave. Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibrit 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: ‘E tëra dukej si pas një ekzekutimi’. Është metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thotë snajperisti dhe instruktori i policisë nga Shtutgarti, Siegfried Hübner – duhet qëlluar me katër plumba, ‘tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërta – e domosdoshme dhe vdekjeprurëse’. Edhe kjo flet për UDB-në. Që shumë vjet grinden shërbimi sekret jugosllav dhe kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme. Në shumë raste, jugosllavët në ekzil i kanë sulmuar ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e qeverisë së tyre. Beogradi reagonte në krim dhe terror gjithmonë me të njëjtën mënyrë … Beogradi ua ka frikën grupeve në ekzil, të cilat janë vatër trazirash në shtetin shumënacional – dhe i lufton ato. Sidomos kroatëve që janë jashtë, vrasësit e shërbimit sekret ua kanë drejtuar pistoletat. Në shumë raste krimesh kundër kroatëve në ekzil është dëshmuar pjesëmarrja e Beogradit … Krahas kroatëve, tashmë në shënjestër të shtetit jugosllav janë edhe shqiptarët. Që nga pranvera e fundit, kur shqiptarët rezistuan në provincën jugosllave në Kosovë, ku u bënë trazira të përgjakshme, Beogradi i ka zbuluar shkaktarët jashtë vendit … Gërvallajt kanë qenë të njohur në skenën e jashtme. Vëllai, Jusufi, i cili para pak kohe ia kishte dhënë një intervistë një gazete ditore, në të cilën thoshte se ishte për luftën e armatosur kundër shtetit jugosllav, ka qenë, sipas njoftimeve të policisë, edhe redaktor i gazetës ‘Zëri i Kosovës’ në ekzil. Bardhosh Gërvalla kshte ardhur në Gjermani më 1974. Ai punonte si këshilltar për punëmarrësit jugosllavë, në Solitudestrashe 44, në Ludvigsburg … Koka politike e vëllezërve ka qenë, si duket, Jusuf Gërvalla. Sidomos ai fajësohej nga Konsullata e përgjithshme jugosllave të jetë anëtar udhëheqës i ‘Fronti të kuq’ që luftonte kundër qeverisë jugosllav”.
Në vitin 1982, Bekim Fehmiu ftohet në Prishtinë të luajë rolin e Hamletit në një shfaqje të Teatrit të atëhershëm Popullor Krahinor, me regji të një anglezi. Por, për shkak të mosmarrëveshjeve me regjisorin, Fehmiu e braktis projektin. Rolin e Hamletit e luajti Dibran Tahiri.
Më 1982 përfundon filmi “La Voce”, që i kushtohej jetës së humanistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu (Nëna Tereze). Për këtë projekt, kah fundi i vitit 1979, RAI – ndërmarrja kombëtare e transmetimit publik e Italisë – iu drejtua “Chiara Film Studio”-s në lidhje me prodhimin e një filmi për vitet e para të Nënës Tereze në Shkup. Projekti ishte ide e Gjon Kolndrekajt me origjinë shqiptare nga Kosova i cili në atë kohë ishte drejtor i programit në RAI. Kolndrekaj e njihte personalisht Nënë Terezen personalisht dhe ishte në kontakt me të nga 1977, por u këshillua me një numër studiuesish, klerikësh dhe artistësh nga Kosova, Maqedonia dhe më gjerë, të cilët e njihnin Nënë Terezen dhe familjen e saj në Shkup, ose ishin në kontakt me të gjatë kohës që projekti po merrte formë. Ai vizitoi një numër vendesh në Kosovë dhe në Maqedoni në nëntor dhe dhjetor 1979, për të identifikuar vendet për filmin. U ra dakord që xhirimet të fillonin në dhjetor 1980. Por, ekipi italian filloi xhirimet pa Kolndrekaj, në nëntor 1980. Arsyeja kryesore për këtë ishte marrëveshja tri studiot e filmit jugosllav: “Avala Film” në Serbi, “Jadran Film” në Kroaci dhe “Vardar Film” me bazë në Shkup. Marrëveshja erdhi me një numër kushtesh të cilat i pranoi producenti Oscar Brazzi. P. sh., në një skenë, Gonxhe e vogël xhirohet jo në kishë katolike, po në atë ortodokse. Devijimi i dytë i madh nga plani origjinal kishte të bënte me veshjet e personazheve. Anëtarët e familjes Bojaxhiu ishin veshur me kostume popullore serbe dhe sllavo-maqedonase. Ndryshimi i tretë lidhej me qëndrimin e Bojaxhiut ndaj çështjes kombëtare shqiptare. I pakënaqur me ndryshimet në skenarin origjinal, Kolndrekaj informoi Brazzin dhe Rai Uno-n se ai nuk dëshironte më të shoqërohej me projektin. Ia përcolli shqetësimet e tij në lidhje me filmin, Nënës Tereze, që i tha të mos shqetësohej për këtë: “Zoti do të bëjë diçka, për këtë padrejtësi”. Kjo “embargo” u thye për herë të parë nga Rai Uno vetëm më 6 shtator 1997 në 3:40 të mëngjesit. Në atë kohë, Nëna Tereze kishte vdekur për rreth tetë orë.
Më 1981 dhe 1982, disa punëtorë shqiptarë të Trepçës qenë akuzuar për vjedhje të sasive të mëdha të arit dhe të argjendit, dhe ky ishte preteksti i largimit të shumë inxhinierëve dhe teknikëve shqiptarë nga puna. Nga ky moment, nga viti 1981 deri në 1989 Beogradi e ka monopolizuar eksportin e xeheve të Trepçës, në Rusi dhe gjetiu, duke i shkëmbyer përfitimet në monedhë të fortë dhe prodhime të naftës, përderisa kosovarëve u është kompensuar vetëm me rrymë elektrike dhe forma të ndryshme të pagesave. Për shkak të inflacionit të madh në vitet 1980, kjo skemë e diskriminimit është thelluar.
Shkalla e shtimit natyror të popullsisë së Kosovës në vitin 1982 ishte 25.6 për qind. Shtimi natyror i popullsisë së Kosovës në dekadën e nëntë të shekullit XX ishte për për një të tretën më i vogël sesa shtimi natyror në dekadën e tetë (mes viteve 1981-1990). Më 1982 nis propaganda serbe për shpërngulje nga Kosova. Në bazë të evidencës së bërë nga organet shtetërore të ish- Jugosllavisë për të shpërngulurit nga Kosova dhe për të ardhurit në Kosovë prej muajit nëntor të vitit 1982 e deri në muajin qershor të vitit 1986, nga Kosova ishin shpërngulur 16 958 serbë dhe 2 613 malazezë (gjithsej së bashku 19 571 persona), por në të njëjtën kohë në Kosovë kishin ardhur për të jetuar 9 682 serbë dhe 1.277 malazezë të tjerë ose të njëjtë (të cilët së bashku përbënin gjithsej 11 799 persona). Këto vlera tregojnë se diferenca shpërngulje-ardhje ka qenë 7 772 persona.
Më 2 prill 1982 fillon Lufta e Falklandit midis Britanisë së Bashkuar dhe Argjentinës, për kontrollin e ishujve Falkland. Lufta shpërtheu pas pushtimit të ishullit nga Argjentina, duke i konsideruar ato pjesë të saj. Lufta përfundoi më 14 qershor 1982, me dorëzimin e ishujve nga Argjentina.
Më 25 prill 1982, Izraeli tërhiqet nga Gadishulli i Sinait, në përputhje me marrëveshjen e paqes me Egjiptin të vitit 1979. Ndërsa, më 6 qershor nis invadimi izraelit në Liban, që ishte përfshirë nga lufta civile. Lufta Civile e Libanit la mbi 120 mijë viktima, ndërsa një milion njerëz ikin nga vendi, duke e shkatërruar ekonominë e vendit. Problemi filloi më 1948, ku mbi 110 mijë refugjatë palestinezë ikin në Liban, që më vonë drejtojnë një si shtet brenda shteti në Bejrutin Perëndimor dhe në Libanin e Jugut. Në vitet 1970, filluan luftimet mes një koalicioni refugjatësh palestinezë dhe milicive myslimane dhe druze me forcat e rezistencës kryesisht të krishtera. Siria ndërhyri, duke dërguar trupat në Liban, të cilin nuk e njihte si shtet dhe donte ta përvetësonte (Siria e njeh Libanin më 2008). Izraeli ndërmori operacione pushtimi në vitin 1978 dhe përsëri në vitin 1982. Gjeneral Ariel Sharon ka kryesuar sulmin e vitit 1982 ndaj Libanit. Kryqi i Kuq vlerësoi se pushtimi mori jetët e rreth 18 mijë njerëzve, kryesisht civilë. Ndërkohë ndërhyjnë shtetet perëndimore. Yasser Arafati dhe rreth gjashtë mijë luftëtarë nga Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO), evakuohen nga Libani. Izraeli nga Libani largohet një vit më vonë.
Në vitin 1982, Saddami, me te dy bijtë, vizitoi frontin me iranianët. Me një çast, Saddami kërkoi vullnetarë për të sulmuar vijën e frontit. Udayi i marrë siç ishte, hipi në helikopter dhe nisi të gjuajë me armë. Për fat të keq të trupave irakiane, ai i gjuante ata e jo vijën e frontit të iranianëve.
Më 1982, Helmut Kohl zëvendëson Helmut Schmidtin si kancelar i Gjermanisë. Kohl më vonë ia del ta realizojë ëndrrën e bashkimit të dy Gjermanive.
Në vitin 1982, Revista “Times” botoi në ballinë portretin e disidentit polak, Lech Walesa. Në një intervistë me autorin e këtij shkrimi, për këtë ballinë Walesa ka thënë: “Në këtë kohë, asnjëri nga burrat shtetërorë, asnjëri nga burrat e kurorëzuar shtetëror nuk besonte në regjimin e komunizmit. Të them më tepër mua më kanë trajtuar në mënyrë joserioze kur thosha atëherë se Bashkimi Sovjetik nuk do të zgjasë deri në fund të shekullit XX. Mungesa e shpresës në arritjen e këtij çasti nuk do ta lejonte arritjen e fitores”. Por, po më 1982 ndalohet lëvizja e Walesas, Solidariteti.
Më 1982 lindin aktorët Eddie Redmayne, Seth Rogen, Kirsten Dunst. Lindi edhe Princi William i Uellsit, trashëgimtar i fronit mbretëror britanik. Më 1982 vdesë aktori me origjinë shqiptare, John Belushi, kompozitori Carl Orff, aktorët tjerë Romy Schneider, Henry Fonda, Ingrid Bergman dhe Grace Kelly që ishte Princeshë e Monakos.
VITI 1992: FUNDI I SHTETIT TË TITOS, ZGJEDHJET NË KOSOVË DHE KËRCËNIMI I KËRSHËNDELLAVE
Më 2 dhe 3 mars, shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes referendumit – për të parën herë në mënyrë plebishitare – shprehin vullnetin politik duke u deklaruar për Autonomi Politike Territoriale, si formë e domosdoshme për realizimin e të gjitha të drejtave individuale dhe kombëtare, mirëpo duke e ruajtur të drejtën për vetëvendosje (ku potencohet e drejta për bashkim me Kosovën).
Në prill të vitit 1992, në qytetin e Strugës u shpall “Republika e Iliridës”. Por, një realitet i tillë mbeti vetëm në teori, pa u realizuar në realitet. Kjo për faktin se edhe partitë shqiptare në Maqedoni, si dhe organizatat tjera politike, nuk e mbështetën atë.
Më 24 maj 1992, në Kosovë mbahen zgjedhjet pluraliste për president, Parlament dhe Qeveri të Republikës së Kosovës. President emërohet Ibrahim Rugova.
Shqipëria më 1992 ishte në kaos ekonomik. Në zgjedhjet e marsit fiton Partia Demokratike me 62 për qind të votave. Sali Berisha emërohet president i Shqipërisë, Ramiz Alia jep dorëheqje, ndërsa Aleksandër Meksi bëhet kryeministër. Në korrik shpallet e paligjshme Partia Komuniste e Shqipërisë, ndërsa në shtator arrestohen Ramiz Alia dhe gruaja e të ndjerit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha. Më 1992-1993 në Shqipëri ndodhë rrjedha më e madhe e trurit jashtë vendit.
Më 1992 bëhet njohja ndërkombëtare, si shtete, e katër ish-republikave të ish-RSFJ-së (Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës), me një rekomandim të shqyrtimit të çështjes së minoriteteve. Këtu mendohej te shqiptarët e Kosovës, serbët në Kroaci dhe shqiptarët në Maqedoni. Por, më 1992, lufta vazhdonte në Kroaci dhe në Bosnje dhe Hercegovinë. Në Bijelinë, p. sh., kryhen masakrat, ku në mars 1992 vriten edhe nëntë shqiptarë. Çuditërisht, më 1992, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Boutros Boutros-Ghali, botoi të ashtuquajturën “Agjenda për paqe “, raport ky i shkruar për Këshillin e Sigurimit. Gali shkroi “se është përfituar mundësia që të arrihen objektivat e mëdha të Kartës (së OKB-së)”. Kjo përfshinte jo vetëm paqeruajtjen, por edhe krijimin e paqes apo përdorimin e forcës mes palëve ndërluftuese, pavarësisht a pajtohen ato me këtë. Ai, po ashtu, theksoi promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe standardet më të larta të jetesës. Por, luftërat nuk u ndalën kurrë.
Më 1992, shteti i Titos merr fund. Komisioni i Arbitrazhit, në përgjigjet në pyetjet 4 dhe 8 që kishin të bëjnë me ekzistimin apo mosekzistimin e shtetit të ish-Jugosllavisë, i bën me dije Lordit Carrington – i cili një vit më parë kryesoi bisedimet diplomatike për shpërbërjen e Jugosllavisë – se Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë [RSFJ] më nuk ekziston. Më 18 maj 1992, kryetari i Komisionit të Arbitrazhit kishte marrë një letër nga Lordi Carrington, ku nga Komisioni kërkoi këtë mendim: Nëse merret përgjigjja pozitive (a është kryer shpërbërja e RSFJ?), në cilat baza dhe në harmoni me cilin modalitet duhet të zgjidhen problemet e trashëgimisë së shteteve të cilat parashtrohen mes shteteve të ndryshme të dalura nga RSFJ-ja? Komisioni i arbitrazhit ndër të tjera është përgjigjur: procesi i shpërbërjes së RSFJ-së është kryer sipas pikës 8 dhe ajo më nuk ekziston, ndërsa Republika Federative e Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) nuk ka kurrfarë të drejte që veten ta quajnë të vetmen trashëguese të RSFJ-së. Lidhur me çështjen e suksedimit, në mendimin nr. 9, pika 4, potencon: shtetet trashëgimtare të RSFJ-së (ku nuk përfshihej Kosova), duhet të pajtohen dhe nëpërmjet marrëveshjeve t’i zgjidhin të gjitha çështjet lidhur me trashëgiminë; që gjatë bisedave të vijnë në zgjidhje objektive, duke u mbështetur principet në të cilat janë të bazuara Konventa e Vjenës e vitit 1978 dhe ajo e vitit 1983, si dhe rregullat përkatëse të së drejtës zakonore ndërkombëtare; që pasuria e RSFJ-së, që gjendet në vendet e treta, duhet të ndahet mes vendeve trashëguese në proporcione përkatëse; që barabartë duhet t’i ndajnë të gjitha kërkesat dhe borxhet e RSFJ-së ndërmjet vendeve trashëguese etj. Në mendimet e Komisionit të arbitrazhit është mbështetur edhe Raporti i Badinterit, që shtron çështjen e suksedimit të RSFJ-së, që pa të drejtë ka përjashtuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë proces. Në materialin e Komisionit të Arbitrazhit, në pikën 1.b. shteti definohet si bashkësi që përbën territorin dhe popullsinë, që i përket (nënshtrohet) pushtetit politik të organizuar. Komisioni nuk e ka marrë në konsideratë rastin e definimit të shteteve të reja, ku si bazë mbështetjeje kishte Kushtetutën e vitit 1974, duke i përfshirë vetëm republikat si shtete e jo edhe Kosovën.
Duke ia mohuar të drejtën juridike të Kosovës, gjendja bëhet përherë e më e padurueshme, për çfarë largimi shihej si zgjidhje. Sipas rezultateve të para të regjistrimit të shqiptarëve në botën e jashtme, më 1 mars 1992 ishin evidentuar 217 132 kosovarë, më së shumti në Gjermani – 82 348 (rreth 38 për qind), në Zvicër 72 448 (33.4 për qind), Suedi mbi 15 000 (5.7 për qind) pastaj më pak në Austri, Itali Belgjikë Norvegji, Danimarkë, Francë, Angli etj. Por, ashtu siç eskalonte dhuna serbe ndaj shqiptarëve, po ashtu shtohej edhe numri i atyre që braktisnin Kosovën. Vetëm një vit më vonë, më 1993, numri i të përndjekurve arrin shifrën prej 368 000 shqiptarësh. Përsëri, numri më i madh i tyre do të kërkojë strehim në Gjermani – 120 000, pastaj në Zvicër – 95 000, në Suedi – mbi 35 000 etj. Këto shifra tregonin se serbët që më herët ushtronin spastrim etnik dhe njëkohësisht inkurajonin dhe stimulonin serbët e pjesëve të tjera të ish-federatës jugosllave që të vendosen në Kosovë. Autoritetet e Beogradit kishin nxjerrë po ashtu mbi 390 ligje diskriminuese për shqiptarët e Kosovës, ndërsa pas Operacionit “Stuhia” në Kosovë i sjellin mbi 20 mijë serbë nga Kraina e Kroacisë.
Dëmet e pushtetit serb shihen në çdo aspekt të jetës në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës u përjashtuan nga postet udhëheqëse dhe të tjera të rëndësishme në sistemin shëndetësor, ashtu si edhe në shërbimet e tjera publike gjatë viteve 1990-1992. Shqiptarët u privuan nga sigurimi shëndetësor, pas masave të reja. Një sistem shëndetësor paralel bamirës u vu në funksionim nga shoqata “Nëna Terezë”, për të dhënë shërbimet bazë shëndetësore falas, për ata të cilët nuk mundeshin të shfrytëzonin shërbimet private mjekësore dhe për ata që nuk posedonin kartën e sigurimit social. Kjo shoqatë ka krijuar 96 klinika në Kosovë, kryesisht nëpër fshatra, të cilat banoheshin në shumicë nga shqiptarët. Punëtorët e kësaj shoqate punonin falas.
Serbia luftonte edhe fjalën e lirë. Në nëntor 1992, autoritetet serbe kaluan në Parlament ligjin mbi transformimin dhe transferin e pronës së “Rilindjes” në atë të “Panoramës”, që do të ishte nën kontrollin strikt të autoriteteve qeveritare. Një vit më vonë, gazetarët e Javores Politike Shqiptare “Zëri” (dhe disa gazetarëve e shkrimtarëve nga “Rilindja”, ndër ta edhe poeti Ali Podrimja, që mbahet mend për parullën: “Qetësi, këtu po vdiset”!) hedhen në grevë urie 11-ditëshe, në katin e shtatë të Pallatit të Shtypit, kundër shtyrjes së mediave shqiptare nën masat represive (të dhunshme) të ndërmarrjes së instaluar nga Beogradi “Panorama”, pra kundër shuarjes së fjalës së shkruar shqipe.
Me vendimin e Kuvendit të Serbisë, më 27 shtator 1990 regjimi i dhunshëm serb filloi të zbatojë masat e dhunshme në Bibliotekën Popullore Universitare të Kosovës. Policia dhe drejtoria e atëhershme e dhunshme serbe larguan 99 punëtorë bibliotekarë. U ndërrua plotësisht struktura kualifikuese dhe ajo kombëtare e të punësuarve, dhe nuk mbetën as 10 për qind punëtorë joserbë. Në muajin korrik 1991, nga Biblioteka janë nxjerrë – përplot me libra e gazeta – gjashtë kamionë që peshonin 12 300 kilogramë, për t’iu shitur Fabrikës së Letrës në Lipjan. Herën tjetër, prej 28-31 janarit 1992 u nxorën plotë shtatë kamionë me libra, ose saktësisht 3 080 pako me rreth 100 mijë vëllime libri, ndërsa më 3 shkurt 1992 një kamion po ashtu përplot libra e gazeta.
Një gjë e mirë vjen nga një evidencë e këtij viti: Gjatë Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve të Plagëve dhe të Ngatërresave, nga 2 shkurti 1990 deri 17 maj 1992 janë falur 1 230 gjaqe, 542 plagë dhe 1 180 ngatërresa. Pra, lëvizja arriti 2 952 pajtime. Ndërkaq, po më 1992 ndodhë Kërcënimi i Kërshëndellave i presidentit të atëhershëm amerikan, George Bush. Porosia e administratës së Bushit ishte e prerë: Nëse Serbia nis luftën në Kosovë, Amerika do të intervenojë ushtarakisht. Porosia ishte e qartë për të gjitha palët. Shqiptarët, asokohe të tubuar në lëvizjen paqësore të Ibrahim Rugovës, nuk duhej të përpiqeshin të organizojnë farë rezistence të armatosur, sepse në atë rast Amerika nuk do të përzihej në luftë dhe nuk do t’i ndihmonte shqiptarët. Sipas analistit dhe publicistit Blerim Shala: “Amerika e kohës së Bushit nuk ishte e përfshirë drejtpërdrejt në ndaljen e luftës në ish-RSFJ, e cila asokohe njihte Bosnjën dhe Kroacinë si fronte të veta. Por, nëse lufta do të shpërndahej edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, në Uashington mbizotëronte bindja se do të jetë e pamundshme të evitohet involvimi i Amerikës në përpjekjet ndërkombëtare për paqetimin e rajonit. Zyrtarët amerikanë, por edhe analistët e shumtë pohonin se paqja në Kosovë dhe në Maqedoni është interes strategjik amerikan, para së gjithash për shkak se në atë rast do të mund të keqësohej në mënyrë dramatike situata në këtë pjesë të Ballkanit, ku edhe rivaliteti i egër midis Turqisë dhe Greqisë (të dy shtete anëtare të Paktit NATO dhe aleate të ShBA-së) do të fitonte trajta të reja. Kërcënimi i Kërshëndellave ishte indikativ edhe në një aspekt tjetër: Paralajmëronte veprimin unilateral të Uashingtonit e jo përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Paktit NATO etj. Elementet tjera të dukshme të involvimit amerikan rreth Kosovës janë hapja e Zyrës së ShBA-së në qershor të vitit 1996, Muri i Jashtëm i Sanksioneve në Marrëveshjen e Dejtonit (1995), inkuadrimi i ambasadorëve Robert Gelbard, Richard Holbrooke dhe Christopher Hill si ndërmjetësues në vitet e luftës, Konferenca e Rambujesë, fushata e paktit NATO në pranverë të vitit 1999 etj. Ana e padukshme dhe jo shumë e njohur për opinionin ka të bëjë me rolin amerikan në krijimin e homogjenitetit brendashqiptar në vitet 1998 dhe 1999. Që të tre ambasadorët e përmendur (Gelbard, Holbrooke dhe Hill, posaçërisht ky i fundit) kanë pasur hise të madhe në krijimin e grupeve të përbashkëta negociatore të shqiptarëve, në tejkalimin e mosmarrëveshjeve dhe mosdurimeve midis kryepolitikanëve tanë, në hartimin e orientimeve strategjike të lëvizjes shqiptare, në vendimmarrjen në çastet më dramatike të viteve të luftës. Po të mos ishin diplomatët amerikanë, liderët shqiptarë kurrë nuk do të bëheshin bashkë, kurrë nuk do të krijonin një delegacion për Konferencën e Rambujesë dhe kurrë nuk do të kuptonin rëndësinë e pranimit të ofertës së Rambujesë”.
Sipas disa analizave, po mos të ishte përvoja e Bosnjës dhe ndjenja e turpit te shumë diplomatë dhe ushtarakë perëndimorë që kanë lejuar që forcat serbe të bëjnë çfarë të duan në Bosnjë, vështirë që do të ndodhte një veprim aq këmbëngulës i ShBA-së, të aleatëve evropianë dhe të Paktit NATO më 1999, me rastin e bombardimit të forcave policore dhe ushtarake serbe. Në këtë ka luajtur rol presidenti Bill Clinton, i cili fiton zgjedhjet po më 1992. Kur mundi George Bushin, ky ishte aq i ri me moshë saqë Bushi mund të ishte babai i tij. Në fakt, Clintoni ishte presidenti i parë amerikan i zgjedhur që kishte lindur pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ishte i pari president që pranoi se kishte përdorur marihuanën, që i binte saksofonit dhe që kishte afera seksuale në Shtëpinë e Bardhë. Ishte i pari president amerikan që vizitoi Vietnamin, 25 vjet pas përfundimit të luftës, dhe që urdhëroi ushtrinë amerikane të sulmojë caqet serbe në Bosnjë dhe në Kosovë. “Nëse nuk veprojmë, kjo do të thotë që ne ia japim Sllobodan Milosheviqit licencën për vrasje”, ishte vendimtar Clintoni, më 19 mars 1999. Kur la Shtëpinë e Bardhë, Clintoni zinte vendin e njërit prej presidentëve më të suksesshëm amerikanë në shekullin XX.
Sipas disa të dhënave të vitit 1992, mafia ishte biznesi më i madh italian. Mafia ka fituar një nga çdo e teta liretë italiane dhe 12 për qind të produktit nacional. Ndërsa, një hulumtim i këtij viti tregoi se gati 40 për qind e popullatës evro-perëndimore ishin kundër krijimit të valutës së përbashkët, pra të euros. Kundërshtarët më të mëdhenj të valutës së përbashkët ishin danezët, finlandezët, suedezët dhe anglezët. Edhe në Gjermani kishte kundërshtime të mëdha, duke ditur rolin e markës në krijimin e identitetit kombëtar gjerman
Në dhjetor 1992, hidhet bomba në një hotel të Jemenit, që për cak kishte ushtarët amerikanë në rrugën për shërbim në Somali. Ky ishte sulmi i parë terrorist i grupit al-Qaeda të udhëhequr nga Osama bin Laden. Po më 1992, fillon lufta e parë e Nagorno-Karabut në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit, ndërsa shteti indus Tamil Nadu pranon ekzistimin e zakonit monstruoz të mbytjes së vajzave të sapolindura.
Më 1992, vdesin: shkencëtarja e njohur, pionierja e teknologjisë digjitale, Grace Hopper: komediani Benny Hill; aktorja Marlene Dietrich; kompozitori John Cage dhe ish-kancelari gjerman, Willy Brandt
Vitin 1992 e shënon edhe një ngjarje: kryqëzimi i këmbëve i aktores Sharon Stone në filmin “Basic Instict”, që la pa mend dhe pa frymë gjininë mashkullore.
VITI 2002: EURO, ZGJERIMI I NATO-s DHE I BE-së
Kryeadministrator i Kosovës emërohet gjermani Michael Steiner. Serbët më vonë atë e quajtën dhëndri i shqiptarëve, meqë Steiner u dashurua dhe u martua me një shqiptare të Kosovës
Në janar jep dorëheqje kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta. Vendin e tij e zë Pandeli Majko dhe shumë shpejt Fatos Nano. Pos krizave politike, Shqipëria ballafaqohej me kriza të mëdha energjetike.
Në Kosovë mbahen zgjedhjet e dyta lokale, ku prapë shumicën e komunave i fiton Lidhja Demokratike e Kosovës.
Më 12 shkurt 2002, në Tribunalin e Hagës fillon gjykimi i Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Opinioni demokratik botëror përshëndeti fillimin e këtij gjykimi. Kasapi i Ballkanit, i cili udhëhoqi politikën serbe nga viti 1987 e deri më 1999, ra në burg për krime të luftës, me akuzë zyrtare për organizimin e deportimit të popullatës civile, për krime të luftës dhe për gjenocid në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë. Millosheviqi deklaroi në Hagë se “nuk e njeh” Tribunalin për krime të luftës, por e konsideron veten të kidnapuar dhe, prandaj, nuk dëshironte të angazhojë avokatë. Në fazën e parë të gjykimeve u proceduan krimet në Kosovë.
Viti 2002 solli edhe zhbërjen definitive të RSFJ-së së dikurshme. Serbia e Mali i Zi filluan debatin për deklaratën e re kushtetuese dhe u pajtuan se Jugosllavia nuk ekziston më.
Më 2002, vdesin: skulptori Fuat Dushku, piktori Ismail Lulani dhe shkrimtari Kolë Jakova, këngëtarja Peggy Lee dhe aktori James Coburn.
Në janar të vitit 2002, numri i përgjithshëm i punëkërkuesve të regjistruar në Kosovë ishte 240 167. Gjatë muajit shkurt, numri i përgjithshëm i punëkërkuesve arrin në 242 428.
Në vitin 2002 nuk është shënuar asnjë vdekje në lindje në Kosovë.
Një ngjarje tjetër me rëndësi ndodhi këtë vit: në Kosovë nis përdorimi i euros. Në Bashkimin ekonomik dhe monetar evropian, në rrethin e parë kanë hyrë njëmbëdhjetë shtete: Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Portugalia, Belgjika, Holanda, Irlanda, Luksemburgu, Austria dhe Finlanda. Britania e Madhe, Suedia dhe Danimarka vetë nuk deshën menjëherë të inkuadrohen në të, ndërsa Greqia më 2002 nuk i përmbushi kriteret e rrepta të inkuadrimit në këtë aleancë të fuqishme financiare. Siç dihet, me 1 janar të vitit 1999, euro ka nisur të funksionojë si monedhë e përbashkët, por tek në vitin 2002 nisin jetën e vërtetë. Kur u shpall euro, një dollar vlente sa një euro, ndërsa në raport me markën gjermane, një dollarë vlente diku 1.8 marka gjermane. Deri më 2002 euro ka humbur 12-15 për qind të vlerës ndaj dollarit, ndërsa në raportin me markën gjermane dollari është forcuar shumë: një dollar vlente sa dy marka.
Ngjarjet kryesore që shënuan botën më 2002 janë si në vijim.
Në fillim të vitit 2002, presidenti amerikan George W. Bush deklaroi: “Lufta kundër terrorizmit sapo ka filluar …”. Këto fjalë kishin domethënien se Uashingtoni nuk do të heqë dorë nga qërimi i hesapeve me regjimin e Saddam Husseinit dhe se Bushi i ri do ta përfundojë punën që nisi babai i tij para 12 vjetëve. Nga Shtëpia e Bardhë, gjatë tërë vitit u nxit fushata e fortë mediale me të cilën do të bindej bota se Bagdadi posedon armë për shkatërrim në masë. Irakianët thanë se nuk janë në gjendje të prodhojnë armë për shkatërrim në masë, për shkak të sanksioneve që Kombet e Bashkuara aplikuan para 12 vjetëve kundër Irakut.
Më 2002 ndodhin shumë sulme terroriste. Një sulm me autobombë ndodhë para një diskoteke në ishullin Bali të Indonezisë, në muajin tetor, dhe me këtë rast u vranë 190 turistë, kryesisht australianë. Përgjegjësinë për sulmin e mori al-Qaida. Më vonë u kuptua se sulmin e kanë planifikuar islamikët lokalë, mirëpo inspirimi arriti – pa dyshim – nga Osama bin Ladeni. Në dhjetor u sulmuan caqet izraelite në Keni, ku u vranë 16 vetë. Terroristët islamikë mbollën vdekje edhe në Tunizi, duke vendosur një bombë në sinagogë dhe duke vrarë 21 veta. Në muajin maj u organizua një sërë atentatesh në Filipine ku vdiqën 14 vetë. Pasuan sulmet me bomba në Dagestan, në Pakistan dhe në Algjeri, ku u vranë mbi 90 vetë. U tha se shërbimet e spiunimit të disa vendeve evropiane kanë arritur të pengojnë dhjetëra sulme të mëdha terroriste në Evropë.
Po më 2002, në teatrin “Dubrovka” në Moskë, më 23 tetor, teksa shfaqej mjuziklli më i shikuar rus “Nord-Ost”, papritmas nëpër sallë filluan të vrapojnë djelmosha të armatosur, me maska dhe me uniforma. Pati edhe të shtëna në ajër. Terroristët çeçenë morën teatrin me 700 pengje. Prijësi i tyre, Movsar Barayev, nip i liderit të gueriljes çeçene Shamil Basayev, i dërgoi mesazh opinionit rus se do të vrasë të gjitha pengjet nëse forcat ruse nuk tërhiqen nga Çeçenia. Të shtunën, më 27 tetor, në orët e hershme të mëngjesit, forcat speciale ruse “Alfa” të Shërbimit Federal të Sigurimit filluan aksionin tjetër terrorist të lirimit të pengjeve. Së pari gjuajtën brenda në teatër një gaz për t’i vënë të gjithë në gjumë, e pastaj hynë forcat speciale. Në një këmbim të shkurtër zjarri, u vranë të gjitha femrat-kamikaze dhe shumica e terroristëve me maska. Por, nga helmimi me gaz vdiqën edhe 118 pengje.
Viti 2002 u shënua nga vërshimet në Evropën Qendrore dhe Lindore, të cilat nga mesi i gushtit morën me vete 114 jetë njerëzish. Më së shumti pësuan Gjermania dhe Çekia, por edhe Austria pësoi shtatë miliardë euro dëme materiale. Gjermanëve u ndihmuan edhe ushtarët britanikë për t’u mbrojtur. Disa ditë më vonë, edhe Praga u vërshua. Qyteti disa javë rresht ishte i mbuluar me baltë, ndërsa dëmi material u vlerësua me dhjetëra miliardë dollarë.
Në vitin 2002, NATO-ja përjetoi zgjerimin më të madh që nga themelimi më 1949. Në Samitin e 21 dhe 22 nëntor, NATO ftoi në gjirin e saj Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë, duke lënë në radhë të pritjes Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. U zgjerua edhe Unioni Evropian: nga 15 shtete në 25 shtete. Më 2002 pranohen Qipro, Çekia, Estonia, Letonia, Lituania, Hungaria, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia.
Gjatë vitit 2002, për çdo ditë pa përjashtim, në Lindjen e Afërme vdiqën njerëz. Konflikti izraelito-palestinez u shënua me një sërë sulmesh të tmerrshme vetëvrasëse të palestinezëve, në të cilat sulme u vranë civilë të pafajshëm për çfarë pasuan përgjigjet brutale të ushtrisë izraelite. Kur Izraeli e shpalli armik Yasser Arafatin dhe filloi rrethimin disajavësh të selisë së tij, u desh të reagojë edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, prandaj – me votën e përmbajtur të ShBA-së – katërmbëdhjetë shtete pranuan rezolutën me të cilën u kërkua t’i jepet fund rrethimit të selisë së presidentit palestinez në Ramallah.
Më 2002, Italinë e goditën vërshimet, erupsionet e vullkaneve dhe grevat e punëtorëve të “Fiat”-it, por po këtë vit i tërë kombi do ta mbajë mend për tragjedinë që goditi vendin e vogël në rajonin Molisa. Tërmeti i 31 tetorit i dëmtoi të gjitha godinat në qytetin San Xhuliano di Pulja, por vetëm një ndërtesë u rrënua. Ishte kjo godina e shkollës, nën gërmadhat e të cilës mbetën të vdekur 26 nxënës. Në kohën e rrëzimit të godinës së shkollës, në të ishin 62 veta, nga të cilët 56 fëmijë, katër arsimtarë dhe dy shërbëtorë. Në tërmetet e vitit 2002 mbi 4 000 italianë mbetën pa kulm mbi kokë.
Më 2002 ndodhi një katastrofë ekologjike kur fundoset tankeri “Prestige” që pësoi dëmtime në afërsi të bregut të Galicisë. Ky tanker bartte 80 mijë tonelata të arit të zi. Erërat e forta në breg të Galicisë për çdo ditë nxirrnin shtresa të trasha të masës ngjitëse që shkatërronte botën shtazore. Rajoni që jetonte kryesisht nga peshkataria dhe nga turizmi, edhe për disa vjet ndjeu pasojat e kësaj katastrofe.
Më 2002 u dha një alarm për asteroidin 2002 NT7 që udhëtonte drejt Tokës dhe se nëse godet mund ta shfarosë racën njerëzore. Por, shpëtuam.
VITI 2012: 100-VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË DHE PROTESTAT PËR RECIPROCITET ME SERBINË
Shqiptarët anekënd botës, më 28 nëntor festuan 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Liderët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, në këtë 100-vjetor kanë dhënë deklaratat të “zjarrta” në favor të bashkimit të kombit shqiptar, në një shtet të vetëm. Sidomos kryeministri Sali Berisha. Në Shkup, më 25 nëntor, ai bëri thirrje për bashkimin e shqiptarëve: “Dua t’i bëj thirrje shqiptarëve, të punojmë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre”. Në Tiranë, më 27 nëntor, gjatë inaugurimit të shtatores së Adem Jasharit tha: “Le të punojmë ne të gjithë krenar me heroizmin tënd, për një komb shqiptar të bashkuar në të gjitha trojet e tij etnike”. Po të njëjtën datë, në mbrëmje në Vlorë foli për pavarësinë e Shqipërisë etnike, të Shqipërisë të të gjitha trojeve shqiptare – nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Këto sollën reagimet nga Greqia, nga Maqedonia, nga ShBA-ja, si dhe nga Këshilli i Ministrave të BE që përfshiu një paragraf për Shqipërinë ku kërkohej shmangia e deklaratave që shkojnë kundër frymës së fqinjësisë së mirë. Berisha më 12 dhjetor i zbuti fjalët dhe tha se “nuk ka as edhe një ambicie territoriale”, duke shtuar se ekziston një frymë albanofobe në rajon. Kështu, hapi i vetëm drejt “bashkimit”, më 2012, ishte Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Kjo Abetare nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës është vlerësuar “si realizim i një ëndrre të kombit shqiptar”. Për përurimin e Abetares, liderët shtetërorë zgjodhën Prizrenin.
Por, viti 2012 në Kosovë nuk fillon me festa, por me trazira. Pakënaqësitë me procesin e bisedimeve me Serbinë sollën deri te përplasjet serioze të Policisë së Kosovës me aktivistët dhe zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në afërsi të Merdarës. Në një protestë të 14 janarit, kjo parti politike e udhëhequr nga Albin Kurti synonte të vendoste masa reciprociteti me Serbinë dhe ndalonte produktet e këtij vendi në Kosovë. Protestat e Vetëvendosjes u përsëritën edhe më 22 janar, por nuk e vendosën reciprocitetin me Serbinë. Reciprociteti nuk ndodhi as më 2022, kur pushtetin në Kosovë ishte në duar të Vetëvendosjes.
Më 2012 nisin grushtet mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje! Fillimisht, deputeti i PDK-së, Latif Gashi – Lata, e ka sulmuar fizikisht deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimin, në dalje të Kuvendit, ndërsa menjëherë ka pasuar sulmi tjetër i deputetit të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu-Kamishi.
Në negociata me Serbinë, më 2012, Kosova pranon marrëveshjen për asteriskin që do të vendoset pranë emrit të saj gjatë prezantimeve në nisma e konferenca rajonale. Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri e kishte cilësuar këtë (fusnotë) si një fjollë bore që do të shkrihet. Më 2012 fillojnë bisedimet Prishtinë-Beograd në nivel të kryeministrave. Takimi i parë simbolik u mbajt më 19 tetor në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton. Nga tri takimet e zhvilluara në Bruksel ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit, doli dakordimi i tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit. Kjo marrëveshje ishte cilësuar nga Thaçi si njohje e kufirit të Kosovës nga ana e Serbisë, përderisa Daçiqi kishte thënë se ishte arritur një marrëveshje që njeh kufirin administrativ dhe jo shtetëror të Kosovës.
Më 2012 ndodhi një tragjedi: orteku në fshatin Restelicë të Dragashit, më 11 shkurt merr jetën e nëntë pjesëtarëve të familjes Reka, përderisa e ngujuar në borë – e vetmja që i shpëtoi këtij orteku – ishte vogëlushja Asmira Reka, pesë vjeçe. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shpalli 13 shkurtin si ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka.
Pranvera 2012 i solli Kosovës premtimet e Bashkimit Evropian për perspektivën e saj evropiane. Ishte vetë komisionari Stefan Fule ai i cili lansoi studimin e Fizibilitetit për Kosovën si hap i parë drejt negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Më pas, më 14 qershor, Kosova mori edhe udhërrëfyesin, por jo edhe datën e liberalizimit të vizave.
Më 2 korrik, Grupi Drejtues Ndërkombëtar në takimin e mbajtur në Vjenë vendosi që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës të hiqet më 10 shtator. Për nder të kësaj date, në Prishtinë u ftua edhe arkitekti i statusit të Kosovës si shtet i pavarur, Martti Ahtisaari, si dhe personalitetet tjera ndërkombëtare. Me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, Plani i Presidentit Ahtisaari në bazë të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës e koordinuar me ShBA-në dhe vendet më të fuqishme evropiane, u vlerësua se ishte përmbushur në nivelin e kënaqshëm, ndonëse të gjithë akterët pranuan se ky plan nuk ishte zbatuar në komunat veriore. Ndonëse iu dha fundi mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova njëherësh u pajtua t’i japë fuqi ekzekutive misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, me çka prania ndërkombëtare ruajti një pjesë të konsiderueshme të kompetencave në fushën e sundimit të ligjit. Kompetencat e tij EULEX-i i ushtroi në disa raste. Por, ai që më së shumti bëri bujë ishte rihapja e procesit ndaj nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj të akuzuar për dy vepra, njërën për krime lufte dhe tjetrën për korrupsion e krim të organizuar. Procesi i gjykimit e më pas rigjykimit ndaj Limajt, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës në procesin e njohur si “Kleçka”, nga ana kosovare u cilësua si proces politik, kurse nga EULEX-i si proces i vendosjes së drejtësisë. Limaj më vonë shpallet i pafajshëm.
Në vitin 2012, shteti më i ri evropian merr 12 njohje të reja, por kjo nuk rrumbullakoi e simbolikën e 100 njohjeve të shtetit të Kosovës. Ndërsa, më 31 tetor, Kosovën e viziton Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
Viti 2012 ishte vit i disa skandaleve. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është ballafaquar me shumë sfida dhe skandale gjatë vitit 2012. Dyshohet se janë keqpërdorur 1.4 milionë euro, të destinuara për prodhimin e pasaportave biometrike. Mjetet për prodhimin e pasaportave ishin paraparë të shkojnë në kompaninë “Osterreichische Staatsdruckerei”. Për shkak të “avullimit” të 1.4 milionë eurove, është arrestuar shtetasja gjermane Natali Veliaj. Skandali tjetër ishte ai që edhe sot njihet si “Pronto”: përgjimet e telefonave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Adem Grabovcit, Vlora Çitakut dhe Sami Lushtakut. Në bisedat e tyre telefonike më i atakuari ka qenë kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi. Ndërsa, ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i dënuar me tre vjet burgim, i shmanget dënimit duke ikur në Suedi. E, në Dhomën e Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë, gjatë vitit 2012 janë vjedhur mbi 25 kilogramë ari. Pas kësaj vjedhje ka pasur edhe arrestime të zyrtarëve policorë. Për këtë skandal Qeveria e Kosovës është kritikuar ashpër nga përfaqësuesit e partive opozitare dhe shoqëria civile. Pas disa muajve, Inspektorati Policor i Kosovës kishte organizuar një aksion, ku kishte arrestuar disa persona në Pejë dhe kishte sekuestruar mbi 25 kilogramë ari. Por, nuk dihej nëse ari i sekuestruar është i Dhomës së Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë.
Ngjarje tjetër me rëndësi më 2012 ishte edhe kjo: Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, më 29 nëntor 2012 shpall të pafajshëm Ramush Haradinajn dhe dy ish-bashkëluftëtarët e tij duke i liruar ata nga të gjitha akuzat. Haradinaj u prit me ceremoni shtetërore dhe me turma njerëzish të mbledhur nëpër rrugët e Prishtinës.
Në vitin 2012, Barack Obama fitoi mandatin e dytë si president i ShBA-së, gjë që u vlerësua të ketë rëndësi më të madhe se fitimi i mandatit të parë më 2008, sepse amerikanët këtë herë votuan në bazë të rezultateve dhe të besimit se do ai t’i përfundojë punët e lëna në gjysmë.
Më 2012 janë mbajtur edhe tri palë zgjedhjet të rëndësishme presidenciale, në tri shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit: në Kinë, në Rusi dhe në Francë. Xi Jinping filloi ngritjen si njeriu më i fuqishëm në Kinë. Ndërsa, Vladimir Putini emërohet sërish president i Rusisë. Emërimi i tij është përcjellë nga reagime të shumta. Dhjetëra-mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Moskës dhe qyteteve tjera; dhjetëra aktivistë janë arrestuar. Zgjedhja e tij, për të tretën herë në Kremlin, ka hasur në shumë parregullsi dhe për këtë kanë raportuar shumë organizata ndërkombëtare. Jinping dhe Putini sot janë njerëzit më të rrezikshëm për demokracinë dhe paqen në botë. Ndërsa, François Hollande i Partisë Socialiste fiton zgjedhjet në Francë. Ai zhvilloi një fushatë që është fokusuar në rritjen ekonomike – për dallim nga masat shtrënguese – një politikë kjo që menjëherë e vuri kreun e ri francez në konflikt me Gjermaninë.
Lindja e Mesme ishte kriza më e madhe e trazirave, sidomos Lufta Civile në Siri ku nuk kishte unitet ndërkombëtar për ta zgjidhur si duhet problemin në këtë vend: në njërën anën ishin amerikanët dhe aleatët perëndimorë, e në anën tjetër Kina dhe Rusia që mbështesin regjimin e Bashar al-Assadit. Problem tjetër ishte Irani dhe programi i tij nuklear, për shkak të të cilit shtetet perëndimore i kanë vënë sanksionet ekonomike, ndërsa në shumë raste janë dëgjuar pretendimet për luftë të Izraelit dhe ShBA-ve kundër këtij shteti. Ndërkaq, vendimi i Asamblesë së OKB-së për ta pranuar Palestinën si shtet vëzhgues, cilësohej si mbështetje e botës për interesat palestineze. Por, gjërat nuk ishin pozitive në terren, meqë Izraeli nuk tërhiqej: në shkurt dhe tetor trupat e saj kanë bombarduar Rripin e Gazës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe njerëzore në territoret palestineze.
Ngjarje e veçantë më 2012 ishte edhe ndarja e Çmimit Nobel për Bashkimin Evropian. Derisa shumë kritikë e kanë përqeshur këtë vendin, sipas të tjerëve çmimi ka rëndësi sepse çmoi kontributin e gjashtë dekadave të Unionit për zhvillimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në Evropë, për solidaritetin dhe besimin për ndryshimin pozitiv të botës. Viti 2012 do të mbahet mend për ca përparime në fushën e të drejtave të njeriut në Evropë. Por, ndër shembujt më të veçantë të abuzimeve me të drejtave të njeriut cilësohet urrejtja ndaj gazetarëve në Turqi dhe ndaj romëve në Hungari. Shkelja e të drejtave të njeriut ka ndodhur edhe në Afrikë. Fundamentalistët islamikë marrin kontrollin në Mali ku vendosën rregulla talibane, që përfshinin ndalimin e dëgjimit ose bërjes muzikë, gjë që ndalohej madje me këputjen e dorës. Në Republikën Jugafrikane vazhdoi dhunimi brutal i lezbikeve, akt ky që cilësohej si “korrektues” që do të duhej të ndryshonte orientimin e tyre seksual.
Viti 2012 ka shënuar më pak katastrofa, por kjo nuk do të thotë se ato kanë munguar. Sipas të dhënave, katastrofat më 2012 kanë marrë jetët e 11 mijë personave, derisa një vit më parë, vetëm në Japoni nga cunami kanë vdekur 15 878 njerëz. Kur është fjala te dëmet ekonomike, ato i ka pësuar më së shumti ShBA-ja me super-stuhinë “Sandy” që në fund të tetorit ka goditur bregun lindor të vendit, me dëme që vlerësoheshin në 30-50 miliardë dollarë.
Sipas Organizatës Botërore të Meteorologëve, sasia e dioksidit të karbonit më 2011 ka arritur nivel rekord, pikën pa kthim.
Vitin 2012 e kanë karakterizuar vërshimet në shumë vende të botës: Kinë, Rusi, Britani të Madhe, Indi, Kore të Veriut, Pakistan etj. Ndërsa, Afrikën e kanë kapluar thatësira të mëdha nga të cilat 18 milionë njerëz mbetën pa ushqim të mjaftueshëm.
Zbulimi më i madh i vitit 2012 cilësohet “Grimca e Zotit”, apo “Bozoni i Higsit”, të cilit shkencëtarët e kanë kërkuar 40 vjet rresht dhe i cili do të ndihmojë shkencëtarët ta zbërthejnë më mirë masën, Big Benin dhe vet jetën.
Vlen ta përmendim edhe datën më të diskutuar të vitit: 21 dhjetorin 2012, si fundin e botës. Sërish, fatmirësisht shpëtuam!
VITI 2022: EDHE NJË VITI I MBRAPSHTË
Viti 2022 shënohet nga frika anembanë botës, për një luftë të re botërore. Shkak për këtë ishte pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt, që futi botën në krizën më të madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Sikur kjo të mos mjaftonte – përfshirë krimet kundër njerëzimit në Ukrainë – kreu i Rusisë, Vladimir Putini, kërcënon kundërshtarët me përdorimin e armëve bërthamore. Kjo luftë shkaktoi edhe fluksin më të madh të refugjatëve në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që ka marrë jetën e qindra-mijëra ushtarëve dhe civilëve. Lufta po ashtu thelloi krizën energjetike, atë të ushqimit si dhe inflacionin. Inflacioni në Eurozonë arriti në 10.1 për qind në nëntor.
Në anën tjetër është kërcënimi i Kinës ndaj lirisë së Tajvanit. Në Kinë, Xi Jinping rizgjedhet në krye të Partisë Komuniste në Kongresin e XX në tetor, përkundër faktit se gjatë dhjetë viteve në krye të vendit ai ka demonstruar dëshirën për kontroll, duke ndërhyrë në pothuajse të gjithë mekanizmat e vendit dhe duke shkelur të drejtat e njeriut.
Në Shqipëri, pas një periudhe të gjatë zvarritjesh dhe pritjeje, Bashkimi Evropian nis bisedimet për anëtarësim. Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria vlerësohet për angazhimin e saj si aleate me Shtetet e Bashkuara për çështjen e Ukrainës. Ilir Meta mbylli pesë vjetët si president vendi. Vendin e tij e zuri gjenerali Bajram Begaj. Ndërsa, trazirat e karakterizojnë Partinë Demokratike. Tentimi i mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë selinë, shënoi thyerje të pariparueshme brenda partisë. Lulzim Basha jep dorëheqje nga posti i kryetarit. Me rimarrjen e kontrollit të partisë, Berisha zgjodhi të qëndrojë më pranë me Partinë e re të Lirisë të ish-presidentit Meta, cili nga Autoriteti i Dosjeve shpallet si spiun – si denoncues i një shoku gjatë viteve të universitetit. Shqipëria më 2022 u shënua me shumë skandale korruptive, ku kryesorja është ajo që njihet si çështja e inceneratorëve. Po ashtu, vendi u ballafaqua me sulme kibernetike në korrik dhe në shtator. Përgjegjësia u hodh mbi Iranin, ndaj të cilit Tirana zgjedh kundërpërgjigjen e fortë: ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, për çfarë merr mbështetje të hapur nga Shtetet e Bashkuara.
Më 27 nëntor në Tiranë u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga të dy vendet, në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa, më 6 dhjetor, po në Tiranë, u organizua Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i pari i mbajtur në rajon. Samiti mblodhi së bashku liderët e BE-së dhe të rajonit, të cilët diskutuan për disa çështje në kryeqytetin e Shqipërisë.
E, më 2022, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në mars, Enti Shtetëror i Statistikave i Maqedonisë së Veriut shpalli rezultatet e regjistrimit të popullsisë në vend, duke njoftuar se gjithsej janë regjistruar 2 097 319 shtetas të vendit, prej të cilëve 1 836 713 rezidentë dhe 260 606 jo rezidentë. Më 2 korrik në Shkup filluan protestat opozitare kundër “propozimit francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes, që vazhduan më tej edhe në ditët në vijim, me incidente. Po në korrik, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi konkluzionet që e obligojnë qeverinë të vazhdojë procesin me BE-në, si dhe të miratojë kornizën e negociatave për anëtarësimin në bllokun evropian, respektivisht “propozimin francez” të propozuar nga Presidenca e Francës në Këshillin e BE-së.
Në ShBA, në nëntor u mbajtën zgjedhjet afatmesme: demokratët ia dolën ta mbajnë kontrollin e Senatit. Por, kjo nuk e ndaloi republikanin Donald Trump që të shpallë kandidaturën e re për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Pas një sërë skandalesh dhe një sërë dorëheqjesh, kryeministri konservator britanik, Boris Johnson, jep dorëheqjen në korrik. Liz Truss emërohet si pasardhësja e tij – dy ditë para vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth më 8 tetor, pas 70 vjetëve në fron. Më 10 shtator, Charles III shpallet mbret. Ndërsa, pushteti i Trussit zgjati vetëm 44 ditë. Kryeministër i ri britanik emërohet Rishi Sunak.
Në vitin 2022, fatkeqësitë e lidhura me ngrohjen e klimës janë shumëfishuar. Ishte vera më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Evropë; temperaturat rekorde dhe valët e të nxehtit shkaktuan thatësira dhe zjarre pyjore. Pas negociatave të vështira, konferenca e OKB-së për klimën (COP27) përfundoi më 20 nëntor në Sharm el-Sheikh (Egjipt), me kompromisin për ndihmën për vendet e varfra të prekura nga ndryshimet klimatike, por edhe me dështimin për t’i caktuar objektivat e reja ambicioze për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë. Në mesin e dhjetorit, më shumë se 190 vende miratojnë marrëveshjen historike në Montreal në përpjekjen për të ndaluar shkatërrimin e biodiversitetit dhe burimeve natyrore.
Më 16 shtator, Mahsa Amini, iraniania 22-vjeçare me origjinë kurde, vdes në spital – tre ditë pasi u arrestua nga e ashtuquajtura Policia e Moralit që e akuzoi për shkelje të kodit të rreptë të veshjes për gratë në Republikës Islamike. Vdekja e saj ka shkaktuar një valë protestash në të gjithë Iranin, të paprecedenta që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Autoritetet thonë se janë regjistruar të paktën 300 vdekje, ndërsa një OJQ me bazë në Norvegji përmend shifrën 469.
Pas katër viteve në pushtet, presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, u mposht nga i majti Luiz Inacio Lula da Silva në zgjedhjet presidenciale të 30 tetorit. Por, në Evropë fituan dy ultra-konservatorë: Viktor Orbani në Hungari dhe Giorgia Meloni në Itali.
Ngjarje tjetër e vitit 2022 ishte blerja e rrjetit Twitter nga Elon Musku për 44 miliardë dollarë. Disa menduan se kjo ishte e mirë për “fjalën e lirë”, disa jo.
Edhe Kosova është përballur me kriza të ndryshme gjatë vitit 2022: në veçanti me inflacion dhe problemet në veri të vendit.
Vitin 2022 Kosova e nisi me paralajmërimet për krizë energjetike. Çmimet e importit u rritën saqë reduktime kishte edhe gjatë verës. U rritën edhe çmimet e produkteve ushqimore, si dhe të çmimeve të naftës.
Në gusht, Sindikata e Bashkuar e Arsimit e Kosovë (SBASHK) vendosi të futet në grevë të përgjithshme. Greva zgjati deri më 3 tetor. Por, problemet më të mëdha kishin të bënin me veriun e vendit. Qeveria e Kosovës njoftoi se do të largonte nga qarkullimi veturat me targat ilegale të lëshuara në Serbi. Ky vendim nxiti tensione dhe u desh disa herë intervenimi i bashkësisë ndërkombëtare për ta qetësuar situatën. Më vonë u arrit një marrëveshje në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas së cilës Serbia detyrohet të mos lëshojë më targa të reja për serbët e Kosovës, ndërkohë Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga afati për riregjistrimin e automjeteve me tabelat RKS. Gjatë kësaj kohe, më shumë se dhjetë vetura u dogjën në veri pasi paraprakisht kishin regjistruar veturat në targat e ligjshme të Kosovës. Vendimin për targat në veri refuzoi ta zbatonte edhe drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Nend Gjuriq. Ai u suspendua nga puna dhe ky vendim nxiti largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës. Veriu ishte i tensionuar edhe gjatë dhjetorit 2022, kur institucionet e Kosovës vendosën që të mbanin zgjedhje në komunat veriore në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. U sulmuan zyrat e KQZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok. Si i dyshuar për organizimin e këtij sulmi u arrestua ish-polici i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ky arrestim nxiti grupet e serbëve që t’i vendosnin barrikada në katër komunat veriore: në Mitrovicë të Veriut, në Zveçan, në Zubin Potok dhe në Leposaviq. Ato u larguan pas 20 ditësh, më 29 dhjetor. Kontrolli i Kosovës në veri çdo herë e më shumë pakësohej.
Muaji korrik Prishtinën e karakterizoi me një nga ngjarjet e mëdha kulturore në Evropë, “Manifesta, Bienalja Evropiane Nomade”, që zgjati 100 ditë dhe që iu kushtua artit në hapësirat publike. Ndërsa, lajmi më i mirë për Kosovën më 2022 ishte ai se ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëTraditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare
Histori e shkurtë e muzikës shqiptare: Thesari ende i panjohur
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj