LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Kushtetuese konstaton se Inspektorati i Punës nuk ka kompetencë për kthimin e punëtorëve në vendin e punës

Gjykata Kushtetuese konstaton se Inspektorati i Punës nuk ka kompetencë për kthimin e punëtorëve në vendin e punës

Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata” ka shpjeguar se si Inspektorati i Punës nuk ka kompetencë për kthim e punëtorëve në vendin e punës.

Sipas tyre, ligjshmëria e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese dhe se ky inspektorat nuk mund ta bëj një vlerësim të tillë.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes Aktgjykimit K027/21 konstaton se Inspektorati i Punës nuk është ‘gjykatë’ apo ‘tribunal i pavarur’ pasi që është pjesë e ekzekutivit dhe se mbikëqyrjen e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Mbrojtje dhe Siguri në punë mund ta bëj vetëm përmes shqiptimit të gjobave”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqërie.


“Shqyrtimi i ligjshmërisë së vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është kompetencë ekskluzive e Gjykatës dhe Inspektorati i Punës nuk mund të bëj një vlerësim të tillë. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese vjen pas shumë vitesh të tejkalimit të kompetencave ligjore nga Inspektorati i Punës ku në shumë raste Inspektorati i Punës ka marr vendime për kthim në punë të punësuarve”, thekson njoftimi.

Po ashtu, theksohet se Kushtetuesja ka konstatuar se Ligji i Punës është zbatuar gabimisht nga Inspektorati i Punës dhe gjykatat.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se neni 94 i Ligjit të Punës 03/L-212 te Punës është në përputhshmëri me Kushtetutën por që është zbatuar gabimisht nga Inspektorati dhe në disa raste edhe nga gjykatat. Roli i Inspektoratit të Punës është tejet i rëndësishëm por ky rol duhet zbatuar në përputhje me kufizimet e përcaktuara nga ligji dhe pa interferuar në çështjet që janë kompetencë e gjykatës”, përfundon kjo shoqëri. /Telegrafi/