LAJMI I FUNDIT:

Rrëzimi i një droni në Serbi? Kurti: Pyetni ata, unë nuk mund ta di – ka aq shumë veprime joracionale atje

Rrëzimi i një droni në Serbi? Kurti: Pyetni ata, unë nuk mund ta di – ka aq shumë veprime joracionale atje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur të enjten pyetjeve të gazetarëve në Berlin lidhur me raportimin se autoritetet e Serbisë kanë rrëzuar një dron afër Rashkës.

Kryeministri Kurti pas Samitit për Ballkanin Perëndimor që u mbajt të enjten në kuadër të Procesit të Berlinit tha se për këtë çështje duhet të pyetet Beogradi, pasi ai nuk mund të di se dronët e kujt hyjnë në Serbi.

“Pyeti ata, nuk e di se cilët dronë kanë hyrë në Serbi dhe nga ku… Pra, a mendoni se në një vend ku regjimi në pushtet nuk është demokratik, gjithçka është racionale? Ka aq shumë veprime jo racionale atje”, iu është përgjigjur Kurti pyetje të gazetarëve, raportojnë mediat serbe.


Ndryshe, dy ditë më parë Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tha se ushtria serbe ka rrëzuar një dron komercial në zonën e gjerë të Kopaonikut.

Siç u tha në deklaratën e ministrisë serbe, droni u rrëzua duke përdorur masat e pengesave elektronike në afërsi të objekteve ushtarake të garnizonit të Rashkës.

Kryeministri i vendit ka folur edhe për çështje tjera para gazetarëve në Berlin.

Ai ka folur edhe lidhur me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, si dhe për kërkesën e SHBA-ve për shtyrje.

Kurti ka thënë se 21 nëntori është dita kur nis gjobitja e vozitësve me targa ilegale.

“Ajo është dita kur makinat të cilat insistojnë të qarkullojnë me targa ilegale, do të duhet të fillojnë të paguajnë gjoba. Nuk jam i interesuar që dikush të gjobitet, jam interesuar që targat të konvertohen nga ato ilegale të lëshuara nga Serbia, në targa legale të lëshuara nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai tha se pengesa nuk është mosinformimi por është terrori nga ana e Beogradit që u bëhet serbëve të Kosovës të cilët sipas tij, kërcënohen dhe sulmohen edhe me djegie të veturave të tyre kur ata tregojnë gatishmëri për tu integruar në sistemin e Kosovës. /Telegrafi/