LAJMI I FUNDIT:

Ivanovska: Vitin e kaluar KSHPK ka iniciuar procedurë për 710 zyrtarë që nuk kanë dorëzuar pyetësor

Ivanovska: Vitin e kaluar KSHPK ka iniciuar procedurë për 710 zyrtarë që nuk kanë dorëzuar pyetësor

Komisioni për Antikorrupsion ka autoritetin për të regjistruar personat e zgjedhur dhe të emëruar, të cilët janë të detyruar të paraqesin një pyetësor. Ky regjistër duhet të plotësohet me të dhënat e dorëzuara nga menaxherët në institucionet dhe organet që i bëjnë zgjedhjet, në afat prej 15 ditësh nga data e zgjedhjes, tha kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, në përgjigje të pyetjes së deputetit Brane Petrushevski nga OBRM-PDUKM për aferën “Pronat Sekrete”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kryeministrit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe zv. kryeministrit i është theksuar disa herë që të gjithë ata që emërohen nga Qeveria të informojnë KSHPK-në dhe të plotësojmë regjistrin. Kjo nuk ndodh, ndërveprueshmëria nuk funksionon”, thotë Ivanovska.

Ajo tha se vitin e kaluar kur ka pasur më shumë shkarkime dhe emërime, KSHPK-ja ka ndërmarrë aksion dhe më pas kanë dalë 710 zyrtarë që nuk kanë dorëzuar pyetësor dhe se për të gjithë janë nisur procedurat, rreth 400 janë përfunduar, ndërsa për pjesën tjetër është ende në vazhdim.


“Mbledhja e informacionit dhe e të dhënave është manuale, shkon ngadalë. Duhet të keni parasysh të gjitha këto parakushte që ndikojnë në funksionimin e Komisionit. Kontrollimi i gjendjes pasurore bëhet sipas planit vjetor, në përputhje me ligjin, pas dorëzimit të raporteve me vetiniciativë”, tha Ivanovska.

Për këtë vit, shtoi ajo, kemi 54 të zgjedhur të cilët janë pjesë e planit tonë vjetor, duke përfshirë deputetë, drejtorë dhe kryetarë komunash./Telegrafi/