Kukullat e saj nuk mbijetonin asnjëherë gjatë. Që kur mban mend, Teuta Hyseni thotë se gjithmonë i priste lodrat e saj në gjysmë për të parë se si ishin të ndërtuara nga brenda.
Mijëvjeçarin e ri në shtëpinë e saj në Gjilan e kishin pritur me një kompjuter të ri, Pentium 3, e të njëjtën kureshtje ia kishte ngjallur edhe teknologjia që e fuqizonte atë.
E lindur në një familje atëherë pesëanëtarëshe, Teuta përshkruhej gjithmonë si një vajzë e urtë, asnjëherë e lazdruar dhe shumë e lidhur pas nënës së saj. Diçka tjetër që e karakterizonte atë ishte edhe pasioni për video-lojërat, si Counter Strike dhe Need for Speed, i ngjallur nga koha që kalonte me dy vëllezërit e saj dhe gatishmëria për t’i luftuar kornizat tradicionale gjinore.
Këto karakteristika e kanë ndjekur Teutën gjatë gjithë rrugëtimit të saj jetësor: nga shkollimi fillor dhe i mesëm në Gjilan, ai universitar në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e deri te punësimi në gjigantin amerikan, Microsoft, si inxhiniere e sigurisë kibernetike.
Dashuria për numrat që ia përcaktoi fatin në jetë
Prej kur kishte filluar shkollimin, Teuta gjithmonë preferonte të zgjidhte probleme matematikore, para se të shkruante ndonjë ese ose të lexonte teori. Kjo e kishte shtyrë atë që ta zgjidhte inxhinierinë për karrierën e saj, e jo drejtësinë që ishte opsioni i saj i dytë, apo mjekësinë që ishte preferencë e familjes së saj.
Edhe tani, ajo preferon të merret vesh me të tjerët përmes numrave, në vend të fjalëve, pasi thotë se i mban mend më lehtë.
“Është një gjë shumë qesharake. Në autostradat në Amerikë, secila dalje e ka numrin dhe emrin. Unë kurrë nuk mund ta mbaj mend emrin e daljes, gjithmonë me numra shkoj. Njerëzit zakonisht e mbajnë mend emrin, unë vetëm them ‘tregoma numrin’”, thotë Teuta duke qeshur, teksa rrëfen për REL-in jetën e saj në San Francisko të SHBA-së.
Familja Hyseni në Gjilan, qytet në pjesën lindore të Kosovës, numëron disa anëtarë që e ndajnë këtë dashuri për numrat. Ndër ta ishte edhe babai i Teutës, i cili ishte matematikan. Megjithatë, ai nuk pati fatin ta shijojë suksesin e vajzës së tij në fushën që e donte, pasi që vdiq kur Teuta ishte dyvjeçare.
Por, përderisa mund ta ketë marrë dashurinë për lëndët ekzakte nga babai i saj, mbështetjen morale për të vazhduar në këtë drejtim, pavarësisht sfidave, thotë se e mori nga nëna e saj.
Nga dëshira për ta bërë nënën krenare, Teuta thotë se nuk u dorëzua kur hasi në sfida.
“Ndoshta shembull në jetë për mua ka qenë mami im me atë përkushtimin e saj. Ajo më ka shtyrë gjithmonë, sepse kam pasur shumë sfida në jetë, kur kam thënë se nuk dua [të vazhdoj] më, sepse jam lodhur dhe nuk mundem më”, rrëfen gjilanasja, duke treguar se kur kishte diplomuar në Universitetin Luterian të Teksasit, më shumë ishte emocionuar nga prania e nënës së saj, sesa nga profesorët që do ta vlerësonin.
Sfidat që s’e ndalën dot
Edhe pse kishte nisur përgatitjet për studime universitare për inxhinieri jashtë Kosovës që nga viti i dytë i shkollës së mesme, zgjedhja e saj nuk i erdhi lehtësisht.
Teuta u përball me shumë dyshime nga njerëz që i sugjeronin të zgjidhte një fushë tjetër që do të ishte, sipas tyre, më e përshtatshme për një vajzë.
“Në shoqëri, këto lëndët STEM [shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë] gjithmonë mendohen që janë për meshkuj. Por, kjo nuk ka kuptim, pasi që në shkollë fillore e të mesme vajzat janë më të zonjat se djemtë. Unë gjithmonë e kam pasur pyetjen se çfarë bëhet kur shkojmë në fakultet… A e humbim atë diturinë që e kemi në shkollë të mesme?”, thotë ajo.
Përgjigjen e kësaj pyetjeje që ia kishte bërë vetes, e mori në vitin 2008, kur nisi studimet në Universitetin Luterian të Teksasit. Gjatë studimeve, Teuta tregon se ishte më e përgatitur në Matematikë e Fizikë, sesa shumë studentë të tjerë dhe, për këtë arsye, u zgjodh edhe guvernatore e studentëve gjatë viteve të fundit të studimeve.
Megjithatë, jo gjithçka ishte e lehtë për të. Kur shkoi në Teksas, Teuta thotë se hasi në vështirësi shkaku i gjuhës, metodave të shkrimit akademik dhe orarit të ngjeshur të ligjëratave dhe detyrave universitare.
Por, dëshira e madhe për të arritur e motivoi që, përveç angazhimit në fakultet, të bënte praktikë në kompaninë e teknologjisë, Rackspace, në shoqatën bamirëse, Make A Wish, dhe në kompaninë e investimeve, Bulldog.
“Unë, faktikisht, kam lënë të gjithë familjen dhe jetoj tash në Amerikë, shumë larg prej tyre. Dhe nëse nuk arrij, me gjithë ato sakrifica, atëherë do të më dukej humbje kohe dhe nuk do t’ia vlente nëse nuk bëj diçka më shumë sesa që do të kisha mundur të bëja në Kosovë”, shprehet Teuta.
Shpeshherë në karrierën e saj, Teuta thotë se është dashur t’ua dëshmojë edhe të tjerëve vlerën e saj. Paragjykimet se një vajzë nuk mund të jetë një inxhiniere e zonja, e ndoqën edhe në SHBA. Ajo rikujton se si këshilluese për siguri kibernetike për firmën Denim Group, me bazë në San Antonio të Teksasit, ishte nënvlerësuar nga inxhinierët softuerikë, punën e të cilëve po e analizonte.
“Të gjitha informatat duhej t’i merrja nga inxhinierët e asaj kompanie dhe atë mëdyshjen e tyre që ndoshta unë nuk jam person me dituri, e kam ndier shkaku i mënyrës së komunikimit. Ata nuk ishin në dijeni të asaj se çfarë kam gjetur unë dhe kur e kam prezantuar raportin, shefi i sigurisë në atë kompani gati sa nuk filloi të qante, për shkak se ata kishin shumë probleme të sigurisë kibernetike”, kujton ajo.
Dëshira e pangopshme për të arritur më shumë
Në nëntor të vitit 2017, Teuta nisi punën si inxhiniere e sigurisë kibernetike në kompaninë e teknologjisë, Microsoft, ku tani shërben edhe si mentore për inxhinierët e rinj në atë departament.
Teuta thotë se e ndien obligim moral që t’i bëjë produktet e paketës Office, në të cilat punon, të sigurta për përdoruesit, pasi, siç thotë, “nuk mund të presim që njerëzit e rëndomtë të jenë të vetëdijshëm dhe të kenë mundësi të mbrohen vetë”.
“Kjo është arsyeja pse unë ende jam në fushën e sigurisë kibernetike”, thotë ajo.
Teuta dëshiron t’i kontribuojë komunitetit të sigurisë kibernetike edhe në Kosovë. Këtë ajo po e bën përmes pjesëmarrjes në konferenca të ndryshme, si ajo e javës së kaluar në Prishtinë: Samiti Digjital për Ballkanin Perëndimor. Në këtë samit, Teuta mbajti një fjalim frymëzues në temën “Besimi dhe siguria”.
E, për vetë Teutën, frymëzim është ëndrra për ta hapur një kompani të saj në fushën e teknologjisë. I vetmi shqetësim në këtë aspekt është se do ta ketë të vështirë ta braktisë rehatinë që e ka në Microsoft.
“Një gjë që do ta them për të rinjtë është që nëse mendoni të jeni sipërmarrës, atëherë nisjani herët, sepse kur vjen në një pikë ku je shumë rehat, është e vështirë ta lësh atë dhe të fillosh diçka të re. Sa më shumë që të kalon koha, aq më e vështirë do të jetë”, thotë ajo.
Por, pavarësisht problemeve që mund t’i hasë në fillim kur ta nisë rrugëtimin tjetër drejt ëndrrës së saj, Teuta thotë se është e gatshme të përballet me çdo sfidë.
“Besoj që edhe kësaj do t’ia arrij”, shprehet ajo, teksa optimizmi i vërehet edhe në sytë e rrudhosur nga buzëqeshja./REL
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
14-vjeçari që theri për vdekje bashkëmoshatarin në Tiranë lihet në burg, grupi hetimor sekuestron kamerat e sigurisë
VLEN: Behixhudin Shehapi dhe BDI për 20 vite e shndërruan Jeni Xhaminë në muze
Siljanovska-Davkova: Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, simbol i aspiratës për emancipim dhe iluminizëm
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Tiranë, publikohen pamje të reja nga ekzekutimi i 28-vjeçarit
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje