LAJMI I FUNDIT:

Sveçla viziton Gjakovën dhe Rahovecin: Ofruam përkrahje për tejkalimin e situatës

Sveçla viziton Gjakovën dhe Rahovecin: Ofruam përkrahje për tejkalimin e situatës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar këtë të shtunë Komunën e Gjakovës dhe Rahovecit për të parë nga afër gjendjen pas vërshimeve dhe reshjeve të shumta.

Sveçla njoftoi se me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kanë vizituar familjet në lagjet të cilat janë të prekura nga vërshimet.

“Gjatë kësaj vizite kuptuam nevojat e qytetarëve dhe ofruam përkrahjen e parezervë të organizmave reagues me qëllim të tejkalimit të situatës”, shkroi ai në Facebook.


Ndërsa, me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se kanë vizituar fshatin Fortesë për t’u njoftuar për dëmet të cilat janë shkaktuar nga reshjet e mëdha të shiut.

“Ministria e Punëve të Brendshme përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave ka ofruar kontributin me zjarrfikës të cilët janë angazhuar në evakuim të familjeve në lagje të ndryshme. Policia e Kosovës dhe FSK është në koordinim të ngushtë me dy Komunat që t’iu përgjigjet kerkesave dhe nevojave të qytetarëve gjatë tërë kohës”, shkroi tutje ministri Sveçla. /Telegrafi/